Qerimane Polisi: “Mos na rëndoni edhe më shumë!

Të përballur me sfida të mëdha, në një papunësi të theksuar, me një jetë të shtrenjtë, me çmime që mezi i mba xhepi i qytetarit të mjerë, ne sot na duhet të përballemi edhe me një “dhuratë” të çmuar që na doli nga xhepi i nuk e dimë se kujt. 
Haraçi i këtij kumtimi nga KEK-u, ra si një shigjetë pikërisht në zemrat e konsumatorëve të thjeshtë, sepse gjithmonë dhe gjithherë barra më e rëndë bie mbi kurrizin e tyre. Nuk e di unë, si një qytetare me çfarë baze e çfarë arsyetimi u mor një vendim i këtillë, bash sot kur kemi edhe ashtu shumë halle. Ky vendim do të ngrejë tensione të mëdha që janë para vlimit. A thua sot kur sot çdo gjë që prekim, është e varur nga rryma, do të mund të kontrollohet që të mos tejkalohet ai 600 kilovatshi. Do të na duhet të ziejmë e të pregatisim një herë në ditë, të pastrohemi një herë në javë, të shkojmë pa hekurosur, e ti përdorim lavatriçet një herë në javë.
Shumë më lehtë do ta kishim po të ishim në fshat, po çfarë të bëjmë me që jemi këtu në një shehër të madh, ku na i kanë mbyllur oxhaqet, ku nuk kemi se ku ti mbajmë drutë e stufat në këto banesa të vogla, që mezi kemi vendë për tu sjellur ne vetë. 
Na mbetet pra ose të mos paguajmë fare fakturat, ose ta ngrejmë zerin e arsyes, që i takon çdo qytetari si një e drejtë morale e absolutisht qytetare. Na mbetet edhe një variant tjetër: të mbledhim copa dunjësh a mobiljesh të vjetruara dhe aty mes parqeve të vendosim stufat, saçet e kazanat. Të bëjmë rradhë për t’i vendosur kazanët për ngrohjen e ujit, për larjen e rrobave dhe për zierjen e ushqimit. Ky do të ishte varianti QYTETARÇE për të kursyer rrymë e për të kursyer xhepa. Ndryshe as ne nuk e dimë si të veprojmë. 
Po, mundet të kursejë dhe të harxhojë pak një familje me pak antarë, apo edhe ata qytetarë me xhepa plot që hanë restoranteve, apo edhe ata që gati krejt familja janë të punësuar. Vijnë nga puna aty kah ora 5 bile edhe 6, disa kanë ngrënë drekën dikund e disa e kanë marrë me vete të gatshme, ose e pregatisin aty në shtëpi por u bie të pregatisin vetëm një vakt në ditë.
Pastaj pushojnë, zgjohen, dalin përsëri dikund etj etj. Por çfarë të bëjnë ata konsumatorë që janë shumë antarë në familje, me fëmijë të vegjel që duhet të lahen e pastrohen shumë herë në ditë. Pastaj ata që janë tërë ditën në shtëpi, që kanë një të punësuar apo asnjë. Ata nuk do të mund të pregatisin e lajnë një herë apo dy herë në ditë por shumë herë ne ditë, e kjo dmth disa herë kyçje e shkyçje të aparatëve. Nuk e di, nuk e di si do t’ia bëjmë në këtë kohë të teknologjisë moderne kur rryma na duhet në çdo hap. Prandaj i lusim ata zotërinj që i kanë bërë do llogari me hesape teorike e jo praktike, le të bëjnë edhe një herë një përllogaritje të logjikshme, të kapshme dhe jo rënduese. Ky hov i madh, i marrë kaq me turr, në një rrugë me gropa e me ujë, nuk do të na duhej sot se jo që do të na lodhte edhe më shumë, por do të na vononte edhe më shumë në cakun e nisur.
Njerëzit tanë nganjëherë bëjnë dhe marin vendime të pamenduara e të pamatura mire e që pastaj na kushtojnë shumë. Pastaj është vonë të pendohen e t’iu kërkojnë falje atyre që i kanë lënduar. Ne edhe ashtu jemi shumë të lënduar. Lusim pra që ky lajm të ketë qenë vetëm një mahi per 1 Prillin, se me të vërtetë nuk e dimë sesi do t’ia bëjmë hallit, se kupa kur mbushte fort atëherë edhe derdhet.

Kontrolloni gjithashtu

25 vjet më parë, më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri të rëndë ishin vrarë shumë shqiptarë në fshatrat e Dukagjinit

25 vjet më parë,  më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri …