Ahmet Qeriqi

RKL: Serbia e Madhe dhe Shqipëria e Madhe nuk kanë pasur as kanë kurrfarë pikash të barazimit, as të krahasimit

Serbia e Madhe dhe Shqipëria e Madhe nuk kanë kurrfarë pikash të barazimit as të krahasimit, pasi Serbia  është bërë e madhe mbi kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa Shqipëria Etnike është zvogëluar në një të tretën e territorit për t’u bërë të mëdha, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi.

Edhe pse ambasadori amerikan në Prishtinë, Xhefri Hovenier, në një deklaratë  kalimthi përmendi   Shqipërinë e madhe e Serbinë e Madhe, aspak në kontestin historik, e vërteta është se Serbia është e Madhe madje shumë e Madhe, ndërsa Shqipëria është e vogël, dhe shtrihet në  më pak se në një të tretën e territorit të saj etnik.

Serbia është e madhe pasi me ndihmën e shteteve të Evropës dhe mbështetjen e Rusisë kishte pushtuar Kosovën, Vojvodinën Austro-hungareze, Timokun  e Rumanisë, Sanxhakun e Vilajetit të Kosovës dhe deri në vitin 1945 edhe krejt Maqedoninë bullgare e shqiptare. Serbia vazhdon të jetë e madhe edhe sot, pasi ka në përbërjen e vet, pjesën më të madhe të Sanxhakut, sot boshnjak, dikur shqiptar, ka Vojvodinën dikur me shumicë popullatë  hungareze, kroate, gjermane, vllahe, ka krahinën rumune të Timokut tanimë të serbizuar, ka tri komuna të Kosovës Lindore dhe ka në preambulën e Kushtetutës së vet edhe Kosovën, pavarësisht se ajo ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe tani e njohin shumica e vendeve të botës.

Shqipërisë, edhe po t’i kthehen krejt territoret e pushtuara nga fqinjët, prapës se prapë nuk do të ishte e Madhe, madje as sa gjysma e Serbisë së sotme. Ky është një realitet faktik, historik, gjeografik, sepse dihen se cilat janë trevat me shumicë shqiptare në të gjitha vendet e Ballkanit.

 Shqipërisë së dikurshme të kohës së depërtimit serb e sllav në pjesën e dytë të shekullit 19-të iu kanë shkëputur dy treva shumë  të mëdha, sikur ishte krahina e Toplicës, sot në Serbi dhe ajo e Çamërisë, në Greqi, troje  të pastruara etnikisht në mënyrë barbare, me metodën e shfarosjes  kolektive dhe tokës së djegur,   tani pa shqiptarë por  vende të populluara me serbë e grekë.

Shqipëria pak më e madhe se sot ka qenë vetëm në vitet 1941-1945 por nën sundimin italian e gjerman,  pasi këto dy shtete kishin prishur të gjithë kufijtë shtetërorë  në vendet e Ballkanit dhe kishin vendosur kufij administrativ dhe qeveritë e tyre kuislinge.

Është për keqardhje që politika dhe diplomacia në Shqipëri dhe në Kosovë nuk kanë bërë as bëjnë sqarime të nevojshme, për diplomatët, kur bëhen krahasime të tilla të palogjikshme dhe antihistorike.

Ahmet Qeriqi

Shtime

  1. 8. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Menduh Thaci

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi: Ëndrra për shtetin e vetëm shqiptar mbetet në suazën e ëndrrave

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka shprehur ëndrrën e tij për një shtet …