Brickos

RKL

RKL: Serbia shet në vendin tonë mallra me vlerë rreth 300 milionë euro në vit, ndërsa blen mallra në vlerë rreth 10 milionë

Qeveria me paterica  e Isa Mustafës dhe Shteti i “fortë”  i Hashim Thaçit, në pesë muajt e këtij viti kanë importuar mallra në vlerë 140 milionë nga Serbia 42 milionë  nga Shqipëria   56 milionë euro nga Maqedonia. Kosova ka eksportuar 34 milionë euro mallra në këto tri shtete.  Të dhënat që ka prezantuar drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna lidhur me importin dhe eksportin e mallrave të Kosovës me Serbinë, Shqipërinë e Maqedoninë janë treguesi i qartë se çfarë shteti kemi, çfarë drejtuesish të pa përgjegjshëm dhe çfarë populli jemi, sidomos në raport me Serbinë, shteti i cili na ka mbajtur nën robëri afër 90 vjet, ka bërë përpjekje të pareshtura për shfarosje kolektive dhe tani janë vetë politikanët, ekonomistët dhe tregtarët shqiptarë të Kosovës që ia kanë hapur të gjitha portat Serbisë për ta futur mallin në vend, ndërsa 80 për qind e shqiptarëve blejnë mallra nga Serbia, duke anashkaluar prodhimet vendore dhe ato nga Shqipëria.

Çka tregon ky fenomen?

Edhe 17 vjet pas luftës dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia, e cila për asnjë çast nuk i ka fshehur as i  fsheh  pretendimet për rikthim të sundimit në Kosovë, qoftë përmes bisedimeve, me qeveritarët tanë servilë e të shitur,  përmes së cilëve tashmë i ka hapur të gjitha portat, qoftë me intervenim ushtarak, nëse merre leje nga Kremlini zyrtar, mjerisht, janë vetë institucionet dhe qytetarët e Kosovës, ata që  ia hapim  dyert Serbisë dhe për këtë nuk na ka faj askush.  Është punë e vështirë ta shpjegosh këtë fenomen, përveç me faktin se jemi mësuar të jetojmë nën robëri dhe tani këtë e kemi bërë stil të jetës, ashtu sikur e kishim bërë për 500 vjet në robërinë turke dhe sot ankohemi pse Turqia nuk na ka bërë shtet, por na ka mbajtur nën pushtim.

Po pse sot blejmë mallra qoftë edhe të  pa skaduar, apo edhe krunde serbe të prodhuara për derrat dhe me to bëjmë bukë, përderisa mund të blejmë artikujt e njëjtë ushqimorë nga Shqipëria, pse jo edhe nga Kroacia apo Italia, qoftë me një çmim pak më të lartë?

Natyrisht se fajin kryesor për eksport importin e mallrave dhe balancën apo disbalancën e tyre  e ka në dorë Qeveria, dhe Shteti edhe pse në parim është aplikuar ekonomia e tregut, e cila mbijeton sipas ligjeve të veta, por e cila nuk mund të shtrihet mbi ndërgjegjen e qytetarit. Është vetë qytetari, blerësi, shqiptari i Kosovës ai i cili vendos çka të blejë dhe nga kush ta blejë. Është tregtari shqipfolës,  ai i cili edhe në kohën e luftës kur Serbia brenda ditës vriste deri në 500 shqiptarë, kontrabandonte mallra të Serbisë me çmim deri edhe 30 herë më shtrenjtë.

Është rasti të përmend vetëm një nga shumë raste që kanë ndodhur gjatë kohës së luftës së UÇK-së.

Në muajt prill maj të vitit 1999, tregtarët që mbanin lidhje me Policinë e Serbisë, blinin mallra prej tyre dhe i fusnin nëpër luginat e maleve  ku po përpiqej të mbijetonte popullata e zhvendosur. Një pako cigare shitej deri në 30 marka gjermane. Një kilo sheqer po aq. Një litër vaj 20 DM e kështu. Duke parë se një grup prej tre tregtarësh shisnin artikujt e tillë, polici ushtarak i UÇK-së S.Q. me katër luftëtarë të tjerë nga një fshat i jugut të Drenicës, kishte ndaluar stërshitësit  dhe ua kishte konfiskuar mallin. Derisa kishte lajmëruar rastin në Shtabin e Brigadës dhe kishte kërkuar  të merreshin masa kundër kontrabandistëve të tillë, me urdhër të Policisë ushtarake të shtabit të Brigadës ishte arrestuar ai dhe katër luftëtarët e tij, që kishte rastisur të ishin prej bërthamës së parë të UÇK-së në vend, dhe që kishin vepruar qysh prej vitit 1994.  Në aktvendimin për arrestim shkruan se “ata në mënyrë të paligjshme kishin ndaluar  dhe maltretuar disa stërshitës”, për të cilët pak më vonë ishte bërë e ditur se kishin marrë leje nga njëri prej komandantëve, i cili i kishte “njerëz të vetë”, dhe e lejonte kontrabandën, sepse u merrte haraçin. Veprimtari i hershëm i UÇK: S. Q. ishte liruar pas intervenimit nga ana e  Komandantit të SHP, ndërsa katër policët ushtarakë, që kishin kryer stërvitjet ilegalisht në Shqipëri, në vitin 1994 dhe që kishin vepruar me bërthamën çlirimtare të Adem Jasharit përmes I. D, i kishin dërguar dhunshëm në vijën e frontit të Terpezës, në pikën përballë forcave serbe, ku kanë qëndruar deri në mbarim të luftës.

U ndala te ky shembull që nuk është i vetmi, por që disponoj të dhëna të dorës së parë për të treguar se lidhjet tregtare me Serbinë nuk ishin ndalur as atëherë kur regjimi kriminal i Milosheviqit kryente masakrat ndër më fashistet e më çnjerëzoret  në vend dhe kur brenda ditës binin dhjetëra dëshmorë e qindra martirë.  Si mund të ndalen lidhjet e tilla sot, kur regjimi i Isa Mustafës dhe Shteti me paterica i Hashim Thaçit ndanjë për vete përfitimet që sjellë kjo tregti, duke ia hapur Serbisë të gjitha portat, që këtu shet madje edhe artikujt  e helmuar të cilat i denoncon vetë shtypi dhe zyrtarët në Serbi.  Më 7 qershor u publikua lajmi se “Pemët dhe perimet që po importohen pa kontroll nga Serbia e blihen nga konsumatorë të pandërgjegjshëm kosovarë, rezultojnë të jenë me përmbajtje të kontaminuar. Një raport i realizuar nga Inspeksioni Bujqësor i Rusisë bën të ditur se të paktën 10 për qind e pemëve dhe perimeve të importuara nga Serbia në Rusi, përmbajnë sasi të tepruara të pesticideve dhe nitrateve. Shoqatat e konsumatorëve në Serbi janë alarmuar nga ky raport, pasi që vlerësohet se e njëjta sasi e pemëve dhe perimeve të helmuara ndodhet edhe në këtë vend. Për fat të keq, një sasi e madhe e pemëve dhe perimeve në tregun e Kosovës është e importuar nga Serbia. Duke përfituar nga mungesa e masave anti-damping dhe kontrolleve të cekëta nga ana e organeve përkatëse, pemët dhe perimet e importuara nga Serbia janë shndërruar në pengesë shkatërrimtare ndaj prodhimit vendor në sektorin e pemëtarisë dhe perimtarisë”.

Rreth 300 milionë euro është vlera e mallrave që gjatë vitit hyjnë nga Serbia dhe shiten në Kosovë. Dhe sa për sy e faqe Serbia blen nga Kosova mallra në vlerë rreth 10 apo 15 milionë euro në vit.  Sa e sa herë kanë protestuar prodhuesit vendorë të vendit lidhur me këtë invazion tregtar të Serbisë, por askush deri tani nuk ka marrë asnjë masë. Krejt kjo lë për të kuptuar  se kompanitë më të mëdha të tregtisë në vend, bashkëveprojnë dhe bashkë-fitojnë me krerët më të lartë të Shtetit e të Qeverisë. Rasti më specifik i kësaj tregtie kriminale është ai i Kompanisë Devolli, e cila përmes këshilltarit të Edi Ramës, mikut dhe kumbarës së Stanishiqit, Bato Haxhiu, krundet e Serbisë të prodhuara si ushqim për derrat ishin shitur  në Shqipëri nga kompania M&Sillos. Por, nga i kishte marrë krundet kjo kompani, për t’ i shitur si miell në Shqipëri? Sipas raportit të doganave të Kosovës, kjo kompani ka importuar mallra nga Serbia në një vlerë doganore 3 milionë e rreth 600 mijë euro, thuhej në një raportim në tetor të vitit 2014.  “M-Silosi”, në pronësi të “oligarkisë” Devolli, ishte bërë shkas i një luftë të re tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, mes Devollit dhe Ilir Metës e Edi Ramës”, shkruante Gazeta Blic e asaj date. Arsyeja e vërtetë pse Baton Haxhiu kishte reaguar për çështjen e miellit, lidhet direkt me faktin se ai është punëtor i Devolli Group, pasi thuhet se kjo kompani e ka blerë televizionin Klan Kosova. Njëkohësisht Devolli Group e ka në pronësi fabrikën e miellit në Xërxë të Rahovecit, e cila shet miellin “Finesa” – dhe tani Haxhiu duhet të bëjë avokatin e saj. Autoritet shqiptare në fund të fundit kanë të drejtë të vendosin vet për cilësinë e miellit që duan ta importojmë. Mielli nuk mund të shitet atje vetëm pse është i prodhuar në Kosovë. ( shkrimi është botuar në lapsi.al. 7 Tetor 2014). Dhe ky nuk është rasti i vetëm i kësaj tregtie të ndyrë, kriminale dhe antikombëtare ku për përfitimet e veta mafia shtetërore, e cila as ka kursyer as  kursen shëndetin e popullit, përkundrazi.

Qytetarët e Kosovës që blejnë mallra të Serbisë, duhet ta përkujtojnë luftën, mizoritë, masakrat dhe barbaritë, që ka kryer Serbia kundër popullatës liridashëse shqiptare dhe për të cilët jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por lavdëron regjimin gjakrat të Milosheviqit dhe kërcënon me kthimin e barbarisë dhe ripushtimit të Kosovës. Ata, duhet t’i drejtohen ndërgjegjes kombëtare e njerëzore nëse e disponojnë atë edhe për faktin se Serbia, edhe 17 vjet pas luftës nuk ka zbardhur fatin e rreth 1600 shqiptarëve të kidnapuar gjatë luftës dhe të djegur nëpër shkritoret e Serbisë. Bosët dhe oligarkët e  tregtisë, që blejnë mallra të skaduara e të pa skaduara në Serbi dhe ua shesin bashkëqytetarëve me çmime më të larta, e dinë mirëfilli se po e shkelin gjakun e të rënëve, por atyre as u ka bërë as u bën përshtypje kjo shkelje, përderisa vetë qytetarët e Kosovës, i blejnë ato dhe jo prodhimet vendore.

Mbetjet e Serbisë në Kosovë por forcohen dita ditës. Ato kanë uzurpuar Qeverinë, administratën, policinë, prokuroritë, gjyqet, bëjnë edhe pazare me territorin e vendit dhe po angazhohen në krijimin e kushteve për një koekzistrencë të moderuar me Serbinë, sepse  BE-ja, vetëm si të tillë dhe nën Serbinë, do ta pranonte Kosovën në radhët e veta.

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Kolektivisht të përhumbur!

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, …