A. Qeriqi: Shumë po shndritë njaj diell e pak po nxehë...

A. Qeriqi: Shumë po shndritë njaj diell e pak po nxehë…

Në këngët legjendare për Mujin e Halilin, apo edhe për trima të tjerë, rapsodi  anonim popullor, në shumë raste, në hyrje të rrëfimit epik është shërbyer me vargjet shumë të përhapura e kuptimplote: “Shumë po shndritë  njaj diell e pak po nxehë… Tabloja e shndritjes së diellit të krijon imazhin e dimrit, kur rrezet e diellit reflektojnë mbi dëborë por ato nuk të ngrohin, ndërsa në kuptimin metaforik, lakonik, të konstatimit, mendoj se  kemi të bëjmë me një gjendje, kur bëhen shumë fjalë, kur jepen shumë premtime, shumë zhurmë, shume rrahje gjoksesh, por ato prodhojnë pak rezultat, shpeshherë “nga përpjekja e madhe përmbi vdekje, pjellë vetëm një mi”, ka shkruar Migjeni në kohën e tij.

Shumë fjalë u folën nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, për lirimin nga arresti të Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit gjatë luftës, Ramush Haradinaj,  shumë kërcënime i drejtuan Serbisë si asaj milosheviqiane si kësaj nikoliqiane, të cilat kurrë nuk kanë dalluar as dallojnë në qëndrimet e tyre ndaj shqiptarëve, por fjalët mbetën fjalë si çdo herë, të cilat kanë vlerë vetëm derisa të fliten e të përsëriten të tjerat.

Pastaj fjalët e tilla i merr era dhe i shpërndanë “Lugjeve të Verdha” i hedh gjithandej në Judbinë, ku Muji dhe Halili dikur nuk  prisnin  deri sa të dilte vera, për t’u ndeshur në beteja me krajla dhe për t’ i mundur të gjithë. Gjithnjë fitimtarë, ashtu sikur ndodh në të gjitha legjendat virtuale shqiptare, me të cilat janë ushqyer e ushqehen shpirtërisht shqiptarët nëpër shekuj, jo se kanë qenë aq tima, por lavdet për trimëri nuk i kanë braktisur  kurrë, sidomos pas betejave.

Dhe gjithnjë sipas legjendave, Muji dhe Halili edhe pse vëllezër, shpeshherë nuk pajtohen, madje edhe zihen e rrihen paq, madje edhe ia shohin sherrin njëri-tjetrit, por në fund ia dalin, gjithnjë sikur ndodh  në legjendat, të cilat na kthejnë kujtimin në kohët e moçme, kur të parët kishin qenë aq trima sa e kishin dridhur Ballkanin, e sot ne bijtë e legjendarëve jemi strukur në bastionet tona të politikës, interesit, përfitimit dhe nuk bëheni se nuk bëhemi tok, sepse kemi aq shumë prijës, sepse kemi aq shumë trima e trimëresha, sa nuk na zë dot vendi i mbetur, i tkurrur nga shekulli në shekull,  andaj ia kemi mësyrë botës, meqë  tekefundit, “Atdheu është atje ku jetohet më mirë, mundësisht ku jetohet si parazit”.

Dhe bijtë e shqipes i ngrehin lartë foletë e tyre, sikur  nëpër legjenda,  edhe pse vezët i çelin si zogjtë e qyqes, gjithnjë në çerdhe të huaja, jo në çerdhen e vet. Vetëm 1. milionë e 300 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në kohën e demokracisë, sepse kishin jetuar të izoluar nën robërinë e Enver Hoxhës, tani jetojnë super të lirë,  gjerë e gjatë të shtrirë, gjithandej në botën “jallane”,  dhe nuk ka vend në botë ku ata të mos merren me drogë, prostitucion, vrasje, trafiqe, spiunime, dhunë, hajni, plaçkë, mizori, luftëra, mercenarizëm. Veprat e tyre ditë e përditë i gjen të afishuara në lajmet e medieve të botës.

Kur ikën si kope nga vendi, degdisjen e tillë,  në fillim e dënoi ashpër shkrimtari, Ismail Kadare, shkoi aq larg sa i quajti fundërrina, mbetje, e pastaj kur edhe ai iu bashkua ikanakëve, na thoshin se po na ikë truri i kombit dhe vaj për ne që mbetëm, do njerëz pa tru.

Kur ikën këta tanët nga Kosova thoshin për vetët e tyre  se ishin të rrezikuar nga Serbia, aq të rrezikuar sa s’ përshkruhej dot. Ne që mbetem, me Adem Demaçin në krye, që kishte mbajtur hiq më pas se 28 vjet burg në Jugosllavi, për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve, na thoshin se ju rrini urtë e butë, juve nuk po u rrezikon kush, sepse jeni  pajtuar me gjendjen ekzistuese.

Shumë po shndritë  njaj diell e pak po nxehë…

Dielli shqiptar duket se ka filluar  të largohet nga orbita ku na ngrohë më mirë, mbase po e them një blasfemi që do të nxitë një valë urrejtje nga trimat që ushqehen me legjenda. Prandaj është e natyrshme që edhe rrezet e diellit  gjithnjë e më pak po  na ngrohin, sepse ne, si komb trim me prejardhje dragoi e pele, me një gjuhë të vjetër  gati 30.000 vjeçare, me gjurmë në toponimi ( si shenja ekzistence) që kemi lënë në çdo cep të botës, me trima e trimëresha që u kemi dhënë, grekëve, ( të gjithë trimat grekë thuhet se janë me origjinë shqiptare), egjiptianëve u kemi dhënë faraonët nga “Fara-jonë”,  turqve vërtetë u kemi dhënë 33 vezirë të mëdhenj, edhe pse pak prej tyre kanë shpëtuar me kokë mbi qafë, serbëve u kemi  dhënë Karagjorgjin, apo Gjergjin e Zi, francezëve ( u kemi dhënë Napolonin), Romës i kemi dhënë madje edhe perandorë, si të tillë jemi një racë e zgjedhur, me farën e së cilës është ndërtuar kjo bota e sotme!!!.

Por ja që kjo bota jonë përreth qenka  mosmirënjohëse, nuk ta din dhe nuk ta din. Andaj i ankohemi Evropës Shtrigë, që nuk po na i jep të drejtat, sepse dikur kemi qenë ne kryesorët, andaj i ankohemi dhe shajmë “Baba Dovletin” që nuk na paska dashur aq sa e kemi dashur, edhe pse  stërgjyshërit kur përmendej Sulltani e luanin prapanicën nga vendi e kur përmendej profeti nuk e lëviznin dot. Andaj edhe ia kemi dhënë munxët Evropës e Turqisë. Kështu mendojnë ata që ushqehen me legjendat, me trimëritë e Mujit e Halilit apo Arnaut Osmanit, Gjergj Elez Alisë dhe me të gjitha trimëritë tok anë e kënd botës.

Ai ishte dielli i dikurshëm rrezatues, virtual, shqiptar, po tash Shqipëri më thuaj si je, kishte pyetur një shekull e gjysmë më parë, Vaso Pashë Shkodrani, duke thirrur ndërgjegjen  intelektuale shqiptare të mos matej me hijen e mëngjesit, me legjendat e orës e së shkuarës, por të shikonte realitetin në sy dhe të bëhej gati të ruante aq sa mund të ruhej duke u bashkuar tok.

Shumë po shndritë  njaj diell e pak po nxehë…

Na ishte dikur Iliria, e cila nuk e dimë mirë edhe deri ku shtrihej, por  nuk është më. Ishte pastaj  Shqipëria e dhjetëra principatave, bajraqeve e fiseve, por nuk është më. Ishte në fund  Shqipëria e katër  Vilajeteve të Rumelisë dhe sot është tkurrur në një “çerek Vilajet”. Vetëm Vilajeti i Kosovës shtrihej në një sipërfaqe prej 61 mijë km. katrorë,  më shumë se dy herë Shqipëria e sotme londineze, dhe gjashtë  herë Kosova e sotme ahtisariane.

Jemi trima e trimëresha ne bijtë e Shqipes, por ja që njëherë në  njëqind vjet lindim një Adem Jashar, në dyqind vjet një Ismail Qemal dhe në pesëqind vjet një Skënderbe. Të tjerët që i lindim dhe na udhëheqin, janë “më trima”, për t’ ia nxjerrë sytë njëri tjetrit, për të jetuar secili në bastionin e vet, që dikur i thoshin bajrak e fis, e sot i thonë parti; për të rrahur gjoks për dije e trimëri, për aftësi e shkathtësi, për mençuri e dituri për vizion e sens, për përparim dhe qytetërim, por të gjitha këto, secili për veten e vet, për familjen, pastaj klanin, pastaj fisin. Për kombin, Atdheun, japin  fjalët më të zgjedhura e të goditura, madje kanë edhe premtimet e miqve e partnerëve tanë  ndërkombëtarë, që qysh moti na kanë porositur  të flemë zbathur,  edhe pse  ashtu kemi fjetur gjithmonë. Të mos bëhemi fare merak,  meqë ata interesohen për kufijtë tanë, për demarkacionin me shtetin, që është krijuar mbi livadhet, arat e  malet tona të dikurshme, gjithandej në “Lugjet e Verdha” për krijimin e një republike të vogël serbe, në veri sa për fillim, për zhvillimin tonë në të ardhmen, sepse këtë të sotmin po e  shohim, disa edhe e ndjejmë mbi kurriz, për ardhmërinë e bashkuar në Evropën, e cila ka filluar të çahet si muri i kohës së Baba-Qemos.

Shumë po shndritë  ky diell e pak po nxehë…

Pastaj, jo papritur na vjen treni prej Beligradit, që  dikur i këndonin me  afsh, “Hajde hajde rrushi Beligradit”. Por nuk erdhi me rrush, as me krunde, por me kryqe e mjegull shensaviste, me temjan popash mjekër palarë, ashtu sikur kanë ardhur e vinë  bajlozat, e markës  historike, Kadareane, “Jan-Xhan-Xhon-Ivan”. Doli atje arnaut Osmani me Gjokun  ROSU, pasi ishte konsultuar me Jovan Harambashin  dhe treni ngeli në rrugë.

Tani, në vend se të merremi me rrezikun që po na kërcënon nga çdo anë, ne, bijtë e shqipes, ushqehemi me legjendat, me trimëritë e të parëve dhe presim nga do na vijë bajlozi tjetër, presim që ujku Vuçiq ( i vogli i ulkojnës) të zbutet, ta heq lëkurën e frikshme dhe t i kthehemi dialogut, pobratimisë, dhe të këndojmë, sikur këndonin dikur disa rapsodë me zë: “(oj dragane iza brega), o i dashur në atë breg, ose “shoku Tito ne të betohemi”…

Bijtë e shqipes shpeshherë kanë qenë edhe bijë sorrash e zhgabash, bijë degjenerikë që janë djegur e pjekur për t’iu shërbyer bajlozëve nga të katër anët e rruzullit, Janit, Xhanit, Xhonit dhe Ivanit.  Ndërrojnë kohët, ndërrojnë zakonet, por po mbetet jetik konstatimi: “Shumë po shndritë  njaj diell e pak po nxehë…

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Mehmet Bislimi: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

 (në 35 vjetorin e rënies së tyre heroike) Sa herë që vjen nëntori, malli më …