RKL

RKL: Veriut të Kosovës i kërcënohet aneksimi nga Serbia ashtu sikur Krimesë nga Rusia

Sforcimi i retorikës nacionaliste serbe, provokimet e shtuara dhe të rënda, si arrestimi i Ramush Haredinajt në Francë, nga policia e këtij shteti, me siguri në bashkëveprim me autoritetet më të larta të Beogradit, pavarësisht se politikanët tanë nuk i besojnë këtij qëndrimi të Francës, sepse nuk i kanë besuar as në qershor të vitit 1999, kur forcat franceze të FKOR-it e ndanë veriun e vendit, pastaj ndërtimi i murit- ndarës në Veri të Mitrovicës, përpjekjet për të hyrë në Kosovë me një tren me mbishkrime nacionaliste, janë jo vetëm shkëndijat e para për rrezikun që vjen nga Serbia. Të gjitha këto veprime të Serbisë janë ndërmarrë dhe do të pasohen me veprime të tjera  për të parë reagimin e Shtetit të Kosovës.

Arrestimi i Ramush Haradinajt është bërë për shkak se ai është i vetmi nga politikanët në vend, të cilit Serbia i frikësohet se mund të organizojë rezistencë, ashtu sikur edhe kishte organizuar gjatë viteve të luftës në vitet 1998-1999. Mbajtja e tij në arrest, do të thotë, përpjekje e zgjuar për mënjanim paraprak të  një rreziku, për kryengritje të mundshme në rast të ndërhyrjes në Veri.

Serbët në Veri kanë bërë të ditur se muri-ndarës mbi lumin Ibër, në Mitrovicë nuk do të rrënohet dhe nëse bëhen përpjekje të tilla, ata kanë paralajmëruar rezistencë. Kjo vendosmëri e tyre ka bërë që autoritetet në Kosovë të hezitojnë ta heqin murin, sepse nuk janë unikë lidhur me kompetencat  për një veprim të tillë. Kryeministri Isa Mustafa  ka deklaruar se  “është detyrë e Komunës që ta rrënoj murin, sepse është objekt që është në përgjegjësinë komunale, por në qoftë se Komuna nuk e bënë, është përgjegjësi e organeve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”. Kjo zvarritje do ta ketë çmimin e vet, sepse serbët nuk do të rrinë duarkryq.

Sa i përket moslejimit të hyrjes së trenit nga Beogradi në Mitrovicë, serbët mund  kenë një plan tjetër. Nëse çështja diskutohet në Bruksel, ashtu sikur ka deklaruar zëdhënësja e BE-së, Kicijanqiq, atëherë serbët si kompromis do të pranojnë të heqin mbishkrimet nga treni, por pala e Kosovës do të obligohet të mos e ndalojë qarkullimin e trenit.

Nëse autoritet në Beograd, të cilat edhe janë tubuar për të marrë një qëndrim unik ku përveç kryetarit Nikoliq po marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit, Qeverisë, ushtrisë e policisë, binden se Kosova ka plan të mbrohet, atëherë ata do të përdorin të tjera dredhi gjatë dialogut në Bruksel.

Situata e sigurisë në vend është tejet e brishtë dhe e paqëndrueshme.

Nëse me veprimet e fundit serbët nuk arrijnë arë që kanë projektuar, ata mund të flijojnë disa nga qytetarët e tyre ashtu sikur me rastin “Panda” në Pejës gjatë luftës për të pasur pretekst intervenimin.

Krerët tanë  shtetërorë në Tiranë dhe në Prishtinë, pas përpjekjeve për shtendosjen e raporteve me Serbinë, përmes vizitave, dhe besimit të verbër se Serbia po demokratizohet , tani ndihen në  hendikep  dhe nuk u mbetet asgjë tjetër pos të shtiren si të pamundshëm karshi veprimeve të Serbisë, të ankohen në BE dhe në Uashington dhe të pranojnë dialog me ndërmjetësim të BE-së.

Ardhmëria e Kosovës po mbetet e rrethuar.

Veteranët e luftës  meqë tani i kemi rreth 50 mijë, duhet të jenë në nivel të detyrës, në rast të invadimit të mundshëm të Serbisë….

Sot, më tepër se asnjëherë prej qershorit të vitit 1999, duhet të jemi vigjilentë dhe unikë.

Krerët institucionalë dhe politikë duhet ta rrisin në maksimum institucionin e përgjegjësisë, sepse çdo vonesë, çdo hezitim, çdo llogaritje e gabuar mund të na hakmerret, ashtu sikur na është hakmarrë  jo vetëm njëherë në raport me Serbinë, prapa së cilës si asnjëherë tjetër po qëndron Rusia e Vladimir Putinit.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …