Kandidati për kryetar të Maqedonisë, Bujar Osmani, ka prezantuar platformën prej 10 pikave për zgjedhjet e 24 prillit

Bujar Osmani, është personalitet i kompletuar dhe ndër më të emancipuarit në mesin e burrështetasve shqiptarë të kohës sonë

Burrështetasi, Bujar Osmani, kandidat për kryetar në Maqedoninë Veriore, është personaliteti më i kompletuar dhe  më i emancipuari në mesin e burrështetasve shqiptarë të kohës sonë. Paraqitja e tij para opinionit, medieve shqiptare e të huaja, është shumë dinjitoze dhe në të njëjtën kohë na shfaqet një politikan i aftë dhe shumëdimensional, me qëndrimet e tij realiste, largpamëse,  me kredon e vetëpërmbajtjes dhe të emancipimit politik, bashkëkohor.

Bujar Osmani, gjatë kryesimit të OSBE-së, e bindi edhe faktorin ndërkombëtar se kemi të bëjmë me një personalitet të kompletuar të diplomatit bashkëkohor shqiptar, i denjë edhe për kryesimin e organizatave më prestigjioze ndërkombëtare. Vlerësimet që ka marrë ai nga diplomatët botërorë i tejkalojnë, pothuajse të gjithë diplomatët,  jo vetëm në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri po edhe në rajonin e Ballkanit,  përgjithësisht.

Së bashku me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, këta burrështetas përbëjnë treshen më të fortë dhe më të dëshmuar nga radhët e politikanëve dhe diplomatëve shqiptarë, homogjenë në pikëpamje të perceptimeve e ideve  politike  dhe gjithnjë unikë të veprimeve kurdoherë të akorduara, në shërbim jo vetëm të shqiptarëve, por të gjithë qytetarëve të vendit.

Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ( sepse ja pak herë zgjedhjet edhe deformohen, blihen e tjetërsohen) treshja,  Ali Ahmeti, Talat Xhaferi dhe Bujar Osmani, janë dhe do të mbeten, jo vetëm më meritorët, por edhe më të pazëvendësueshmit e politikës dhe diplomacisë së këtij shteti, ku shqiptarët për herë të parë pas vitit 1912, i kanë realizuar shumë nga  të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare.

Pretendimet e zyrtarëve dhe disa militantëve të Vetëvendosjes, për ta etiketuar dhe keqinterpretuar qëndrimin burrëror të Bujar Osmanit, në çështjen e Kosovës dhe krizës aktuale  në veri, tregojnë sesa xhelozë,  naivë, të papjekur, të pamatur e arrogantë janë “fiqfiriqat” e Albin Kurtit, të cilët duan në çdo mënyrë  ta shtrijnë ndikimin te shqiptarët në Iliridë,  për t’i përçarë ata,  ashtu sikur i kanë ndarë dhe i kanë  përçarë shqiptarët e tri komunave të Kosovës Lindore.

Por kjo nuk do të ndodh kurrë, sepse përkrahja që i ka dhënë populli shqiptar Bashkimit Demokratik për Integrim, për më shumë se 23 vjet, tregon se ai di ta çmojë gjakun e derdhur të dëshmorëve e martirëve dhe  të arriturat historike, politike e diplomatike,  që janë shënuar gjatë tërë kësaj kohe nga krerët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilët në radhë të parë kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë vullnetin politik të kombit, respektojnë vullnetin politik të maqedonasve  shumicë, por edhe të dhe etnive të tjera.

Nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë Maqedoni unike pa BDI-në, por ka dhe do të ketë përçarje, pikërisht në taborin e vasalëve të  Taravarit, sepse lufta e tyre politike nuk bëhet për bashkimin dhe unifikimin e faktorit politik shqiptar, por për dobësimin, parcializimin, degdisjen e bashkëpunimin me partinë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE.

 

Ndërhyrja e Vetëvendosjes në mesin e shqiptarëve në Maqedoni, tregon më se miri se Albin Kurti nuk do unitet mes shqiptarëve, por vetëm  përçarje

Duke  folur për ndërhyrjen e Vetëvendosjes në mesin e shqiptarëve në Maqedoni, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se është pyetur nga ndërkombëtarët lidhur me vendimin e kryeministrit Albin Kurti për përfshirjen e tij në situatën politike në Maqedoninë e Veriut. Duke pasur parasysh përfshirjen e Kurtit, Ali Ahmeti thotë se ndërkombëtarët e kanë pyetur  se si shpjegohet kjo, kur Kurti ankohet se Vuçiqi po bën aktivitete politikë në Kosovë? Unë nuk e di që Kurti ka regjistruar parti, e di që shumë nga autoritete nga komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur interesim të dinë se për çfarë arsye Albin  Kurti ka nevojë të mbajë parti politike në Maqedoni. Unë asnjëherë nuk kam kërkuar mbështetje nga Shqipëria e nga Kosova, nga partitë politike sepse kam pasur kontakte me të gjitha partitë, por në radhë të parë me shtetin…Kosova ka pasur probleme tjera, zhvillime tjera, Shqipëria zhvillime tjera”, ka thënë Ali Ahmeti.

Kundër përçarjeve që ka shkaktuar dhe po shkakton Vetëvendosja, kryetari  i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi, është shprehur se ndërhyrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në zgjedhjet e këtij shteti, kanë tensionuar  situatën mes shqiptarëve. Kurti ka si qëllim që të tërheqë vëmendjen nga mossukseset kapitale në politikën e tij në Kosovë. Tensioni u rrit edhe për shkak të ngjarjeve të vitit të fundit, ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjeve të saj për të treguar forcën në Ballkan. Tensionimit të situatës në fushatën zgjedhore i ndihmoi edhe ndërhyrja e Albin Kurtit. Deri tani unë nuk kam dëgjuar nga ai apo nga grupimi që e përkrah, se ata kanë ndonjë platformë që e mbështesin. Ndërhyrja e tij po krijon  një ndasi brenda shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Kurti nuk i bashkon palët shqiptare, por ai hyn për t’i ndarë. Opozita që ai e mbështet,  i ka minimale gjasat për të konkurruar me frontin europian. Shpresa e tyre është që opozita maqedonase, e cila ka program nacionalist që nuk parasheh ndryshimet kushtetuese apo edhe bllokimin e procesit integrues, do i marrë ata si leckë bashkë-qeverisëse.

Duke folur lidhur me ndërhyrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni,  analisti, Artan Behrami shkruan se përndjekja e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Partive Properëndimore në Maqedoninë e Veriut ka marrë përmasa shqetësuese. Në fushën denigruese kundër partive pro amerikane është përfshirë edhe Qeveria e Kosovës– shteti i Kosovës!

Për këtë duhet të reagojë urgjentisht  kryetarja,  Vjosa Osmani! Sulmet e zëdhënësit të Qeverisë, të këshilltarit të Kurtit kundër ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, janë të papranueshme dhe ndërhyrje flagrante në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut!  Në një periudhë komplekse, globale, ku Rusia ka edhe më tutje influencë të madhe në OSBE, Osmani ka arritur që të bëjë një punë të jashtëzakonshme. Madje, vetë sekretari amerikan, Anthony Blinken, i cili ka dhjetëra fushëbeteja në botë, erdhi në Maqedoninë e Veriut për të falënderuar Osmanin për punën e mirë që ka bërë si udhëheqës i OSBE-së! Bujar Osmani është shefi i parë i OSBE-së që zyrtarisht ka vizatuar Prishtinën dhe ka takuar krerët e shtetit! Të njëjtën e bëri edhe në Kosovën Lindore. Pikërisht për këto  vizita ishte kritikuar nga Beogradi dhe Moska!  Në një kohë kur krejt përfaqësuesit shtetërorë perëndimorë e kanë përgëzuar,  për punën e bërë në OSBE, çohen argatët e  Kurtit dhe fillojnë fushatë denigruese Bujar Osmanit, duke iu bashkuar kritikave të përfaqësuesve të shteteve kundër frontit perëndimor! Albin Kurti nuk e dëshiron bashkimin kombëtar me Amerikën, ai e dëshiron grumbullimin e shqiptarëve përreth kultit të tij, pa Amerikën!

Disa nga të arriturat e Bujar Osmanit

Fjalimi i ministrit të punëve të jashtme Bujar Osmani në Këshillin e Kombeve të Bashkuara ka marrë aplaudime dhe është pritur me ovacione. Ai , u  lind më 11 shtator 1979. Ai është një politikan maqedonas, ish  ministër i  Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe ish-ministër i Shëndetësisë.  Osmani ishte i pari maqedonas me origjinë shqiptare që drejtoi postin më të lartë diplomatik në Maqedoninë e Veriut. Me marrjen e kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për vitin 2023, Maqedonia e Veriut, Osmani u bë Kryetar i OSBE-së më 1 janar 2023. Aktualisht, Bujar Osmani është kandidat për kryetar të Maqedonisë, nga BDI-ja.  Fjalimi i ministrit të punëve të jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka marrë aplaudime dhe është pritur me ovacione…

 

Ahmet Qeriqi

  1. 4. 2024

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …