leoni

Albin Kurti

RKL: Albin Kurti para dilemës hamletiane: “të jesh apo të mos jesh”

Nuk ka politikan në Kosovë, as në trojet shqiptare që do të preferonte të ishte në “lëkurën” e kryeministrit, Albin Kurti, veçmas në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Shteti-Zot” i shqiptarëve në planetin-tokë.

Pavarësisht retorikës së zbutur, ekuivokëve të vajisura diplomatike të Albin Kurtit, tërheqjes e mos këputjes, fitimit në kohë, me qëllim për ta dëshmuar përkushtimin për qeverisje të mirë dhe për ta luftuar korrupsionin, Kurti ka filluar rrëshqitjen mbi një akullnajë me plot rreziqe, ku mund të rrëzohet përgjithmonë, nëse nuk ia del këtij rrugëtimi të rrezikshëm, me një qind pengesa.

Pas “ultimatumit” ende të pashpallur zyrtarisht që i ka dhënë kreu politik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me heqjen pa kusht të taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjës, të cilën nuk e kishte vendosur Albini por e kishte mbështetur, madje shumë më herët se Ramush Haradinaj, situata vazhdon të jetë gjithnjë e më kaotike.  Duket krejt i paqëndrueshëm relativizimi që po i bën Albin Kurti kërkesës amerikane duke e ulur në kërkesë të djalit të kryetarit, Donald Trump. “Kemi parë një si dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet edhe vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, ka deklaruar kryeministri Kurti në Besianë,  më tepër si kryetar i Vetëvendosjes sesa si kryeministër i Kosovës.

Kryeministrin Kurti, në qëndrimin e tij për ta hequr taksën me kushtëzim të reciprocitetit nuk e përkrah as LDK-ja si tërësi, përveç kryekuvendares, Osmani,  dhe një segmenti jo aq me ndikim, në këtë parti.

Albin Kurtin në qëndimin e tij karshi administratës amerikane nuk e përkrah asnjë forcë politike e Kosovës. Kuptohet se nuk e përkrah as Shqipëria me përjashtim të Ilir Metës ( në heshtjen mjerane),  i cili ndodhet buzë ambisit të pashmangshëm dhe kërkon të kapet qoftë edhe për një kashtë,  ashtu sikur i mbyturi në det. Qyqar e shkuar qyqarit po tregohet edhe qytetari i zhveshur nga çdo pushtet e autoritet, në Shqipëri, Sali Berisha, i cili nuk po ka forcë ta përkrahë dhe ta mbështesë hapur me retorikë bombastike e bajraktare, revolucionarin, Albin Kurti. Ai nuk  ka mbështetje as nga Lulzim Basha as nga Ali Ahmeti në Maqedoni.

Nuk është se Albin Kurti nuk e kupton pozitën e tij tejet të rëndë dhe të ndërlikuar, ashtu si dikur Enver Hoxha, në luftë kundër imperializmit amerikan, social-imperializmit rus dhe revizionizmit kinez. Po “kaçiku” i Albinit, nuk mbërrin as te thembra e Enver Hoxhës, andaj edhe janë të paqëndrueshme krahasimet e tilla, të cilat me siguri se nuk i ëndërron Kurti sepse ai e njeh mjaft mirë politikën, sociologjinë, dialektikën…

Por ja që mbase edhe pa e menduar mirë e si duhet, duke ndjekur mendësinë e tij politike, tani ndodhet në një pozitë tejet  të pa lakmueshme.

Në këtë drejtim, Albin Kurti është politikani i parë në Kosovë, i cili po tregon mosbindje ndaj Amerikës, edhe pse kjo mosbindje nuk është e qasjes refuzuese, por thjesht është një përpjekje për të treguar se Albin Kurti nuk është politikan vasal, sikur ishin dhe janë të gjithë të tjerët, dhe sikur i ka etiketuar si të tillë,  me plot arsye.   Por nëse Albini nënshtrohet dhe pranon të gjitha propozimet amerikane, të cilat mund të jenë të dobishme për Kosovën e të dëmshme për Kurtin, nuk besoj se ai do ta rrezikonte Kosovën për ta shpëtuar veten,  apo postin e sapo fituar për aq vite të mundimshme.

Po është edhe një e vërtetë në këtë mes. E vërteta faktike që shihet e kuptohet, e drejta e patjetërsueshme e një lideri që qeveris sipas bindjes dhe vizionit të tij, e vërtetë e deklaruar kudo në botën e quajtur të demokracisë, por rrallë herë e përfillur në praktikë.

Ajo që bie në sy është heshtja e tinëzarëve të klanit të Veton Surroit, lidhur me qëndrimin deri tani të pathyeshëm të kryeministrit, Albin Kurti, karshi amerikanëve. Po ta kishte refuzuar ndonjë politikan tjetër qëndrimin unanim amerikan lidhur me taksën ndaj Serbisë, Surroi me sojin e tij të gazetarëve  do ta kishin vënë në “kalvar” për dëmin e pakrahasueshëm që do të paragjykonin se  po i bëhej Kosovës.

 I çuditshëm, por i fortë dhe parimor  është edhe qëndrimi i analistit amerikan, Daniel Server, i cili kërkon hapur se mund të edhe të mos përfillet qëndrimi amerikan sa i përket taksës, apo ndonjë lëshimi tjetër në dëm të Kosovës.Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe, madje edhe nëse ajo mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë eksperti për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer.  Marrëveshje të keqe e ka kualifikuar çfarëdo ujdie, e cila do të kishte implikime në shkëmbimin e territoreve dhe popullsisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duke folur për ndryshimet në politikën amerikane, Serwer ka theksuar se Administrata e Trumpit e ka bërë të qartë publikisht se do ta pranonte shkëmbimin e territoreve, gjë të cilën Administratat e mëparshme e kishin përjashtuar. “Grenell dhe Palmer angazhohen për atë formulë”, ka theksuar ish-diplomati amerikan Server.

Kanë heshtur sikur bretkosat e trembura nga  guri i gjuajtur në kënetë,  të gjithë analistët përkrahës të Albinit, madje ata nuk nxjerrin gëk as mëk nga goja, kanë heshtur  edhe më të dashurit e më përkrahësit e tij.

Kjo situatë ka krijuar një gjendje të tendosur, sepse shumica pacifiste shqiptare e cila kurrë nuk i ka besuar as i beson vetes,  nuk bindet dot se një politikan me vizion mund të jetë më i dobishëm dhe mund ta nxjerrë vendin nga kriza, qoftë edhe duke kundërshtuar botën.

Është gabim i rëndë nëse bëjmë krahasim me Kimin e ri të Koresë Veriore, sepse ai ka tjetër bazë tjetër forcë dhe tjetër pozitë prezantuese madje edhe matet pa droje me tri superfuqitë e botës, por është politikani që qeveris vet dhe nuk i jep llogari Amerikës, Rusisë as Kinës. 

Shumica pacifiste shqiptare,  nuk është e denjë për t’ u qeverisur nga politikanë që mendojnë me kokat e tyre dhe që tregojnë fuqi, dije, vullnet, intelekt, maturi, besim në vetvete për të vetëqeverisur, pa pranuar rolin e vasalit.

Vizionin e Albinit e  përkrahin vetëm një përqindje e vogël e qytetarëve të Kosovës, madje nuk e përkrah as elektorati i Vetëvendosjes në shumicë, por e përkrahë shtresa militante e idealistëve, të cilët janë specie e rrallë dhe në zhdukje e sipër…

 

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …