leoni

RKL: Tregtia e matrapazëve me biografitë e dëshmorëve

Përpjekja e individëve të caktuar për t’u pasuruar me çdo mënyrë dhe me çdo kusht, po  bën që disa syresh  të manipulojnë jo vetëm biografitë e dëshmorëve, por edhe emrat e autoriteteve  me përgjegjësi, të cilët mjerisht shumë lehtë japin një nënshkrim për botimin e një libri pa e lexuar fare, ndoshta edhe pa e shfletuar “sa për sy e faqe”. Kjo dukuri ka kapluar të gjithë ata që janë të etur për famë, por që niveli i tyre shkrimor është jetim dhe i mjerë. Qëndron fakti se, në mënyrën sikur e kuptojnë e shprehjes dhe të shkrimit  individët e tillë, secili që mendon se di të shkruajë, mund të shkruajë e të botojë sa të dojë, meqë askush nuk i kërkon kurrfarë llogarie, ndërsa redaktimi  dhe recensimi bëhet vetëm sa për sy e faqe. Kjo është gjendja e mjerë ku kemi arritur dhe pikërisht për këtë po thuhet se kemi  më pak lexues, sesa autorë, që shkruajnë e botojnë libra pa përfillur as edhe një kriter elementar  shkencor. Duke folur për këtë dukuri, analisti i mirënjohur,  Ago Nezhaj thotë.  Disa shkronjës “edhe pse gatuajnë e prodhojnë vepra mediokre, i reklamojnë e i shesin si kryevepra… Kjo është një sëmundje, që po përhapet si virus në veprimtarinë shqiptare. Kur ata marrin miratimin dhe hyjnizimin e veprës nga autorë që kanë emër në letërsi, (apo në politikë), atëherë i mbushin mendjen vetes se janë krijues të mëdhenj dhe dalin në tregun mediatik, duke bërë zhurmë si korifenj të letrave shqipe. Përgjegjësia nuk është vetëm e individëve të sëmurë, sepse ata janë të pushtuar nga dëliri i madhështisë, por edhe i atyre që ua ushqejnë sëmundjen me simulantë të improvizuar”.

I tillë është një libër voluminoz për dëshmorët që po qarkullon nëpër komuna, nëpër shoqata të luftës dhe kudo në tregun e rrugëve, ku shitet dhe mund të blihet  ndonjë libër.

Është po ashtu dëm i madh për tri shoqatat e luftës së UÇK-së, që nuk reagojnë kundër  një tregtie të tillë, të paligjshme,  kur ata e dinë mirëfilli se është duke u realizuar projekti i Redaksisë “Dëshmorët e UÇK-së” dhe deri tani janë botuar 13 vëllime me biografi të dëshmorëve të tri luftërave tona çlirimtare. Lejen, për këtë projekt e ka dhënë kreu i luftës së UÇK-së, komandantët e Zonave Operative të luftës dhe përfaqësuesit e tri shoqatave të dala nga lufta.

Ky projekt, edhe pse po realizohet me vështirësi, pa përkrahje institucionale është pasqyra më besnike e mundshme ku prezantohen  biografitë dhe veprat e dëshmorëve, sepse autorët e këtyre biografive janë profesionistë dhe kuadro, të cilët kanë qenë të angazhuar edhe në mediet e  luftës së UÇK-së.

Prej 13-vëllimeve të deritanishme të dala në dritë të librit “Feniksët e lirisë”, vetëm një vëllim e ka financuar Ministria e Kulturës në vitin 2003. Nga shitja e vëllimeve të caktuara, fillimisht në stendën e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pastaj nëpër disa ministri dhe komuna është bërë e mundur puna në vazhdimin e këtij projekti,   por  gjithnjë me vonesë në inkasimin e mjeteve.  Disa nga këto komuna ende  nuk i kanë kryer borxhet për librat që i kanë blerë, dy e tri vjet më parë.

Puna, jo e pasuksesshme e  individëve  të caktuar, për ta kthyer në kapital  përfitimi  gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës,  është vepër e dënueshme edhe për faktin se dihet botërisht për opinionin tonë se ekziston një Redaksi e përgjithshme në nivel të Kosovës, e cila ka marrë përsipër projektin e botimit të të  gjitha biografive të dëshmorëve të tri luftërave tona çlirimtare. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se gazetarë e krijues në Kosovë nuk duhet të botojnë monografi  të caktuara për dëshmorët, por nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë përfitimi material i individëve të caktuar mbi gjakun e derdhur për liri,  aq më keq kur një përfitim i tillë kontrabandohet duke shpërdorur edhe emra të njohur të luftës dhe të paqes në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Shaip Jahir Pacolli (8.3.1950 - 19.4.1999)

Shaip Jahir Pacolli (8.3.1950 – 19.4.1999)

Shaip Pacolli lindi më 8 mars të vitit 1950 në Marec. Gjashtë muaj pas lindjes, …