Ramush Haradinaj: Kurti po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja për t’ua faturuar fajin të tjerëve

Ish Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e shtyn me vetëdije procesin e konstituimit të Kuvendit, duke përgatitur, sipas tij, terrenin për zgjedhje të reja parlamentare. Haradinaj tha se caktimi i 6 gushtit si datë për vazhdimin e seancës konstituive nuk lidhet me zhvillimet e brendshme në LDK, por me një strategji politike të Vetëvendosjes për t’ua bartur përgjegjësinë subjekteve të tjera politike në rast të dështimit të krijimit të institucioneve. Sipas tij, zvarritja e procesit deri në afatin e fundit është e pajustifikueshme dhe dëmton funksionimin institucional, ndërsa theksoi se diskutimet ndërmjet partive duhej të kishin nisur më herët për të siguruar një marrëveshje për formimin e institucioneve. Haradinaj paralajmëroi se rikthimi i vendit në zgjedhje do të dërgonte një sinjal negativ te partnerët ndërkombëtarë dhe do të cenonte besimin e qytetarëve në procesin demokratik. Ramush Haradinaj, është shprehur i gatshëm të kandidojë për president të Republikës së Kosovës, por vetëm nëse emri i tij propozohet nga partitë opozitare dhe jo si rezultat i një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje. Haradinaj tha se nuk e ka ofruar vetë kandidaturën, por do ta pranonte nëse opozita do të vlerësonte se ai është kandidati i duhur për këtë post.

Kontrolloni gjithashtu

ASK: Çmimet e prodhimeve bujqësore u rritën me 6.3 për qind brenda një viti

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se çmimet e prodhimeve bujqësore kanë …