leoni

Fuad Ramiqi: A ËSHTË AHTISARI PËR KOSOVËN E VOGËL E SERBINË E MADHE

Patjetër më duhet të kujtojë një proverb të vjetër i cili thotë “ Shumë mami, fëmija lind i zdjerrurrë”, për faktin se më së miri edhe e pasqyron situatën në të cilën po kalon Kosova gjatë rrugës së formësimit të shtetësisë së saj, në periudhën e shtatzënisë së gjatë të Zonjës së Vjetër të quajtur Evropë. Po që se nuk ndodhë një proces i natyrshëm atëherë është e nevojshme edhe prerja cezarike, e cila mund ta rrezikojë jo vetëm frytin por edhe vet Zonjën e Vjetër.
Në të vërtet shumë është folur për statusin e Kosovës, edhe pse në shumicën e rasteve opinionit vendor i është prezantuar vetëm ajo çka ju pëlqen, e jo e vërteta, kuptohet në mediat plotësisht të kontrolluara nga klasa politike si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, asnjëherë nuk është dhënë mundësia që të shprehet apo dëgjohet mendimi tjetër rreth këtyre lëvizjeve. Ky veprim i kontrollit të plotë “demokratik” më së miri e tregon fuqinë e vasalitetit dhe dobësinë e dinjitetit të klasës politike vendore, dhe interesin individual të faktorëve ndërkombëtar në lëvizjet globale. Edhe pse është folur shumë për pakon e famshme të pensionistit z.Ahtisari, por jo edhe debatuar në mënyrë të mirëfilltë, e shohë të domosdoshëm që në mënyrë të pavarur të përqendrohem vetëm në disa vështrime ndryshe nga ato të dirigjuara nga klasa politike vendore dhe ndërkombëtare, pa dashur të elaborojë aneks për aneks. Po i referohem vetëm asaj se çka është e shkruar në pakon e z. Ahtisari , e aty shumë qartë propozohet funksionimi i Kosovës vetëm në rrafshin horizontal kryesisht vetëm për qytetarët e Kosovës e në veçanti edhe në atë vertikal vetëm për serbet në raport me Serbinë. 
Propozimi si i tillë u mundëson 5% serbëve një territor deri me 25%, me një pjesë kompakte në veri të Kosovës dhe me enklava në brendësi e sidomos në lindje të Kosovës, ku Kosova do të ketë komuna për shumicën kurse “opshtina “ për pakicën, çka do të thotë se nëpër shumë komuna, shumica në Kosovë do të shndërrohet në pakicë, kurse pakica do të bëhet shumicë. Këto komuna do të jenë me hapësira të zgjeruara, me pasuri nëntokësore e mbitokësore, me pika dhe pozicione strategjike, me lidhje horizontale e vertikale të bashkuara apo për tu bashkuar me Serbin. Me një fjalë vetëm sa e thellon Serbinë në Kosovë. Kjo situatë ia mundëson Serbisë një vazhdimësi të kontrollit të tërë situatës në zhvillimet e më tutjeshme rreth të ardhmes në Ballkan. Edhe pse Serbia fuqishëm e refuzon propozimin e z. Ahtisari, në thelb ky plan, nëse miratohet nga KS, atëherë do ta kuptojmë se Serbia e realizon ëndrrën e kamotshme të serbëve për një Serbi të madhe, por në kufijtë e saj të brendshme, duke ju referuar edhe marrëveshjes se Dejtonit, ku ju mundësojë atyre formimin e Republikës Srpska të bazuar në gjenocid ndaj popullit boshnjak. 
Me këtë propozim të z. Ahtisarit ajo këtë edhe realizon edhe në një pjesë të Kosovës, e që kjo në zhvillimet e ardhshme demokratike do të jetë legale dhe legjitime. Mirëpo, edhe pse këtë propozim e pranoi e tërë klasa politike, bile bile edhe Parlamenti i Kosovës e miratoi vetëm me një votë kundër(N.B), me një përmbledhje të shkurtër mund të thuhet kështu: ata të cilët dhanë pak për Kosovën, ata edhe e pranuan pakon, sepse për ata kjo pako është e mjaftueshme, kurse ata që dhanë shumë për Kosovën pakon nuk e pranuan,(edhe pse nuk u lejuan të ju dëgjohet zëri) sepse për këta është e pa mjaftueshme. 
Këta të fundit gjithnjë kanë ditur çka duanë dhe sa duan, dhe kurrë nuk do të pajtohen me këtë gjendje, sepse më shumë se veten e duan atdheun. Fundi i fundit edhe nuk mundesh të presësh ma shumë nga ata të cilët e pranuan Rambujenë, Rezolutën 1244 etj, për të cilat atëherë thoshin se janë në interes, dhe që na sollën pavarësinë dhe sovranitetin, e sot të njëjtit thonë se këto duhet ndryshuar për të bërë pavarësinë dhe sovranitetin, dikush dikë po e gënjen. Mos vallë, këtyre njerëzve ju ka interesuar dhe ju intereson vetëm pushteti, qoftë ai edhe vasal? 
Sidoqoftë situata në të cilën ndodhemi nuk është më në duar as të Prishtinës e as të Beogradit. Po kush do të del më i kënaqur do të shohim shumë shpejtë, edhe pse faktorët e qendrave të mëdha botërore vazhdimisht po potencojnë se të dy palët do të jenë të pa kënaqura, ose zgjidhja e ardhshme duhet ti kënaq të dy palët. Kjo e dyta është e pa mundur. 
Po si do të veprojë faktori ndërkombëtarë? Sipas të gjitha parametrave deri më tani, është e pa mundur që KS ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, këtë edhe nuk e propozon z.Ahtisari me shkrim në dokument, por vetëm e rekomandon në letrën përcjellëse, për një pavarësi të kushtëzuar, e dihet se sa obliguese është rekomandimi. Momentalisht kundërshtimet në mes palëve (SHBA, BE, RUSIA dhe bota tjetër) kanë të bëjnë vetëm me rritjen e pazareve për interesa globale të tyre. Në këto lëvizje edhe mund të vërehet ndasia në mes tyre. Deri sa dihen qëndrimet e SHBA-së për interesin e tyre për popullin shqiptar, dhe e kundërta, edhe të BE për këtë rajon(kuptohet edhe dëshirat tona) edhe Rusia sipas mendimit tim në thelb mund të jetë për pavarësinë e Kosovës, por duhet ta rritë ndikimin e vet kundrejt SHBA-ve për ta përfituar Osetinë dhe Abkhazinë, por edhe ta kërcënojë SHBA-në me largimin sa ma të madh nga kufijtë e saj, si dhe ta ngadalësojë apo ndalojë zgjerimin e NATO-së. 
Kjo do të jetë shumë e rëndësishme nëse e kemi parasysh edhe manovrat e Rusisë rreth burimeve energjetike në rrafshin global. Edhe një faktor nuk duhet nënçmuar kurë është në pyetje Rusia. Me gjithë fuqinë që ka SHBA-ja, sot në krye të Rusisë nuk qëndron Jelcini, sot është Putini dhe Rusia nuk është ma ajo e 1999, sot është një Rusi e 2007, një Rusi tjetër, në ngritje të madhe dhe zhvillim ekonomik enorm. 
Pasi i kemi parasysh këto dhe shumë rrethana të tjera të njohura e të pa njohura, atëherë na ngelet të shpresojmë te plani B siç po përmendet çdo ditë e më tepër si opsion i mundshëm për Kosovën, e për të cilin janë të gjithë të përgatitur, që më në fund Kosova të ketë një status të imponuar të një pavarësie të mbikëqyrur, të lënë në mëshirë, që në mënyrë bilaterale të jetë e pranuar nga disa shtete. 
Kjo situatë dhe ky status do të jetë ai i cili nuk do të kënaq as shqiptarët as serbet, por edhe nuk do të qetësonte rajonin për shumë kohë, të hapur për surpriza të ndryshme deri me një zgjidhje të ardhshme. Pikërisht kjo zgjidhje e ardhshme është edhe e fshehur në propozimin e z. Ahtisari, e që serbet e kanë kuptuar dhe po luftojnë që ta legalizojnë dhe legjitimojnë, pra Serbinë e madhe në kufijtë e brendshëm. 
Në fund fare mund të them se pavarësia e Kosovës si opsion i mundshëm sipas z.Ahtisari është e skaduar, sikurse edhe kjo klasë politike e Kosovës. Nëse shqiptarët deri më tani kanë sakrifikuar interesat e tyre në Maqedoni, Kosovën Lindore, Mal të Zi, për një pavarësi të mbikëqyrur dhe të përgjysmuar,për ta legjitimuar një Serbi të madhe në kufijtë e brendshëm, tani klasa politike mbarë shqiptare duhet të ec shumë shpejtë, disa hapa para, për t’i përmirësuar gabimet e të kaluarës dhe historinë, për një Shqipëri të natyrshme në kufijtë e saj realë. Vetëm ky është opsion i cili garanton paqe dhe stabilitet në Ballkan, si dhe qëndrueshmëri dhe prosperitet të shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Konfirmohet zyrtarisht se Kosova nuk do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kosova nuk do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshillin …