leoni

Rami Memushaj: Këshilli Ndërakademik, projekt për shkatërrimin e gjuhës standarde shqipe (SotNews)

Në një intervistë, për SorNews” prof. dr. Rami Memushaj shpjegon se çfarë sjellin ndryshimet e propozuara këtë herë mbi gjuhën standarde, duke theksuar se ajo që po përpiqet të sjellë ky Këshill, do të jetë një pështjellim i normës gjuhësore, sidomos i normës drejtshkrimore e morfologjike, të cilat po gatuhen sipas shijeve të përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe po vijon me këmbëngulje projektin për shkatërrimin e normës drejtshkrimore e morfologjike të gjuhës standarde, duke ndërhyrë në to në një shkallë të paparë. Kështu u shpreh për gazetën profesor Rami Memushaj, pak ditë pas mbledhjes më të fundit të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që u mbajt këtë herë në Prishtinë. Profesor Rami Memushaj është kundër ndryshimeve në standardin e gjuhës shqipe, ashtu si dhe në reagimet e tij për mbledhjet e mëparshme që ka bërë ky Këshill, dhe këtë herë gjuhëtari i njohur tregon se kjo që po ndodh është një atentat ndaj gjuhës së përbashkët, tipar themelor dallues të kombit shqiptar. Në intervistën dhënë për gazetën, prof. dr. Rami Memushaj shpjegon qartë se çfarë sjellin ndryshimet e propozuara këtë herë mbi gjuhën standarde, duke theksuar se ajo që po përpiqet të sjellë ky Këshill, do të jetë një pështjellim i normës gjuhësore, sidomos i normës drejtshkrimore e morfologjike, të cilat po gatuhen sipas shijeve të përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Remi Memushaj -Sipas njoftimit zyrtar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në datën 6 dhjetor, në mjediset e Qendrës Leksikografike-Enciklopedike të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nisi mbledhja e radhës e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Edhe këtë herë janë marrë disa vendime. Ju herë pas here e keni shprehur mendimin tuaj në lidhjet me mbledhjet që janë bërë më herët. Me aq sa ju i keni ndjekur këto mbledhje të Këshillit Ndërakademik, çfarë kanë sjellë deri tani?

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe po vijon me këmbëngulje projektin për shkatërrimin e normës drejtshkrimore e morfologjike të gjuhës standarde, duke ndërhyrë në to në një shkallë të paparë. Deri tani, përveç punës së tij për shqipërimin e huazimeve nga anglishtja, nuk është ndërmarrë asnjë studim për shkallën e zbatimit të normave të gjuhës së shkruar në shkollë, në shtypin e shkruar dhe televiziv dhe, rrjedhimisht, asnjë këshillim prej tij për institucionet shtetërore, për shkollat, redaksitë e shtypit dhe shtëpitë botuese. Mjafton të ndalesh vetëm një çast në ligjërimin e Radiotelevizionit të Kosovës për të kuptuar se sa urgjente është nevoja për vrojtime të tilla e këshillime. Ajo që po përpiqet të sjellë ky këshill, do të jetë një pështjellim i normës gjuhësore, sidomos i normës drejtshkrimore e morfologjike, të cilat po gatuhen sipas shijeve të përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pra, një organizëm i ngritur për t’u kujdesur për zbatimin e normave të gjuhës standarde po bën të kundërtën. Dhe ky është një atentat ndaj gjuhës së përbashkët, tiparit themelor dallues të kombit shqiptar.

-Profesor Memushaj si i pritët ndryshimet e propozuara kësaj here në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik në Prishtinë që nisi në datë 6 dhjetor, dhe sipas jush çfarë pasojash sjellin në gjuhën shqipe

Këshilli ka vijuar kësaj here me shkrimin e prapashtesës së shumësit të emrave të tipit ulli, bari etj. dhe të foljeve të tipit godit, mat etj. Të parët në shumës do të shkruhen jo ullinj, barinj, si deri tani, po me -j: ullij, barij etj. Dhe jo vetëm këta, po edhe “rrjedhojat që në temë kanë një shumës të tillë”, dmth. do të shkruajmë gjujzoj dhe jo gjunjëzoj si deri tani, drujzoj dhe jo drunjëzonj, thojza dhe jo thonjëza etj. Kurse për foljet që mbarojnë me -t, është vendosur të shkruhen me -s: këpus, rris dhe jo këput, rrit si deri sot. Kristoforidhi në gramatikën e tij këto folje i jep me -t për toskërishten dhe me -s për gegërishten, duke e parë këtë si një tipar dallues dialektor. Nga gramatikanët e shek. XX, I. D. Sheperi i pranon të dy variantet, duke dhënë si kryesore trajtat me -t; pas tij, A. Xhuvani në gramatikën e tij të 1937-s i mënjanoi trajtat me -s, përveç vetës së parë njëjës, që e jep me -s: rris, rrit, rrit, rritim, rritni, rritin. Edhe K. Cipoja, një tjetër autor gegë, në gramatikën e tij (1949) jep vetëm variantin me -t, duke shtuar se “veç se veta e parë njëjës e shumës dhe veta e tretë shumës mund të mbarojnë edhe mbë (-s)”, pra: këput (këpus), këput, këput, këputim (këpusim), këputni, këputin (këpus-in). Gramatika akademike më 1976 e njësoi shkrimin e këtyre foljeve, duke e dhënë edhe vetën e parë me -t dhe duke pranuar shkrimin me -s vetëm për vetën e tretë njëjës të së pakryerës dëftore: këpuste, rriste. Ky kthim prapa i Këshillit është i pajustifikuar gramatikisht, sepse ngritja në normë e variantit me -t është sanksionuar normalisht përgjatë një periudhe njëshekullore dhe jo në mënyrë të sforcuar. Arsyeja pse gramatikanët kanë anuar nga varianti me -t është se kështu zgjedhimi i këtyre foljeve njësohet në gjithë paradigmën, me përjashtim të formës godiste të së pakryerës. Kurse varianti me -s ka një paradigmë të ndërlikuar zgjedhimi, duke dalë diku me -s e diku me -t, çka e bën të vështirë për t’u përvetësuar jo vetëm nga ata që e mësojnë shqipen si gjuhë të huaj, po edhe nga shqiptarët. Trajta me -t është e përligjur edhe nga pikëpamja e fjalëformimit, gjë që duket në emrat goditje, matje etj., të cilët formohen nga tema më -t. Pra, tema e këtyre foljeve mbaron me -t dhe jo me -s. Arsyet ngritjes në normë të variantit me -s janë jogramatikore.

-Keni pohuar se Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, është një organizëm joinstitucional, jashtë institucioneve që merren me gjuhën. Pse e cilësuat kështu?

Nga emrat që numërohen në njoftimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, vetëm pak syresh përfaqësojnë institucione që merren me gjuhën shqipe. Nuk janë përfaqësuar Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë, asnjë nga universitetet e Maqedonisë dhe nga 6 universitete publike të Shqipërisë janë përfaqësuar vetëm gjysma e tyre. Sikurse e kam vënë në dukje edhe në përkujtesën drejtuar Akademisë sonë të Shkencave në prill 2013, që në fillim ka pasur shpërpjesëtime në përfaqësim, si nga pikëpamja e shpërndarjes gjeografike, edhe nga pikëpamja e ekspertizës. Të gjitha këto e bëjnë këtë organizëm jopërfaqësues dhe vendimet e tij të dyshimta. Nga ana tjetër, po të shihet rrethi i çështjeve që ka marrë përsipër ky këshill, duket se ai po përpiqet të kthehet në një lloj agjencie të ngjashme me Komisinë Letrare të Shkodrës të viteve 1916-1918. Por Komisia Letrare u ngrit në një kohë kur në Shqipëri nuk kishte universitete, as institute të gjuhës shqipe. Kurse sot në hapësirat shqiptare janë më shumë se dhjetë universitete që kanë departamente të gjuhës shqipe, si dhe tre institute gjuhësie (Tiranë, Prishtinë e Shkup). Si rrjedhim, duke marrë përsipër funksione të një agjencie, Këshilli Ndërakademik i lë në hije, për të mos thënë i nxjerr jashtë funksionit këto institucione. Prandaj i mbetem besnik pohimit se ky këshill është një organizëm joinstitucional.

-Pse filluan nismat apo mbledhjet për ndryshimin e shqipes standarde. Si e kujtoni kohën kur u thanë dhe mendimet e para nga disa gjuhëtarë për të ndryshuar gjuhën shqipe?

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe u propozua nga gjuhëtarë të këtushëm pas çlirimit të Kosovës si një organizëm i përbashkët që do të kujdesej për pastërtinë e gjuhës dhe për zbatimin e normave të gjuhës standarde në veprimtarinë ligjërimore në hapësirat shqiptare. Ai u mendua si një vijim në kushtet e reja i Komisionit për Pastërtinë e Gjuhës, i ngritur me propozim të prof. E. Çabejt, komision që funksionoi deri më 1990. Kjo ishte nismë e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës, e departamentit të gjuhës shqipe të UT dhe e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Këta objektiva gjenden të pasqyruar edhe në orientimet e Akademisë sonë të Shkencave, sikundër mund të shihet edhe në faqen e saj të internetit. Kësaj nisme iu bashkua edhe një rrymë tjetër, që deri atëherë kishte përqafuar në heshtje apo hapur idetë e Arshi Pipës për zhbërjen e standardit dhe për standardizimin e gegërishtes. Kjo rrymë përfaqësohet nga gjuhëtarët e ASHAK-ut dhe disa profesorë shkodranë. Duke e parë të pamundur arritjen e këtyre objektivave, këta po e shfrytëzojnë pjesëmarrjen në këtë këshill për ndryshimin e bazës së gjuhës standarde për ta bërë “gjithëpërfshirëse”, për ta “zgjeruar këmishën e standardit”. Mjafton të lexohen “Orientimet” që u shpallën nga ASHAK-u që në qershor 2004, ende pa u ngritur Këshilli, në të cilat thuhet se “është vendosur që të ngrihet një komision i përbashkët përfaqësues, i cili do të përcaktojë ndryshimet që duhet të pësojë drejtshkrimi me qëllim të thjeshtësimit e të begatimit në drejtim të kahjeve të sotme zhvillimore të shqipes standarde”. Dhe deri tani, si rrjedhim i tërheqjes nga jeta shkencore dhe nga Këshilli i profesorëve Idriz Ajeti, Shaban Demiraj e Remzi Nesimi dhe i futjes në këshill i njerëzve të tyre, i manipulimit të votës (nuk ka asnjë njoftim se si është votuar, kur, për transparencë, kjo do të duhej të thuhej), i lëshimeve nga bashkëkryetarët e palës së Tiranës si dhe i oportunizmit (në këmbim të favoreve) të disa anëtarëve të këshillit, këta ia kanë arritur që ta shfrytëzojnë Këshillin Ndërakademik për t’i bërë përçudnime të tilla gjuhës standarde.

-Nëse vijojnë të mbahen mbledhje të tilla të Këshillit Ndërakademik, pra me vendime apo miratime të ndryshme, çfarë po ndodh me gjuhën shqipe?

Nga krahasimi i propozimeve të grupit të ASHAK-ut dhe vendimeve të marra në mbledhjen e qershorit 2012 dhe të prillit 2013, me projektin e drejtshkrimit të Prishtinës të vitit 1957, kam arritur në përfundimin se me këto ndryshime e kthejnë drejtshkrimin e shqipes 60 vjet prapa, te projekti i hartuar me nxitjen dhe nën trysninë e Beogradit, që shënoi konkretizimin e planeve të Akademisë Serbe për ndarjen e shqipes në dy gjuhë. Në asnjë nga gjuhët e Europës ku janë ndërmarrë reforma drejtshkrimore, nuk janë propozuar kaq shumë ndryshime sa ka vendosur Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Nga përllogaritjet që kam bërë, del se ndryshimet e miratuara në dy mbledhjet e para prekin shkrimin e zanores ë në 4120 fjalë të fjalorit të 2006-s; të 365 emrave që e bëjnë shumësin me -nj dhe të fjalëve që formohen nga këto tema shumësi; dhe të 420 foljeve të tipit këput, pra deri tani (sepse Këshilli njofton se në mbledhjet e ardhshme do të vijojë me çështje të tjera të drejtshkrimit), preket shkrimi i mbi 4900 fjalëve, dmth. i bie që në çdo 100 fjalë të ndryshojë shkrimi i 12 syresh. Dhe, po t’i shtojmë kësaj shifre edhe rreth 3 mijë fjalë të tjera, në shkrimin e të cilave folësi do të lëkundet për shkak të ngjashmërisë së tyre fonetike me fjalët e grupit të parë, del se preket shkrimi i një së pestës së fjalëve të fjalorit të shqipes! Kjo do të thotë se këto ndryshime nuk ka për t’i zbatuar njeri, jo vetëm sepse shkojnë kundër ndjenjës gjuhësore dhe edukimit gjuhësor të folësve të shqipes, por edhe se janë në atë masë që, edhe po të pranohen në parim, nuk mund të zotërohen prej tyre

-Me krijimin e qeverisë së re u premtua që institucionet do të punësojnë redaktorë letrarë, si e komentoni ju këtë vëmendje ndaj Drejtshkrimit?

Është për t’u përshëndetur fakti që kryeministri, në morinë e problemeve me të cilat po përballet qeveria, kujdesin për gjuhën e shpalli si një ndër përparësitë kryesore. Por qeveria duhet të bëjë edhe shumë gjëra të tjera për gjuhën. Ndër këto gjëra që duhet të bëjë, është edhe të mos paguajë Këshilla të tillë dhe projekte që synojnë prishjen e gjuhës. Sepse kostot e projekteve të tilla, nëse do të jetësohen, do të jenë me pasoja të paparashikueshme kulturore, por edhe financiare. Nga ana tjetër, duhet hartuar e miratuar sa më parë, bashkë me Kosovën, ligji për gjuhën. Gjuha shqipe duhet mbrojtur me ligj si nga ata që i shkelin normat e saj nga padija, edhe nga ata që e prishin me qëllim. Kambanat e alarmit po bien dhe shteti nuk duhet të rrijë mënjanë. Është koha që qeveritë në Tiranë e Prishtinë të reagojnë sa nuk është vonë.

(SotNews)

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …