MIT KS
Fillimi / Intervista / RKL: Intervistë me veprimtarin, shkrimtarin e publicistin, Mehmet Bislimi
Mehmet Bislimi

RKL: Intervistë me veprimtarin, shkrimtarin e publicistin, Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi u lind më 24 mars 1958, në fshatin Prekaz të Epërm të Drenicës. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse gjimnazin në Skenderaj. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar shkencat natyrore- Dega e Kimisë, ka edhe titullin akademik Bachelor i Ekonomisë. Në vitin 1981, për shkak të veprimtarisë atdhetare arrestohet nga ish regjimi i RSFJ-së dhe dënohet me burg. Pas daljes nga burgu me1986, veprimtarinë atdhetare e ka vazhduar në gjirin e LPK-së. Në vitin 1994, për t’i shpëtuar arrestimit të serishëm, është arratisur në shtetin e Zvicrës, ku vepron dhe jeton me familjen e tij. Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë ka kryer detyra më përgjegjësi.  Në 20 e më shumë vitet e fundit ka jetuar në mërgim ashtu sikur edhe mijëra veprimtarë të tjerë të Lëvizjes sonë atdhetare.

RKL. z. Mehmet, keni lindur në Prekazin e legjendave të trimërisë shekullore shqiptare, në zemër të Drenicës heroike, e cila njihet si palca e Shqiptarisë. Si është ndier banori i Prekazit dikur dhe si ndihet sot?

– Po, fshati Prekaz, vërtetë (nëse mund të themi kështu), është amësi e bijve që gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët për liri e bashkim kombëtar, kanë bërë sakrifica sublime, deri në kufijtë e legjendave si. Prekë Kuçi, ati i fshatit Prekaz, Luta, Rafaeli, e deri tek Murat Jashari i parë, Ahmet Deliu, Ramë Islami, Murseli, Emin Lati, Bislim Kodra, Hamit Velia, Nebih, Tahir e Beqir Meha, Shaban Jashari me të bijtë Hamzë dhe Adem Legjendarin etj. Të gjitha këto përpjekje kanë vetëm një emërues të përbashkët: realizimin e aspiratave tona shekullore për të bërë shtetin tonë të përbashkët. Aspirata këto të përcjella brez pas brezi që nga Milush Nikollë Kopiliqi e deri tek Adem Jashari- Legjenda jonë kombëtare.

Vërtetë, mbi të gjitha është krenari të jesh shqiptar i denjë në shërbim të kombit e  më pastaj të ndihesh krenar që je i Prekazit, Besianës, Junikut, Gjilanit, Lipjanit, Ferizajt, Kaçanikut apo i Gllogjanit e kështu me radhë…

Prekazi dikur e tani, por edhe nesër, ndihet krenar për atë që ka dhënë në shërbim të atdheut. Ne nuk duhet të luhatemi për asnjë çast nga qëllimi ynë; çlirimi dhe bashkimi i tokave shqiptare është jetike për ne. Përderisa kjo nuk do të arrihet, nënkupton angazhimin tonë të pareshtur në këtë drejtim, pa realizimin e së cilës paça në Ballkan do të jetë e brishtë.

Përvoja mbi 600 vjeçare e ish pushtuesve të tokave tona, të të gjitha ngjyrave të egërsisë e barbarisë së tyre, derdhur mbi popullin shqiptar, do duhej t’i kishte mbushur mend ata se: shqiptarët nuk zhbëhen, nuk tjetërsohen dhe nuk nënshtrohen as një herë dhe me asnjë çmim!

RKL. Me rastin e shpërthimit të demonstratave dhe protestave studentore të vitit 1981, të cilat më vonë morën karakter gjithë popullor, keni qenë student, madje njëri ndër militantët më të dalluar të atyre protestave?

– Ne ishim të rinj atë botë, unë isha njeri nga ata… studentët e asaj kohe të artë, ishin bijtë më të mirë të popullit, frymëzuar nga brezi i më hershëm atdhetar që na kishte brumosur për ta dashur atdheun siç është ikona jonë, Adem Demaçi e qindra pishtarë tjerë të lirisë, të cilët na kishin dëftuar atdhedashurinë – kaq duhej.

Aty, ne mesin e mira vashave e djelmoshave, ku secili po kryente obligimin e vet kombëtar në mënyrën më të përsosur, s’ke si ndiheshe ndryshe veç se shqiponjë me krah! Edhe unë së bashku me ta, kam kryer obligimin tim ndaj atdheut, po shpjegoj vetëm këtë se: jam munduar me gjithë shpirt, që të jam kudo prezent gjatë atyre lëvizjeve të fuqishme që drodhën në themel ish pushtetin Jugosllav, flamurin e së cilës e kam përbaltur mu në qendër të Prishtinës!, Këtë flamur të pushtuesit, më vonë bijtë e UÇK-së e kanë vrarë me pushkët e lirisë, dhe ky flamur i pushtuesit më kurrë nuk do të valojë më  mbi qiellin e Kosovës. Po ashtu, për mes fjalimit tim të rastit me megafon ( pas Ali Lajçit dhe Hydajet Hysenit), me 11 e  26 mars, 1 dhe 2 prill, jam munduar t’i orientojë masat e revoltuar, madje kemi pasur të përgatitur edhe skenar për ta rrëmbyer stafetën e Titos, e cila po kalonte në Prishtinë me 26 mars, por që nuk arritëm ta realizojmë!

 

RKL. Si filloi tërë ajo protestë e cila bëri kthesën vendimtare të shkëputjes nga

jugosllavizimi, “bashkim vëllazërimi”, dhe përbashkësia e shqiptarëve me serbë e cila rezultojë më pastaj me kërkesën për krijimin e Republikës së Kosovës?

– Në fakt kishte dy rryma; njëra që nuk kishte besimin në fitore dhe në vet- veten e vet, dhe tjetra që punonte për ta bërë këtë ideal realitet, e cila kishte guximin, besimin dhe arsyen e sakrificës për atdhe. Pa më vrarë ndërgjegjja e them: ish nomenklatura, edhe ajo e më hershme, nuk ishin më shumë veçse vasalë të bindur të ish pushtuesve si: “çaushë e kmetë, subash e posllanik, xhandarë e poreznikë, hafie e spiunë”, inspektorë të UDB-së, prokurorë, gjyqtarë e milicë, të ligj e të pa kurriz… Mirëpo, këta ishin më pak se bijtë e popullit që në vazhdimësi nuk kishin ngarendur së vepruari në shërbim të atdheut që nga kohët para osmane e deri me sot. E vërteta e madhe sa vetë toka është se; shqiptarët asnjë herë nuk ishin pajtuar me robërinë, për këtë ne sot jemi dhe ndihemi gjallë, ndryshe do të ishim zhdukur dhe harruar që moti. Jo pak popuj në botë, për më pak se 100 vjet robërie e kolonizim, kanë humbur edhe gjuhën e tyre! Ne, të paktën që dy milenium, flasim shqip, veprojmë shqip, kemi historinë, gjuhën dhe traditën tonë, mendojmë shqip dhe përpiqemi e do përpiqemi përjetësisht për liri e bashkim kombëtarë.
Me këtë rast, farsa e “bashkim- vëllazërimit”, ra si një leckë e zhubrosur dhe kërkesa për “Republikën e Kosovës”, brenda ish Jugosllavisë më tepër ishte si kërkesë për një baraspeshë me republikat tjera brenda ish federatës jugosllave. Shqiptarët ngritën zërin mbi të gjitha, për të qenë të barabartë me të tjerët dhe jo të sunduar, nënçmuar e shfrytëzuar prej të tjerëve.

RKL. Tani pas kaq kohësh, shumë kush përpiqet që këto demonstrata t’i paraqes si të organizuara nga Serbia e Rusia, si të parakohshme, si spontane?

– Po, e keqja është se ne (e them kushtimisht, ne) më parë preferojmë që mos guximin tonë për t’ju pri gjërave, në një formë ta mbulojmë me ligësi e devalvime, trillime e gjëra tjera sajuese e denigruese, se sa ta pranojmë realitetin. Pra nuk jemi të gatshëm të ballafaqohemi me realitetin… dhe cili është realiteti dhe guximi për ta pranuar të vërtetën hapur e burras:

Demonstratat e Kosovës i ka organizuar populli ynë, bijat dhe bijtë tanë më të mirë që lanë eshtrat kazamateve serbo-jugosllave ndër vite, gjaku ynë i derdhur për liri, vaji i nënave, nuseve dhe motrave tona, vaji i fëmijëve tanë rritur jetim…. kjo është e vërteta e madhe dhe mohimi i saj nga bukëshkelësit dhe plëngprishësit, do duhej të ishin mallkuar nga kombi ynë! Nuk kishte interes as Serbia as Rusia që ta shembte sistemin e vet sundues mbi trevat tona, Serbia nuk kishte interes për të humbur përfitimet ekonomike nga Kosova, nuk kishte interes që t’i rrokte armët e të luftonte me shqiptarë. Serbia ndihej më rahat kur një dorë shqiptarësh i shërbenin me devotshmëri, se sa kur shqiptarët ia kthyen pushkët!

Demonstratat e vitit 1981, nuk ishin të parakohshme, në fakt ato ishin të vonuara, ani pse të lara me gjak. Kush imagjinonte se do ndahemi pa gjak nga pushtuesi Serb e kishte gabim, koha vërtetoi katërçipërisht të kundërtën- shih luftën e fundit në Kosovë. Po të mos jehonin demonstratat e përhershme në Kosovë, revoltat, burgosjet, lufta dhe rëniet heroike të trimave tanë, Serbia edhe sot do të ishte këmbëkryq në Kosovë, nuk do të kishte arsye të largohej nga Kosova, pra u desh të kërciste pushka, të derdhej gjaku rreke, në mënyrë që të dëgjohej zëri ynë për liri, kush mendon ndryshe ka shpirt robi dhe asgjë më shumë!

Demonstrata e vitit 1981, nuk ishin spontane, ato ishin shumë mirë dhe gjatë kohë të përgatitura nga brezi i viteve të gjashtëdhjeta e shtatëdhjeta, janë dhjetëra zemërluanë të kombit tonë që dhanë gjithçka, edhe jetën për ditët e sotme- përkulje deri në gjunjë para veprës së tyre, ata ishin mishërimi i së madhërishmes sonë, që nga Lidhja e Prizrenit e më herët e deri me 1999, dhe falë atyre, ne kishim rrugët e trasuar, vetëm duhej të trumbetonim furishëm nëpër to. Ato demonstrata ishin fillimi i fundit të shembjes së gërmadhës Jugosllave që ishte instaluar mbi Kosovë, kjo shembje u bë njëherë e përgjithmonë.

RKL. Ju keni pasur fatin që të njihni,  edhe Emin Latin, Bajram Zenën, Nebih, Tahir e Beqir Mehën, Shaban, Hamzë e Adem Jasharin! si i kujtoni ju ato kohë, madje keni shkruar edhe monografi, poezi e balada për bëmat e tyre heroike.

– Kjo është dhunti e natyrës, nuk varët aspak nga ne, njerëzit ndonjëherë lindin me fat. Për mua ishte fat i madh që natyra më ka lindur në gjirin e tokës së Prekazit Legjendar. Si i ri, në Kullën tonë, kam shërbyer me dhjetëra herë me çaj e kafe trimat e dheut të lartpërmendur. Ata vinin për ndeje e bisedime, zakonisht stinës së dimrit, dhe rrinin deri në orët e vona të natës, biseda e tyre kryesisht ishte: Si të luftohet armiku! Aty i priste djali i axhës tim, Bislim Prekazi i cili ishte edhe i përndjekur politik që nga vitet e pesëdhjeta së bashku me Adem Demaçin, Ali Aliun e Preshevës më vonë njohur për mes Mehmet Mehës edhe me Selman Berishën e Zeqir Gërvallën etj.

Emin Latin e mbaj mend më pak, isha më i ri atëbotë, Të tjerët po, deri tek legjenda Jashari i kam njohur shumë mirë, i kam shërbyer me bukë, kafe e çaj, i kam dëgjuar me shumë vëmendje rrëfimet e tyre, i kam prekur dhe ledhatuar me dorë armët e tyre, ndihem me fat që i kam njohur, i kam admiruar dhe do vdes me admirimin e pafund për ta!

Kur jam rritur e pjekur, kam ndier për borxh moral dhe obligim kombëtar, që të bëj edhe monografi për Tahir Mehën, Baladë dhe shkrime të pareshtura për Shabanin, Hamzën e Adem Jasharin dhe për dhjetëra trima tjerë që ranë për të mos vdekur kurrë. Jam përpjekur dhe nuk ngurroj së vepruari për këta burra te dheut, që të shkrihem së bashku me pendën time në dorë, për ta përhapur rrezet e diellit që këta trima me shumë përkushtim ia falen lirisë së atdheut.

RKL. Kur ju kanë arrestuar dhe me cilët protestues ju kanë dënuar?

– Arrestimi im ka qenë pak sa interesant. Unë isha njëri nga ata që kisha marrë pjesë aktive në të gjitha demonstratat e viti 1981, mbajtur në Prishtinë e gjithandej Kosovës, si me 11, 26, 1 dhe 2 prill të atij viti. Është diçka e papërshkrueshme, madhështore dhe e papërsëritshme tek shihje çdo shtresë të shoqërisë sonë (me përjashtime të vogla), që po kërkonin liri: Studentë, nxënës, punëtorë, bujq, gra, nëna, motra, punëtorë shëndetësor, të arsimit, të gjithë të gjithë… Me që kisha rënë në sy, ish organet e pushtuesit më kishin kërkuar që me datën 26 prill në Prekaz! Nga se, me 26 mars kisha përbaltur flamurin e Jugosllavisë mu në qendër të Prishtinës. Më pastaj kalova në ilegalitet, dhe në Prishtinë për një kohë të gjatë shpërndaja parulla dhe afishe, deri edhe në ish qendrën e mallrave “Gërmia”, në rrugë dhe rrugica të qytetit, madje këto afishe i fusja edhe nën fshesat e xhamave të makinave të milicisë serbe që ishin të parkuara në qytet, me titull: “Besa-Besë!”, kështu ishte ajo kohë, isha i ri mbushur me plotë energji, ideal e atdhedashuri. Edhe 100 herë po të përsëritje ajo kohë; prapë njëjtë do të veproja, pa asnjë hamendje…  Më arrestuan në Skenderaj me 13 korrik 1981. Me atë rast unë kisha shkuar me shokët atje për të gjetur dhe shqyrtuar mundësinë e organizimit të demonstratave të reja.

RKL. Ku iu kanë dërguar në vuajtje të dënimit dhe cili ka qenë trajtimi nga
organet e hetuesisë dhe burgjeve?

– Pavarësisht rezistencës dhe kundërshtisë sime, arritën të më arrestojnë, më mbajtën fare shkurt në Skenderaj dhe më dërguan në burgun hetues në Mitrovicë. Aty më mbajtën për rreth 6 muaj nën hetime e çeli. Më dënuan në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë me 8 vite burg, shkalla e parë, Gjykata e lartë në Prishtinë pas rishqyrtimit të lëndës në shkurt të viti 1982 më plotë fuqizoi dënimin në 5 vite burg të cilat i kam vuajtur në Zabella të Pozharevcit në Serbi, që nga dita kur jam arrestuar, dënimin në tërësi e kam vuajtur në izolim të plotë në Pavijonin Nr. 7.

Jam dënuar së bashku me të akuzuarit që përbënin grupin time: Mehmet Bislimi, Muhamet Gashi, Ismet Kabashi, Ilir Novosella, shumë të tjerë, ne shokët jemi përpjekur që në hetuesi t’i shpëtojmë nga ndjekja penale etj., si Fejzë Veliun, Ismajl Ismajlin, Qazim Ahmetin, Ismail Feratin, Adem Gjelen, Zylfije Jusufin, Hajrie e Hyrë Gashin, Mihrije Mustafën, Shaban Sokolin, Naile Dushin, Hanife Osmanin, Halil Maxhunin, Syzana Tahirin etj. dhe këtë ia kemi arritur, jemi dënuar vetëm katër veta me burg të rëndë, të tjerët janë liruar, kush më herët e kush më vonë, të shumtën kanë mbajtur dënim kundërvajtjeje. Të paktën, jemi përpjekur që të japim maksimumin e mundshëm për të shpëtuar shokët. Më vonë kanë burgosur dhe kanë torturuar rëndë edhe vëllain tim Ismet Bislimin, dhe atë në dy- tre raste, në distancë të ndryshme kohore. Në mungesë faktesh nuk kanë arritur të ngritin vepër penale ndaj tij, përkundër torturave barbare që kanë ushtruar mbi te.

Vetëkuptohet, sjelljet e hetuesisë së UDB-ës së atyre kohëve, nuk ishin humane, përkundrazi ato ishin të egra dhe shumë të rinj që kanë kaluar nëpër hetuesi edhe sot vuajnë pasoja të rënda shëndetësore. Ne ishim të rinj (rreth të njëzetave e ca më shumë), prandaj nuk ishte i lehtë ballafaqimi me UDB-ashë të regjur, të cilët ishin në garë për të dëshmuar devotshmëri dhe lojalitet ndaj pushtuesit Serb, fatkeqësisht pjesa më e madhe e këtyre UDB- shve atë kohë në Kosovë ishin shqiptarë!

RKL. Na tregoni për qëndrimin në burg të Mitrovicës, Prishtinës dhe Zabelës së Pozharevcit, takimi juaj me shokët atje dhe qëndrimi juaj gjatë vuajtjes së dënimit?

-Po,  me sa më kujtohet diku në janar të vitit 1982 na transferuan në Kazamatet e Zabelës së Pozharevcit, ku vuajtëm pjesën tjetër të dënimit. Atje ishim shumë shqiptarë, djem të shkëlqyer, të denjë dhe të patrembur të dënuar për veprimtari politike. Ishte fat që ai brez para pushtuesit Serb po prezantonte një epokë të një gjenerate të re e cili me stoicizëm e krenari po bënte historinë më të re. Këta ishin: Halil Alidema, Nezir Myrtaj, Afrim Zhitia, Fadil Vataj, Ismail Haradinaj, Sami Kurteshi, Ali Lajçi, Bardhyl Mahmuti, Halil Selimi, Sabit Veseli, Taip Zeka, Hasan, Shaban e Fetah Shemsiu, Nazmi Hoxha, Mehmet Bislimi, Selim Luli, Bajram Gashi, Beqir Beqa, Ibrahim Xhemajli, Emin Kelmendi, Milaim Jashari, Muhamet Haklaj, Murat Bytyçi, Bahtir Ahmeti, Bedri Bahtijari, Ymer e Bejadin Hasani, Reshat Avdiu, Abdyrrahim Limani, Burhan Hasani, Afrim Hoti, Sejdi Leku, Sherif Krasniqi, Pajazit Krasniqi, Bajrush Xhemaili, Ramadan Avdiu, Adem Grabovci, Ibrahim Krasniqi, Hamëz Kryeziu, Sadik Sutaj, Naim Shala, Fehmi Berisha, Sokol Metaj, Kadri Luzha, Alajdin Rrahmani, Xhevat Ademi, Agim Kasami, Nuhi Muhadri, Ibrahim Kelmendi i Dushnovës, Skender Ibishi, Avdi Krasniqi, Sami Qorolli, Bajram Qorolli, Ismail Syla, Tahir Turkaj, Rrahman Krasniqi, Rifat Kafexholli etj. Këta djem të paepur (një pjesë e madhe e të cilëve nuk janë më në mesin ton), përkulje deri në tokë para madhështisë së veprës së tyre, të cilët mbi supet e tyre të njoma po bartnin që nga 3,4,5 e deri në 15 vite burg të rëndë që atë botë na kishte dënuar pushtuesi Serb!

Ky dënim drakonik, vetëm sa na kishte forcuar dhe bindur se rruga drejt lirisë sonë ishte e drejt dhe e pashmangshme. Të gjithë këta djem, mbajtën burgun pa u lakuar, pa u thyer, mbajtën çeli e izolime, bëmë kundërshtime, peticione, organizime e deri greva urie për të treguar fuqinë dhe vendosmërinë tonë para pushtuesit gjakatarë. Nga burgjet dolëm edhe më të fortë seç kishin hy, dolëm edhe më të bindur se liria dhe bashkimi i atdheut nuk kishte as alternativë dhe as çmim tjetër- veç atë të përkushtimit dhe sakrificës për diçka të shenjtë, siç ishte liria e atdheut tonë të përbashkët!

RKL. Pas lirimit nga burgu, si e keni gjetur Prekazin, Kosovën dhe me çka jeni marrë? 

-Pas mbarimit të dënimit, Prekazi dhe Kosova, tani më ishin të zgjuar! Së pari më vizituan të gjithë farë e fisi, mbarë Prekazi, që kisha dalë gjallë, shëndosh i përgatitur dhe më i kalitur nga burgu. Kjo fliste më shumë seç prisja unë, kjo më bëri me krah dhe më forcoi edhe më bindjen se duhej vepruar. Për vizitë ishin edhe bacë Shaban Jashari me Hmzën dhe Ademin të cilët më uruan për dalje shëndosh nga burgu. Më vonë filluam me mënyrat e organizimit dhe vumë lidhjet, që në një formë ishin shkëputur. Ne u përpoqëm që të ishim prezent kudo në gjirin e popullit si me: Pajtimin e gjaqeve, organizimin e rojave, organizimin e protestave të ndryshme, shkuarjes në Shqipëri për pajisje me armatim etj.

Pajtimi i gjaqeve dha një rezultat të shkëlqyer mobilizues shpirtërorë të populli ynë. Rojat i organizuam me mbështetje të LPRK-ës, për të matur pulsin ton se sa ishim gati për një mobilizim në një shkallë më të gjerë. Në këtë mes edhe LDK, po luante rolin e vet, por provonte qasje pasive, dhe shtizat u thyen këtu, ngase LDK, sugjeronte që rojat të mos bartnin e as përdornin armët! Ne, ngulem këmbë se mbrojtja do bëhej vetëm me armë, dhe kështu u vendos pavarësisht insistimit të krahut pasiv.

RKL. Si rrodhen ngjarjet më tutje z. Bislimi?

-Po, ne vazhduam pa u hamendur. Së bashku me shokët, bëmë projektin dhe vazhduam detyrat: unë isha zgjedhur përgjegjës për Prekazin e Epërm, Besim Ramën e kisha zëvendës, ndërkaq Adem Jashari ishte përgjegjës për Prekazin e Poshtëm, ky lloj organizimi u zgjerua gati në të gjitha fshatrat e Skenderajt, madje në forma të ndryshme u shtri edhe në shumë komuna të Kosovës. Më pastaj filluan celulat e para luftarake që rreshtoheshin pas Adem Jasharit si: Besim e Rafet Rama, Jakup Nura, Adem Nura, Sahit e Musë Jashari, Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Nuredin  Lushtaku, Fadil Kodra, Zenun Kodra, Beqir Meha, Xhemë Kodra, e më vonë dhjetëra të tjerë si Emin Lati i ri, Musli Geci, Muharrem Shala, Jetullah Geci, Abedin Rexha, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi e dhjetëra atdhedashës  tjerë.

Në vitin 1992, GOR-i, filloi organizimin dhe riorganizimin e Lëvizjes. Për rrethin tonë, pas mbledhje që ishte mbajtur paraprakisht në shtëpinë time, ku morën pjesë gati të gjithë ish të dënuarit të Komunës së Skenderajt, mbledhja e radhës u mbajt në shtëpinë e Sami Lushtakut ku ishte i pranishëm Ramadan Avdiu, Hashim Thaçi, Mehmet Bislimi, Ilmi Zeka, Jakup Nura, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Rrahim Rama dhe të tjerë që kam mundur t’i harroj, ku u mor vendim që organizatës bazë t’i propozohet formimi i krahu politik dhe ai luftarak. Ilmi Zeka prezantoi Këshillin e Rrethit tonë në Mbledhjen e tretë të organizatës, unë përfaqësova Këshillin e Rrethit në Mbledhjen e Katërt që u mbajt, në Prishtinë me 1993,  ku u vendos që të bëheshin përgatitjet për luftë të nivelit më të gjerë, dhe LPRK kaloi në LPK, duke përfshirë edhe viset tjera shqiptare nën pushtim. Ishin Prezent përfaqësuesit e gati të gjitha rretheve në nivel të viseve shqiptare si: Ramadan Avdiu, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Halil Selimi, Xheldin Gashi- Plaku, Xhavit Haziri, Mehmet Bislimi e dhjetëra tjerë… nga mërgata ishin prezent: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Sabri Kiçmari, Bilall Sherifi etj.

RKL. Në atë kohë, Adem Jashari pas rezistencës së viti 1990-1991, së bashku me shokë, ishte me armë krahut, si rrodhën  ngjarjet më tej?

 

-Rrethimi ishte i hekurt, por në saje të vigjilencës dhe vendosmërisë së burrave të Jasharëve, Ademi, Hamza dhe Rifati shpërthyen rrethin, duke lënë të plagosur disa milic serb. Bacë Shabanin me familjen kishin mbetur të barrikaduar. Bashkëfshatarët u mobilizuan me atë që kishin, unë u takova së pari me Hamzen, pastaj me Aemin, Rifatin, Zymer Mehen e dhjetëra tjerë që bënin rezistencë në atë rrethim. Rezistenca e asaj dite, dha sinjalet e para se pushka ia le edhe Serbisë! Ne, u ndamë pa humbje në njerëz, pavarësisht zjarrit që milicia Serbe volli mbi luftëtarët e lirisë. Pati të plagosur, si i biri i Gani Mehajt dhe më rëndë Vesel Selimi. Mbi të gjitha u vërejt se kishte nevojë emergjente për armatim. Organizata mori përsipër furnizimin me armatim, në këtë mes unë vura kontaktet  me Ramadan Avdiun, HashimThaçin në Prishtine dhe me vonë me Azem Sylën, Ali Ahmetin dhe Emrush Xhemailin në Tiranë. Beqir Berisha më siguroi lidhjet me Kadri Ladorishtin dhe Naser Hanin, dhe në vitin 1992, pasi u konsultova edhe me Hamëz Jasharin, unë dhe Sali Maliqi kaluam në Shqipëri.

Atje patëm takime me Fatos Nanon dhe Gramoz Rucin për të marrë mbështetje për rrethet ku ata kishin ndikim dhe pushtet politik atë kohë. Takimin tonë e aranzhoi Sokol Peza, nipi i Myslym Pezës- Babë Myslymit. Kjo lidhje funksionoi mirë, por për shkaqe të ndryshme nuk pati ndonjë efekt për të qenë i cili do të arrinte të përmbushte kërkesat e shtuara për armatim. Duke u zgjeruar rrethi, armiku arrestoi disa nga veprimtarët, disa kaluan në ilegalitet dhe disa në arrati. Në këtë mes për të ndihmuar organizimin e mirëfilltë (pasi që u konsultova me Hamzë Jasharin), në vitin 1994 kalova në Shqipëri, po atë vit ca më vonë kalova në Zvicër dhe bëmë aq sa ishte e mundur për të shtrënguar radhët e UÇK-ës, për të ndihmuar ata me armatim e furnizim logjistik, gjëra që deri diku janë të njohura për opinioni shqiptarë. Me Hamzën dhe Ademin, deri pak ditë para së ata të binin për liri, kam mbajtur lidhje telefonike, ndërkaq me Rifatin në Gjermani, jam takuar shumë herë dhe jemi munduar që të kontribuojmë në shërbim të çështjes, mirëpo kjo nuk do të thotë se ia kemi dalë me sukses- të paktën kemi bërë përpjekje dhe nuk kemi bërë sehir!

 

RKL. Në vitet e 90-ta, jeni detyruar të largoheni nga Kosova, keni shkuar në
Zvicër, cila ishte veprimtaria juaj atje, në kuadër të Lëvizjes në përgjithësi e veçmas në LPK?

-Me të mbërritur në Zvicër nuk jemi ndalur për asnjë moment. Kemi mbajtur menjëherë Mbledhjen e 5 të Përgjithshme të LPK-ës, pastaj të atë 6-ten e kështu me radhë. Duke qenë edhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë së organizatës më vonë, kemi marrë obligime të rëndësisë së veçantë, duke dhënë gjithçka nga vetja, deri edhe futjen brenda përkrah luftëtarëve të lirisë. Jo pak djem e burra të dheut, kanë lënë luksin e perëndimit dhe kanë dhënë jetën për atë tokë të zhuritur, mërgata ka dhënë mbi 100 dëshmorë, para të cilëve duhet të përkulemi me respektin më të thellë. Atyre lavdi e përjetshme, vepra dhe përkushtimi i tyre në shërbim të çështjes sonë të pazgjedhur, nuk ka çmim tjetër- veç lirinë dhe bashkimin e atdheut, atyre Lavdi e përjetshme!

Kemi bërë përpjekje të pareshtur që të  mobilizojmë masat e mërgimtarëve, atdhedashës të devotshëm të cilët lirinë e atdheut e kanë ndihmuar pa kursim. Janë mbajtur me qindra mbledhje dhe tubime të karakterit mobilizues në gjithë Evropën, deri në Amerikë e Australi. Respekt, nderim dhe mirënjohje për të gjithë ata që ndanë edhe kafshatën e gojës për të ndihmuar atdheun. Ishin me qindra shokë të palodhshëm, me qindra kontribuues që nuk pushuan për asnjë çast. Do të bëja gabim të pafalshëm nëse i përmendi me emra, ngase cilin do ta harroja do të më vriste ndërgjegjja përjetë, janë aq shumë sa që për veprimtarinë e së cilit veç e veç dhe si tërësi, do duhej të shkruhen libra të tërë, ajo kohë do vjen!… të gjithë të tjerët kanë vepruar më shumë se ne organizatorët, ngase ne, pa vullnetin dhe atdhedashurinë e tyre, nuk do të mund as të bënim tubime, as nuk do mund të nxirrnim gazetën, as nuk do të mund të kishim qendrat e organizimit, as të mobilizimit, as të ndihmës së luftës etj.

Sot Kosova ka Institucionet e veta, mërgimtarët presin më shumë mbështetje për të dhënë më shumë për atdheun. Kjo gatishmëri nuk mungon, por shteti ynë duhet të ofroi më shumë hapësirë e siguri për ta, në mënyrë që ata të investojnë lirshëm për ta përparuar atdheun.

Atdhe, kush të do më shumë se unë, dhe nëse të gjithë themi e veprojmë kështu:

“Atdhe kush të do më shumë se unë!”…, atëherë do ta bëjmë atdheun të qenë!

Përkulje deri në palcë para të gjithë atdhedashëseve, dëshmorëve dhe familjeve të tyre që dhanë aq shumë për atdheun tonë të përbashkët, ka mbetur edhe shumë për të dëshiruar!…

RKL. z. Bislimi, me krijimtari letrare keni  filluar të merreni që herët. Keni botuar në ”Bota e re”, në ”Alternativa”, në ”Rilindja”, në “Epoka e Re”, “Zëri i Kosovës”, ne “Rruga jonë”, në  “Shekulli”, “Tribuna” e dhjetëra portale gjithandej.

-Krijimtaria letrare dhe arti në përgjithësi, më tepër është një dhunti, pa dyshim do punë, përkushtim dhe intuitë për të kapur gjërat. Talent dhe përgatitje intelektuale, kulturë leximi dhe dëgjimi kur je afër njerëzve të ngritur e përgatitur, bashkëpunimi me ta etj.

Unë, kam krijuar, ose të hiqem më modest: jam munduar të krijoj në disa gjini, si në atë të poezisë, prozës, analizës politike por edhe në rrafshin social. kujtime dhe evokime për figura të ndritura, anekdota, mendime të urta autoriale etj., kam edhe disa vepra të botuara, por edhe disa të gatshme për botim e kështu me radhe. Krijuesi duhet ta shfrytëzoj kohën maksimalisht, duke ecur paralele me te. kam mbi 300 artikuj të ndryshëm të publikuar në gazeta e portale të ndryshme anë e këndë tokave shqiptare, por edhe në diasporë.

RKL. Ç’  është krijimtaria për ju dhe si ndiheni kur krijoni e botoni?

-Thënë të vërtetën, këtë e kuptojnë vetëm ata që krijojnë; pra krijimtaria për mua është vet jeta ime, pa të cilën nuk mund ta kaloj kohën. Këtë përcaktim e kam zgjedhur vet, nuk ma ka imponuar askush, aty e kaloj kohën duke gjurmuar dhe duke i lënë në letër ato ngjarje të cilat një ditë do t’i duhen të ardhmes!

Më se e saktë; sot krijuesi është në një pozitë shumë të pavolitshme. Ai vet duhet të krijoj, vetë t’i botoj veprat e veta, vet t’i financoj, vet t’i shpërndaj ato, dhe krejt në fund të harroj mundin dhe respektin, cili është shpagimi nga e tërë ajo që ke dhënë!…

Megjithatë, krijimtaria letrare dhe pjesë tjera të zhanreve artistike, janë një botë në vete, që jo gjithkush mund t’i realizoj dhe kurorëzojë, drejt rrugëtimit të botës së re që do vjen për brezat që do të na pasojnë, ne atyre këtë mund do ua lëmi si trashëgim. Në fakt, nisur nga ky “zhgënjim”, nuk kam botuar më, që gati katër vite dhe në kompjuterin time kam të gatshme katër botime të cilat duan dorën e fundit të faqosjes dhe botimit, por…

RKL: Krijimtaria letrare e Mehmet Bislimi përfshin shkrime publicistike, anekdota, humor, satirë, poezi, prozë, mendime të urta autoriale. Ka të botuara mbi 300 artikuj të ndryshëm me karakter politik e social.

Deri tani, Mehmet Bislimi ka botuar: 

1. ”Anekdota popullore dhe satira autoriale”, Prishtinë 2002

2. ”Trëndafila maji” – poezi, Prishtinë 2002

3. ”Fjalë dhe gurë” – poezi, Prishtinë 2003

4. “Këtu i thonë Drenicë” – Tahir Meha – Monografi, Prishtinë 2004

5. “Ironi e verdhë” – poezi, Prishtinë 2005

6. “Stinë e vonuar” – poezi, Prishtinë 2008

7. “Shkrime publicistike”, Prishtinë 2009

8. “Anekdota popullore dhe satira autoriale II” – Prishtinë 2010

9. “Mehmet Delia- ose  Mehmeti i Vogël”- Monografi, Prishtinë 2011

10. “Shpirtndrituri” – poezi, Prishtinë 2012

11. “Burrëri e lagur” – poezi satirike, Prishtinë 2012

12. “Lirikat e fjetura”- poezi lirike, Prishtinë 2013

RKL. z. Bislimi, të falënderojmë për bashkëpunimin.

-Qofshi të nderuar e respektuar. Thënë të vërtetën, Radio Kosovën e Lirë e përcjellë gjithherë me vëmendje të veçantë. Aty dhe vetëm aty lexuesi e gjënë të vërtetën e shkruar, të paanshme, pa iluzione dhe të thënë troç e shqip. Si në profilin e informimit, në atë të analizave politike, në atë të kulturës dhe në përgjithësi, lexuesi aty pasurohet me një gamë të gjerë njohurish. RKL, është një dritare e ndritshme, njëra ndër më të ndritshmet në tërë trevat shqiptare!

Wiesendangen, dhjetor 2017

Kontrolloni gjithashtu

Dr. spec. Selami Sylejmani flet për Dr. Faherdin Hotin

Dr. spec. Selami Sylejmani flet për Dr. Faherdin Hotin

Të kërkoni nga unë që të flas për Dr. Faherdin Hotin, dhe ti shpalos kujtimet ...