RKL: Në Drenicë janë shpallur më pak dëshmorë sesa ka aktualisht

Është e nevojshme dhe më se e domosdoshme të  përcaktohet definitivisht numri i dëshmorëve, sidomos në rajonin e Drenicës, ku janë shpallur më pak dëshmorë, sesa kanë qenë në të vërtetë, ndërsa në disa zona të luftës, u shpallën më shumë dëshmorë, sesa ishin të evidentuar në regjistrat e parë të dorëzuar në SHP të UÇK-së  në fund të luftës, regjistra të cilët komandantët e zonave ua kanë ofruar Redaksisë, “Dëshmorët e UÇK-së” në vitet 2000/2001. Edhe kriteret për shpalljen e veteranëve kanë shumë të meta dhe konfuzion në përmbajtje. Në saje të rrethanave dhe përshkrimit të aktivitetit të veteranit, do të duhej të kishte shkallëzim të statusit, si për shembull veteran i klasës  të parë, të dytë dhe të tretë. Kjo për shkak se nuk mund të shpallet veteran i njëjtë, ai që prej fillimi të luftës ka luftuar ballë për ballë kundër armikut, sikur  ai që ka ardhur nga Shqipëria, pas mbarimit të luftës, apo ai që ka tubuar para në Fondin “Vendlindja thërret” në shtetet e Evropës, apo ai që për pak kohë  ka qenë i angazhuar diku në logjistikë, madje jo edhe pak të tjerë,  të cilët nuk kanë marrë pjesë fare në luftë dhe që janë shpallur veteranë.

Gjatë hulumtimeve në terren, duke hartuar biografitë e dëshmorëve  vërehet  dukuria  e mos shpalljes dëshmorë të një numri të madh të të rënëve për liri,  në shumë fshatra të kësaj zone,  e cila ka pësuar më së shumti gjatë luftës në Kosovë, në njerëz dhe në shkatërrimin e tërësishëm të vendbanimeve.  Kjo dukuri është brengosëse, sepse në këtë mënyrë janë dëmtuar shumë familje, të cilat nuk i gëzojnë përfitimet financiare si pjesëtar të familjes së dëshmorit. Janë qindra dëshmorë në Drenicë, të cilët konsiderohen si martirë, apo si viktima lufte, vetëm me faktin se ata nuk kanë pasur pushkë e uniformë, apo nuk kanë rënë në vijën e frontit. Ky ngushtim i  kritereve, ka bërë që në një fshat me 100 të rënë, të shpallen dëshmorë vetëm dy apo tre, ndërsa në një tjetër  Zonë Operative, numri i dëshmorëve është dyfishuar pas luftës.

Dihet se cilat janë kriteret për shpalljen dëshmor, po ashtu dihen instancat përkatëse institucionale, që shpallin dëshmorë e heronj. Mjerisht, në përpilimin e këtyre kritereve nuk janë marrë para sysh shumë indikatorë dhe shumë rrethana, të cilat shpeshherë iu kanë nënshtruar edhe politikës ditore, sikur është dukuria e shpalljes dëshmorë të pjesëmarrësve në luftë, madje edhe disa vite pas mbarimit të saj, apo e shpalljes dëshmorë duke shkelur kriteret bazë, për shkak të ndonjë intervenimi nga ndonjë instancë partiake apo ndonjë komandant lokal.

Duhet pasur parasysh faktin se, me shpalljen e mobilizimit të Përgjithshëm, nga SHP i UÇK-së,në dimër të vitit 1999, në zonat operative u rrit për së tepërmi numri i vullnetarëve, por për ta nuk kishte armë, as municion. Ata, në shumicë mbetën duke u dyndur nga një zonë në tjetrën, duke hapur bunkerë, duke rregulluar transhe, duke bartur municion dhe ushqime nga një vend në tjetrin, duke bartur të plagosur. Jo pak luftëtarë të tillë kanë rënë nëpër fusha të minuara. Ata, shpeshherë janë  futur edhe në radhët e popullatës së zhvendosur,  ku edhe ushqeheshin. Shumë prej tyre kanë rënë nga granatat e makinerisë armike, derisa kanë lëvizur nga një vend në tjetrin. Duhej të binte një apo disa  luftëtarë  në front, në mënyrë që ndonjëri nga vullnetarët ta merrte armën dhe ta zinte vendin e dëshmorit. Duhet marrë para sysh edhe faktin se një numër shumë i madh të rënëve për çlirimin e Kosovës kanë rënë  në përpjekje për të marrë armë në Shqipëri. Si ndodhi për shembull që nga 100 të rënët  dhe të martirizuarit në fshatin Rezallë,  të Drenicës, të shpallen vetëm tre dëshmorë? Po kështu ndodhi edhe në fshatin Abri, ku u shpallën vetëm 14 dëshmorë, nga 86 sa janë martirizuar dhe kanë rënë  luftës. Në fshatin Izbicë u shpallën vetëm katër dëshmorë nga 150 të masakruarit. Po kështu ndodhi edhe me dëshmorët e fshatit Terstenik, Gllobar, Verboc  e në shumë fshatra të tjera të Drenicës. Për t’i  ilustruar këto veprime, për mendimin tim të padrejta, po marrim shembullin e familjes së Idriz Murat Dvoranit nga fshati Qendresë, ish-Terstenik, i Drenicës. Murati kishte gjashtë djem të rritur. Pesë nga ata i vranë serbët, pasi i kishin zënën me rastin e rrethimit të të zhvendosurve, në fshatin Verboc, më 30 prill të vitit 1999, ku ata ishin futur në mesin e popullatës me qëllim për ta ndihmuar atë, por serbët e kishin rrethuar paraprakisht.

Në mesin e qindra të vrarëve e të pushkatuarve  ishin edhe pesë bijtë e Idriz Dvoranit:

Hysni Idriz Dvorani, i lindur më 10 gusht të vitit 1971,

Avni Idriz Dvorani,  i lindur më 3 shtator të vitit 1974,

Veli Idriz Dvorani, i lindur më 5 janar të vitit 1976,

Lumni Idriz Dvorani, i lindur më 8 prill të vitit 1978 dhe

Haki Idriz Dvorani i lindur më 11 prill të vitit 1980.

Vetëm Hysni Dvorani është shpallur dëshmor nga pesë vëllezërit, edhe pse të gjithë ata kanë qenë aktivë në luftë, por u kanë munguar armët. Disa prej tyre janë nisur për të marrë armë në Shqipëri, por janë kthyer në rrethana dhe kushte  të pamundshme  për depërtim. Ata, po të mos kishin qenë luftëtarë të lirisë, do të kishin ikur nga Kosova, sikur kanë ikur mijëra të tjerë, që synim jetësor kanë pasur shpëtimin e kokës dhe jo çlirimin me çdo kusht dhe me çdo çmim të trojeve të robëruara nga regjimi më kriminal i Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore.

Këta dhe qindra të tjerë, qëndruan në mesin e popullatës, duarthatë si ishin dhe duke ndarë fatin me ata qindra mijëra shqiptarë liridashës, që iu kishin qepur maleve, grykave e shkëmbinjve për të mos e lëshuar atdheun, për të mos lejuar boshatisjen e tij, meqë ky ishte qëllimi primar i regjimit të Milosheviqit, të cilin edhe e realizoi pjesërisht, për disa muaj të fundit të luftës, duke dëbuar nga Kosova rreth 700.000 shqiptarë, por meqë u detyrua ta nënshkruajë kapitullimin, më 10 qershor të vitit 1999, të dëbuarit dhe ata që kishin ikur për të shpëtuar kokat, filluan të kthehen pa humbur kohë. Janë mijëra ikanakë që tani kanë  aplikuar, apo që aktualisht  kanë statusin e veteranit, disa syresh  kanë madje edhe  statusin e invalidit.

Edhe kriteret për shpalljen e veteranëve kanë shumë të meta dhe paqartësi në përmbajtje. Në saje të rrethanave dhe përshkrimit të aktivitet të veteranit, do të duhej të kishte shkallëzim të statusit, si për shembull, veteran i klasës  të parë, të dytë dhe të tretë. Kjo për shkak se nuk mund të jetë veteran i njëjtë, ai që prej fillimi të luftës ka luftuar ballë për ballë armikut, si ai që ka ardhur nga Shqipëria, pas mbarimit të luftës, apo ai që ka tubuar para në Fondin “Vendlindja thërret”në shtetet e Evropës, apo në shtete të tjera, apo ai që ka qenë i angazhuar diku në logjistikë, larg vendit ku është zhvilluar lufta. Respekti u takon të gjithëve njëlloj, për aq sa kanë kontribuar, por aktiviteti e secilit  është individual dhe si i tillë duhet të trajtohet, nëse duam të vendosim rregull, rend dhe ligj. Nëse e duam ligjin dhe kërkojmë të drejtat tona, atëherë vetë ne veteranët duhet t’i respektojmë kriteret e shëndosha, të bazuara dhe të faktuara. Në mungesë të kritereve dhe dëshmive reale faktografike për statusin e veteranit, bëhet me dije se kanë aplikuar dyfish më tepër, sesa ka aktualisht veteranë të UÇK-së. Pikërisht për këtë ka vonuar edhe projektligji dhe për shkak të fryrjes së numrit, veteranët mbase edhe për shumë kohë do të mbesin jashtë përkujdesjes institucionale.

Është më se e nevojshme që shoqatat që merren me këtë çështje të dhe bashkëpunojnë me ekspertë të këtyre lëmenjve, pastaj me komandantët e zonave dhe zëdhënësit e tyre, me familjarët e dëshmorëve që kanë paraqitur ankesa për rishqyrtim, me qëllim  për të mos i hyrë në hak askujt, por edhe për të mos lejuar, qoftë edhe një të pamerituar të krekoset me trikën e veteranit, duke qenë madje edhe ndonjë dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së EULEX-it, apo bashkëpunëtor i ish regjimeve. Mjerisht ka të tillë. Ata nuk lënë gur pa lëvizur për t’i  fshehin veprimet e tyre të dënueshme, duke i kamufluar me triskën e veteranit. Veteranët nuk duhet të lejojnë shkelje të tillë, në mos për tjetër, atëherë për amanetin e bashkëluftëtarëve të tyre që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës nga barbaroidët serbë.

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …