Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica vizitë zyrtare në Malejzi

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica po qëndron në vizitë zyrtare në Malejzi ku po merr pjesë në Samitin e II-të Global për Edukimin dhe Aftësimin Profesional, i cili po mbahet në Kuala Lumpur të Malejzisë. Në këtë samit po marrin pjesë përfaqësues dhe ekspertë të shumtë nga lëmia e edukimit dhe aftësimit profesional, të cilët po ndajnë përvojat e tyre lidhur me ngritjen e aftësimit profesional në vendet e tyre dhe mënyrat se si kanë arritur të rrisin fuqinë punëtore të aftësuar për vendet e punës. Në këtë samit, Ministri Reçica ishte panelist në njërin nga sesionet, ku diskutoi lidhur me procesin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, alternativat mbi aftësimin profesional si dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta nga të pranishmit. Ministri, gjatë këtij samiti takoi ekspertë dhe zyrtarë të nivelit të lartë nga Greqia, Singapori, India etj, me të cilët shkëmbyen përvojat në mes vendeve të tyre lidhur me aftësimin profesional dhe përgatitjen e fuqisë punëtore për tregun e punës. Konstatimi i përbashkët i samitit ishte se, me gjithë sfidat, aftësimi profesional është  çelësi primar për krijimin e kuadrove profesionale dhe plotësimin e nevoja të tregut të punës me fuqi punëtore të kualifikuar. Gjatë vizitës në Malejzi, ministri Reçica u prit në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, njëherit drejtor i Akademisë Diplomatike, Datuk Mohamad Sadik. Ministri Reçica falënderoi zotëri Sadik për mbështetjen që Malejzia i ka dhënë Kosovës, që nga njohja e pavarësisë në vitin 2008.  Ai e njoftoi z.Sadik rreth proceseve në të cilat po kalon Kosova si, integrimi evropian, marrëdhëniet me fqinjët dhe dialogu me Serbinë dhe hapat të cilat është duke i ndërmarrë Kosova lidhur me këto çështje. Z.Sadik theksoi se Malejzia është vend i përcaktuar për marrëdhënie të mira me vendet e botës dhe do të ndihmojë Kosovën, si deri tani, në të gjitha proceset dhe anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë.

Kontrolloni gjithashtu

Në Sllatinë të Epërme të Vitisë u përkujtua dëshmori Njazi Rexhepi dhe u shënua dita e shkollës

Sot, në Sllatinë të Epërme të Vitisë, u shënua dita e shkollës dhe u përkujtua …