RKL: Kthimi i kontrollit kufitar në veri nga Qeveria në pajtim me KFOR-in dhe EULEX-in shënon një fitore, edhe pse të vonuar

 


Kthimi i kontrollit kufitar në veri të vendit nga Qeveria e Kosovës,  në pajtim  dhe bashkëveprim me KFOR-in dhe EULEX-in, hap një kapitull të ri për vendin dhe shtron për zgjidhje përfundimtare pjesën veriore të Kosovës, e cila që 12 vjet rresht ka mbetur peng i veprimeve destruktive dhe antishqiptare të  Beogradit zyrtar dhe miqve e aleatëve që ka Serbia në Azi dhe në Evropë.


 


Rikthimi i pikave të kontrollit në Jarinë dhe në Bërnjakë, edhe pse tani për tani duket një rikthim deri diku i improvizuar dhe nuk lë shumë për të shpresuar, (meqë aksioni për kthim është bërë nga ajri), megjithatë,  Qeverisë së Kosovës i ka shtuar autoritetin dhe kredibiliteten shumë vjet të nëpërkëmbur. Qeveria  ka marrë një mbështetje të gjerë nga BE-ja, NATO-ja, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. 


Po ashtu, veprimi i koordinuar tregon mirëfilli gatishmërinë e faktorit ndërkombëtar për të vendosur rend dhe ligj në tërë territorin e Kosovës, meqë pikë-kalimet kufitare në Bërnjakë dhe në Jarinë janë shfrytëzuar nga kontrabandistët dhe trafikantë serbë e të tjerë, të cilët kanë futur mallra në Kosovë, pa paguar doganën dhe pa i lajmëruar fare ato.


Këtë formë të kontrabandimit e kanë kritikuar edhe opozitarët në Serbi si Qedomir Jovanoviq, Vuk Drashkoviq e të tjerë, të cilët i bëjnë thirrje Beogradit zyrtar ta njohë realitetin në Kosovë, qoftë edhe pa e pranuar pavarësinë, sepse Plani i Ahtisarit iu garanton serbëve shumë të drejta, që nuk i kanë pakicat në asnjë vend të botës. Realisht, serbët në veri të Kosovës janë shumicë dhe ata kurrë nuk do të pajtohen të qeverisen nga Prishtina, por duhet të binden se territori i takon Kosovës, ndërsa për formën e vetëqeverisjes ata tashmë e kanë një plan të njohur dhe të pranuar ndërkombëtar, që ofron zgjidhjen më të mirë të mundshme.


Fakti, se serbët në veri që 12 vjet kanë jetuar me iluzione se kjo pjesë nuk do t’ i kthehet kurrë Kosovës, bën që ata të mos heqin dorë lehtë nga kërkesat e tyre, të cilat janë nxitur dhe janë yshtur nga Beogradi zyrtar, i cili i ka instrumentalizuar në të gjitha segmentet e veprimit politik dhe administrativ.


Deklaratat luftënxitëse të disa autoriteteve të larta të Serbisë lidhur me veriun i kanë hegjemonizuar serbët e kësaj pjese të Kosovës rreth idesë së ndarjes, apo të krijimit të një autonomie të fortë territoriale, ku Kosova nuk do të ushtronte asnjë ndikim. Këtë plan e ka mbështetur edhe shefi i ZCN-së në Kosovë, Piter Fait, i cili ka kërkuar për serbët një autonomi speciale si,  “Ahtisari Plus”.


Iluzionin, se pjesa e veriut të Kosovës, i  takon Serbisë e ka yshtur edhe kreu i Kremlinit dhe shtetet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.


Ambasadori rus në Serbi, Aleksander Konuzin, në një konferencë për sigurinë rajonale të mbajtur, në Beograd, ka reaguar me agresivitet kundër serbëve, të cilët sipas tij po qëndrojnë indiferentë me rastin e rikthimit të Policisë së Kosovës në veri. Ai është shprehur tërë mllef dhe tejet i revoltuar ka lëshuar sallën ku po mbahej konferenca, për shkak se serbët e pranishëm nuk kanë diskutuar lidhur me kthimin e Kosovës në veri. Ngjashëm ka vepruar edhe ambasadori i Rusisë në OKB, Vitalij Çurkin, i cili në mënyrë skandaloze i ka ndërhyrë në fjalë ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i pranishëm në KS të OKB-së, duke e kërcënuar se ai nuk ka të drejtë të flasë pa praninë e shefit të UNMIK-ut.


Ambasadorët rusë: Çurkin dhe Konuzin duken shumë të shqetësuar me lodhjen dhe demoralizimin e serbëve, të cilët tashmë po binden se nuk mund të luftojnë kundër tërë botës, ashtu sikur ka pranuar me dëshpërim ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili konstaton se  bashkësia ndërkombëtare është jo e sinqertë dhe mban anën e shqiptarëve, por Serbia nuk ka zgjidhje, sepse nuk ekziston tjetër Këshill i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pos atij, vendet anëtare të të cilit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Serbia nuk mund të luftojë kundër tërë botës.


Duket se Kremlini dhe Beogradi më në fund e kanë kuptuar se Kosova ka mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, dhe kthesa historike që ndodhi në vitin 1999, kurrë më  nuk mund të zhbëhet. Megjithatë, në Serbi dhe gjithandej ku ende gjallon përpjekja për hegjemoni dhe sundim,  ka do të ketë elementë që do ta nxjerrin kokën kohë pas kohe, sepse ata  nuk do të pajtohen lehtë me realitetin, me humbjen e kolonive, të sundimit dhe dominimit mbi të tjerët   e bashkë me të edhe zbehjen e miteve për të kaluarën e  tyre të “lavdishme”, e cila nuk u solli asgjë tjetër pos traumave dhe tragjedive  shekullore, individuale e kolektive,  atyre vetë,  si dhe gjitonëve të pafajshëm.


Kthimi në veri, padyshim se  shënon një fitore për Qeverinë dhe Shtetin e Kosovës në përgjithësi, meqë stopon idenë për ndarje, por Veriu i Kosovës do të mbetet edhe më tej temë bosht e bisedimeve, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë por për këtë çështje do të diskutohet edhe në nivele të tjera të larta ndërkombëtare.


Sido qoftë, kthimi i kontrollit, qoftë edhe i natyrës improvizuese, aplikimi i masave të reciprocitetit me vendet fqinje, injorimi i produkteve të Serbisë,  nga qytetarët shqiptarë të Kosovës, janë disa të arritura që japin për të besuar  se Kosova megjithatë po ecën në rrugë drejt një ardhmërie më të sigurt.

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …