RKL: EULEX-i nuk është mirëpritur nga shqiptarët liridashës të Kosovës dhe duhet të dëbohet nga vendi

 


Janë të shumta faktet të cilat flasin se, misioni EULEX i BE-së në Kosovë bën politikën e Beogradit zyrtar dhe ka për qëllim final, krijimin e parakushteve për copëtimin faktik të vendit dhe diskreditimin e pavarësisë së Kosovës. Edhe paraardhësi i këtij misioni, UNMIK-u, ka bërë politikën e Beogradit, por ka qenë shumë heterogjen sa i përket përkatësisë dhe prejardhjes së pjesëtarëve dhe nuk ka qenë unik në qëndrimet kundër pavarësisë së Kosovës. Ky mision nuk e ka njohur pavarësinë, por as nuk ka pasur mundësi praktike për ta penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mbetjet e këtij misioni ende janë të pranishme sidomos në pjesën veriore të vendit, atje ku  qeverisin strukturat paralele serbe nën diktatin e Beogradit, të ndihmuara si nga UNMIK-u ashtu edhe nga EULEX-i, i cili ka hapur edhe zyrat e veta në atë pjesë ende të okupuar të Kosovës.


EULEX-i bën politikën e pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, sepse vendi kryesues i radhës i këtij Unioni është Spanja, e cila është në krye të bllokut të shteteve, që nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë.


Si do të vepronte në të mirë të qytetarëve të Kosovës një mision policor, që nuk e njeh pavarësinë e vendit dhe kryesohet nga shtetet që e kundërshtojnë hapur këtë pavarësi?


Se, EULEX-i është mision që shpërfill interesin e Kosovës, u pa që në fillim të instalimit në vendin tonë, kur kreu i misionit, duke anashkaluar Qeverinë e Kosovës, lidhi një varg marrëveshjesh e protokollesh me Beogradin, edhe pse Serbia nuk ka pushtet legal në Kosovë, qysh prej qershorit të vitit 1999. Misioni si i tillë është i njëanshëm, meqë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës por e njeh “të drejtën” e Serbisë mbi vendin tonë.


Të shumta janë qëndrimet e EULEX-it kundër shqiptarëve dhe jo serbëve të Kosovës.


Ky mision bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë dhe i ndjek penalisht ish ushtarët e UÇK-së, për të cilët kishte hartuar dosje regjimi kriminal i Milosheviqit.


EULEX-i nuk është mirëpritur nga popullsia shumicë dhe nuk ka përkrahës në mesin e popullit shqiptar, duke përjashtuar dy tri OJQ mercenare dhe klanin medial të Kohës Ditore.


Edhe Qeveria e Kosovës nuk ka kurrfarë bashkëpunimi real me zyrtarët e këtij misioni, por vetëm “ bashkëpunim” formal dhe deklarativ. Po të kishte bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in, sikur është shprehur kohë më parë kryeministri Thaçi, mbase edhe me cinizëm, nuk do të lejohej një ndërhyrje e tillë brutale kundër MTPT-së.


Kërcënimet e zëvendës-kryeprokurorit Johan Van Vrisvijk, drejtuar Qeverisë janë kërcënime tipike të banditëve e gangsterëve, të prejardhur nga bota e krimit, të cilët i ka nxjerrë në sipërfaqe rasti dhe momenti historik, nëpër të cilin po kalon vendi ynë.


Në kuadër të policisë dhe gjyqtarëve e prokurorëve të EULEX-it ka zyrtarë të korruptuar, me dosje penale dhe me të kaluar të dyshimtë.


Vetëm një muaj më parë në doganën e Maqedonisë janë ndaluar dhe janë arrestuar 15 zyrtarë të këtij misioni, për trafik me duhan dhe alkool.


Në raportin, që është hartuar nga një ekip i ekspertëve holandezë të Shërbimit të Prokurorisë Publike, që mbikëqyr  edhe punën e prokurorëve, bëhet e ditur se në mesin e prokurorëve, që kanë bërë shkelje ligjore ndodhet edhe emri i zëvendës-prokurorit të EULEX-it në Kosovë, Johan Van Vrisvijk. Inicimi i hetimeve është bërë pas shfaqjes së një TV dokumentari në Televizionin Publik holandez, më 31 janar të këtij viti. Gjatë një pune disa mujore, në bazë të aktgjykimeve të mbledhura, gazetarët holandezë kanë konstatuar se së paku 90 prokurorë holandezë kanë bërë gabime gjatë hetimeve të veprave penale. Shumë nga gabimet janë bërë me qëllim për të siguruar që të akuzuarit të dënohen. Fakte në favor të mbrojtjes janë fshehur, e nganjëherë edhe  janë falsifikuar. Publikimi i këtyre abuzimeve me ligjin  në TV dokumentar si dhe publikimi në internet i listës me emrat e prokurorëve ka nxitur reagime dhe debate të shumta në Holandë.


Cila është vlera morale e njerëzore  e një prokurori të tillë, i cili duke qenë vetë abuzues dhe shkelës i ligjit në vendin e tij, dhe një soj i tillë lejohet të ndërtojë “sundimin e ligjit” në Kosovë?


Çfarë kredibiliteti moral dhe profesional ka një zyrtar i tillë, për të ndjekur krimin kur është vetë pjesë e veprave të inkriminuara?


 


EULEX-i është një mision, i cili ka për qëllim t’ i kundërvihet interesit amerikan në Kosovë dhe në rajon, duke bashkëpunuar ngushtë me Beogradin zyrtar. Pikërisht për shkak se Qeveria e Kosovës ka përfillur interesin e kompanive amerikane dhe turke me rastin e dhënies së tenderëve për Autostradën Vërmicë-Merdare dhe për Aeroportin e Prishtinës, zyrtarët e këtij misioni kanë filluar hetimet spektakulare  “për korrupsion” drejtuar Qeverisë së Kosovës. Aktin e tillë të ndërhyrjes kundër MTPT-së e ka quajtur të papranueshëm edhe ambasadori amerikan, në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili e përfill luftën kundër korrupsionit, por jo mënyrën brutale dhe represive  të ndërhyrjes nga Policia e EULEX-it.


Me veprime të tilla, të disponuara armiqësisht kundër shqiptarëve liridashës dhe kundër Qeverisë së Kosovë, me arrestime e bastisje të luftëtarëve të UÇK-së, burgosjen dhe dënimin e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, me përpjekje për ta diskredituar pavarësinë dhe institucionet e vendit, EULEX-i tashmë ka zbuluar sheshit qëllimet e veta. Mbetet që qytetarët liridashës të vendit, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe forcat e vërteta patriotike të fillojnë ta shprehin jo vetëm kundërshtimin publik por edhe të kërkojnë publikisht  dëbimin nga Kosova të këtij misioni të dhunshëm. Nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë që njerëz nga ky mision të shkelin mbi gjakun e derdhur për liri, duke vepruar sipas paragjykimeve shoviniste dhe antishqiptare të Beogradit.


EULEX-i duhet të dëbohet nga Kosova, ashtu sikur është dëbuar policia dhe ushtria e regjimit të Milosheviqit. Për ta dëbuar këtë mision nuk nevojiten armë dhe  ndihmë nga jashtë, por vetëm mos dëgjesë qytetare, protesta paqësore dhe shpalljen “non grata” të të gjithë zyrtarëve të këtij misioni.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Frontit Europian, Bujar Osmani, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, me epërsi të 40 mijë votave

Kandidati i Frontit Europian për kryetar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shpallur fitoren …