Kurti dhe Konjufca

RKL: Etja për pushtet e Kurtit dhe Konjufcës po del jashtë përcaktimeve programore të Vetëvendosjes

Etja për pushtet e Albin Kurtit dhe militantëve të Vetëvendosjes, sidomos e Konjufcës ka bërë që të zhvillohet një luftë e ashpër politike, e cila ka degjeneruar në degradimin e programit të kësaj parti, dikur Lëvizje gjithë popullore,  e cila ka fituar besimin e elektoratit, pikërisht duke sulmuar të eturit për pushtet, duke i quajtur servilë, të gjithë ata që iu kishin nënshkruar ndikimit të ambasadave, duke kërkuar reduktimin e ministrive, duke mbështetur taksën kundër mallrave të Serbisë dhe duke premtuar luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe kundër atyre që e kanë “kapur” pushtetin.

Tani në luftën për sa më shumë pushtet, mundësisht të “kapjes” së krejt pushtetit, Albin Kurti e Glauk  Konjufca, kërkojnë me çdo kusht që LDK-ja t iu nënshtrohet orekseve të tyre, së fundi duke kërkuar edhe ndihmën e ambasadorëve të vendeve të Quintit dhe të Zyrës së BE-së, në Prishtinë.  Askush në Kosovë nuk mund të bindet se ky degradim i qëndrimit të fortë të Vetëvendosjes karshi ndërkombëtare po bëhet për interesin e Kosovës, sepse këtë nuk e besojnë madje Albin  Kurti as Konjufca. Tekefundit, duke kuptuar mirëfilli se  Kosova nuk është e Vetëvendosjes, as e ka marrë besimin e shumicës, as ka të drejtë që t’ua imponojë vullnetin e vet të gjithë qytetarëve të Kosovës, vetëm sepse ka fituar një deputet më shumë se LDK-ja e katër më shumë se PDK-ja. Duket se Vetëvendosja nuk e kupton apo nuk do ta kuptojë këtë matematikë, por thirret në emrin e të parit, në të drejtën qoftë edhe për një votë të vetme më shumë, se partia e dytë.

Ngulmimi fanatik i Vetëvendosjes për më shumë pushtet, ka të bëjë me përpjekjet për fuqizimin e pozitës në të gjitha segmentet e pushtetit, nga frika se në të ardhmen nuk do të ketë kurrë më afër pushtetin,  por edhe për shkak të shprehjes së urrejtjes për të gjitha partitë e tjera, sidomos për ato që kanë dalë nga Lufta e UÇK-së, por edhe për shkak të  prepotencës megallomane politike, liderizmit dhe pretendimeve  për pushtet autokratik.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj,  i cili kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin dhe konsolidimin e Vetëvendosjes  e ka kritikuar Albin Kurtin për takimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës ku pritet që pjesëmarrës të jenë edhe ambasadorët e QUINT-it. Ai këtë zvarritje e ka quajtur vetë nënshtrim të Vetëvendosjes. Molliqaj thotë se pikërisht Vetëvendosje, e cila kritikonte thellësisht ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në krijimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve demokratike apo përzgjedhjes së figurave shtetërore në mënyrë jo-demokratike, ajo po përfundon duke i ftuar ambasadorët në takim së bashku me partnerin e koalicionit. Vetëvendosje po shkel edhe parimin tek i cili është formuar e krijuar vetëm e vetëm që të arrijë të jetë në pushtet. Molliqaj thotë se Lëvizja Vetëvendosje u krijua dhe formësua në kritikën e saj ndaj ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në proceset e shtet-ndërtimit, të marrëveshjeve me Serbinë dhe të misioneve ndërkombëtare të sigurisë si UNMIK e EULEX.

Kritikuesi më i zhurmshëm i autoritarizmit, premtuesi i barazisë sociale dhe i bashkimit kombëtar, kritikuesi i servilizmit të politikanëve tanë  ndaj krerëve vendimmarrës të Bashkësisë ndërkombëtare, kritikuesi më i zëshëm i LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, kritikuesi i korrupsionit dhe i kapjes së Shtetit, tani ka filluar jo vetëm të luhatet, por edhe të kërkojë dhe ta pranojë presionin dhe ndikimin e ambasadorëve për ndarjen e “kulaçit” të pushtetit, në mënyrë që të nxirret i larë, sepse nuk është diçka e re të pranosh varësinë e ambasadorëve të QUINT-it, meqë e kanë pranuar të gjithë në garën e tyre për pushtet, gjithnjë në emër të shtet-ndërtimit,  ashtu sikur po e pranon sot, si shpresën e fundit edhe Vetëvendosja e Albin Kurtit.

Nuk mund të paragjykohet finalja e bisedimeve dhe rezultati i këtij dialogu, por sidoqoftë, Vetëvendosja nuk është më ajo që ka qenë dhe nuk pritet  të realizojë asnjë nga premtimet që ka dhënë edhe në rast se e merr pjesën më të madhe të pushtetit. Kurti po ashtu e di mirë se ndërmjetësimi nga ana e ambasadorëve dhe nga BE-ja nuk bëhet pa kushtëzime, por ashtu e di edhe më mirë se cili ka qenë dhe cili është qëndrimi i tyre ndaj Vetëvendosjes.

Në një pozitë të tillë kaotike dhe pa rrugëdalje, Albin Kurti dhe Vetëvendosja, nëse lëshojnë pe, atëherë del sheshit se krejt lufta politike ka qenë për ta marrë  me çdo kusht pushtetin. Në rast se kjo parti nuk i nënshtrohet autoritetit të ambasadorëve të QUINT-it, gjasat për të fituar në zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shumë larg pritjeve megallomane.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …