RKL

RKL: Franca e Gjermania kundër marrjes përsipër nga Amerika të bisedimeve Kosovë-Serbi

Zyrtarisht bëhet e ditur se kryetari i Francës, Emannuel Macron, më 17 korrik 2020 planifikon të organizojë një samit,  në Paris, kur do të bisedohet për raportet, Kosovë-Serbi. Mbajta e një takimi të tillë  gjermano-francez kishte dështuar të mbahej më 1 korrik të vitit të kaluar, për shkak të taksës 100 për qind që kishte vendosur Kosova ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.  Asokohe me gjithë kërkesën e Francës dhe Gjermanisë, ish-kryeministri Haradinaj pati refuzuar ta hiqte taksën. Ndërkaq ish-shefen e BE-s për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, e kishte akuzuar se bashkë me Ramën, Thaçin e Vuçiqin janë angazhuar për ndarjen e Kosovës.

Tani, pasi administrata e kryetarit amerikan, Donald Trump ka marrë përsipër të ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian dhe veçmas Franca e Gjermania, nuk po pajtohen që rolin udhëheqës në bisedime ta ketë Uashingtoni zyrtar, i cili edhe mund të arrijë një marrëveshje, të cilën Evropa nuk do ta pëlqente, por edhe nuk do të mund ta ndalonte.

Sa i përket Kosovës dhe çështjes së pazgjidhur shqiptare, në Ballkan,  Franca përfaqëson politikën standarde të Kongresit të Versajës së vitit 1918, ndërsa Gjermania atë të Kongresit të Berlinit, të vitit 1878.

Franca e cila e ka ndarë veriun e Kosovës prej 15 qershorit të vitit 1999, Gjermania e cila më së shumti iu kishte frikësuar intervenimit të NATO-s kundër regjimit të Milosheviqit, mbase edhe nga frika e konfliktit të Aleancës me Rusinë, nuk po pajtohen që problemi të zgjidhet nga Amerika, e cila në fakt problemin historik të Kosovës, bashkë me shqiptarët e ka zgjidhur në qershor të vitit 1999,  kur forcat tokësore amerikane pas 78 ditë të bombardimeve nga ajri, e detyruan Serbinë të nënshkruante kapitullimin, më 9 qershor, në Kumanovë dhe më 12 qershor  hynë me artileri e këmbësori, në Kosovë. Ndërtuan njërin ndër kampet më të mëdha ushtarake në rajon  dhe morën përsipër ndihmën e gjithanshme për ngritjen e Kosovës pas robërisë shekullore dhe luftës me pasoja shumë të rënda.

Shqiptarët e njohur si mikpritës janë edhe falënderues të veçantë për mikun e sinqertë. Të tillë vazhdojmë të jemi, sepse i dimë forcat tona dhe e dimë se kë kemi pasur dhe kë kemi fqinj.

Franca, Gjermani dhe disa shtete të Evropës, përveç Britanisë së Madhe, kanë interesat e tyre më të mëdha me serbët dhe popujt sllavë të Ballkanit, andaj edhe nuk duhet të habitemi nga qëndrimi i tyre. Dihet se ambasadat amerikane janë sulmuar dhe janë djegur vetëm në dy shtete të Ballkanit, në Serbi dhe në Greqi, po kurrë dhe asnjëherë nuk janë sulmuar ambasadat e Francës dhe Gjermanisë.

Ndërkohë është bërë e ditur se Deputeti i partisë konservatore CDU, Peter Beyer, ka reaguar ashpër kundër bisedimeve që do të zhvillohen në Uashington. Gjatë debatit parlamentar ka akuzuar rëndë kryetarin  e Kosovës për përgatitjen, sikur thotë ai, të një pazari të ndyrë në kurriz të Kosovës dhe ka theksuar se pjesë e këtij pazari mund të jetë edhe shpërbërja e Gjykatës Speciale. Beyer kërkoi që më 27 qershor në Washington të ftohet edhe emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, ndërsa Richard Grenellin e atakoi për shkak të “lojërave jotransparente”.

Peter Beyer nënvizoi se me rëndësi është edhe ringjallja e bisedimeve me Serbinë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me fqinjin verior. Beyer arbitron: “Unë them: shikoni në drejtim të Brukselit. U bëj thirrje Kosovës dhe Serbisë: kryeni detyrat e shtëpisë. Nuk na duhet një pazar i pistë. Mos lëshoni pe përballë presionit të jashtëm. Nuk na duhet ndryshimi i kufijve. Nuk na duhet shpërbërja e Gjykatës Speciale dhe e zyrës së prokurorit special, të cilat mund të jenë pjesë e një pazari të ndyrë ka thënë Peter Beyer, i pezmatuar me faktin se problemi mund të zgjidhet pa Evropën, e cila është shkaktarja kryesore e pësimeve historike të shqiptarëve, Evropa e mrrytë dhe e ndytë, nga e cila kemi pësuar për më shumë se 140 vjet, meqë çështja shqiptare për ta ka qenë vetëm çështje gjeografike, ndërsa shqiptarët mbetjet turke aziatike. Porosinë e atij   realiteti, në kushte dhe rrethana të reja historike e rikthen deputeti gjerman e CDU-së Beyer, i cili madje porositë  Kosovën të mos lëshojë pe përballë presionin të jashtëm amerikan!…

Deputeti gjerman, nuk foli fare për zvarritjen e bisedimeve Kosovë-Serbi, për mos arritjen e asnjë marrëveshjeje në Bruksel që do ta respektonin palët, nuk foli mos liberalizimin e vizave, edhe pas premtimeve qe sa  e sa vjet i bëhen Kosovës, i vetmi vend në Evropë i mbetur në geto,  nuk foli për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga BE-ja dhe pesë vendeve anëtare të saj. Ai thjesht atakoi kryetarin e Kosovës, Hashim  Thaçi, atë të Serbisë Vuçiq dhe administratën amerikane, e cila po tregon gatishmëri për të ndërmjetësuar në dialog, me qëllim  për të arritur një marrëveshje dhe jo sikur bën BE-ja për të “lehtësuar” dialogun, duke përdorur eufemizmin për fjalën” ndërmjetësim”.  

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKANËT TANË ME “TANGA ROZË” DHE….  GJYSËM EFENDIKO BEJLERI

Një prej problematikave që kanë zënë faqet e shtypit të përditshëm është dhe ngelet, për …