Demostratat e vitit 1981

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – II

 -10-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery  Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 15 prill 1981

I nderuar Alan,

Kosova

 

  1. Dy javë pas dhunës në Kosovë, më 1 prill, shtypi vazhdon të raportojë çdo ditë se jeta po i kthehet normalitetit në këtë krahinë, megjithëse ka pasur raporte për trazira të tjera, më 2 dhe 8 prill. Shumica e xhamave të thyer të dyqaneve janë riparuar dhe copëzat e thyera janë hequr nga rrugët e Prishtinës. Njerëzit po i kthehen punës së tyre normale, megjithëse ka mbetur në fuqi ndalimi i tubimeve publike, ndërkohë që qarkullimi i trafikut ka filluar sërish. Forcat e sigurisë kanë mbetur në pikat strategjike. Shkollat fillore janë rihapur më 13 prill, megjithëse mësimi nuk ka filluar ende në shkollat e mesme; ndërkohë Universiteti është duke pastruar dëmet e shkaktuara dhe po përgatitet për të kryer provimet e pranverës. Regjistrimi kombëtar i popullsisë është kryer në shkallë të madhe, megjithëse, kur çmohet e nevojshme, është lejuar shtyrja e afatit në Kosovë.
  2. Lidhja Socialiste e Kosovës sapo ka nxjerrë statistika “përfundimtare” për të korrigjuar zërat që qarkullojnë mbi humbjet dhe plagosjet e njerëzve në këtë ngjarje. Tetë demonstrues dhe një milic janë vrarë; katër anëtarë të forcave të sigurisë janë plagosur dhe 12 janë lënduar; dhe nga demonstruesit 55 janë plagosur dhe 75 të tillë janë lënduar. Këto numra duket se janë të ulët dhe zërat e ushqyer me këmbëngulje nga ambasadori shqiptar këtu sugjerojnë që këto numra janë disa herë më të lartë në të gjitha kategoritë.
  3. Sidoqoftë, situata e përgjithshme nuk i është kthyer ende normalitetit dhe jehona e ngjarjeve vazhdon të tingëllojë në takimet e shumta (Lidhja Socialiste pretendon për 10,000 të tillë deri tani) të organizuara nga organizata të ndryshme socio-politike në krahinë dhe më gjerë. Vazhdon të shprehet mbështetja popullore në shkallë të gjerë për vlerësimin zyrtar të situatës dhe kundërmasat e marra. Ndërkohë, organet më të larta të Federatës dhe të Republikave dhe të Lidhjes së Komunistëve po e shqyrtojnë me kujdes situatën. Sipas raporteve të shtypit, ato janë përqendruar kryesisht në dënimin e shpërthimit të nacionalizmit dhe irredentizmit dhe në thirrjen për nxitjen sërish të vëllazërimit dhe unitetit, por një vend më vete po i jepet nxjerrjes së mësimeve, veçanërisht në lidhje me dështimin e autoriteteve lokale për të vlerësuar me korrektësi seriozitetin e situatës dhe dështimin e komunistëve për të bërë detyrën e tyre jo vetëm për të ndaluar demonstratat, por gjithashtu edhe për të penguar njerëzit që të bashkohen me të! Sindikatat e Kosovës e pranojnë tashmë se një numër punëtorësh në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë dhe Ferizaj, janë përfshirë në mënyrë aktive për të ndihmuar organizatorët e demonstratave dhe se kundër tyre do të merren “masa konkrete”. Lidhja Socialiste në Kosovë e ka pranuar gjithashtu se ende vazhdojnë forma të ndryshme të aktivitetit armiqësor. Kështu, Kosova nuk e ka hedhur lumin akoma.
  4. Ndoshta jeni informuar më mirë se unë mbi vërshimet e fundit të Radio Tiranës, por siç shihet që këtu, parashikimet për të sharat e dyanshme të bëra në telegramin tonë nr. 49 të datës 9 prill, pa dyshim që vazhdojnë. Editoriali i “Zërit të Popullit” vazhdon të evokojë komente të reja në media. Asllan Fazlia, kryetar i Komitetit Qendror të Prishtinës, iu referua këtij artikulli dhe një tjetri në gazetën “Bashkimi”, e përshkruar si organ i Frontit Popullor Shqiptar, më 11 prill, kur foli për “mbështetjen e tyre të hapur për demonstratat, metodat e tyre, përmbajtjen dhe karakterin armiqësor”. Ai i përshkroi ato gjithashtu si “thirrje për kryengritje të hapur të popullit shqiptar në Kosovë” dhe i akuzoi ata se kanë ofruar vetëm “një sistem stalinist për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore dhe kombëtare”. Ai i përmblodhi ata “si dhënie e një mundësie ndaj forcave hegjemoniste dhe të tjera për të rirregulluar botën. Kjo mund të mos jetë më në interesin e Jugosllavisë sesa në interesin e vetë Shqipërisë”.
  5. Ndërkohë që vazhdon polemika politike, është me vlerë të thuhet se marrëdhëniet tregtare dhe kulturore ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, vazhdojnë normalisht. Më 9 prill, Dhoma Jugosllave e Ekonomisë vlerësoi se volumi i tregtisë dypalëshe këtë vit do të arrinte në 135 milionë dollarë, d.m.th. 15 milionë dollarë më shumë se në vitin 1980. Më 8 prill, një grup akademikësh nga Tirana bënë një vizitë zyrtare në Titograd dhe nënshkruan një Marrëveshje bashkëpunimi. Më 10 prill, Akademia e Shkencave të Maqedonisë dhe ajo e Shqipërisë lidhën një marrëveshje për bashkëpunim në fushën shoqërore natyrore dhe atë të shkencave të zbatuara. Ata gjithashtu ranë dakord që bashkëpunimi të krijohej së pari në fushën e gjuhës, historisë, gjeografisë, arkeologjisë, etnologjisë dhe në historinë e të kaluarës së përbashkët të dy popujve. Kjo vizitë u krye në përgjigje të një vizite të tillë të bërë nga një delegacion maqedonas në Tiranë. Pritet të nënshkruhen marrëveshje zyrtare në shtator në Shkup.
  6. Situata ka mbetur kështu e paqëndrueshme dhe do të duhet të presim edhe për pak kohë që të përpiqemi të vlerësojmë ngjarjet, shkaqet dhe pasojat e tyre në një mënyrë më të peshuar. Ndërkohë duket se autoritetet po përpiqen shumë për të kontrolluar situatën në krahinë dhe për të marrë masa të menjëhershme për të eliminuar keqbërësit dhe për të lehtësuar disa nga pikat e presionit, veçanërisht Universitetin e Prishtinës. Megjithëse vëzhguesit e huaj nuk lejohen ende të vizitojnë Kosovën, më shumë informacion po merret mbi ngjarjet që kanë ndodhur sesa mbi ndonjë trazirë të ngjashme në të kaluarën. Një gjë e tillë të paktën përbën progres.

                                                                                                                                  I Juaji,                                                                                                                                  T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq, Zyra e Kancelarit
Departamenti i Kërkimit, Uashington
Zyra e Kancelarit
UKDEL NATO
Bruksel

  

-11-

Konfidenciale

EESD
Për dijeni: Z. Bullard                                                                                       16 prill 1981

Kërkesa e ambasadorit jugosllav: Kosova

  1. Ambasadori jugosllav kërkoi dje pasdite për të vazhduar një diskutim të mëparshëm që ai kishte pasur me z. Bullard mbi trazirat në Kosovë kur z. Bullard i kishte sugjeruar, duke pasur parasysh vizitën e z. Eagleberger në Londër, se do të ishte e dobishme që të merreshin përshtypjet aktuale të ambasadorit mbi këto trazira.
  2. Z. Berisavljeviç tha se gjatë ditëve të fundit ai ishte kujdesur për kryetarin e Parlamentit të Vojvodinës, i cili ishte larguar nga Jugosllavia të enjten e kaluar dhe ishte aktualisht në Londër për trajtim mjekësor. Për shkak të sëmundjes së z. Djoronski, kryetari i Parlamentit Federativ, atij i ishte dashur të qëndronte aty gjatë diskutimeve të qeverisë federale mbi masat e nevojshme që duhen marrë për të kontrolluar trazirat. Për këtë arsye, ai ishte plotësisht i informuar, megjithëse jo tërësisht i azhurnuar.
  3. Z. Berisavljeviç tha, nëse – siç e konfirmova – nëse do të kishim lexuar deklaratën e z. Dolanc dhe të kishim raportet nga Ambasada në Beograd, ndoshta do të ishim informuar po ashtu si ai mbi ngjarjet faktike. Ai parashikonte se do të kishte tensione serioze themelore në Kosovë që lindnin nga ndryshimi i ekuilibrit të shqiptarëve dhe serbëve, varfëria e përgjithshme e krahinës me gjithë zhvillimin e konsiderueshëm ekonomik në dekadën e fundit dhe ndikimin e situatës ekonomike që po përkeqësohej në Jugosllavi në tërësi. Përveç kësaj, kishte tensione të veçanta shoqërore mbi ekzistencën në Jugosllavi dhe në Kosovë të diferencimeve në pagë në raportin 1:5, ndërkohë që diferencimi maksimal ishte vetëm 1:2. Sidoqoftë, me gjithë këto sforcime trazirat nuk do të kishin ndodhur po të mos kishte një organizim të qëllimshëm dhe të planifikuar nga ana e një grupi të vogël aktivistësh. Këta ishin drejtuar kundër Jugosllavisë që kur ishte bërë thirrja për autonominë e Kosovës në kontekstin e Shqipërisë së Madhe dhe autonomisë jashtë Jugosllavisë. Për arsye të qarta ky zhvillim ishte shumë trazues. Nëse shqiptarët do të ishin përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo do të ishte edhe më e çuditshme për shkak të përmirësimit masiv të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave gjatë 3 viteve të fundit. Gjithashtu, jugosllavët kishin vënë re se fillimisht nuk kishte komente nga ana e Shqipërisë, por pas trazirave më të fundit kishte pasur të paktën një artikull të zjarrtë në shtypin shqiptar që mbështeste këto trazira. Z. Berisaljeviç dyshonte se mund të kishte rryma të ndryshme politike brenda Shqipërisë dhe komentoi se z. Hoxha ishte i sëmurë dhe se mund të kishte një lloj manovrimi për këtë pozicion në radhët e pasuesve të mundshëm të tij (ai, ashtu si ne dhe italianët, nuk kishte informacion se kush mund të ishte në garë për këtë post).
  4. E pyeta ambasadorin nëse kishte influencë sovjetike. Ai tha se, mesa dinte ai, nuk kishte të dhëna për këtë qëllim, por ishte e mundur të argumentohej se Bashkimi Sovjetik ishte i interesuar për destabilizimin e Jugosllavisë në këtë kohë; modeli jugosllav kishte influencuar qartazi tek polakët dhe të tjerë dhe do të ishte në avantazhin e Bashkimit Sovjetik që të tërhiqte vëmendjen tek dobësitë jugosllave. Për më tepër, kohët e fundit kishte pasur më shumë presion nga bullgarët. Ambasadori komentoi në mënyrë të ashpër se nacionalizmi bullgar, i manifestuar në festimet e përvjetorit 1 300-të nuk është drejtuar asnjëherë kundër Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, ishte një kërcënim i përhershëm për Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
  5. Në fund, z. Berisavljeviç tha se autoritetet ishin kundërpërgjigjur me kaq shumë forcë (megjithëse dëmtimet kishin qenë në masë të madhe vepër e protestuesve) për t’i treguar jo vetëm Kosovës, por edhe pjesëve të tjera të Jugosllavisë, se ato nuk ishin përgatitur për të toleruar ndonjë kundërshtim të unitetit të vendit. Sidoqoftë, kjo ishte një situatë shqetësuese dhe ai nuk përjashtoi në asnjë mënyrë faktin se do të kishte trazira të mëtejshme në muajt e ardhshëm.
  6. A. J. Fergusson

 

 

 -12-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                      Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                        Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 22 prill 1981

I nderuar Charles,

 

Kosova

 

  1. Një prej ngjarjeve në Kosovë që mund të shpjegohet në mënyrë të kënaqshme është zjarri i vënë në Patriarkanën Ortodokse Serbe në Pejë, më 16 mars. Gazeta ortodokse serbe “Pravoslavlje” ka shtuar dyshimet e versionit zyrtar mbi shkakun e zjarrit.
  2. Sipas njoftimit zyrtar të dhënë të nesërmen, zjarri ishte shkaktuar nga një defekt në instalimet elektrike si dhe nga oxhaqet dhe tubat e ndërtuara në mënyrë të parregullt në një furrë me lëndë djegëse. Zjarri filloi në 3.30 të mëngjesit në pjesën e majtë fundore të ndërtesës së vjetër për të ftuarit mbi dhomat e patriarkut. Njëra prej murgeshave i ra alarmit dhe thirri skuadrën zjarrfikëse, por makina e parë zjarrfikëse mbërriti me cisternë uji të boshatisur dhe makina e dytë zjarrfikëse u prish rrugës! Murgesha vuri re më pas se papritur shpërtheu një zjarr i dytë më i fuqishëm se i pari rreth 40 metra larg çatisë së ndërtesës. Ajo pohoi se zjarri nuk ishte përhapur nga vendi i parë. Skuadra zjarrfikëse filloi të shuante zjarrin në 4.30 të mëngjesit, por makinat e tjera zjarrfikëse arritën vetëm në intervalin kohor midis gjysmë ore dhe 2 orë më vonë dhe një cisternë e fuqishme me tub të gjerë arriti vetëm në orën 7.30 të mëngjesit, kur zjarri ishte përhapur në ndërtesën e re të miqve dhe deri tek Thesari. Klerikë të ndryshëm që qëndronin te kjo Patriarkanë, murgeshat dhe një numër punëtorësh arritën në shpëtonin një koleksion të paçmueshëm librash dhe objektesh të tjera fetare nga Thesari. Zjarri u shua përfundimisht pa shkaktuar dëme të kishës apo ndërtesave të tjera.
  3. Shpejt u përhapën fjalë nëpër Beograd për zjarr vënie të qëllimshme që dilnin kryesisht nga Patriarkana, këtu duke u bazuar pa dyshim në ngjarjen e murgeshës më lart. Dyshimet u përqendruan në shpërthimin e zjarrit në dy vende që nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin dhe në mosreagimin e brigadës zjarrfikëse në mënyrë të menjëhershme dhe të efektshme. Ndjeshmëria zyrtare u tregua nga vizita e menjëhershme në këtë Patriarkanë në orën 10.00 të mëngjesit po në ditën e zjarrit nga Xhavit Nimani, kryetar i Kryesisë së Kosovës, Bahrija Oruçija, kryeministër dhe Mihailo Zvicer, kryetar i Lidhjes Socialiste të Kosovës dhe të tjerë. Nimani urdhëroi ngritjen e komisionit ekspert për të shqyrtuar rindërtimin e shpejtë të ndërtesave të shkatërruara dhe të dëmtuara. Menjëherë u vunë në dispozicion para dhe materiale ndërtimi për të bërë të mundur që të bëhej e banueshme ndërtesa e re e ndërtuar pjesërisht për miqtë. Po shihej mundësia për të bërë çdo gjë të mundshme, por në mes serbëve mbetet dyshimi.
  4. Dolanc, në konferencën e tij për shtyp, më 6 prill, mohoi mesa kishte të dhëna që të kishte ndonjë lidhje ndërmjet zjarrit të vënë dhe demonstratave nacionaliste. Megjithatë, ai shtoi se hetimi për këtë çështje ishte ende në proces dhe nëse do të zbulohej ndonjë lidhje në këtë drejtim, për rrjedhojë informacioni do të bëhej i ditur. Gjerë tani nuk është thënë asgjë tjetër në këtë drejtim. Sidoqoftë, ne dimë nga rrëfimet publike të demonstratave në Kosovë se ka pasur një paragjykim serb në këtë pikë dhe nëse organizatorët do të dëshironin të bënin një gjest mbresëlënës antiserb, çfarë do të shërbente më mirë se djegia e Patriarkanës serbe? Gjithsesi, askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë. Gjithashtu, komuniteti shqiptar mysliman i cili tradicionalisht e ka ruajtur Patriarkanën për breza të tërë, natyrisht u shqetësua shumë nga e gjithë kjo ndodhi.
  5. Meqenëse kjo është një çështje kaq e ndezur (kërkoj ndjesë për këtë lojë fjalësh), dyshoj se cilido që të jetë shkaku i zjarrit, nuk do të thuhet më asgjë për të. Por serbët do ta mbajnë mend këtë.

 I Juaji,
T. J. Clark

-13-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                       23 prill 1981

Londër, SW1A 2AH

Peter Blaker

I nderuar Tames,

Ju falënderoj për letrën tuaj të datës 10 prill për Peter Carrington mbi përndjekjen fetare në Shqipëri.

Nuk kemi një konfirmim të pavarur për vdekjen e Peshkop Çobës megjithëse dimë që ai është internuar në një fermë kolektive në vitin 1975. Por, nuk ka dyshim se në përpjekjet e tyre për të krijuar shoqërinë e parë të vërtetë ateiste në botë, autoritetet shqiptare kanë praktikuar përndjekje në shkallë të gjerë dhe brutale ndaj të krishterëve dhe myslimanëve dhe se ka pasur disa të vdekur në këtë drejtim. Natyrisht, dënojmë pa rezervë një përndjekje të tillë.

Ju i referoheni dëshirës tonë aktuale për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Ndërkohë që jemi në dijeni të natyrës shtypëse të regjimit shqiptar, do të dëshironim ta shihnim këtë si një argument kundër rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ne kemi marrëdhënie me shumë vende, politikat e brendshme të të cilave i kundërshtojmë fuqimisht. Në të vërtetë, sipas mendimit tonë rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mund të ndihmojë vetëm për të komunikuar drejtpërdrejt me regjimin shqiptar dhe për të bërë kështu të qartë shqetësimin tonë të thellë për akuzat e përndjekjeve të llojit për të cilin keni tërhequr vëmendjen.

Po ju kthej shkresën e BBC të datës 2 prill.

                                                                               I Juaji,

                                                                           Tebi Bleku

  1. Dempsey Esq MP

Dhoma e Komuneve

Londër, SW1A OAA

 -14-

Konfidenciale

Rt. Hon Lord Carrington KCMG MC                                                    Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                        Beograd

Londër S W1, 24 prill 1981

Shkëlqesia Juaj,

Kosova

 

  1. Demonstratat dhe trazirat e kohëve të fundit në Kosovë, krahinë jugore e Serbisë, kanë theksuar përsëri problemet me sa duket të pazgjidhshme të kësaj pjesë të shtetit multinacional jugosllav. Në telegramin tim Nr. 45, të datës 7 prill, kam bërë një vlerësim fillestar të ngjarjeve. Në këtë dokument ju ofroj, mbi bazën e informacioneve që kam aktualisht në dispozicion, një përshkrim më të studiuar të asaj se çfarë ka ndodhur, pse dhe çfarë pasojash mund të ketë.

Ngjarjet

  1. Demonstratat filluan rreth orës 7 pm më 11 mars pas disa ditë ankesash nga studentët e Universitetit të Prishtinës në lidhje me marrëveshjet e bëra për furnizimin e tyre me ushqime. Një student flaku tej me neveri një tabaka me ushqim, por kjo nuk e ndezi dhunën që pasoi. Dhuna u shkaktua me sa duket nga një grup prej rreth 30 studentësh, të cilët shpërthyen nëpër mensë, duke bërtitur dhe duke hedhur karrige dhe tryeza nga dritarja dhe në banakun e sportelit. Më pas studentët dolën në rrugë, duke formuar një turmë prej 400 vetash, dhe u drejtuan për në qendër të qytetit ku u përplasën me milicinë, duke plagosur rreth dhjetë prej tyre. Përfundimisht forcat e milicisë arritën që t’i kthenin mbrapsht studentët në konviktet e tyre, por një pjesë qëndruan jashtë deri rreth orës 2 am duke thirrur parulla politike. Të nesërmen, rektori dhe disa nga pedagogët e stafit u takuan me studentët dhe diskutuan mbi mënyrat për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe studimit. Dukej më pas sikur kjo trazirë kishte marrë fund, megjithëse një zjarr misterioz në Patriarkanën Ortodokse Serbe në Pejë, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 16 mars, mund të ketë qenë vepër e nacionalistëve shqiptarë, me gjithë mohimet zyrtare, të cilat mbështeteshin me entuziazëm nga Kisha.
  2. Megjithatë, më 26 mars një grup prej rreth 40 studentësh u hodhën përsëri në veprim rreth orës 6 am duke mbyllur dyert e tre konvikteve të studentëve, kështu që studentët e tjerë nuk mund të dilnin jashtë. Më pas ata i bindën këta të fundit që të bashkoheshin në territorin e Universitetit, ku formuan një turmë prej disa qindra vetash, e cila shpejt u takua me rektorin dhe disa prej stafit të pedagogëve. Udhëheqësit e studentëve filluan të negocionin me rektorin për të drejtat e tyre por ai i ndërpreu kur ata filluan të paraqisnin kërkesa politike. Demonstratat politike duket se kanë filluar në këtë pikë, kur demonstruesit nxorën flamujt e bërë gati dhe thirrën më zë të lartë parulla politike. Rreth orës 4 pm ata filluan të gjuanin me gurë milicinë, duke krijuar një kordon rreth tyre, në përpjekje për t’u larguar nga kampusi dhe për të dalë në qytet, ku rreth 40,000 veta ishin mbledhur për të përshëndetur mbërritjen e stafit përfaqësues të Titos në udhëtimin e tij përmes Kosovës me rastin e stafetës së përvitshme të rinisë përreth Jugosllavisë. Milicia u përgjigj fuqimisht, disa thonë brutalisht, dhe 23 demonstrues u plagosën, 22 veta nga udhëheqësit e tyre u arrestuan, ndërkohë që gjithashtu u plagosën 14 milicë. Gjatë ditëve në vazhdim, pati akte të tjera dhune, si p.sh. thyerja e xhamave të dritareve dhe prishja e makinave, veçanërisht në komunat përreth Prishtinës, por edhe deri në Prizren.
  3. Trazirat rifilluan më 1 prill në Prishtinë me bojkotin e mësimit nga disa studentë dhe nxënës të shkollave të mesme. Rreth orës 1 pm tre grupe demonstruesish u zhvendosën drejt qendrës së qytetit, duke grumbulluar gjatë rrugës fëmijë shkollash dhe disa punëtorë. Sipas një dëshmitari okular britanik, dhuna filloi kur me turmën u bashkuan punëtorët dhe kur demonstruesit u tërbuan duke thyer xhamat e dritareve dhe duke i vënë flakën makinave dhe një shtëpie ndërkohë që marshonin drejt ndërtesës së Komitetit Krahinor. Grupet, secili i përbërë prej 6-800 vetash, u grumbulluan rreth orës 3 pm përpara ndërtesës, ku valëvitnin flamuj dhe thirrnin me zë të lartë parulla, të cilat qarkullonin më shirita letre, të tilla si: “Kosova Republikë”; “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”; “Nuk e duam kapitalizmin, duam socializmin”; “Poshtë revizionizmi” dhe “Duam Shqipërinë e bashkuar”. Rreth orës 6.30 pm dy nga demonstruesit iu afruan milicisë tek dyert dhe thanë se po prisnin që të fillonin negociata me dikë. Por, turma më pas filloi të shtynte përpara dhe milicia reagoi duke hedhur bomba me tym dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit. Këta të fundit duket se ishin të përgatitur për këtë: ata kishin peshqirë të lagur të gatshëm për të reduktuar efektet e gazit lotsjellës dhe vazhduan të grumbullohen sërish a thua se, siç thanë disa, po drejtoheshin me radio marrëdhëse-dhënëse. Në asnjë fazë forcat e milicisë nuk hapën zjarr në Prishtinë megjithëse dy demonstrues u gjetën të goditur për vdekje, por ata u detyruan t’i përgjigjeshin zjarrit në vende të tjera. Njësitë e Forcave të Armatosura u zhvendosën më pas në Prishtinë nga pjesë të ndryshme të vendit për të siguruar pikat strategjike në këtë qytet dhe gjetkë në zonat përreth, ku raportohej për demonstrata më 2 prill dhe, në mënyrë sporadike, gjatë dy ditëve në vazhdim.
  4. Që atëherë, nuk janë raportuar shqetësime të tjera. Ndalimqarkullimi i vendosur më 2 prill u hoq më 8 prill, por masa të tjera kufizuese kanë mbetur në fuqi, duke përfshirë ndalimin e tubimeve jozyrtare publike, e madje edhe ndeshjet e futbollit, kontrollet e rrepta fizike për të gjithë udhëtarët në këtë zonë dhe ndalimin e vizitave nga të huaj. Pas mbylljes së shkollave fillore për një periudhë dy javore, ato u hapën përsëri më 13 prill, dhe një javë pas tyre u hapën shkollat e mesme dhe universiteti.
  5. Duke folur para një grupi të ftuar gazetarësh të huaj në Prishtinë, më 17 prill, kryetari i Komitetit Krahinor të Kosovës, pranoi se të gjithë organizatorët dhe mbështetësit i përkisnin komunitetit shqiptar, se punëtorët dhe studentët ishin nga ky komunitet, dhe se ata përfshinin gjithashtu disa anëtarë të Lidhjes së Komunistëve. Ai dha statistika të shqyrtuara për të treguar se vetëm 75 civilë ishin dëmtuar dhe 8 ishin vrarë, ndërsa 131 anëtarë të forcave të sigurisë ishin dëmtuar, katër prej tyre rëndë dhe një ishte vrarë, të gjithë shqiptarë. Ndërkaq, 29 njerëz ishin burgosur nën akuzën e të qenit organizatorë të demonstratave, ndërsa 194 njerëz ishin dënuar se kishin marrë pjesë në demonstrata dhe veprime të tjera armiqësore.

Shkaqet

  1. Të gjitha të dhënat tregojnë se demonstratat ishin organizuar dhe drejtuar me qëllim nga shqiptarë të motivuar politikisht, kryesisht studentë. Parullat dhe banderolat ishin qartazi të natyrës irredentiste dhe nacionaliste shqiptare. Mund të kenë qenë të përfshirë edhe elementë të tjerë të spektrit të majtë dhe të djathtë politik, siç pretendonin zëdhënës të ndryshëm zyrtarë, por shkakun kryesor duhet ta kërkojmë tek nacionalizmi shqiptar. Në të vërtetë, një anëtar drejtues i Komitetit Qendror i Sllovenisë tha kohët e fundit në lidhje me Kosovën se “shkaqet kryesore të të gjithë krizave të rënda të Jugosllavisë deri më sot duhet të gjenden tek nacionalizmi dhe jo aq shumë tek problemet sociale”.
  2. Kosova ka dalë në shpërthime të dhunshme të nacionalizmit në disa raste që prej Luftës së Dytë Botërore. Që nga fillimi, Kosovarët ngurronin të bashkoheshin me Jugosllavinë dhe një kryengritje e viteve 1944-1945 u shtyp pa mëshirë, megjithëse pas kësaj vazhdoi për njëfarë kohe një rezistencë në shkallë të kufizuar. Në vitin 1955, u shpall gjendja e jashtëzakonshme për të shuar trazirat që me sa duket ishin nxitur prej terroristëve nga Shqipëria. Rankovic dhe policia e tij sekrete e dominuar nga serbët (UDBA) u shoqëruan veçanërisht me shtypjen brutale të shumicës shqiptare në Kosovë. Pas rrëzimit të tij në vitin 1966 dhe ndryshimeve në UDBA, shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni u ndjenë të inkurajuar në qershor 1967 që të kërkonin Republikë më vete brenda Federatës dhe organizuan demonstrata në shkallë të gjerë në nëntor 1968, të cilat u shtypën përfundimisht nga Forcat e Armatosura. Megjithatë, trazirat nacionaliste vazhduan gjatë gjithë viteve ‘70: anëtarët e “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” u burgosën në vitin 1975; 31 studentë u burgosën në vitin 1976 si anëtarë të Lëvizjes; arrestime të tjera vijuan në vitin 1979 dhe vetë Tito vizitoi Kosovën për të qetësuar situatën; dhe në vitin 1980, tetë nga personat e arrestuar më parë u dënuan me tre deri në tetë vite burgim. Kërkesat e nacionalistëve të Kosovës luhaten midis bashkimit me Shqipërinë dhe pavarësisë nga Serbia si Republikë brenda Jugosllavisë, megjithëse kjo e fundit mund të jetë gjithashtu vetëm një fazë drejt së parës. Përmes shpërthimeve dhe ndryshimeve të mëvonshme në statusin kushtetues të Krahinës, Kosova ka lëvizur një hap më afër vetëvendosjes në Jugosllavi, por është e qartë se nacionalistët nuk janë ende të kënaqur me tutelën formale të Serbisë, megjithëse ata kanë fituar barazinë pothuaj në çdo drejtim tjetër me Republikat e Jugosllavisë.
  3. Ngjarjet kanë edhe një dimension ndërkombëtar. Unë nuk kam asnjë provë për përfshirjen e sovjetikëve dhe Grliçkov, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve, e përjashtoi hapur këtë, në një bisedë me mua, më 6 prill. Përfshirja e Shqipërisë, megjithëse është mohuar zyrtarisht në Tiranë dhe nuk është pranuar haptazi në Beograd, është e mundur. Natyrisht tundimi për bashkim mund të jetë i fortë, kur përtej kufirit jeton një popullsi shqiptare etnike që është sa gjysma e vetë popullsisë në Shqipëri. Dhe Tirana e bëri të qartë në një artikull të shprehur me forcë në gazetën “Zëri i Popullit” më 8 prill, gjë që e vuri Jugosllavinë në siklet, se Shqipëria kishte po aq të drejtë sa Jugosllavia apo ndonjë vend tjetër që të mbronte pakicat e veta kombëtare. Për më tepër, ambasadori shqiptar këtu nuk mban të fshehtë pakënaqësinë e vendit të tij në lidhje me kufijtë aktualë me Jugosllavinë. Por, siç kanë theksuar udhëheqës të ndryshëm jugosllavë në ripërtëritjen e shkëmbimeve kritike me Tiranën, stabiliteti në Kosovë është në interes të Shqipërisë po aq sa edhe të Jugosllavisë. Ata mund të kenë shtuar se kjo zbatohej veçanërisht kur Enver Hoxha po i afrohej fundit të mbretërimit të tij, dhe mund të zhvillohej luftë për pushtet. Me të vërtetë, ka shumë spekulime se në mesin e demonstruesve kishte elementë të cilët këtë situatë e kishin në mendje si një motiv për të krijuar shqetësime sot. Ka disa të dhëna për përfshirjen në demonstrata të kosovarëve të kthyer që kanë punuar jashtë vendit të cilët mund të kenë qenë në kontakt me organizata shqiptare emigrantësh që kërkojnë ndryshimin e vetëregjimit në Shqipëri. Raporte mbi protestat e emigrantëve në pjesë të ndryshme të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara tregojnë të paktën mbështetje morale për demonstruesit e Kosovës.
  4. Ka të ngjarë që këto shkaqe politike janë bërë më të dukshme nga ankesat ekonomike dhe sociale. Me gjithë përpjekjet e konsiderueshme për zhvillimin e Kosovës me ndihma nga Fondi Federal për zonat e pazhvilluara dhe kohët e fundit me investime direkte nga Republikat dhe ndërmarrjet individuale, Krahina ka mbetur ende prapa në çdo aspekt (përveç lindshmërisë fenomenale!). Perspektivat për punësim nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm me aspiratat e një numri tejet të lartë të rinjsh që lënë shkollën apo universitetin, të cilët meqenëse janë arsimuar kryesisht në gjuhën shqipe, nuk kanë të njëjtën lëvizshmëri për të gjetur punë tjetërkund në Jugosllavi. Kështu, popullsia kaloi nga 733,000 veta në vitin 1948 në 1,566,000 veta në vitin 1979, nga të cilët 382,000 ishin në shkollë dhe 47,497 ishin në universitet, ndërkohë që vetëm 168,000 ishin punësuar në sektorin social. Mungesa e punës nuk i ka penguar njerëzit, veçanërisht fshatarët me arsim të ulët, që të vërshojnë në Prishtinë dhe qytete të tjera, të cilat janë shumë të mbushura dhe mezi përballojnë problemet e panumërta sociale.
  5. Një tjetër faktor, që po del në dritë, ishte dështimi i udhëheqjes lokale për të dëgjuar paralajmërimet për pakënaqësinë në rritje në mesin e studentëve dhe, natyrisht pas shpërthimit të parë më 11 mars, për të marrë masat e duhura korrigjuese. Kolegu im gjerman më tha se udhëheqësit e lartë të Partisë i folën për këtë z. Willy Brandt gjatë një vizite të fundit në Beograd, duke nënkuptuar se vetë Bakalli, kryetar i Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, ishte keqinformuar dhe i kënaqur.

Pasojat

  1. Megjithëse ndoshta do të duhet kohë që të shfaqen pasojat e brendshme politike, ka të ngjarë që të ketë ndryshime në udhëheqjen e Kosovës për shkak të trajtimit të dobët të ngjarjeve nga ana e saj. Është pranuar qartazi nga udhëheqja e Partisë se shkaqet shtrihen jo në kërcënimin e jashtëm, por “në vetë dobësitë tona, në zhvillimin e pamjaftueshëm të sistemit socialist të vetëmenaxhimit.” Lidhja e Komunistëve dhe organizata të tjera socialo-politike po analizojnë se si ishte e mundur që ata të jenë zënë në befasi dhe të kenë llogaritur gabim shenjat e para të trazirave politike. Por, cilado qofshin rezultatet e këtyre kërkimeve, konkluzioni i pashmangshëm është se përsëri udhëheqja e Kosovës tregoi shenja paaftësie për të zgjidhur dilemën e vjetër që të përfaqësojë aspiratat kombëtare të Krahinës së saj duke iu përmbajtur vijës së Partisë e cila nuk pranon asnjë ndryshim themelor në statusin e Kosovës.
  2. Duke u nisur nga çdo kriter logjik, Kosova brenda kufijve të saj aktualë, duhet të ketë status të barabartë në Jugosllavi me republikat e Malit të Zi, Sllovenisë dhe Maqedonisë, meqenëse popullsia e saj është po aq e madhe dhe etnikisht homogjene sa ç’është secila prej tyre. Por, udhëheqja jugosllave ka refuzuar me vendosmëri që t’i hapte rrugë një logjike të tillë për arsye të brendshme politike dhe të sigurisë. Menjëherë pas Luftës, Partia nuk dëshironte t’i kundërvihej serbëve më tej duke shkëputur Kosovën, meqenëse këta të fundit e kishin “humbur” tashmë Maqedoninë dhe Bosnjën e Hercegovinën nga Serbia e Madhe e paraluftës. Kosova, si zemra e mbretërisë mesjetare serbe e shkatërruar nga turqit në vitin 1389, ka qenë atëherë dhe sot, në gjendje të trazojë ndjenjat e forta në radhët e serbëve. Për më tepër, pas vitit 1948 Shqipëria ka qenë një vend armiqësor dhe Jugosllavia nuk mund të rrezikonte të kishte një Republikë shqiptare më vete në Kosovë e cila mund të tjetërsohej. Duke miratuar një politikë të tillë, Partia ishte e detyruar të ndiqte atë pa kompromis që atëherë, sepse ndryshimi i saj tani do të thoshte hapja e Kutisë së Pandorës me kërkesa të tilla: së pari, nga komunitetet e konsiderueshme shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi për t’u bashkuar me Republikën e Kosovës; më pas nga Krahina Autonome e Vojvodinës për barazi, gjë që do të shqetësonte serbët si aty dhe në Serbi; dhe, përfundimisht, për rishikimin e kufijve të Republikave për të marrë parasysh dëshirat e pakicave. Siç është shprehur Dolanc, anëtar i Kryesisë së Partisë: “Krijimi i një Republike do të thoshte absolutisht pa dyshim një sulm për integritetin e Jugosllavisë”. Dhe Sekretari i Partisë, Dragosavac, tha pa mëdyshje: “Çështja e Kosovës është zgjidhur, ajo është pjesë integrale e Serbisë dhe Federatës Jugosllave.”
  3. Kështu, duket se jemi edhe një herë dëshmitarë të një situate klasike të një force të parezistueshme të nacionalizmit që ndeshet me objektin e patundur të politikës zyrtare. Diçka, diku duhet të japë: problemi i Jugosllavisë duhet të vendosë se çfarë. Në të kaluarën, Jugosllavia ia ka dalë pas çdo shpërthimi të nacionalizmit në Kosovë që të qetësojë situatën duke ofruar lëshime kushtetuese të cilat në tërësinë e tyre i kanë dhënë Kosovës praktikisht statusin e Republikës. Vështirë të kuptohet – siç e pranojnë privatisht vetë udhëheqësit e Partisë – se sa larg ata mund të shkojnë menjëherë pas dhënies së statusit të Republikës. Por, nuk kam dyshim se ekspertët e zgjuar kushtetues të Jugosllavisë do ta rishqyrtojnë problemin.
  4. Ndërkohë, një pjesë tjetër e aparatit të Lidhjes së Komunistëve është duke shqyrtuar gabimet që kanë zbuluar këto ngjarje në sistemin e informimit publik. Shtypi, i drejtuar nga disa kryeartikuj sarkastikë në gazetën “Politika”, është i mbushur me kritika për vonesa në sigurimin e informacioneve për atë që ka ndodhur në të vërtetë. Megjithëse sipas standardeve të shtypit të vendeve të tjera komuniste ngjarjet janë dokumentuar mjaft mirë, Kosova, dhe në të vërtetë autoritetet qendrore, ngurronin fillimisht të tregonin ndonjë gjë si ngjarje të plotë. Për shembull, një ditë pas përleshjeve të 1 prillit në Prishtinë, shtypi kishte të nesërmen vetëm një përmbledhje tepër të shkurtër të raporteve. Asnjë televizion nuk u lejua që të pasqyronte ngjarjet direkt. Siç e vunë në dukje shumë njerëz: “Ne jemi informuar më shumë për Brikston se për Kosovën”! Gazeta “Politika” u ankua se bllokimi fillestar dhe kufizimet e mëvonshme nuk ishin zgjedhje e medies. Në qarqet politike po bëhen pyetje për rolin e medies dhe detyrimin e saj për të informuar menjëherë publikun për çështje që kanë interes legjitim, të cilat mund të kenë rëndësi të konsiderueshme për zhvillimet e mëtejshme në Jugosllavi.
  5. Nga ana e jashtme, pasoja kryesore politike ishte përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë pas një përmirësimi të qëndrueshëm gjatë dy viteve të fundit. Udhëheqja jugosllave ishte e kujdesshme në deklaratat e saj publike për të shmangur implikimin e Shqipërisë. Ky qëndrim ndryshoi pas artikullit të udhëheqësit në gazetën “Zëri i Popullit” i datës 8 prill, gjë që u denoncua si ndërhyrje në çështjet e brendshme për t’i ofruar mbështetje nacionalistëve dhe për t’i nxitur ata në revolta të hapura. Megjithatë, është e qartë se Jugosllavia nuk ka dëshirë të reagojë më shumë se kaq. Natyrisht Jugosllavia nuk mund t’i kalojë në heshtje komentet e formuluara me zgjuarsi nga shqiptarët për ngjarjet, por u përpoq t’i përgënjeshtronte akuzat për neglizhencë dhe prapambetje në Kosovë dhe të tregonte vendosmërinë e saj për të trajtuar çdo pretendim ndaj integritetit territorial të saj. Kjo nuk i ka dhënë fund tregtisë së mbarë dhe lidhjeve kulturore ndërmjet dy vendeve, të cilat u ruajtën gjatë gjithë kohës së ngjarjeve, por marrëdhëniet politike kanë të ngjarë të mbeten të ngrira për një periudhe të gjatë në vazhdim.
  6. Ndërkohë, autoritetet përleshen me problemet imediate për ndreqjen e situatës. Kështu është vënë re një fillim për përmirësimin e kushteve për studentët në Universitetin e Prishtinës dhe janë marrë masa të tjera afatshkurtra të tilla si ulja e çmimeve të disa produkteve ushqimore bazë. Udhëheqësit politikë nuk janë duke u përqendruar në masat afatgjata. Anëtarët e Lidhjes së Komunistëve i janë kthyer me vendosmëri rregullit dhe organizata të tjera politike dhe shoqërore janë duke marrë masat për të rikthyer linjën zyrtare. Gjatë pesë viteve të ardhshme Kosova do të marrë rreth 20 miliardë £ për zhvillimin e ekonomisë dhe shërbimeve sociale nga Fondi Federal, ku pjesa e saj është rritur nga 30 deri në 40%. Sipas Planit të ri 5-vjeçar, Kosova do të marrë gjithashtu fonde të tjera në një shkallë më të gjerë se kurrë më parë gjë që do të mundësojë një zgjerim të madh në arsim, kulturë dhe shëndetin publik, ngritjen e 40,000 apartamenteve të reja dhe ndërtimin ose zgjerimin e fabrikave industriale, veçanërisht për të shfrytëzuar burimet energjetike dhe pasuritë minerale të Kosovës, duke ofruar kështu më shumë punë dhe një normë rritjeje prej 60% mbi mesataren jugosllave.

