RKL: Bashkimi Evropian e trajton Kosovën si koloni të Serbisë, madje jep edhe ultimatume...

RKL: Bashkimi Evropian e trajton Kosovën si koloni të Serbisë, madje jep edhe ultimatume…

Vetëm politikanët oportunistë të Kosovës dhe mjeranët e pacifizmit shekullor shqiptar, i kanë besuar dhe i besojnë politikës antishqiptare të BE-së, e cila gjatë shekullit të fundit nuk ka marrë as edhe një vendim të drejtë dhe njerëzor për shqiptarët në përgjithësi e veçmas për shqiptarët e Kosovës, të vetmit në këtë kontinent, të cilët mbahen në geto, ashtu sikur janë mbajtur  dikur hebrenjtë në kohën e para luftës së Dytë Botërore.

Me qindra herë deri tani kemi reaguar kundër politikës antishqiptare të BE-së, e cila nga qeveritarët e vendit është madhëruar dhe vazhdon të çmohet, sikur adhurimi në yjet pa krerë. Sot kur BE-ja del hapur me një ultimatum kundër vendimit  të Qeverisë së Kosovës, për shkak të taksës që vendi ynë  ka vendosur me vonesë por me shumë të drejtë në mallrat e Serbisë, Brukseli zyrtar  kërkon me urgjencë që Qeveria ta prish vendimin. Ky akt ka arritur kulmin e  hipokrizisë, kulmin e përçmimit të Qeverisë, e cila sipas Brukselit krejt hapur trajtohet si koloni e Serbisë.

Ku veprim i BE-së, tani krejt hapur tregon se Brukseli nuk arsyeton asnjë veprim të Qeverisë së Kosovës, në raport me Serbinë, por në vazhdimësi i ka mbajtur anën Beogradit gjatë tërë procesit të bisedimeve. Gabimet që ka bërë kreu i vendit duke i lëshuar pe Serbisë në të gjitha kushtet që ka parashtruar Beogradi zyrtar, ka bërë që Serbia, si gjithnjë Kosovën ta konsiderojë si koloni të vetën, por tani përmes Bashkimit Evropian. Brukseli zyrtar duke mbajtur anën e Serbisë, ka degjeneruar edhe procesin e bisedimeve, duke i kthyer ato në pikën e fillimit,  ose duke pritur që Kosova të nënshtrohet përfundimisht.

Ultimatumi i BE-së u bën të qartë të gjithë shqiptarëve në Ballkan dhe kudo ku janë, se kjo kreaturë kapitaliste globaliste, ata i  trajton njëjtë sikur i ka trajtuar Bizmarku në kohën e tij, i cili 140 vjet më parë ka thënë se Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike dhe ajo mund të gllabërohet nga fqinjët.

Sot e përdredhura e BE-së, zonja Mogherini, e cila njihet në radhë të parë për paraqitje tërë sharmë dhe pozave erotike me zyrtarët e Kosovës e të Serbisë, madje edhe duke u puthur me disa prej tyre para kamerave  të medieve botërore, nuk njihet për asnjë vendim tjetër, në akord  me ato që quhen dhe konsiderohen  vlera të këtij unioni.

Ajo, duke kuptuar me kohë se Kosova ka një klasë politike vasale, hipokrite, të mefshtë e  eunuke, cila ka shitur dhe shet interesat e vendit për poste qeveritare dhe për favoret që sjellin ato, duke besuar se ia bën lehtë me qeverinë kukull të Prishtinës, arbitron dhe përzihet në punët e brendshme të shtetit, të cilin e kanë njohur më shumë se 110 shtete të botës, por nuk e ka njohur pikërisht kjo BE-ja globaliste, për shkak se pesë shtete të saj nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

BE-ja ka sjellje të tillë ndaj Kosovës, sepse politikën e saj e kanë pranuar zyrtarët e qeveritarët tanë, duke dërguar atje bashkëbisedues të pispillosur e të lakueshëm, të cilët në çdo radhë të bisedimeve kanë lëshuar pe në dëm të vendit tonë dhe në interes të Serbisë. Tani kur një ministër liridashës i Kosovës  merr një vendim të drejtë në ruajtje të interesit të vendit dhe këtë vendim e përkrah edhe Qeveria si veprim  për të qëndruar edhe disa kohë në pushtet, tërbohet zonja Mogherini, sepse ajo nuk është mësuar të ketë Kosova qoftë edhe një zyrtar të vetëm,  që guxon t’ ia kthejë fjalën.

Duke e trajtuar krejt hapur Kosovën si koloni të Serbisë, ashtu sikur pretendon edhe Beogradi zyrtar, ajo tregoi jo vetëm fytyrën e saj hipokrite dhe pretekcionste, por mori guxim të përzihet drejt për drejt në punët e brendshme të një shteti, që të paktën  do të duhej të lejohej të vetëqeveriste në punët e brendshme, tregti, bujqësi, komunikacion etj.

Po kur preket interesi ekonomik tregtar i Serbisë, në Kosovë, zonja e Brukselit tharton buzët dhe i jep ultimatum Kosovës, që të heq masat ndaj prodhimeve të Serbisë, sepse këtë nuk e duron Beogradi, sepse kjo, qoftë edhe krejt pak prek interesat e firmave të Serbisë, të cilave ua kanë hapur dyert vetë shqiptarët e Kosovës, kuptohet jo për interesin e vendit, por për interesa të tyre dhe klaneve kapitaliste që i përfaqësojnë.

Janë mësuar tregtarët e Serbisë që mallrat e skaduara e të prishura t’ua shesin tregtarëve shqiptarë me çmime krejt të ulëta dhe këta me çmime pesëfish më të larta ua sheshin bashkëkombësve të tyre në Kosovë, por edhe në Shqipëri, sikur bëri vjet më parë  Firma Devolli me shitjen e krundeve të skaduara të Serbisë në Shqipëri, të cilat, nga tregtarët shpirtshitur shqiptarë u blenë  si krunde dhe u shiten si miell special, duke pasur ndërmjetësues besnikun e Stanishqit, në Kosovë,  i cili çdo Qeverie në Tiranë i futet në prapanicë përmes lidhjesh me kreun e politikës.

Për gati 20 vjet, Serbinë e kanë mbajtur në Kosovë, politikanët dhe tregtarët tanë. Ata kanë përfituar për veten e tyre mbi kurrizin tonë dhe tani kur u gjet dikush të marrë një vendim të tillë, vinë bubullima nga Brukseli, ndërsa mega-kapitalistët e Kosovës tash për tash po heshtin, sepse kanë kryer misionin e tyre, janë pasuruar deri në maje të kokës dhe tani mund të humbin  diçka për hir të patriotizmit, sepse shumë prej tyre nga të pa brekë që i gjeti mëngjesi, në mbrëmje u bënë milionerë. Ka shumë të tillë Kosova e Shqipëria, ka shumë matrapazë të tillë që janë pasuruar duke na shitur dyfish më shtrenjtë mallrat e Serbisë, bashkëkombësve me lejen dhe përkrahjen e politikës, e cila atyre fitimeve u ka marrë dhe ua merr ajkën.

Gjatë kohës së luftës, as UÇK-ja nuk ka arritur ta ndalonte mallin që vinte nga Serbia në Kosovë, sepse edhe në atë situatë të luftës dhe krimeve të shëmtuara  që Serbia kryente mbi popullatën civile, tregtarët tanë me sivëllezërit e kumbarët e tyre serbë, na shisnin deri në 20 herë më shtrenjtë artikujt e domosdoshëm për jetë, që i blinin prej serbëve. Kështu ndodhi që 20 vjet pas çlirimit nga Serbia dhe dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova gradualisht nga vitit në vit të kthehet në koloni ekonomike e tregtare të Serbisë.

Tani kur u preken interesat e kapitalistëve serbë në Kosovë nuk reagon vetëm Beogradi, madje duket një si reagim në dukje pompoz por i butë në përmbajtje, por çartet e tërbohet BE-ja, zonja Mogherini, zoti Johannes Hahn, një mik i vetë deklaruar shqiptarëve. Ai i do shqiptarët vetëm me kusht që ata t iu rrinë urtë e butë shkieve të Ballkanit, ashtu sikur kishte konstatuar me të drejtë, Gjergj Fishta i Madh  njohësi më i mirë i “miqësisë dhe dashurisë” që ka pasur dhe ka edhe sot Evropa për shqiptarë.

Shumica dërrmuese e politikanëve të Kosovës kanë përfituar nga tregtia me Serbinë, andaj edhe kanë heshtur, andaj edhe i kanë sabotuar  kërkesat e Vetëvendosjes për të mos blerë artikuj të Serbisë, andaj edhe rrokullisja e një kamioni  me mallra të Serbisë është trajtuar si sulm terrorist nga organet tona të ndjekjes, meqë jo pak prej tyre janë zgjedhur në postet drejtuese të shtetit  me preferencën e Beogradit.

Serbia duhet të ndalohet njëherë e mirë edhe me shumë e shumë masa të tjera, të cilat do të bëjnë që Beogradi zyrtar t’ ia vë gishtin kokës dhe të kuptojë se nuk ka të bëjë me një Kosovë e Metohi të dikurshme, të cilën e Qeveris BE-ja me politikën e saj hipokrite e antishqiptare, por ka të bëjë me një shtet, ka të bëjë me 7 milionë shqiptarë, të cilët po mos të kenë në krye kukuvajka e kuku-mjera, do të bëheshim një faktor vendimtar për vetveten,  me të cilët nuk do të mund të luante askush, në rajon por as në Evropë.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …