Ahmet Qeriqi

A.Qeriqi: Pse Edi Rama i “frikësohet” Shqipërisë së Madhe?

…Edi Rama  mbase nuk e di, mbase nuk deshi të tregonte, për arsyet që i di vetë se Greqia ka pasur dhjetë herë më shumë kolaboracionistë, që i kanë shërbyer Italisë e sidomos Gjermanisë, sesa i paskan shërbyer çamët. E di se  Greqia, ashtu sikur të gjitha shtetet e Ballkanit ka pasur qeveri të përkohshme kuislinge, ashtu si Shqipëria edhe Jugosllavia e Bullgaria. Kush nga politikanët institucionalistë të kohës   do i thoshte jo bashkëpunimit me Gjermaninë?  Greqia e Zervës ishte pro gjermane, ishte fashiste dhe ajo e sakatosi Çamërinë, jo sepse çamët kishin qenë më shumë pro gjermanë, apo pro italianë, por sepse ishin shqiptarë islamë, që nuk duroheshin nga Kisha satanike greke. Mjerisht, kishte edhe shumë nga vëllezërit tanë të gjakut, shumë nga radhët e arvanitasve, që morën pjesë në masakrimin e çamëve, sepse ata, arvanitasit,  për ta ruajtur fenë e ndërruan identitetin kombëtar, gjuhën, besën e traditat shqiptare dhe u bënë më grekë se grekët…

Intervista, që i ka dhënë televizionit grek, Skay, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dallonte në një masë nga intervistat  që ai zakonisht i jep medieve shqiptare. I njohur tashmë si politikan realist, shumë diskret para gazetarëve dhe njohës i shkëlqyer i rrethanave, jo vetëm të politikës, por në një masë të madhe edhe të historisë, trashëgimisë, kulturës dhe artit shqiptar, Edi Rama, shpeshherë nga realisti tërhiqet te diplomati. Është krejtësisht e natyrshme që në intervista për gazetarë të huaj diskursi politik të zhvillohet mbi bazë të diplomacisë, por jo edhe atëherë kur preken interesat vitale të kombit, të shtetit apo të ligjeve në fuqi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së  gazetarit grek, Alexis Papahelas, se cili është koncepti i  Shqipërisë së natyrshme, çfarë është kjo e natyrshme, apo çfarë është  Shqipëria e Madhe, kryeministri Rama  ishte përgjigjur:

-Shumë me interes është që Shqipëria e madhe apo Shqipëria natyrore apo çdo lloj Shqipërie e ndryshme në kuptimin e madhësisë së saj, në kuptimin e gjeografisë apo të çdo gjëje tjetër, nuk janë nocione, të cilat janë prodhuar nga ne. Kësisoj Shqipëria natyrale është një nocion, i cili është prodhuar nga të tjerë, të cilët janë trembur apo e kanë krijuar atë për shkak të agjendave të ndryshme, por kjo është si të thuash t’ju vësh grekëve fajin sot për Megali Idean, që ishte njëlloj ideje e një periudhe të caktuar, që nuk ka të bëjë me kohët tona. Kësisoj Shqipëria natyrore, është Shqipëria europiane, e cila na duhet të jetë pjesë e kësaj familjeje europiane. Po ne kemi një histori shumë interesante duke qenë se jemi një komb, me dy shtete, kemi Shqipërinë, kemi Kosovën, kemi shqiptarë që jetojnë në jug të Serbisë, që jetojnë në Maqedoni, që jetojnë në Malin e Zi. Po pastaj? Nuk ka asnjë plan, nuk ka asnjë ide normale edhe të parashikueshme që t’i mbledhë këto në një Shqipëri të madhe. Po, mund të jemi të gjithë pjesë e një Europe të madhe, e cila do të ishte vërtetë e madhe nëse do të na përmblidhte të gjithëve ne brenda, si qytetarë të saj dhe ku kufijtë bëhen të pa rëndësishëm për sa i përket komunikimet, për sa i përket shkëmbimeve apo të jetuarit së bashku në të njëjtën hapësirë europiane.

Rama e pranon esencialisht se ekziston Shqipëria e shumë pjesëve, quaji si të duash ato, e madhe, natyrale, por për hir të postit, për hir të politikave evropiane, për ta ruajtur status-quonë në Ballkan, qysh prej vitit 1913, shqiptarët po mbesin të ndarë, me qëllim që të ruhen shtetet sllave të rajonit, sepse kjo ka qenë dhe po mbetet politika “ e drejtë” e Evropës, e cila, dorën në zemër, nuk i bën “hasha” të krishterët e Ballkanit për shqiptarët islamë, do apo nuk do Rama, duam apo nuk duam ne. Këtë nuk e thotë Rama, edhe pse e di fare mirë se shqiptarët kanë qenë dhe po mbesin “qengji i flijimit” për të ruajtur paqen e sigurinë në Ballkan e më gjerë, sidomos tani kur Trumpi e Putini, doemos se do të merren vesh mes veti për rindarjen e sferave të interesit.

Edi Rama e di mjaft mirë se ekziston, jo vetëm hija apo sfondi gjeografik i Shqipërisë së Katër Vilajeteve, apo Shqipëria e dikurshme, pse jo dikur shumë  më e madhe sesa Greqia, shumë më e madhe sesa ishte Serbia prej Nishit në Beograd, sikur del në të gjitha hartat 500-vjeçare të Perandorisë Osmane dhe në hartat e Evropës.

Shqipëria e katër Vilajeteve dikur kishte   më shumë  112.000 km. katrorë. Ajo edhe tani ekziston jo vetëm në mendjet e shqiptarëve idealistë, por ekziston edhe në segmentin e gjeografisë edhe pse e rrudhur, e copëtuar, e ndarë nga jashtë e brenda. Tani shqiptarët jetojnë në gjysmën e territoreve të dikurshme dhe kjo iu duket shumë e madhe grekëve e serbëve, malazezëve e bullgarëve, sepse ata për më shumë se 100 vjet kanë pasur dhe kanë për qëllim zhbërjen e Shqipërisë, në mos zhbërjen, tjetërsimin, asimilimin gradual, shpërfytyrimin kombëtar, duke i ndarë shqiptarët në gegë e toskë, në shqiptarë e kosovarë, në maqedonas   e malazezë, në abreshë e arvanitas.

Pozita e Ramës karshi gazetarit grek nuk ishte e nivelit që ai mban me gazetarët përgjithësisht. Mbase gjykoj gabimisht, por ishte një pozitë paksa edhe inferiore, ashtu sikur është inferiore politika shqiptare ndaj Greqisë.  Nga kjo pozitë Rama dështoi në përgjigjen që i dha gazetarit grek lidhur me atë që Greqia çamët i ka konsideruar si bashkëpunëtorë të Gjermanisë e Italisë.  Greku, Alexis Papahelas pa pikë turpi të njeriut, arsyeton gjenocidin grek në Çamëri sepse, gjyshërit e  çamëve të sotëm  paskan kryer krime gjatë pushtimit të Greqisë nga Italia e Gjermania.

Ja, cila ishte përgjigja, për mendimin tim shumë e  dobët dhe aspak e qëndrueshme e Edi Ramës.

-Flas për njerëz të vjetër, flas për 80 vjeçar dhe nuk e besoja dot. Një grua 80 vjeçare më tha, “kam ëndërr të shoh për herë të fundit në jetë shtëpinë ku më dëbuan kur kam qenë fëmijë dhe s’mundem”. Natyrisht ka pasur njerëz që kanë bashkëpunuar, por ku në këtë botë kemi parë që breza të tërë të mallkohen me pamundësinë për ushtruar të drejtat e tyre për shkak të paraardhësve që mund të kenë qenë kolaboracioniste. Ku në botë keni parë një komunitet të tërë që etiketohet si kolaboracionistë. Kjo është ajo që po them që nuk duhet të hyjmë në këto detaje. Në fakt kemi të drejtë. Nëse  politikanët vendosin të shkruajnë historinë mund të bëjnë vetëm dëm, por politikanët kanë detyrimin të lexojnë historinë, të nxjerrin mësime prej saj dhe së fundmi prej nga rëndësia.

Rama mbase nuk e di, mbase nuk deshi të tregonte se Greqia ka pasur dhjetë herë më shumë kolaboracionistë, që i kanë shërbyer Italisë e sidomos Gjermanisë. E di se  Greqia ashtu sikur të gjitha shtetet e Ballkanit kanë pasur qeveri të përkohshme kuislinge, si Shqipëria ashtu edhe Jugosllavia e Bullgaria. Kush do i thoshte jo bashkëpunimit me Gjermaninë në atë kohë?

Vetëm kur gjermanët e thyen në luftë kundër Bashkimit Sovjetik, në vitin 1943, atëherë filloi mobilizimi kundër fashizmit nga aleatët anglo-amerikanë dhe nga forcat partizane në Ballkan e më gjerë. Lufta kundër gjermanëve u bë në ndjekje të formacioneve ushtarake, kur ata po tërhiqeshin. Nuk kishte front lufte në Ballkan, ashtu sikur në Bashkimin Sovjetik e në disa vende të tjera. Greqia e Zervës ishte pro gjermane, ishte fashiste dhe ajo e sakatosi Çamërinë, jo sepse çamët kishin qenë më shumë pro gjermanë, apo pro italianë, por sepse ishin shqiptarë islamë, që nuk duroheshin nga Kisha satanike greke. Mjerisht, kishte edhe shumë nga vëllezërit tanë të gjakut, shumë nga radhët e arvanitasve, që morën pjesë në masakrimin e çamëve, sepse ata, arvanitasit,  për ta ruajtur fenë e ndërruan identitetin kombëtar, gjuhën, besën e traditat shqiptare dhe u bënë më grekë se grekët. Ata kishin dhënë kontributin më të madh se vetë  grekët për ta çliruar Greqinë nga Turqia.

Kryeministri, Edi Rama besoj se të gjitha i di, mbase edhe shumë  më mirë,  por  pse nuk foli për këto çështje, kjo e të mbetet në ndërgjegjen e tij politike e kombëtare. Përderisa pranohet pozita  e inferioritetit në raport me Greqinë e Serbinë, çështja shqiptare në Ballkan gjithnjë do të mbetet pezull. Po ta kishte pranuar Adem Demaçi në kohën e tij, pozitën inferiore të  Sinan Hasanit e Azem Vllasit, po ta kishte pranuar pozitën inferiore, të Ibrahim Rugovës, Adem  Jashari, nuk do ta kishim Shtetin e Kosovës, por as një Shqipëri që sot guxon të frymojë pak më lirshëm, sepse pavarësisht pse jetojmë të ndarë, fakti se jemi një komb prej afër 7 milionë pjesëtarë në Ballkan, e po aq nëpër botë  na jep të drejtë të paktën të deklamojmë  të vërtetën për të drejtat tona dhe krejt natyrshëm edhe t’i ruajmë kur na kërcënohen, ashtu sikur edhe kemi bërë sa e sa herë.

Një popull-komb, historik, sikur jemi ne shqiptarët,  që gjatë historisë të rezistencës mijëravjeçare kemi përballuar Romën, Bizantin, Turqinë dhe pushtues të tjerë, nuk mund të ndihemi gjithnjë  inferiorë për hir  të krerëve që na qeverisin…

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …