Prof.dr.Resmi Osmani: Letër e hapur, Eleni Souranit, ambasadore e Greqisë, në Tiranë

Prof.dr.Resmi Osmani: Letër e hapur, Eleni Souranit, ambasadore e Greqisë, në Tiranë

Zonja ambasadore, shkak për këtë letër të hapur, u bë deklarimi Juaj në intervistën për “Albania Daily News” dhe publikuar në gazetën “Dita” për çështjen çame. Ju, deklaruat tekstualisht: “Çamët e Greqisë (duhet t’i ndajmë nga çamët e Shqipërisë) lanë vendin në fund të pushtimit gjerman, duke ndjekur tërheqjen e trupave gjermane, nga frika e raprezaljeve që mund të kishte si pasojë e bashkëpunimit të liderëve të tyre me forcat okupatore…”. Ndërsa për pronat e tyre, ju u rekomandoni t’u drejtohen gjykatave greke.

Që Ju nuk keni të drejtë dhe gaboheni, po ja u parashtroj qartë dhe fare thjesht:

Kam lindur në Çamëri (Thesprotia) më 0.5.05.1940 në fshatin Mazrek (Mazarakia), të Margëlliçit (Margariti). Aty gjenden rrënojat e shtëpisë, arat, tokat dhe ullishtat, prona të familjes sime. Deri në vitin 1953, kam qenë qytetar i shtetit grek, i shpërngulur në Shqipëri. Ati im, gjatë luftës nuk u ngatërrua në lëvizjet apo simpatitë politike, ishte një bujk i thjeshtë që shihte jetën e vet. Ne e lamë vendin kur Zerva filloi masakrën ndaj popullatës çame; ai në 27 qershor 1944, vrau dhe masakroi në Paramithi dhe rrethinat mbi 600 burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm. Përpjekja për të shpëtuar jetën, është e drejtë themelore e gjithkujt. Ose iknim ose vdisnim.

I mashtruar nga propaganda, ati im me familjen, u kthye në pranverë të vitit 1945 në Çamëri. Ai, bashkë me mbi 80 vetë, të pafajshëm që po ktheheshin në shtëpitë e tyre, u vra në Filat nga bandat zerviste, pa faj dhe pa shkak, dhe ne u rikthyem në Shqipëri. Nga trungu im familjar, mbetën të vrarë e të vdekur pesë persona.

Zonja ambasadore, kjo është e vërteta e thjeshtë e familjes sime dhe e qindra e qindra familjeve të tjera çame, viktima të politikës megalideiste dhe genocidit për spastrimin etnik të Çamërisë nga shtetasit grekë që i përkisnin popullatës shqiptare myslimane.

Pronat e familjes sime, mbi bazën e ligjit të luftës që shteti juaj e mban në fuqi, janë në sekuestro konservative dhe me një sërë aktesh të tjera juridike, thuajse janë tjetërsuar dhe shpronësuar.

Pyetja ime për ju dhe qeverinë që përfaqësoni është e thjeshtë: Mbi familjen time dhe mua individualisht si trashëgimtar, si ish shtetas grek, nuk rëndon asnjë implikim, delikt apo çështje penale. Me ç’të drejtë më ndalohet kthimi fizik në vendin tim dhe zotërimi i pronave të trashëguara që vërtetohen me dokumenta kadastralë?

Kjo vlen edhe për qindra familje të tjera.

Kësaj pyetje ju duhet t’i jepni përgjigje dhe jo të përsërisni ca sllogane stereotipe që u ka ikur koha.

Tiranë, më 22.09.2016

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …