Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka dhënë një mesazh të qartë dhe pa ekuivoke në takimin e parë me ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukcevic, duke theksuar hendekun e thellë mes dy shteteve sa i përket çështjes së Kosovës. Kryediplomati shqiptar bëri të ditur se gjatë takimit janë artikuluar “qëndrime diametralisht të kundërta”, ndërsa ritheksoi se për Shqipërinë, Kosova është një realitet i pakthyeshëm: shtet i pavarur, demokraci funksionale dhe shoqëri e ndërtuar mbi sundimin e ligjit. Hoxha theksoi se Tirana nuk lë hapësirë për relativizim të kësaj çështjeje dhe kërkoi që procesi i dialogut mes Kosova dhe Serbia, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të përmbyllet me njohje të ndërsjellë si e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Ai ngriti edhe çështjen e trajtimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke kërkuar nga Beogradi që të respektojë standardet dhe vlerat evropiane, një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj politikave aktuale të Serbisë. Ky takim shënon një sinjal të fortë diplomatik nga Tirana, e cila jo vetëm riafirmon mbështetjen për Kosovën, por edhe vendos vijat e kuqe në raportet me Serbinë, duke i bërë të qarta pritjet për të ardhmen e dialogut dhe marrëdhënieve rajonale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
