RKL: Ndjenja e vëllazërisë ortodokse, mbase edhe internacionaliste, në Korçë u tregua më e fortë se ajo nacionaliste, “kosovare”

RKL: Ndjenja e vëllazërisë ortodokse, mbase edhe internacionaliste, në Korçë u tregua më e fortë se ajo nacionaliste, “kosovare”

Nuk është aq e largët koha kur 22 vjet më parë, portat e shqiptarëve në Shkodër dhe në Korçë  ashtu sikur edhe në qytete e lokalitete të tjera të Shqipërisë, ishin hapur krah e krah për të pritur shqiptarët nga Kosova, që iknin nga vendi si pasojë e dhunës dhe barbarisë histerike serbe, mbi shqiptarët.

Pavarësisht se shqiptarët që kishin ikur nga vendi i tyre, pjesa dërrmuese ishin të besimit islam, vëllezërve ortodoksë të Korçës, as atyre ortodoksë e katolikë të Shkodrës, nuk u interesonte përkatësia fetare, sepse kasapi i Ballkanit, Millosheviq me kasapët e vet,  nuk i masakronte shqiptarët e Kosovës, sepse  ishin myslimanë, ( edhe pse bënte përpjekje për t i paraqitur  si muxhahidë) por sepse ishin shqiptarë dhe kërkonin lirinë e tyre, jo vetëm me dy gishta përpjetë e me të lutura, sikur bënte pjesa pacifiste e Ibrahim Rugovës, por edhe me armë në dorë që i merrnin, ku tjetër pos në Shqipëri, sikur i kishte marrë edhe vetë Adem Jashari me trimat e trimëreshat e UÇK-së.

Kisha shqiptare ortodokse, nën sundimin e Kishës greke të Janullatosit, për këto tridhjetë vjet, e ka zbehur një pjesë të kujtesës historike, mbase sepse, “nuk jetohet tërë jetën duke e vajtuar të kaluarën”, por edhe sepse kthimi në përkatësinë fetare, madje në një masë të madhe edhe lulëzimi i saj i shpejtë, manifestohet edhe me ndjenja e aspirata fetare.

Këto ndjenja nuk ka kush t’i  ndalojë, sikur kishte ndodhur dikur, dhe kjo “ringjallje” tani po e përjeton një “renesansë” të vërtetë, madje duke kaluar edhe në tepri e radikalizëm fetar, por jo vetëm ndër shqiptarë.

Lidhja e Shenjtë Ortodokse në Ballkan, e ka edhe bekimin e Vatikanit, të Moskës ortodokse po se po. Dhe në këtë lidhje, Greqia e Serbia kanë kreun, ndërsa Shqipëria, si kudo ka fundin, bishtin, sepse Kishën ortodoksisë autentike, shqiptare, e ka varrosur greku antishqiptar, Janullatos me bekimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët e kanë shpallur edhe qytetar nderi të Shqipërisë.

Andaj Korça me shumicë ortodokse, nuk ka pse të mos mirëpresë një Bregoviq, por të ishte vetëm këngëtar i njohur, sllav me origjinë dhe ortodoks me fe.

Por Bregoviqi, është kodër pas bregut.

Ai si shumë këngëtarë të tjerë serbë e sllavë, është këngëtar që madhëron kriminelët, këngëtar që mohon krimin serb në Srebrenicë, këngëtar që iu këndon kallashëve të ushtrisë së Milosheviqit, Mladiqit, Arkanit dhe kriminelëve me famën më të keqe për të gjitha forcat përparimtare, qofshin ato edhe në ish-mini  shtetet e Jugosllavisë, tashmë të varrosur.

Nuk mund të jetë e mirëpritur kënga e Bregoviqit edhe kur ai këndon “kosovaren”, përkundrazi kjo është një fyerje më tepër para publikut të Korçës,  për mijëra gra të Kosovës të dhunuara nga serbët gjatë luftës.

Shqiptarët e Kosovës, e kam fjalën për idealistët që në vazhdimësi kanë qenë në anën e duhur të historisë, janë martirizuar e më në fund kanë marrë edhe armët për të luftuar kundër regjimit  më fashist të kohës, me të drejtë ndihen të zemëruar dhe të pezmatuar me këtë veprim të Kashkisë së Korçës, por ata dinë të bëjnë dallimin mes një kryebashkiaku, cilin do emër ta ketë dhe qytetarit korçar, shqiptarit të edukuar me veprat e Çeriqiz Topullit, Mihal Grames, Petro Nini Luarasit, Pandeli Sotirit e qindra të tjerëve.

Bregoviqi, erdhi në Korçë, këndoi, fitoi dhe shkoi.

Këtë ia kanë  mundësuar shqiptarët andej Kufirit. Në një situatë tjetër si kjo do  të ia kishin mundësuar edhe shumë simpatizantë jugo-kosovarë në vendin tonë.

Ky rast la  shije të hidhur e të keqe edhe për pushtetarët e zyrtarët, por edhe kjo do të harrohet, ashtu sikur është harruar koncerti i Cecalinës së Arkanit, në Shkup, ku kanë marrë pjesë mbi gjashtë mijë shqiptarë, art e këngë-dashës të saj nga Kosova, në vitin 2004.

Ka Bregoviqi në mal me brigje e kodra simpatizantësh në Kosovë, madje edhe emra të njohur, të cilët, nuk do t i përmendim kësaj radhe. Andaj pse t’ i biem aq shumë në qafë një kryebashkiaku të Korçës, kur këngët malazeze e serbe dëgjohen kudo në Shqipëri, në një kanal të TVSH-së, nëpër shumë radio, në Shkodër e rrethinë po se po.

Çuditërisht në kohën e “Diktatorit” Enver Hoxha, marksist dhe internacionalist i njohur, Radio Tirana  e më vonë as RTSH-ja nuk ka lëshuar këngë serbe as sllave, greke as turke. Në reporterin e “Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë” këndohej ndonjë këngë e ndonjë populli nikoqir, grek, turk, algjerian, francez, por kurrë ndonjë këngë sllave apo serbe.

Këngët e mira dhe këngëtarët e popullarizuar nuk njohin kufij shtetesh, por nuk janë të tillë Bregoviqët, Gjorgjeviqët, Zmijanacët  e soji i tyre. Mund të këndojë Glykeria e këngëtarët grekë kudo në festivalet e Shqipërisë, sikur edhe këndojnë, po ashtu këndon atje edhe Dasho Kurti e këngëtarë të tjerë me origjinë shqiptare.  Po me siguri se nuk do t iu lejohej të këndonin atë këngën e njohur greke, marshin ushtarak grek, ku ata betohen se me lëkurët e shqiptarëve e turqve do të bëjnë rripat e tyre.

Nuk e di cili këngëtar turk ka kënduar në Kosovë, këngë që lëndon ndjenjat e serbëve apo sllavëve, dhe nuk e di a kanë fare në programet e tyre, këngë të tilla.

Por cili është programi i këngëve nacionaliste e fashiste serbe më së mirë e dimë ne, në Kosovë, sepse i kemi dëgjuar edhe detyrimisht, sidomos ne, që kemi mbajtur vite të tëra nëpër burgjet e kazamatet e Jugosllavisë e të Serbisë. Dimë po ashtu se si i kanë pritur dhe si janë ekzaltuar dikur   jugo-shqiptarët me këngët e bendit, “Bijelo Dugme” dhe me grupet e tjera të këngëtarëve serbë, kroatë, malazez.

Dimë edhe ne këtu në Kosovë e më gjerë  të këndojmë këngë kundër “shkive”, kundër Gjurës, që po e fëlliqte kroin e shqiptarit me turirin e derrit, dimë të këndojmë edhe këngën e Ibrahim Pashës, ku taborët me shqiptarë vrasin, grijnë e therin banditë grekë, që u kishin masakruar fëmijët shqiptarëve, dhe duart e tyre me sandëk ia kishin dërguar Sulltanit në Stamboll, por nuk kemi kënduar as këndojmë këngë të tilla në bina, në salla të mëdha, jo në festivale, jo në vendet fqinje.

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKA – INDUSTRIA E PRODHIMIT TË KRIMIT NË VENDIN TONË

POLITIKA – INDUSTRIA E PRODHIMIT TË KRIMIT NË VENDIN TONË Nuk ka ndodhur kurrë gjatë …