Përmbledhje

  1. Ngjarjet në Kosovë erdhën si një zgjim i ashpër ndaj udhëheqjes jugosllave në përfundim të vitit të parë të saj pa Titon. Sidoqoftë, këto ngjarje nxorën në pah jo një problem të ri, por një problem endemik, të cilin as vetë Tito nuk kishte mundur ta zgjidhte me gjithë autoritetin dhe karizmin e tij. Po kështu, as udhëheqësit aktualë, siç e pranojnë edhe vetë, nuk mund t’i japin zgjidhje këtij problemi. Por në këtë rast ata treguan, pas befasisë së fillimit, një pjekuri për t’u përshëndetur për mënyrën e përmbajtur dhe pozitive me të cilën e trajtuan situatën. Me një përdorim minimal të forcës, ata vunë me shpejtësi nën kontroll trazirat dhe nuk lejuan që të përfshihej i gjithë populli i Kosovës. Ky qëndrim së bashku me refuzimin e tyre për të pranuar thirrjet për përdorimin e “dorës së fortë” dhe në vend të kësaj, për të vazhduar me rrugën e zgjedhur drejt demokratizimit më të madh, ofrojnë argumente të arsyeshme për të besuar se udhëheqja do të jetë në gjendje që të mbajë Federatën të bashkuar.
  2. A ka të ngjarë që ngjarjet në Kosovë të ndikojnë tek ne? Këto ngjarje ndikojnë në masën që autoritetet jugosllave mund të pritet të tregojnë rritje të shqetësimit të tyre në lidhje me unitetin dhe integritetin territorial të tyre, dhe për pasojë një ndjeshmëri më të mprehtë ndaj nacionalizmit si forcë përçarëse, e më në veçanti të shprehur në aktivitetet e emigrantëve apo fqinjëve të tyre. Nga ana jonë, pak gjë mund të bëhet në përmbushjen e kërkesave të jugosllavëve për të përmbajtur emigrantët e tyre armiqësorë dhe nuk kemi ndërmend të përfshihemi në mosmarrëveshjet lokale ballkanike. Por, me deklaratën e saj të vendosur vitin e kaluar mbi vlerën që i japim integritetit territorial dhe pavarësisë së vendit të tyre, Kryeministrja jonë i dha shumë kënaqësi jugosllavëve. Vizita e ardhshme në Londër në qershor e sekretarit të Jashtëm, z. Vrhovec, do të në japë një mundësi tjetër për të riafirmuar këtë mbështetje.
  3. Këtë informacion po jua dërgoj përfaqësuesve të Madhërisë së Saj në Uashington, Moskë, Athinë, Sofje, Bukuresht, Budapest, Romë, Bon, Paris, përfaqësuesit të përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe Konsullit të Përgjithshëm të Madhërisë së Saj në Zagreb.

                                                                                                      Mbetem, Shkëlqesia Juaj,

                                                                                                                I Juaji besnikërisht,

  1. Bolland

-15-

Konfidenciale

Ambasada britanike                                           

                                                                                                                      Beograd

                        24 prill 1981

Përmbledhje

Kosova

 

  1. Vlerësim i mëtejshëm i trazirave më të fundit në Kosovë (paragrafi 1).

Ngjarjet

  1. Demonstratat e studentëve filluan në Prishtinë, më 11 mars, si një protestë kundër kushteve të jetesës dhe punës. Ato rifilluan, më 26 mars, por morën ngjyra politike dhe u shtypën me ashpërsi nga forcat e milicisë. Më 1 prill, shpërthyen demonstrata të dhunshme nacionaliste shqiptare nga nxënësit e shkollave dhe studentët të cilat zgjatën për disa ditë duke lënë nëntë persona të vdekur dhe 206 të plagosur (paragrafët 2-6).

Shkaqet

  1. Demonstratat u frymëzuan nga nacionalistët shqiptarë dhe pasuan me një sërë përpjekjesh të dhunshme që nga lufta e kosovarëve për të arritur një identitet kombëtar më vete nga Serbia. Nuk ka të dhëna për përfshirje sovjetike apo shqiptare, me gjithë tundimet për këtë të fundit. Ankesat ekonomike dhe shoqërore gjithashtu kanë luajtur rolin e tyre. Udhëheqja nuk arriti të lexonte dhe t’i përgjigjej siç duhet shenjave paralajmëruese (paragrafët 7-11).

Pasojat

  1. Mund të ketë ndryshime në udhëheqjen e Kosovës siç analiza nxjerr në pah dobësitë në trajtimin e ngjarjeve. Partia përballet me dilemën e hershme për të pajtuar pretendimin objektivisht të arsyeshëm të Kosovës për statusin e Republikës me kundërshtimet e brendshme politike dhe të sigurisë të perceptuara si parësore. Marrëdhëniet me Shqipërinë u përkeqësuan, por Jugosllavia nuk dëshironte të reagonte më shumë. Menjëherë pas marrjes së masave përmirësuese, autoritetet janë duke u përqendruar tashmë në masat afatgjata politike dhe ekonomike të zhvillimit (paragrafët 12-17).

Përmbledhje

  1. Nacionalizmi në Kosovë është një problem endemik të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte. Pas goditjes së parë, udhëheqësit aktualë treguan pjekuri në trajtimin e këtij problemi. Jugosllavia ka të ngjarë që të rrisë shqetësimin për integritetin e saj territorial. Mbështetja jonë do të mirëpritet (paragrafët 18-19).

-16-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                     Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                        Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                  28 prill 1981               I nderuar Alan,

Studentët

  1. Bashkangjitur po ju dërgoj një kopje të një promemorie të Charles Crawford ku përmblidhen disa nga zhvillimet më të fundit të jetës studentore e cila në një farë mase pasqyronte trazirat e studentëve në Kosovë. Këto zhvillime vlen të regjistrohen, meqenëse tregojnë shqetësimin e dukshëm gjithnjë në rritje të autoriteteve që pakënaqësia e studentëve për kushtet e tyre dhe perspektivat e tyre të punësimit nuk duhet të dalë jashtë kontrollit.
  2. Do të ishte tunduese të konkludohej se seria e artikujve ndaj të cilëve Charles Crawford është frymëzuar tërësisht nga demonstratat studentore në Kosovë. Megjithëse këto ngjarje padyshim që kanë theksuar problemet e studentëve, ato nuk janë kurrsesi ngjarje të reja. Megjithatë, këto ngjarje kanë ardhur duke u përkeqësuar ndërkohë që situata e përgjithshme ekonomike në Jugosllavi dhe më gjerë është përkeqësuar dhe është rritur qartazi presioni për të bërë diçka për to. Aksioni vazhdon në tre fronte: së pari, për të përmirësuar kushtet e punës dhe të jetesës së studentëve; së dyti, për të përmirësuar perspektivat e punës në aspektin afatgjatë duke e përshtatur më shumë arsimin e nevojat e shoqërisë; dhe së treti, “për të angazhuar” studentët në mënyrë më të plotë në jetën politike.
  3. Detyra e autoriteteve nuk do të jetë e lehtë meqenëse fondet janë të limituara, por ka filluar puna për përmirësimin e kushteve të studentëve. Vetë studentët duket se nuk janë të gatshëm të krijojnë trazira; në të vërtetë, një prej problemeve është se ata duken të pa interesuar për politikë të çfarëdo lloji. Aktualisht nuk ka shenja se trazirat në Prishtinë po përhapen në Universitete të tjera.

  1. Rosling Esq;Zagreb                                                  I Juaji,
    Për dijeni: P. Rennie Esq                                                                                      T. J. Clark
    Departamenti i Kërkimit, FCO

 

-17-

Për përdorim të kufizuar

 

Këshilltarë

Studentët

  1. Një pasojë që vlen të përmendet (por jo e paparashikueshme) e rolit kryesor që kanë luajtur studentët e pakënaqur në trazirat e ngjarjeve në Kosovë ka qenë një valë e madhe e interesit zyrtar dhe shtypit në çështjen e standardeve të përgjithshme të jetesës së studentëve. Vetëm në gazetën “Politika” ka pasur shtatë pjesë thelbësore që prej fundit të marsit mbi problemet financiare, të akomodimit dhe punësimit me të cilat po përballen studentët; gjithashtu gazeta “NIN” e datës 19 prill ka publikuar një intervistë me dr. Jovo Jariç, kryetar i Konferencës së Universitetit të Lidhjes së Komunistëve të Universitetit të Beogradit, në të cilën ai foli gjerësisht për të njëjtat çështje.
  2. Nga një koincidencë e papritur, të nesërmen e demonstratave kryesore në Prishtinë, më 1 prill, të cilat gazeta “Politika” mezi i raportoi, kjo e fundit kishte dy artikuj të gjatë mbi nevojën për të përmirësuar standardet e jetesës së studentëve. Një artikull i datës 30 mars, raportonte një propozim të bërë për rritjen prej 10% të kredisë studentore dhe ngrirje të çmimit për shpenzimet e ushqimit dhe strehimit në Universitetin e Beogradit deri në fund të vitit akademik. Artikuj të tjerë bënin fjalë për problemet e punësimit të të diplomuarve (4 prill); përmirësimet e ndihmës financiare dhe perspektivat e punësimit (9 prill); një studim të kushteve të jetesës së studentëve në Mostar (11 prill); libra më të lirë shkollorë për studentët (20 prill); dhe, në terma më ideologjike, nevojën për “unitet” ndërmjet studentëve dhe mësuesve (21 prill). Dy çështjet e gjera të standardeve të jetesës për studentët dhe perspektiva për punësimin e tyre vlejnë të shqyrtohen sepse janë shkak për shqetësime në klimën aktuale ekonomike dhe politike.
  3. Situata financiare dhe standardet e jetesës së studentëve. Duke folur gjerësisht, tarifa e shkollimit të një studenti jugosllav do të paguhet nga Republika por, nëse të ardhurat e përgjithshme familjare nuk janë krejt të ulëta, pritet që familja të përmbushë plotësisht shpenzimet e përditshme të jetesës. Inflacioni i kohëve të fundit ka rritur problemet me të cilat përballen familjet në këtë drejtim (Studentët mund të marrin kredi për të ndihmuar që të paguajnë shpenzimet e tyre. Nëse ecin mirë, zakonisht kreditë anulohen, dhe nëse ecin keq, ata duhet të ripaguajnë të gjithë kredinë). Për më tepër, mungesa dhe shpenzimi i akomodimit të përshtatshëm për studentët nënkuptojnë se shumë studentë në Beograd dhe pa dyshim, edhe në qytete të tjera të universiteteve, jetojnë në shtëpi: pozita e studentëve të cilët kanë ardhur nga fshati dhe nuk mund të marrin dhomën e tyre në konviktet e mbushura studentore nuk është për t’u patur zili. Studentët në konvikte kanë vepruar për të ndihmuar shokët e tyre dhe vetë xhepin e tyre duke thyer rregullat në ndarjen e dhomave të kolegjit dhe duke ndarë së bashku qiranë. Sipas gazetës “Politika” ka rreth 3,000 “ilegalë” në hollet e banimit të Universitetit të Beogradit, pa dyshim një nënvlerësim për shifrat e cituara në intervistën e paraqitur në gazetën “NIN” me dr. Jariç ku shprehet për rreth 11,000 vende në konviktet studentore për pak a shumë 100,000 studentë në “qytetin e madh Universitar” të Beogradit. Sidoqoftë, ndarja e dhomës së konviktit nuk mund të jetë diçka e rehatshme meqenëse hapësira zyrtare fiktive e sipërfaqes për studentë (e cituar në të njëjtin artikull) është çuditërisht e saktë, por, gjithsesi, me kursim prej 7.38 m2.
  4. Artikulli i gazetës “Politika” ku paraqiten rezultatet e një studimi të universitetit mbi standardet e jetesës së studentëve në Mostar, dha disa detaje reale. Nga 3,500 studentët e Mostarit, dy të tretat e tyre shkojnë e vijnë me makinë në Mostar, mesa duket nga shtëpia. Konvikti ofron dhoma për 225 studentë, por është duke u ndërtuar një aneks i ri. Pjesa tjetër e studentëve, ose jetojnë me prindërit e tyre në qytet, ose kanë marrë dhoma me qira, plus fjetja dhe ushqimi që shkojnë diku ndërmjet 800 dinarë (rreth 11.30£) dhe 1900 dinarë (rreth 26.80£) në muaj. Kjo shifër duket mjaft e lirë sipas standardeve tona, por, meqenëse paga mesatare është rreth 7 000 dinarë në muaj, nuk duhet të jetë e lehtë të paguash çerekun apo më shumë të rrogës për të mbajtur djalin apo vajzën student.
  5. Perspektivat për punë të studentëve. Siç raportoi gazeta “Politika” (14 prill), vitin e kaluar u regjistruan 5,312 studentë të Beogradit, për të kërkuar punë. Megjithëse 3,366 e të diplomuarve kishin gjetur punë, ky numër ishte pothuajse 1,000 më pak sesa numri në të njëjtën kohë në vitin paraardhës. Raporti shtonte: “Në mënyrë simptomatike, në mesin e studentëve të punësuar me diplomë universitare, ka rreth 1,340 inxhinierë të papunë”. Në diskutimin e këtij problemi në Komitetin Ekzekutiv të Kuvendit serb, më 8 prill, një delegat raportoi se çdo ditë ishin marrë kërkesa nga punonjës në vështirësi që kërkonin të çliroheshin nga detyrimet e tyre ligjore për të punësuar “praktikantë”. “Natyrisht, këto kërkesa u refuzuan”. Sidoqoftë, nëse punonjësit ndjekin shembullin e Universitetit të Beogradit, ata thjesht nuk do të marrin parasysh detyrimet e tyre. Siç e pranoi dr. Jariç në gazetën “NIN”, gjatë dy viteve të fundit nuk është marrë asnjë asistent pedagog në Universitet për arsye të mungesës së fondeve.
  6. Duhet shtuar se vetë procesi akademik në fakt e fsheh normën e vërtetë të papunësisë. Megjithëse kursi i zakonshëm i diplomimit normalisht zgjat katër vjet, është normale për një student në Beograd që të bëjë shtatë vjet për t’u diplomuar, pasi është e domosdoshme që të marrë provimet e fundvitit me qëllim që të kalojë në punën e kursit të vitit pasardhës; dështimi në provime nënkupton detyrimin për përsëritjen e tyre, gjë që zakonisht sjell humbjen e një viti akademik, dhe kjo nuk ndodh vetëm një herë. Në të vërtetë, duket se nuk janë të rrallë numri i studentëve 30-vjeçar, të cilët janë sjellësi të papunë për 10 vjet (!) në përpjekje prej Sizifi për t’u diplomuar. Statistikat e papunësisë janë shtrembëruar më tepër nga mos dëshira e studentëve të diplomuar për të kërkuar punë jashtë Beogradit. Kështu, ndërkohë që në zonat rurale mungojnë mjekët, në Beograd ka me tepri prej tyre.
  7. Duke lënë mënjanë çështjen e shtrembërimit të statistikave, zyrtarisht nuk ka shpresë për përmirësime në këtë zonë. Të dy artikujt e gazetës “Politika” dhe dr. Jariç, theksuan nevojën për të zbatuar ligjet që mbulojnë punësimin e punëtorëve të rinj, por edhe nëse punonjësit punësojnë pa dëshirë të diplomuarit, kur ata vërtetë nuk janë të nevojshëm, rezultati përfundimtar është thjesht zhvendosja e shpenzimeve të papunësisë dhe nën punësimit nga xhepat e prindërve në ndërmarrjet në vështirësi. E thënë ndryshe, të diplomuarit thjesht do të duhet të presin që ekonomia jugosllave të marrë veten sërish. Sidoqoftë, në aspektin afatgjatë do të jetë me interes të shihet nëse autoritetet do të përpiqen të reformojnë të gjithë strukturën e arsimit të lartë dhe të shtrëngojnë procedurat mjaft tolerante të hyrjes në universitete, për shkak të fondeve të pamjaftueshme për zgjerim të mjaftueshëm dhe përmes hezitimit zyrtar për të subvencionuar një numër të madh studentësh 25-vjeçar të pamotivuar dhe përbuzës. Dr. Jariç la të kuptohet ky fakt kur intervistuesi i tij tha se askush nuk kishte dëgjuar kur universitetet kishin paralajmëruar kundër zgjerimit të mëtejshëm të arsimit të lartë: “Kemi arritur një pikë kritike – decentralizimi i arsimit të lartë është natyrisht i mirëpritur, por aspektet pozitive kanë sjellë me vete një valë ambiciesh megalomanie”.
  8. Implikimet politike. Megjithëse shpërthimi i trazirave në Kosovë duket se paralajmëron që nuk do të lejohet përkeqësimi i mëtejshëm i standardeve të jetesës së studentëve, rëndësia e trazirave qëndron kryesisht në ndjenjën e nacionalizmit e kombinuar me vështirësitë më të mëdha sociale të shkaktuara nga një zhvillim i shpejtë në vetë krahinën e prapambetur të Kosovës, sesa në pakënaqësinë e drejtpërdrejtë të studentëve. Natyrisht që trupa studentore në Beograd duket në përgjithësi e qetë, megjithëse gazeta e saj “Studenti”, po bëhet gjithnjë e më aktive, dhe askush nuk shikon asnjë shenjë të acarimit ekstrem të krahut të majtë të atij lloji që tronditi Beogradin në vitin 1968. Një gazetar që takuam në Zagreb, kur shoqërova Judith Brown me rastin e largimit të saj në mars, nënqeshi me apatinë dhe plogështinë e studentëve aty. Disa vëzhgues më pak cinikë ia atribuonin këtë qëndrim faktit që studentët e kishin kuptuar se punët e mira është vështirë të gjendjen pa pasur diplomë të mirë dhe dosje të pastër. Në konferencën e Komitetit Qendror të LKJ-së së Serbisë që u mblodh për të diskutuar rolin e 64,000 studentëve komunistë në mes 220,000 studentëve të Serbisë, Kosovës dhe Vojvodinës (gazeta “Politika”, 21 prill), “u bë thirrje për përpjekje më të mëdha, organizim më të mirë dhe veprim shoqëror më të gjerë” të mësuesve dhe studentëve komunistë për t’ju kundërpërgjigjur “pasivitetit” dhe për të mbyllur “hendekun klasik” midis studentëve dhe mësuesve. Fakti që LKJ-ja nuk ka vend për vetëkënaqësi për përpjekjet e saj informuese, u shfaqën në vërejtjen e profesor Vladimir Bovana, i cili raportoi në gazetën “Politika” më 8 prill: “Studentët tanë (në Kosovë) nuk dinë asgjë (!) për, le të themi, planin 5-vjeçar të zhvillimit për Kosovën…”.
  9. Mendimi im është se situata e përgjithshme ekonomike dhe shoqërore në Jugosllavi do të përkeqësohet në mënyrë drastike para se të zhvillohen trazira sistematike të studentëve në një shkallë të rëndësishme.

                                                                                                                                  I Juaji,
Charles Crawford

27 prill 1981

-18-

RFE-RL

                                         Organizata Ndërkombëtare Radio Free Europe

Departamenti i Kërkimit

Raport i RAD i Historikut/117

(Jugosllavia)                                                                                                           28 prill 1981

Ngjarjet e Kosovës në perspektivë nga Patrick Moore

Përmbledhje: Ky dokument përmbledh kronologjinë dhe shkaqet kryesore të ngjarjeve të fundit në Kosovë. Dokumenti përfshin disa komente që kanë dalë në shtypin Perëndimor dhe ofron konkluzione paraprake.

Në mars dhe sidomos në fillim të prillit ndodhën një sërë trazirash në Krahinën Autonome të Kosovës në Republikën Socialiste Jugosllave të Serbisë, një krahinë e cila në pjesën më të madhe është etnikisht shqiptare. Të marra së bashku këto greva, demonstrata dhe trazira, përbëjnë jo vetëm kërcënimin më të madh për stabilitetin e brendshëm në këtë vend që pas vdekjes së Titos në maj 1980, por edhe shpërthimin më të rëndësishëm të tensionit nacionalist që prej spastrimit të organizatës së partisë kroate (dhe serbe) në vitin 1971. Megjithatë, ndryshe nga ngjarjet e ndodhura në Kroaci 10 vjet më parë, situata në Kosovë është potencialisht më shpërthyese për 2 arsye: së pari, ndërsa vështirësitë e mëparshme ishin të kufizuara kryesisht me elitat relativisht të vogla politike dhe kulturore lokale, këto të fundit kanë marrë karakter masiv; natyrisht që një numër më i madh është më i vështirë të menaxhohet. Së dyti, ndërkohë që nacionalizmi kroat shpesh merr ngjyrime separatiste, nuk ka asnjë aleat të jashtëm të dukshëm dhe nuk është irredenta e një vendi tjetër; megjithatë, shqiptarët e Kosovës (dhe të tjerë të Jugosllavisë) janë vendosur kryesisht në përqendrime të mëdha pranë shtetit të pavarur shqiptar, dhe problemet e tyre shpesh mund të shkaktojnë vështirësi në politikën e jashtme të Beogradit me Tiranën, siç edhe ka ndodhur këtë herë. Trazirat në Kosovë janë me përkufizim si vendore ashtu edhe ndërkombëtare për nga qëllimi.

Zhvillimet

Të përmbledhura shkurtimisht, ngjarjet kanë ndjekur kursin në vijim:

11-26 mars                Kanë ndodhur një sërë përleshjesh të armatosura midis policisë jugosllave dhe studentëve shqiptarë në Universitetin e Prishtinës, në dukje të nxitura nga ankesat e studentëve mbi kushtet e ushqimit dhe jetesës, dhe pamjaftueshmërinë e kuotave të tyre përballë normës më të lartë të inflacionit në Evropë (rreth 40% ). Më 26 mars, shpërtheu një grevë afër Podujevës, ku morën pjesë shumë punëtorë, si rezultat i së cilës 35 veta u plagosën dhe 21 u arrestuan. Disa javë më parë një zjarr shkatërroi banesën e famullorit të një kishe ortodokse serbe në Pejë, shkaku i raportuar i të cilit ishte rrjeti i dobët elektrik, por që bëri shumë serbë të dyshonin se ishte zjarr vënie e qëllimshme për motive politike.

1-2 prill                     Në lokalitete të ndryshme filluan një seri demonstratash me ngjyrime nacionaliste shqiptare në dukje të organizuara, dhe shpejt shpërtheu dhuna. Megjithëse autoritetet jugosllave në fillim mohuan raportimet për vdekje, rëndimi i situatës u bë shpejt i dukshëm kur u morën një sërë masash të rrepta: në krahinë u shpall gjendja e jashtëzakonshme (e para që prej Luftës së Dytë Botërore); u shpall ndalimqarkullimi gjatë orëve 20.00-05.00 në Prishtinë, Podujevë, Lipjanë, Vushtrri dhe Gllogovc; u ndaluan tubimet prej më shumë se 5 personash; dhe Kosova u vendos jashtë kufijve të lejuar për gazetarët e huaj. Prishtina u rrethua nga një kordon tankesh, u ngritën pika të shumta kontrolli, dhe u sollën aty trupa dhe policë nga pjesë të tjera të Jugosllavisë. Disa fshatra serbe ngritën bllokada mbrojtëse kundër sulmeve të mundshme shqiptare.

2-5 prill                     U pezullua një ndeshje futbolli e planifikuar të zhvillohej më 5 prill në Prishtinë, por më 4 prill u inaugurua një hidrocentral që do të prodhojë 94, 600, 000 kvh në vit, në mesin e një fanfare në shtypin jugosllav për të theksuar se jeta në Kosovë i është kthyer normalitetit. Gjatë këtyre ditëve u bënë një sërë mbledhjesh partiake dhe qeveritare dhe një larmi zyrtarësh bënë deklarata për trazirat. Këto mbledhje përfshinin sekretarin e Kryesisë së KQ-së së LKJ-së, Dushan Dragosavac; përfaqësuesin e Kosovës në Kryesinë Shtetërore Federative dhe figurën udhëheqëse politike Fadil Hoxha; kryetarin e Republikës Serbe, Dobrivoje Vidic; kryetarin e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Mahmut Bakalli; dhe kryetarin Rajonal të Kosovës, Xhavit Nimani. E përditshmja “Rilindja” e Prishtinës dhe disa gazeta të tjera jugosllave, gjithashtu e adresuan çështjen në fjalë. Kështu, vija e përgjithshme që doli, ishte se një grup i vogël ekstremistësh nacionalistë të mirë organizuar të krahut të djathtë dhe “Informbyro” [Kominternit] të krahut të majtë me përkrahje nga jashtë kanë orkestruar të gjithë çështjen, duke manipuluar në mënyrë të paturpshme disa qytetarë të mirë.

6 prill                         Organizata e partisë së Kosovës nga ana e saj e dënoi “punën e organizuar dhe brutale” të “kundërrevolucionarëve” dhe “irredentistëve”, të cilët, gjithsesi, u kundërshtuan nga “shumica dërrmuese” e Kosovarëve. Në të njëjtën ditë, anëtari i Kryesisë së KQ-së së LK-së, Stane Dolanc, mbajti një konferencë për shtyp për rreth 200 gazetarë të huaj dhe jugosllavë ku bëri prononcimin më autoritar deri në atë ditë mbi trazirat. Megjithatë, sipas versionit të paraqitur të nesërmen në gazetën Vjesnik, ai ndoqi një vijë të ngjashme, duke bërë të ditur se 11 persona ishin vrarë dhe 57 ishin plagosur dhe mesa duket duke u rrekur shumë për të thënë se forcat e sigurisë ishin sjellë mirë dhe se ato lokale përbëheshin kryesisht nga shqiptarë. Ai i mohoi raportet se Tirana kishte paraqitur një notë proteste pranë Beogradit për incidentin, iu shmang fajësimit (apo shprehimisht shfajësimit) të qeverisë shqiptare për trazirat, por ndërkohë që fajin e vinte kryesisht në derë të “armiqve” të jashtëm me qëllim për të “destabilizuar Jugosllavinë”, ai shtoi se “do të ishim qorr dhe të shurdhër politikisht nëse çdo gjë do ta reduktonim tek faktorët e jashtëm”. Dolanc vuri në dukje se irredentizmi në Kosovë nuk erdhi si befasi, por e kundërta ndodhi me “brutalitetin” e protestuesve. Shkurtimisht, për pjesën më të madhe Dolanc vetëm sa amplifikoi vërejtjet e mëparshme të bëra nga zyrtarë të tjerë. Gazetarët perëndimorë dukeshin se kishin dijeni të plotë për dobësinë që kishte Jugosllavia zyrtare për t’ia faturuar shqetësimet e brendshme elementëve të jashtëm dhe për t’u përpjekur për t’i shmangur problemet, duke filluar sulmet kundër kërcënimeve të jashtme të supozuara. Në vend të kësaj, gazetarët theksuan në artikujt e tyre problemet e ndërlikuara etnike, sociale dhe ekonomike dhe duket se nuk u bindën nga vija jugosllave. Duke gjykuar nga trajtimi i tyre, që u përqendrua pothuaj plotësisht në rrënjët e brendshme të pakënaqësisë, pjesa më e madhe nisur ndoshta, së paku kundër dëshirës, do të bashkoheshin me vërejtjen e mëvonshme të gazetës “Zëri i Popullit” se shpjegimi jugosllav tregoi “mungesë të plotë të çdo analize realiste”.

8 prill                         Në të njëjtën ditë që u hoq ndalimqarkullimi në Kosovë, e përditshmja e palës shqiptare “Zëri i Popullit” i dha trazirave një dimension krejt të ri duke e sulmuar qëndrimin jugosllav me ashpërsi, me agresivitet dhe në një stil polemizues. Gazeta e Tiranës mbështeti me pasion demonstruesit, duke përfshirë kërkesën e tyre për ta bërë Kosovën republikë federale jugosllave të pavarur nga Serbia. Përmbajtja e artikullit, i cili duket se jep të dhëna të stilit të vetë kryeministrit, Mehmet Shehu, ishte qartazi antiserb (megjithatë, pa sulmuar udhëheqjen lokale shqiptare apo Titon), përfshinte një pretendim me sa duket irredentist se “Traktati i Londrës, Traktati i Versajës, apo çdo traktat tjetër imperialist, nuk mund të imponohen më në kurriz të popullit shqiptar”, dhe i përshkruante shqiptarët e Shqipërisë dhe ato të Kosovës si “një popull dhe një komb”. (Rëndësia e editorialit nënvizohet nga fakti se është përkthyer menjëherë në gjuhën angleze në formën e broshurës). Po atë mbrëmje, komentatori i njohur i Radio Zagrebit, Milika Sundic, foli qartë, duke e përshkruar artikullin shqiptar si mbështetës të përpjekjeve për të minuar vetë ekzistencën e Jugosllavisë.

9 prill                         Të nesërmen në mëngjes, edhe gazeta “Rilindja” iu përgjigj Tiranës. Përveç se akuzoi ZP-në për “ndërhyrje flagrante” në çështjet e brendshme të Jugosllavisë, për tradhti të interesave reale të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe hodhi dyshime mbi pretendimin e Tiranës se dëshironte marrëdhënie të mira me Jugosllavinë, “Rilindja” vuri në dukje se për Shqipërinë që të kundërshtonte integritetin e fqinjit të saj, ishte që “t’i hynte një aventure politike e cila mund të çonte në vetëvrasje”. Ajo që nënkuptonte gazeta e Prishtinës me sa duket është se siguria e secilit prej vendeve të pavarura komuniste të Ballkanit (d.m.th., duke përfshirë Rumaninë) karshi Moskës, është e lidhur ngushtë me atë të vendeve të tjera; kështu, dobësimi i njërit vend nënkupton në një kontekst gjeopolitik, kërcënim për të gjithë. Tirana nga ana e saj e ka ngritur këtë çështje më parë, gjë që e bën edhe më të papritur ashpërsinë e sulmit të ZP-së. Në përfundim, gazeta “Rilindja” përsëriti pozitën jugosllave se shumica dërrmuese e kosovarëve janë besnikë të Jugosllavisë socialiste, dhe krahasoi qëndrimin e tyre me nacionalizmin e ulët dhe reaksionar të Tiranës.

10 prill                       Në një tjetër batare nga kryeqyteti shqiptar, e përditshmja “Bashkimi”, akuzoi autoritetet jugosllave se direkt apo indirekt janë përpjekur të zbukurojnë censusin jugosllav në dëm të pozitës shqiptare, duke pasqyruar dyshimin e shprehur herë pas here nga pakicat kombëtare për statistikat e popullsisë, dhe jo vetëm në Jugosllavi.

11 prill                       Sundic u shpreh se Shqipëria ndoshta kishte plane territoriale kundër Jugosllavisë.

13 prill                       Rinisi mësimi në shkollat fillore në Prishtinë. Tanjug përmbante një përmbledhje të sulmeve të përditshme të Jugosllavisë ndaj Tiranës.

14 prill                       Azem Vllasi, anëtar i shoqatës rajonale të Aleancës Socialiste të Popullit Punëtor të Kosovës, i rregulloi shifrat zyrtare jugosllave në 9 të vdekur dhe 261 të plagosur. Gazeta “Bashkimi” pretendonte për 308 të vdekur, dhe po këto ditë zyrtarë shqiptarë jashtë vendit përcollën ngjarje sensacionale tek gazetarët Perëndimorë.

17 prill                       Tanjug përmbante një deklaratë të Bakallit se 28 “organizatorë” të trazirave ishin “nën hetim” dhe se shkollat e mesme dhe Universiteti i Prishtinës do të rihapeshin më 20 prill. Ai refuzoi të negocionte për kërkesat e demonstruesve dhe, në një përgjigje ndaj ZP-së dhe ndaj studentëve deklaroi se “kërkesa që Kosova të bëhet Republikë është në kundërshtim me arritjet e revolucionit dhe me kushtetutën jugosllave”.

                                   E përjavshmja e Beogradit gazeta “NIN” vuri në dukje se demonstruesit ishin organizuar, “duke lëvizur në mënyrë të tillë sikur dikush po i drejtonte ata me radio marrëse-dhënëse”. Artikulli tregonte parullën e protestuesve “Jemi bijë të Skënderbeut, jemi armata e Enver Hoxhës”, që pasqyronte një qasje “romantiko-borgjeze për historinë e tyre” dhe një keqkuptim të plotë të “modelit të fundit të fosilizuar stalinist”. Përsëri duke nxitur vijën e komplotit armiqësor, gazeta “NIN” pretendonte se “armiku e kuptoi që shumë njerëz nuk do të” shihnin përtej kësaj parulle të zgjuar.

18 prill                       Radio Beogradi raportoi një fjalim të mbajtur nga Fadil Hoxha në Prishtinë përpara një grupi anëtarësh partie që punojnë në fushën e kulturës dhe shkencës. Ai iu referua artikullit të “ZP” të datës 8 prill dhe shprehu “çudi”, meqenëse “destabilizimi i Jugosllavisë nënkupton gjithashtu destabilizimin e vetë Shqipërisë”. Hoxha duket se ka thënë atë që ishte e nevojshme pa ushqyer polemikë, duke adoptuar një vijë më agresive.

19 prill                       Gazeta “Pravda” akuzoi një artikull të kohëve të fundit të gazetës “Borba” për “analizë jorealistike dhe provokative të politikave të Komonuelthit socialist … duke i hedhur ato në mënyrë arbitrare në një thes të madhe” me ato të Perëndimit, dhe për trajtimin e të dyja “fuqive të bllokut” si ekspansioniste. Ndoshta i gjithë diskursi jugosllav i “informbyroistit” të jashtëm dhe kërcënimeve se pas trazirave të Kosovës qëndronin Fuqitë e Mëdha, nxiti sovjetikët që së paku të tregonin anën e tyre, por temat ofensive të cituara në gazetën “Pravda” kanë qenë për një kohë të gjatë pjesë e arsenalit ideologjik jugosllav. Kushdo pyet veten pse Moska e ndjen vërtetë të nevojshme që të përfshihet në këtë ngatërresë të fundit Ballkanike.

                                   Dy periodikët drejtues serbë, e përjavshmja “NIN” dhe e përditshmja “Politika”, sulmuan trajtimin nga autoritetet jugosllave të eksesit të medies në Kosovë. “NIN” tha se publiku ishte mbajtur qëllimisht “i painformuar”, ndërkohë që gazeta e përditshme tha: “Kush vendos çfarë është e përshtatshme dhe çfarë është e papërshtatshme”, duke pretenduar se interesat e “grupit me influencë” mbizotërojnë mbi “të drejtën e publikut për të ditur”, duke e mbajtur shtypin “në periferi të ngjarjeve” kur nevojitej pikërisht e kundërta.

Historiku

Pasione të tilla, dhuna, nervoziteti dhe shqetësimi natyrisht që nuk janë diçka që shfaqen thjesht menjëherë. Me të vërtetë, çështja e Kosovës ka dy rrënjë kryesore, një rrënjë të gjatë dhe të thellë që vazhdon prej shekujsh në rivalitetin dhe armiqësinë serbo-shqiptare, dhe një rrënjë relativisht më të re, por gjithsesi të guximshme në zhvillimet socio-ekonomike në Kosovë në Jugosllavinë e pasluftës.

  1. Faktorët historikë dhe emotivë. Është e pamundur që të kuptohen ngjarjet e Kosovës pa hyrë në grupet komplekse të perceptimeve, imazheve dhe miteve të ngritura nga serbët dhe shqiptarët për Kosovën, për veten e tyre dhe për njëri-tjetrin. Për serbët, Kosova ka rëndësi të pallogaritshme historike dhe emotive për dy arsye. Së pari, Kosova ishte pjesë e djepit të shtetit mesjetar serb dhe ende përmban disa nga monumentet e mëdha të trashëgimisë kulturore të këtij populli, konkretisht kisha dhe manastire. Patriarkana mesjetare serbe e kishte selinë e saj në Pejë. Së dyti, brenda krahinës është Fushë Kosova, ku në vitin 1389, serbët humbën një betejë vendimtare me ushtritë otomane, duke shënuar kështu fillimin e fundit të shtetit të tyre mesjetar. Nga kjo ka lindur “miti i Kosovës” dytehësh si për të marrë hakun e humbjes ashtu edhe si një vend lavdie ku serbët zgjodhën që praktikisht të përballen me humbjen me armë në dorë dhe jo të dridheshin nga frika përpara turqve. Rëndësia e këtij elementi brenda vetimazhit më të gjerë popullor e kombëtar serb vështirë se mund të nënvlerësohet.

            Sidoqoftë, në shekujt e mëvonshëm, për arsye komplekse politike dhe demografike, qendra e serbizmit u zhvendos gradualisht drejt veriut në Beograd dhe përtej territorit të Habsburgut. Në Kosovë (ashtu si në krahinat e Malit të Zi dhe Maqedonisë), vendi i sllavëve ortodoksë ishte marrë kryesisht nga shqiptarët myslimanë, kështu që popullsia e krahinës sot është diçka mbi 75% shqiptarë dhe nën 20% serbë, ku shqiptarët gjithnjë e më shumë gëzojnë përqindjen më të lartë të lindjeve në Evropë, pra në masën 26.0 për 1,000, dhe ku për më tepër serbët vazhdojnë të largohen nga krahina. Këto zhvillime marrin rëndësi më të madhe kur vërehet se, meqenëse popullsia shqiptare në Kosovë është rreth 1,300,000 dhe se vetë Shqipëria është vetëm 2,700,000, afërsisht një e treta deri një e dyta e të gjithë shqiptarëve në Evropë jetojnë në Kosovë e cila, meqenëse është pranë Shqipërisë, përbën proporcionalisht irridentën më të madhe të kontinentit. Prandaj, nëse serbët mund të pretendojnë Kosovën për arsye historike, shqiptarët mund të argumentojnë se e kanë këtë të drejtë mbi bazën e kombësisë së shumicës së popullsisë. Për më tepër, as shqiptarët nuk janë pa argumentet e tyre historike, meqenëse pjesa më e madhe e zgjimit kombëtar shqiptar në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX është përqendruar në qytetet kosovare si Prizreni dhe Prishtina. Grupi i parë mbarëshqiptar politik kombëtar ishte Lidhja e Prizrenit e vitit 1878; gjithashtu, një lëvizje me qendër në Prishtinë arriti të fitonte autonominë nga autoritetet otomane në vitin 1912.

            Gjithsesi, serbët duke pasur shtet, ushtri dhe diplomaci më të fuqishme, mbizotëruan dhe përveç një intervali të shkurtër në Luftën e Dytë Botërore, kur Musolini ia aneksoi krahinën “Shqipërisë së Madhe” të tij, Kosova i është nënshtruar Beogradit që në vitin 1913. Në Jugosllavinë mbretërore të paraluftës, shqiptarët janë trajtuar si një popull i nënshtruar dhe madje as nuk janë lejuar të hapin shkolla në gjuhën e tyre. Megjithatë, Mbreti Zog i Shqipërisë mori titullin irredentist “Mbreti i shqiptarëve” (d.m.th. jo vetëm i Shqipërisë), një çështje që nuk qëndronte mirë për Beogradin. Pas luftës kontrolli serb vazhdoi të jetë i lartë dhe i vendosur deri kur në vitin 1965 u spastrua Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Rankoviç, i cili ishte serb. Në vitin 1968, Kosova u ngrit pas një sërë trazirash në statusin e krahinës autonome e cila kishte pothuajse të gjitha prerogativat praktike të një republike. Zgjidhja i qetësoi serbët, meqenëse teknikisht Kosova mbeti pjesë e Republikës serbe, ndërkohë që shqiptarët mund të gëzonin një rol gjithnjë në rritje me shpejtësi në udhëheqjen politike, burokraci, dhe establishmentin arsimor dhe kulturor; gjithashtu, krahina “e tyre” mori një fluks masiv parash nga zona më të zhvilluara të Jugosllavisë, duke përfshirë vetë Serbinë.

            Para se t’i kthehemi Kutisë së Pandorës socio-ekonomike që këto përpjekje për zhvillim provuan se janë, duhet të thuhen pak fjalë mbi pikëpamjet e serbëve dhe shqiptarëve për veten e tyre dhe njëri-tjetrin. Serbët e shihnin veten e tyre si populli (së bashku me kushërinjtë e tyre malazezë) i cili luftoi në të dyja luftërat botërore, për të mirën e të gjithë jugosllavëve, vënë theksin në traditat e tyre të tjera të shtetformimit dhe diplomacisë dhe vënë në dukje pozitën e tyre si grupi kombëtar i vetëm më i madh nga ana numerike në Jugosllavi. Ata e krahasojnë këtë me atë që e shohin si rol ndërhyrës në udhëheqjen e vendit (në të vërtetë, që pas dështimit të Rankoviçit, asnjë nga figurat reale kryesore nuk ishte serbe), me dobësimin demografik dhe ndonjë dobësim tjetër të pozitës së tyre jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje, si dhe me mungesën e mbizotërimit të tyre kulturor, si diçka të simbolizuar nga tendenca e alfabetit latin për të nxjerrë nga përdorimi shkronjat e tyre cirilike. Shkurtimisht, ata ndjehen të hidhëruar dhe të mashtruar.

            Megjithatë, shqiptarët njësoj si myslimanët e Bosnje e Hercegovinës besojnë se më në fund erdhi ora e tyre pas së paku dekadash të shtypjes, diskriminimit dhe fyerjeve nga serbët. Serbët nga ana e tyre, i shohin shqiptarët si agresivë, furacakë inferiorë nga pikëpamja kulturore, të cilët si myslimanë janë pjesë e “armikut historik turk”. Për më tepër, nacionalizmi shqiptar është i ri, burrëror, kokëfortë që njësoj si nacionalizmi i hershëm rinor serb i vitit 1914 është i prirur për të renditur të parin unitetin kombëtar dhe konsideratat e tjera më pas (shih më poshtë).

  1. Probleme sociale dhe ekonomike. Këto vështirësi komplekse janë analizuar gjerësisht në këtë seri, ndërkohë që konkluzionet e gjera në vijim duhet të mjaftojnë për këtëstudim.
    a. Një sasi e mahnitshme parash ka vërshuar në Kosovë, por kjo sasi ka tentuar të shkojë në industritë e sofistikuara moderne (të cilat nuk punësojnë një numër të madh punëtorësh me kualifikim të dobët), administratë (e cila është e kushtueshme dhe krijon një klasë joproduktive, por të privilegjuar), dhe projekte të tjera nga të cilat nuk përfiton shumica dërrmuese e popullsisë. Të ardhurat e tyre për frymë janë ende më të ulëtat në vend dhe shumë shqiptarë dyshojnë se Kosova, në fakt po shfrytëzohet. Kjo krahinë ka gjithashtu normën më të lartë të papunësisë në Jugosllavi.
  2. Zgjerimi masiv i arsimit duke përfshirë kalimin e Universitetit të Prishtinës në universitetin e tretë më të madh të Jugosllavisë, ka prodhuar një proletariat akademik me shpresa të rritura, por me mundësi të vogla për punë në Kosovë dhe kualifikimet e të cilit (veçanërisht vështirësitë e gjuhës) shpesh nuk njihen tjetërkund në Jugosllavi. Fakti që shumë prej tyre vijnë nga familje të varfra dhe janë dëmtuar rëndë nga norma e lartë e inflacionit në Jugosllavi, e shton hidhërimin e tyre. Duhet të kujtojmë se studentët e universitetit, të pashpresë dhe të papunë, përbënin pjesën më të madhe të fuqisë së gjallë për grupe ekstreme majtiste dhe radikale të djathta në të gjithë Evropën Lindore në vitet e paraluftës: universitetet “ishin inkubatorë të vërtetë të burokratëve, politikanëve dhe demagogëve me tepricë”. Nga e Majta, Milovan Gjilas dhe Enver Hoxha, midis të tjerëve, janë të përshtatshëm për këtë model social.
  3. Këto tensione të ndryshme u pasqyruan në parullat e përsëritura pa pushim apo të shkruara nga demonstruesit, të raportuara në shtypin perëndimor. Hidhërimi i studentëve të varfër të zemëruar nga “klasa e re” e privilegjuar pasqyrohet në parullat: “Poshtë revizionizmi! Rroftë marksizëm-leninizmi!” (një miratim i dukshëm i ortodoksisë egalitariane spartane e Enver Hoxhës ndaj sistemit jugosllav), “Nuk Duam kapitalizmin, kuam socializmin”, dhe “Rroftë Enver Hoxha”. Nacionalizmi shqiptar shfaqet në parullat: “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, dhe “Duam një Shqipëri të bashkuar”, ndërkohë që ndjenja e shfrytëzimit mund të perceptohet në parullën: “Kosova punon dhe Beogradi ndërton”.

Shtypi Perëndimor. Gazetat në shumë vende perëndimore përmbajnë komente të matura për Kosovën gjatë javëve të fundit, shpesh duke u përqendruar në temën e një “bombe me sahat” sociale në “strehën vorfënore” të Jugosllavisë. Një pjesë e përzgjedhur mund të përfshijë:

“Le Monde”, 6 prill 1981: “Njeriu nuk duhet të minimizojë ngjarjet që janë zhvilluar … Universiteti ka jo më pak se 37,000 studentë, por ekonomia rajonale nuk mund të marrë kaq shumë të diplomuar, e madje edhe ata që janë bilingualë flasin gjuhën e tyre amtare, shqipen, shumë më mirë se serbishten… Zhgënjimet e thella … u shndërruan menjëherë në nacionalizëm … nacionalizëm i ri që është veçanërisht virulent … Një pakicë aktive nuk do të kufizonte veten në kërkimin e statusit të Republikës brenda Jugosllavisë … dhe do të kërkonte t’i kthehej Shqipërisë, … një kërkesë shpërthyese tërësisht e papranueshme për udhëheqjen e Beogradit meqenëse në fund të fundit, do të nënkuptonte shpërbërjen e Federatës”.

“Die Welt”, 6 prill 1981, trajtoi kërkesën e Shqipërisë së Hoxhës drejtuar studentëve kosovarë, duke theksuar se “në anën tjetër të kufirit duket se mbizotëron rendi, disiplina dhe, megjithëse në varfëri, edhe një barazi e sigurt sociale”.

“Süddeutsche Zeitung”, 6 prill 1981, komentoi mbi rrënjët sociale të pakënaqësisë së studentëve duke theksuar se “ajo që është krijuar nuk janë specialistë të rinj për zhvillimin e krahinës por më tepër një proletariat akademik revolucionar shqiptar … Një numër gjithnjë në rritje i studentëve shpesh duhet të jetojë në konvikte të mjerueshme me shumë veta në një dhomë dhe nganjëherë dy veta në një krevat. Rritja e qirave në konvikte (siç e ka pranuar Tanjug indirekt kohët e fundit) duhet të ketë shërbyer si katalizator i trazirave … Shqetësimi social shfaqet jashtë qelizave të subversionit politik”.

“Stuttgarter Zeitung”, 6 prill 1981, paraqiti një tablo të kobshme. “A do t’i duhet Jugosllavisë në të ardhmen të jetojë me “vendit e vet Bask”? … Gjatë ditëve të fundit specialistë të shumtë serbë dhe malazezë në industri dhe ndërtim janë larguar nga Kosova për sigurinë e tyre. Duhet të ketë pasur eksese ndaj serbëve dhe malazezëve në Kosovë”.

“Handelsblatt”, 6 prill 1981, tha: “Kjo situatë e vajtueshme ekonomike dhe sociale buron, mbi të gjitha, nga dy shkaqe. I pari është ndjekja e një politike të gabuar nga partia dhe autoritetet në lidhje me procesin e industrializimit. Metoda të shumta … janë investuar në projekte industrial që as nuk sigurojnë punë të mjaftueshme dhe as nuk i vendosin punëtorët e Kosovës në një pozitë të tillë që të përdorin plotësisht fabrikat e tyre industriale për shkak të teknologjisë moderne tepër të ndërlikuar. Për më tepër, depopullimi i fshatit ka marrë përmasa të mëdha. Megjithatë, shumë të rinj dëshirojnë që në vend që të bëhen punëtorë, të bëhen së paku akademikë, në mos zyrtarë”.

“AP”, 7 prill 1981, citoi disa nga vëzhguesit perëndimorë në Beograd për “”frustrimet” e shtresës së inteligjencës”, por shtoi se “nuk është e habitshme se diçka e tillë do të ndodhte. Ajo që të habit është se demonstruesit ndërmorën një fokus të mprehtë politik”.

“The Times”, 7 prill 1981, trajtoi implikimet e situatës për Federatën jugosllave në tërësi, duke vënë në dukje se “testi kritik për pasuesit e Titos mund të arrijë deri në atë pikë ku… ambiciet nacionaliste dhe presionet ekonomike përkojnë me… Liberale megjithëse kuadri jugosllav tashmë është i tillë, gjithsesi sunduesit komunistë kudo që janë, e kanë të vështirë të përshtaten me çdo gjë që duket se sfidon monopolin e tyre të pushtetit brenda sistemit një-partiak”.

“Die Welt”, 8 prill 1981, paraqiti një situatë në dukje të pashpresë, duke thënë se “udhëheqja jugosllave po përballet me një dilemë pothuajse të pazgjidhshme. Nëse ajo i jep shqiptarëve të gjitha të drejtat me qëllim që të rivendosë qetësinë, duke përfshirë vetëvendosjen, (të cilën Jugosllavia e deklaron për çdo popull në Afrikë) kjo gjë do të ishte fundi i integritetit”.

“Frankfurter Aullgemeine Zeitung”, 9 prill 1981, vuri në dukje disa nga dështimet kryesore, njësoj si të Polonisë për udhëheqjen e Beogradit, duke theksuar se “regjimi zhvillon një miniluftë permanente kundër fshatarëve privatë, të cilët ende përbëjnë rreth 70% të gjithë popullsisë së Kosovës… Nuk ekziston marrëdhënie mirëbesimi midis popullsisë shqiptare dhe udhëheqjes aktuale në Prishtinë”.

“Süddeutsche Zeitung”, 9 prill 1981, veçoi disa nga implikimet e kërkesës për Republikë federale shqiptare më vete, duke thënë se “regjimi jugosllav është i pazoti kundër kësaj… Siç pyeti edhe Dolanc në mënyrë retorike në konferencën e tij për shtyp “A dëshironi dy Kore? A dëshironi dy Gjermani?”… Atë që Dolanc nuk e tha por që gjithsesi e nënkuptoi, është kjo: popujt e ndarë kërkojnë ribashkimin e tyre”.

“Neue Zürcher Zeitung”, 10 prill 1981, e përqendroi gjithashtu vëmendjen e saj në çështjet politike, duke besuar se “gama më e madhe e problemeve janë padyshim marrëdhëniet e ndërlikuara serbo-shqiptare… Cilido duhet që në çdo rast të supozojë se do të ketë spastrime të gjithanshme në organizatën e partisë krahinore”.

“The Washington Post”, 19 prill 1981, komentoi mbi irredentizmin shqiptar, duke theksuar se, përveç kërkesave për statusin e Republikës, “kishte më shumë parulla nacionaliste që bënin thirrje për “Shqipërinë e Madhe”, e cila do të përfshinte pakicat shqiptare, jo vetëm në Kosovë por edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni”. Duke iu kthyer çështjes themelore, autori Dusko Doder pyeti: “Për sa kohë mund të mbeten politikisht të ndarë këto dy komunitete të mëdha të të njëjtit popull? Fakti që Jugosllavia i ofron popullsisë së saj shqiptare një standard shumë më të lartë jetese dhe liri më të madhe politike dhe individuale sesa vetë Shqipëria, nuk i përjashton tendencat separatiste në radhët e shqiptarëve të arsimuar të Kosovës”.

“The New York Times”, 20 prill 1981, raportoi për një udhëtim të veçantë “të udhëzuar” për gazetarët në pjesën jashtë kufijve të caktuar për Kosovën, gjatë të cilit autoritetet vazhduan të përsërisnin akuzat e tyre të paqarta për “armikun”. Artikulli citoi gjithashtu disa serbë lokalë për ndjenjat e tyre të tilla si: “Nuk e kuptojmë çfarë kërkojnë shqiptarët, sepse ata kanë më shumë të drejta sesa ne, preferenca në strehim, punë, e madje edhe në konviktet e studentëve”. Një tjetër artikull, mesa duket për të plotësuar një farë shfaqjeje me rezervë tha: “Ne serbët nuk ndjehemi rehat me nacionalizmin shqiptar”.

Disa perspektiva. Në të vërtetë ka shumë pika që duken shqetësuese për skenën e Kosovës. Nëse sjellja në të kaluarën ofron ndonjë shenjë, ka të ngjarë që të ketë fjalime dhe spastrime në horizont por në të vërtetë ato nuk do të jenë të dobishme për problemet reale të Kosovës. Në fakt nuk duket se ka zgjidhje për këto vështirësi, të paktën për të ardhmen e parashikueshme, për shkak të madhësisë së tyre absolute.

Megjithatë, nëse duhen bërë përpjekje, gjëja e parë është që udhëheqja jugosllave të përballojë problemet në mënyrë të sinqertë dhe të hapur dhe të lërë mënjanë fshehtësinë dhe qasjen e moskomunikimit me njerëzit për vështirësitë e brendshme duke i fajësuar ata, ose duke shpërqendruar vëmendjen e tyre, përmes mjeteve të huaja. Ruajtja e kredibilitetit përpara një publiku politikisht të sofistikuar është shumë më e rëndësishme sot se në të kaluarën, meqenëse figura e Titos nuk është më e pranishme me autoritetin e tij politik dhe moral për të vepruar si arbitri vendimtar. Ngjarjet në Poloni nënvizuan rolin kryesor të kredibilitetit dhe besimit dhe komentet më të fundit të “NIN” dhe “Politika”, tregojnë se këto probleme kanë lidhje edhe me Jugosllavinë.

Fusha e dytë e analizës është shoqëria dhe ekonomia në Kosovë. Është e vështirë që këto probleme të zgjidhen menjëherë, por të paktën mund të fillohet me zgjidhjen e tyre duke i kushtuar më shumë vëmendje fshatarit privat, industrive të gjera në zhvillim për të tërhequr krahun e punës dhe për të gjetur mjetet për të punësuar proletariatin e madh akademik, ndërkohë që duhen bërë përpjekje për të mos lejuar që numri i këtij proletariati të bëhet kaq i lartë përsëri në të ardhmen.

Kjo ka lidhje me një fushë të tretë, duke reduktuar thirrjen ideologjike të komunizmit egalitarian të Hoxhës, ose mbase edhe modelin sovjetik, duke treguar se sistemi jugosllav mund të ofrojë jetesë të denjë për popullsinë e vet.  Modeli shqiptar ndoshta do të ketë gjithmonë njëfarë tërheqjeje për shqiptarët e Jugosllavisë sepse ky model përfshin një numër vlerash tradicionale shqiptare. Megjithatë, përballë pabarazive të dukshme sociale në të cilat duket se të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfëritë më të varfër, sistemi jugosllav do të duhet të provojë vlerën e vet nëse, jo vetëm socializmi i Hoxhës, por në mënyrë më kërcënuese edhe modeli sovjetik do të duhet që të humbin së paku thirrjen e tyre të mundshme ndaj zonave të pazhvilluara të Jugosllavisë. Vëzhguesit që njohin jo vetëm Kosovën por edhe Bosnje e Hercegovinën dhe zona të tjera më pak të pasura, kanë vënë re për një kohë të gjatë një zemërim të thellë ndaj pabarazive në dukje josocialiste që sistemi jugosllav jo vetëm i toleron, por duket se edhe i ushqen gjithashtu; disa njerëz, veçanërisht studentët, i kanë parë modelet ortodokse, përfshirë atë sovjetik më shumë si përgjigje. Kombinoni këto ndjenja me irredentizmin shqiptar, ose me ndjenjat serbe (dhe, në një farë mase malazeze) të frustrimit dhe rusofilinë romantike dhe në të vërtetë çdokush do të ketë një dehje marramendëse.

Problemi i katërt, ndoshta plotësisht i pazgjidhshëm brenda Federatës Jugosllave, është nacionalizmi shqiptar. Ashtu si kolegu i tij ndaj Monarkisë Habsburge në vitin 1914, dhe në kontrast me pjekurinë politike të hungarezëve të Vojvodinës së sotme, të cilët duken se janë mjaft mirënjohës për lirinë dhe prosperitetin në Jugosllavi në krahasim me Hungarinë, nacionalizmi shqiptar është agresiv dhe i fortë dhe tenton të vërë bashkimin kombëtar përpara çështjeve të lirisë personale apo të mirëqenies materiale dhe kulturore. Në një shtet emri i të cilit do të thotë “toka e sllavëve të Jugut”, shqiptarët janë ndoshta me përkufizim të jashtëm, dhe duke pasur parasysh vështirësitë e tjera të pranishme politike, sociale dhe ekonomike, mund të ketë gjithnjë rritje të ndjenjave në mesin e shqiptarëve të Jugosllavisë se e ardhmja e tyre qëndron në Tiranë.

Kjo pikë na çon në fushën e pestë, qëndrimi i serbëve ndaj Kosovës dhe përgatitja e tyre për shkëputjen e mundshme të saj nga Republika serbe. Edhe popujve të tjerë në shekullin XX u është dashur të përballen me humbje të tilla të ngjashme që ata i shikonin si pjesë të pandashme të trashëgimisë së tyre kombëtare; grekët në Azinë e Vogël dhe gjermanët në Evropën Lindore, janë ndoshta shembujt më të dukshëm. Megjithatë, këto territore janë humbur si rezultat i dobësive ushtarake dhe politike të cilat nuk mund të thuhet se gjejnë zbatim për serbët e sotshëm, me gjithë vetëperceptimin e tyre se janë mashtruar. Sidoqoftë, për arsye të kuptueshme duket se ata janë të vendosur të mbajnë fort Kosovën dhe thuhet se shumë prej tyre iu përgjigjën revoltave me thëniet: “Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rankoviç do të ishte ende këtu”. Duhet të kujtojmë se emri i Rankoviç është shoqëruar me shtypjen e ashpër të shqiptarëve, një qasje që gjithsesi ka provuar të jetë vetëshkatërruese në analizën përfundimtare për trajtimin e pakicave kombëtare në Evropën Lindore moderne.

Në këtë situatë, shumë varet nga balanca e zgjidhjes për problemin e Kosovës, duke përfshirë ekuilibrin brenda sistemit federal të Jugosllavisë dhe stabilitetin politik të Ballkanit në tërësi, ose duke dobësuar Jugosllavinë si një element kyç ose thjesht duke ofruar më shumë ujëra të turbullta ku të peshkojnë sovjetikët. Sidoqoftë, duke pasur parasysh dimensionin e faktorëve të përfshirë, duket se zgjidhja nuk është aspak e lehtë.

 

-19-

      Për përdorim të kufizuar

  1. E. Montgomery Esq Ambasada britanike
    EESD                                                                                                                       Beograd

FCO                                                                                                                   29 prill 1981

I nderuar Alan,

Jugosllavia/Shqipëria

  1. Ka pasur një kthesë në rritje në spiralen e polemikës së rihapur ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë mbi ngjarjet në Kosovë. Pa dyshim nuk duhet ta keni parë kryeartikullin e gazetës “Zëri i Popullit”, i datës 23 prill, i cili prirej të bënte thirrje që Jugosllavia të reagonte. Shtypi parashikonte një përgjigje të fortë e cila për herë të parë erdhi më 27 prill në formën e një fjalimi të mbajtur nga Fadil Hoxha, anëtar i Kryesisë Federale të Kosovës para një grupimi aktivistësh të Partisë në Prishtinë. Së pari, ai trajtoi statusin e Kosovës brenda Federatës; së dyti trajtoi kritikën e Tiranës për prapambetjen ekonomike të Kosovës, dhe së treti, trajtoi marrëdhëniet Jugosllavi/Shqipëri. Më pas gazeta “Politika” ndërmori një kundërsulm përmes një artikulli të fuqishëm më 29 prill në vija të njëjta.

Statusi i Kosovës

  1. Hoxha bëri një shpjegim shumë mbrojtës të statusit të Kosovës ku pasqyrohej e gjithë palogjikshmëria e pozitës Federative. Ai pohoi se forcimi dhe jo shpërbërja e Jugosllavisë kishte rëndësi i jetësore për shqiptarët e Kosovës që të arrinin barazinë e tyre të plotë kombëtare. Kjo ishte shkaktuar përmes statusit kushtetues të Kosovës si element përbërës i Federatës Jugosllave dhe pjesë integrale e Serbisë. Në realitetin e ndërlikuar të Ballkanit, që rezulton nga zhvillimet historike, parullat që bënin thirrje për kalimin e Kosovës në Republikë në fakt u drejtuan drejt shkatërrimit të Jugosllavisë, realizimit të qëllimeve irredentiste të liga dhe rihapjes së çështjes së kufijve, e cila në Aktin Final të Helsinkit ishte vlerësuar si rrezik i madh për paqen në Evropë dhe në botë. Hoxha tha se ishte thellësisht i bindur se kjo nuk ishte në interesin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët e dinin mirë se e kishin arritur lirinë dhe zhvillimin e tyre të plotë kombëtar dhe mund t’i pasuronin më tej ato, jo përmes konfrontimit me kombin serb dhe kombet e tjera të Jugosllavisë, por përmes bashkëpunimit dhe unitetit. Nëse duhej nxitur nacionalizmi për Shqipërinë e Madhe, kjo do t’i jepte shkas thirrjes për Serbinë e Madhe, Bullgarinë e Madhe, Greqinë e Madhe dhe çdo lloj tjetër nacionalizmi në Ballkan, që lehtësisht do të bëhej bazë për forcat agresive në botë, për ta kthyer Ballkanin në një fuqi baruti.
  2. Duke e justifikuar statusin e Kosovës si Krahinë Autonome, Hoxha tha se çdokush e dinte se ky status kishte ardhur si rezultat i “dëshirës së të gjitha kombeve dhe kombësive tona përmes vendimeve të marra nga Krahina, Republikat dhe Federata në vitet 1945 dhe 1946, pra përmes vendimeve të lira mbi bazën e dëshirës së shprehur të popullit të Kosovës si dhe kombit dhe kombësive të Serbisë që ne duhet të shoqërohemi së bashku në Serbi brenda Federatës”. Krahina ishte tërësisht e barabartë dhe përgjegjëse për zhvillimin e saj, ndërkohë që i arrinte të drejtat e veta sovrane brenda Serbisë. “Prandaj”, ai tha “as ne dhe askush tjetër në Jugosllavi nuk sheh ndonjë nevojë për ndryshime në organizimin themelor të vendit tonë”. Hoxha la jashtë rrëfimit të tij aspiratat e nacionalistëve shqiptarë, të cilët shohin vërtetë nevojën për ndryshim dhe të cilët do të kenë në mendje, siç e theksoi me mjeshtëri gazeta “Zëri i Popullit”, se ajo që është e mirë për maqedonasit duhet të jetë e mirë për shqiptarët.

Prapambetja e Kosovës

  1. Hoxha kaloi më pas në një argument më të sigurt për të hedhur poshtë thumbimet e Tiranës lidhur me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai pyeti me ironi: “Nëse serbët supozohet se janë përgjegjës për prapambetjen e Kosovës, kush është përgjegjës për prapambetjen e Shqipërisë?”. Ai theksoi se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë ishte më i ulëti në Evropë; se vetëm Prishtina kishte më shumë automjete, pajisje shtëpiake elektrike, televizorë dhe radio sesa Shqipëria; dhe se Kosova kishte dyfishin e studentëve të një popullsie që përbënte gjysmën e asaj të Shqipërisë.
  2. Në një përpjekje të dukshme për t’ia kthyer Tiranës pretendimin e saj mbi të drejtën për t’u shqetësuar për shqiptarët e Kosovës, Hoxha tha se nëse duhej të ishte kështu, shqiptarët e Jugosllavisë duhet të kishin të njëjtën të drejtë të ishin të shqetësuar për vështirësitë dhe ngarkesat që mbartnin bashkëqytetarët e tyre në Shqipëri, veçanërisht mungesën e lirisë së udhëtimit të këtyre të fundit, qoftë brenda apo jashtë vendit të tyre.

Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri

  1. Hoxha e shprehu të gjithë këtë më shumë me dhimbje sesa me zemërim. Ai vazhdimisht i referohej keqardhjes së Jugosllavisë për situatën në Shqipëri, veçanërisht që populli në Shqipëri ishte aq i izoluar dhe i indoktrinuar për të pasur frikë nga fqinjët e vet. Ai e siguroi Shqipërinë se Jugosllavia nuk përbënte rrezik për të; se qëllimi i saj ishte që marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve të ishin sa më të mira; dhe që Kosova duhej të ishte një faktor miqësie. Jugosllavia ishte e përgatitur të kalonte mbështetjen pak a shumë të hapur ose të fshehtë të Shqipërisë për nacionalizmin e Shqipërisë së Madhe. Megjithatë ai bëri të qartë se ishte e papranueshme vënia në dyshim nga ana e Shqipërisë e kufijve që rezultonin nga Traktati i Londrës dhe Traktati i Versajës: Jugosllavia nuk do të lejonte askënd të kërcënojë kufijtë e saj. Ai i kujtoi Shqipërisë se Jugosllavia ende besonte në deklaratat e udhëheqësve shqiptarë se çdo sulm ndaj Jugosllavisë do të konsiderohej sulm ndaj vetë Shqipërisë! Megjithëse lëvizjet e fundit të Tiranës hedhin një hije të madhe dyshimi dhe pasigurie në marrëdhëniet midis tyre, Jugosllavia nuk do ta ndryshonte politikën e saj të fqinjësisë së mirë. Ai përfundoi duke bërë thirrje për vigjilencë ndaj çdo armiku dhe pohoi me vendosmëri se Jugosllavia nuk do të lejonte askënd që të luante me fatin e saj.

Komente

  1. Fakti që Fadil Hoxha, arma më e madhe e Kosovës, është përdorur për t’iu përgjigjur gazetës “Zëri i Popullit” tregon seriozitetin me të cilin Jugosllavia shikon kritikën e Shqipërisë. Megjithëse deklarata e tij e rastit për Kosovën që të mbetet Krahinë Autonome në Federatë është e mbushur me mospërputhje, udhëheqja e ndjeu qartazi se duhej të thoshte diçka më shumë se deklaratat monotone të Dolanc dhe Dragosovac mbi pandryshueshmërinë e politikës. Sidoqoftë, vlen të përmendet se Hoxha e kaloi në heshtje atë që Tito i kishte thënë Enver Hoxhës në vitin 1946 se “Kosova dhe zona të tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe ne do t’ju a kthejmë ato por jo tani pasi reagimi për Serbinë e Madhe nuk do ta pranonte një gjë të tillë”. Nëse kjo është e vërtetë, dyshoj se jugosllavët do të preferojnë që ta ruajnë këtë të fshehtë sesa të hapin diskutim për marrëveshjet e arritura në atë kohë nga Tito për oportunizëm të qartë politik.

                                                                                                                                   I Juaji,                                                                                                                                    T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …