Rexhep Qosja

Rexhep Qosja: Zhvillimet politike si këto të fundit, në Shqipëri e më gjerë, më shkaktojnë dëshpërim e trishtim

“Me gjithë të metat, gabimet, lëshimet, premtimet e parealizuara, gjuhën politike kur e kur të palejueshme të kryeministrit Edi Ramës, zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë më premtuese se sa mohimi i tyre për zgjidhjen e krizës shqiptare. Mbas këtyre zgjedhjeve do të duhej të bëhej çmos për organizimin e bisedimeve politike mes palëve të krizës dhe atëherë do të mund të mendohej dhe do të mund të pranohej mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme jo vetëm vendore por, pse jo, edhe të përgjithshme”, shprehet Rexhep Qosja për Dritarja.net. Zhvillimet politike në Shqipëri i përcjell rregullisht në mediet elektronike e të botuara të Tiranës dhe të Prishtinës. Zhvillimet politikë në Shqipëri (e në Kosovë) tani e sa kohë më shkaktojnë dëshpërim, kur e kur dëshpërim e trishtim.

Këto zhvillime politike i vështroj dhe për to mendoj duke i kujtuar epokat më të shënuara me arritjet e me pësimet e tyre në historinë shqiptare.

E këto janë katër epoka.

E para është epoka e Skënderbeut, si Epokë e Veprimit, në të cilën mbrohej populli dhe mbrohej vendi prej sulmeve të pandalshme të Perandorisë Osmane. Figurat politike të kësaj Epoke ishin figura me integritet të lartë shoqëror e moral.

E dyta është Epoka e Rilindjes Kombëtare, si Epokë e Mendimit, në të cilën qëllim dhe ideal ishte krijimi i Shqipërisë shtet, që atëherë sundohej prej Perandorisë Osmane dhe i shqiptarit, që atëherë shpirtërisht sundohej prej Stambollit, prej Vatikanit e prej Athinës. Figurat politike e intelektuale të kësaj Epoke ishin figura politike e intelektuale me përkushtim të lartë kombëtar, me ndërgjegje të lartë shoqërore e me integritet të lartë mendor. Ishte kjo epokë e mendjes dhe etikës më shëmbullore në historinë shqiptare.

Epoka e tretë është Epoka e Socializmit komunist, si epokë e Mendimit totalitar dhe e Veprimit diktatorial, në të cilën me mjete të totalitarizmit mendor dhe veprues ndërtohej e forcohej shteti dhe ndërtohej e forcohej vetëdija kombëtare. Figurat politike të kësaj epoke në të gjitha pikëpamjet ishin të uniformizuara.

Epoka e katërt është kjo epoka e jonë, si epokë e quajtur e Demokracisë. Por, kjo demokraci, si po tregon praktika e saj partiake, politike e shtetërore, është demokraci e gënjeshtërt. Në klasën politike të kësaj epoke, si po shihet qartë, mbizotërojnë njerëz politikë të papërgjegjshmëri politike, shpesh të paetikë në mendimet dhe në veprimet e tyre.

Në vend se me reforma politike, shoqërore e shtetërore, që do të sillnin përmirësimin e jetës së popullit, që mund të bëhen të qëndrueshme vetëm duke kultivuar shkencën, kulturën, shpirtësinë, pjesëtarët e kësaj klase politike kujdesin e tyre më të madh ia kushtojnë posteve pushtetore dhe veprimeve politike, partiake e shtetërore gjithnjë duke pasur parasysh në radhë të parë interesat vetjake. Për këtë arsye korrupsioni, nepotizmi dhe privilegjet e shumëllojshme janë bërë emërtuesi themelor “historik” i veprimtarisë partiake dhe pushtetore në këtë epokë në Shqipëri e në Kosovë.

Po të vazhdojë edhe më tej mbizotërimi i këtij mentaliteti politik e shtetëror, Epoka e filluar para tridhjetë vitesh, do të shënohet në historinë shqiptare si Epokë e gënjeshtrës që ka pushtuar të vërtetën, e mashtrimit që ka pushtuar sinqeritetin, e padrejtësisë që ka pushtuar drejtësinë, e papërgjegjshmërisë që ka pushtuar përgjegjshmërinë, e mujshisë që ka pushtuar bashkëpunimin, e dhunës që ka pushtuar demokracinë, e çmoralizimit që ka pushtuar nderin dhe e një vargu të këqijash të tjera.

Kriza e sotme politike e institucionale në Shqipëri, e nisur, e vazhduar dhe rrezikshëm e acaruar prej kryetarit të përparshëm, Sali Berisha dhe prej kryetarit të tanishëm të PD-së, Lulzim Basha, e plotësuar mjerisht prej anshmërisë partiake të kryetarit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe e shtuar me disa masa e me disa paraqitje të paliruara prej gjykimesh kur e kur cenuese të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e shton ndjenjën e pasigurisë të nënshtetasve shqiptarë që po e shton edhe ikjen e tyre prej Vendit të vet dhe e krijon një pamje shumë të përkeqësuar të Shqipërisë në Botë.

Djegia e mandateve të deputetëve të PD-së dhe të partive të tjera që me të përbëjnë opozitën, me çka janë fyer votuesit që ua kanë dhënë votën, i bën moralisht të pabindshme kërkesat e tyre dhe jodemokratike protestat e tyre.

Edhe për këtë arsye zgjedhjet e 30 qershorit mund të quhen të kundërshtuara prej një Opozite prej së cilës objektivisht nuk mund të jenë të kundërshtuara: prej një Opozite e cila duke djegur mandatet e deputetëve realisht e ka djegur vetëligjshmërinë! Zgjedhjet e 30 qershorit, prandaj, mund të mbahen. Mbajtja e tyre bëhet edhe më e arsyeshme qoftë edhe pse janë të pranuara prej atyre shteteve që janë me ndikimin më të madh, më të dëshiruar e më vendimtar politik, shtetëror e shoqëror në jetën dhe në politikën shqiptare: prej SHBA-ve, prej Mbretërisë së Bashkuar dhe prej shteteve të Bashkimit Evropian.

Nuk mund të kërkohet anulimi i zgjedhjeve, nuk mund të kërkohet largimi i kryetarit të partisë që ka fituar zgjedhjet – të kryetarit të Partisë Socialiste, prej një partie, prej një opozite, që bën përpjekje të vijë në pushtet me kërkesa të tilla, që bën përpjekje të vijnë në pushtet jo me zgjedhje po me protesta në të cilat mjete themelore janë gënjeshtrat, shpifjet, akuzat e pamatshme dhe dhunat e ndryshme.

Nuk mund të kërkohet anulimi i zgjedhjeve dhe nuk mund të kërkohet përmbysja e qeverisë siç po kërkon Partia Demokratike me aleatët e saj duke e tejshëmtuar pamjen e shtetit kombëtar, pamjen e Shqipërisë, para botës me gjithfarë akuzash e gjithfarë shpifjesh.

Nuk mund të kërkohet shtyrja e zgjedhjeve dhe përmbysja e kryeministrit dhe Qeverisë pa menduar se ajo shtyrje dhe ajo përmbysje kanë pasoja politike, institucionale, kushtetutare, shtetërore që nuk e sjellin tejkalimin por përshtrirjen e krizës.

Me gjithë të metat, gabimet, lëshimet, premtimet e parealizuara, gjuhën politike kur e kur të palejueshme të kryeministrit Edi Ramës, zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë më premtuese se sa mohimi i tyre për zgjidhjen e krizës shqiptare. Mbas këtyre zgjedhjeve do të duhej të bëhej çmos për organizimin e bisedimeve politike mes palëve të krizës dhe atëherë do të mund të mendohej dhe do të mund të pranohej mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme jo vetëm vendore por, pse jo, edhe të përgjithshme.

Shqipëria ka shumë nevojë për një katarsis që do të nenkuptonte llogaridhënie politike e shtetërore për tensionet, konfliktet, helmimet shpirtërore disavjeçare që po përjeton populli shqiptar. Dhe, kjo llogaridhënie do të duhej t’u paraprinte reformave që do të duhej të bëheshin së pari në vetë partitë e mandej në përbërësit kryesorë institucionalë të shtetit shqiptar në përgjithësi.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …