Intervistë me Bedri Kosumin, pronar i kompanisë VIPA-PESTOVA

RKL: Z.  Kosumi, në fillim të intervistës kërkojmë nga Ju të na njihni shkurtimisht lidhur me kompanisë Tuaj mjaft të sukseshme?

Kosumi: Kompania ka një traditë familjare 30 vjeçare në prodhimin e patates. Në fillim jemi marrë me kultivimin e patates në një sipërfaqe prej vetëm 30 ari, në vitin 1998 ajo ka qenë 20 hektarë tokë. Pas përfundimit të luftës është dashur të fillojë gjithçka nga zero. Kjo ka filluar me kultivimin e farës së patates, me shitjen e saj, importin nga Holanda dhe më vonë edhe me përpunimin e patates. Sot kompania merret prodhim të patates, në përpunim të saj, në produktet ‘Çips’ ‘Flips’ dhe ‘Sneks’. Vlen të përmendet se që nga janari i vitit 2008, aksionar në ‘Pestovë’ është edhe Banka Evropiane për Zhvillim e cila ka qenë një shtytje jashtëzakonisht e madhe për ne. Nëse nuk gabojmë, ky ka qenë investimi i parë i kësaj banke në një kompani private në Kosovë. Arsyeja e një investimi të tillë ka qenë se disa ekspertë të Bankës Evropiane dy vite më parë kanë qëndruar në kompaninë tonë, ku dhe janë njohur me lëndën e parë, traditën dhe fermerët tanë si dhe faktin që ka treg për shitjen e prodhimeve tona.

 RKL: Në Ueb-faqen zyrtare të kompanisë suaj gjejmë shprehjen ‘Kualiteti fillon nga arat’. Është kjo motoja juaj…

Kosumi: Një shprehje si kjo nënkupton se çipsi apo prodhimet nga patatja prodhohen mu në ara, d.m.th gjithçka fillon nga arat që do të thotë se nëse nuk ke lëndë të parë ose patate të mirë gjithçka dështon, madje as teknologjia bashkëkohore nuk ndihmon. Kjo është arsyeja pse jemi të përkushtuar që në ara të jemi sa më të përpiktë që është e mundur dhe të kemi standardin global të të prodhuarit.

RKL: Cilat janë aktivitet biznesore të Pestovës?

Kosumi: Pestova merret me prodhimin e farës së patates dhe me importin nga Holanda. Prodhimi i saj ka filluar në vitin 2011 në bashkëpunim me kompaninë ‘Agriko’ dhe me mbështetje të qeverisë holandeze. Prodhimi i farës së patates për ne do të thotë ulje e kostos për hektar për 12 deri në 15 përqind duke pas parasysh se 1 kg farë që importohet nga Holanda vetën për transport prej 15-20 cent për kilogram, kurse tani 1 kg farë mund ta paguajmë 0.4 cent për kilogramë. Kjo për ne është ulje e kostos sepse fara e patates merr pjesë të madhe në koston e prodhimit  të  patates  për hektar . Aktivitet tjetër është edhe shitja e mekanizmit bujqësor i cili tash për tash nuk është shumë edhe aq problem për arsye se fermerët janë pajisur me to. Pra, mekanizmi prodhues gjithmonë duhet të jetë i përsosur dhe prodhimi i patates në bashkëpunim me fermer dhe në përputhshmëri me standardet e kompanisë.

RKL: A i furnizon Pestova fermerët me farë?

Kosumi: Ne kemi dy forma të bashkëpunimit me fermer. E para është kontrata me çmim të mbyllur për ata fermerë që prodhojnë patate vetëm për prodhim, kurse forma tjetër e bashkëpunimit është shitje-blerje ose grumbullim në forma të ndryshme.  Më të rëndësishëm për ne janë të parët.

RKL: Një nga prioritet e juaja është siguria dhe cilësia e prodhimeve…

Kosumi: Kur një prodhim dërgohet në treg janë dy faktorë që ndikojnë që ai prodhim të jetë i pranuar nga blerësi. Faktori i parë është cilësia e prodhimit dhe i dyti është çmimi i i volitshëm. Për sigurinë e prodhimeve tona flet fakti se pataten e kemi të certifikuar në GLOBALGAP në Hasap dhe kompania është e certifikuar në ISO .

RKL: Pestova importon farë të patates edhe nga kompania holandeze Agriko.  Cila lloje të patateve i mbjellni më tepër?

Kosumi: Në vitin 2011 kemi importuar meqë jemi përfaqësues ekskluziv të Agriko-s. Ajo është një prej kompanive më të forta për prodhimin e farës së patates në Evropë e ndoshta edhe më gjerë. Varietetet që dominojnë janë ‘Agria’ e vonshme për përpunim dhe konsum kurse të hershmet janë ‘Rivera agata’, mesatare është ‘Sinora’. Së shpejti do të futen edhe dy varietete të reja ‘Ambition’ dhe ‘Zafir’. Mbështetja e ‘Agrikos’ për Pestovën do të thotë shumë për ne meqë ata përpos mbështetjes, na kanë dhënë përvojën. Gjithçka që është e re në Holandë, ‘Pestova’ së bashku me ‘Agriko’ brenda dy viteve e sjellë në Kosovë.

 RKL: Në treg ‘Pestova’ është me shumë lloje të çipsit. Cili nga këtë lloje është më i shituri nga të dhënat që dispononi nga tregu?

Kosumi: Duhet ta bëjë publike se ne të gjitha shijet i importojmë, që ndryshe janë shije me kode ose shifra të mbrojtura. Ne e importojmë një nga Anglia, dy nga Holanda, dy nga Austria dhe një nga Sllovenia, etj. Më i shituri është ai me shije keçapi, speci të ëmbël dhe speci djegës, por edhe të tjerat janë të pranuara jashtëzakonisht mirë.

RKL: Cilët janë partnerët me të cilët bashkëpunoni dhe a keni pasur ndonjë donacion prej tyre?

Kosumi: Është e vërtetë që “Pestova” ka pasur fatin që të ketë shumë partnerë dhe donatorë, ku para së gjithash vlen të përmendet asistenca teknike e Agjencionit Evropian kurse tani e Komisionit Evropian me kredi të njëpasnjëshme për “Pestovën” dhe fermerët e saj. Pastaj asistenca e USAID-it në faza të ndryshme duke filluar prej prodhimit të patates, teknologëve për përpunimin e patates, ekspertë për marketing, teknolog për ruajtjen e patates për një kohë të gjatë. Ekspertët e AGRIKO-s na kanë ndihmuar shumë si në prodhim ashtu edhe në ruajtjen e patates. Këto dy vitet e fundit Komisioni Evropian ka dhënë donacion për modernizimin e depove tona që ka qenë edhe projekti i parë. Projekti i dytë ka qenë për modernizimin e paketimit dhe marketingut. USAID-i ka dhënë donacion dhe asistencë teknike në depon e parë dhe Qeveria Holandeze ka ndihmuar në prodhimin e farës së patates.

RKL: E tërë kjo ka ardhur falë punës dhe angazhimit të kompanisë që e drejtoni ju…

Kosumi: Natyrsht. Shumë më lehtë është ta fitosh një projekt se sa ta zbatosh. Kjo dëshmon se “Pestova” ka qenë një implementues jashtëzakonisht i mirë i projekteve, në kohë dhe në kondita të kontratave të nënshkruara paraprakisht.

RKL: Ju në vitin 2008 keni arritur të merrni edhe mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kosumi: Ajo nuk ka qenë mbështetje, sepse Banka Evropiane është aksionare në “Pestovë”. Ky ka qenë një hap shumë i madh. Është punuar gjatë për këtë projekt meqë nuk ka qenë i lehtë sigurimi i partneritetit. Ta kesh Bankën Evropiane partner jo vetëm financiarisht, krijon gjithçka sipas standardeve të larta që kërkohen në prodhim, përpunim, kontabilitet, shitje, marketing etj.

RKL: Jeni kompania që më së shumti i janë ndarë çmime si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Kosumi: Është e vërtetë se kemi marrë shumë çmime siç është “Eksportuesi i Vitit” nga Ministria e Tregtisë. Vlen të përmendet se në vitin 2011, VIPA-brendi i produkteve tona është përzgjedhë si super-brendi i parë në Kosovë. Mandej në vitin 2012 në Frankfurt të Gjermanisë na është dhënë “Çmimi i Artë” për teknologji dhe kualitetet. Së shpejti do të ketë edhe diçka të re por nuk do ta bëjmë publike. Besoj se kjo është rezultat i punës së mirë, mirëpo ky nuk është privilegj por përgjegjësi për të ardhmen që të jemi edhe më të mirë.

RKL: Cili është bashkëpunimi i juaj me Shqipërinë dhe me vendet e tjera të rajonit?

Kosumi: Bashkëpunimin me Shqipërinë e kemi filluar qysh pas luftës dhe si i tillë ka shkuar gjithnjë mirë. Ka pasur ngritje dhe rritje deri në vitin 2009. Shtytja kryesore ka qenë nënshkrimi i marrëveshjes për tregtinë e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2004. Edhe pse pas vitit 2009 është ndërtuar “Rruga e Kombit”, ne jemi përballur me probleme të njëpasnjëshme.  Do të doja që këto probleme t’i përkasin vetëm të kaluarës sepse prodhuesit dhe fermerët në Kosovë dhe Shqipëri kanë shumë nevojë për njëri tjetrin. Ata nuk duhet të konkurrojnë, por duhet ta plotësojnë njëri-tjetrin sipas kushteve klimatike. Ne si kompani jemi në kultivim të patates së hershme në Shqipëri. Kemi shkuar atje se kemi nevojë për pataten e hershme të Shqipërisë, ndërsa ata kanë nevojë për pataten e vonshme Kosovës. Shqipëria dhe Kosova bashkëpunimin ekonomik duhet ta kenë prioritet. Vetëm kësisoj mund ta bëjmë të natyrshëm tregun gjithëkombëtar.

RKL: A mendoni se një kompani e tillë siç është “Pestova” ka përkrahje të nevojshme nga Qeveria e vendit?

Kosumi: Po të shprehem sinqerisht ne nuk kemi pasur ndonjë mbështetje financiare. Megjithatë më duhet të them se nuk kemi hasur në pengesa sa i përket legjislacionit apo lejeve të ndërtimit. Presim të jemi te barabartë me prodhuesit tjerë që janë prezent në Kosovë me produktet e tyre. Është e vërtetë që importojmë lëndë të parë nga Holanda siç janë mëlmesat dhe vaji i palmës dhe fatkeqësisht jemi të vetmit që paguajmë taksë për lëndët e para. E kam thënë shumë herë dhe prapë po e them që të jemi të barabartë. Kemi konkurrentë në treg dhe duhet që urgjentisht të lirohemi nga këto taksa të lëndëve të para.

RKL: A ka pasur ndonjë lëvizje në heqjen e kësaj takse?

Kosumi: Një kërkesë të tillë tashmë e kemi bërë por nuk ka ndodhur asgjë në këtë drejtim. Ne duam që të jemi të barabartë me prodhuesit e tjerë në rajon, të cilët nuk paguajnë taksë për lëndet e para që nuk prodhohen në vendet e tyre. Lëndët e para të cilat nuk prodhohen në Kosovë dhe pajisjet që janë për prodhim dhe përpunim duhet të lirohen nga taksa.

RKL: A pritet ndonjë risi në treg nga “Pestova” në të ardhmen?

Kosumi: Së shpejti do të kemi produkte të reja dhe do të jeni të njoftuar edhe ju si media ashtu si dhe konsumatorët.

RKL: A keni ndonjë porosi për konsumatorët tuaj?

Kosumi: Konsumatori është ai që gjithmonë ka të drejtë. Kërkoj që të  ketë sa më tepër konsumim të prodhimeve vendore. Ne duhet t’i japim mundësinë secilit prodhues vendor që të dëshmohet sepse kjo krijon mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës për të cilën kemi shumë nevojë sepse derisa i konsumojmë prodhimet e huaja më shumë se tona, atëherë diçka nuk është në rregull. Domethënë qëllimi është që më shumë para të mbesin në Kosovë. Mos të dalë jashtë paraja në masë të madhe siç po ndodh tani. Nëse këtë e arrijmë, i arrijmë të gjitha.

RKL: z. Kosumi ne ju dëshirojmë suksese të mëtutjeshme kompanisë suaj dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese…

Kosumi: Faleminderit edhe prej jush. Përshëndetje edhe për dëgjuesit e radios “Kosova e Lirë”, është medium që unë jashtëzakonisht e çmoj dhe e vlersoj dhe mendoj se keni dhënë kontribut dhe jeni duke punuar jashtëzakonisht mirë.

 18 maj 2013

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …