leoni

RKL

RKL: Vetëvendosja më e interesuar ta dërgojë në opozitë PDK-në, sesa të gjejë një zgjidhje në interes të vendit

Disa emra të njohur të Vetëvendosjes më shumë janë të interesuar ta dërgojnë në opozitë PDK-në, sesa të gjejnë një zgjidhje për qeverisje të mirë dhe të duhur për Kosovën, në kohën kur na presin sfida shumë të rrezikshme. Urrejtja që kanë grumbulluar disa zyrtarë të kësaj partie, sidomos kundër PDK-së, qoftë edhe me të drejtë, tejkalon të gjithë kufijtë  e urrejtjes partiake dhe shpeshherë barazohet me urrejtjen e ligjshme kundër Serbisë zyrtare.

Përpjekja e Vetëvendosjes që ta bind LDK-në për bashkëqeverisje, është përpjekje e pa peshuar mirë dhe efektet e saj do të jenë shumë të dëmshme për imazhin e kësaj partie, si dhe  për qëndrimet me të cilat ka dyfishuar numrin  në zgjedhje,  por me rrezik edhe për të ardhmen e saj.

Bashkëqeverisja e Vetëvendosjes me LDK-në nuk bëhet për shkaqe programore, as për të ndëshkuar të korruptuarit, as për bashkim kombëtar, por në radhë të parë për ta dërguar në opozitë PDK-në dhe “krahun e luftës” në përgjithësi, sidomos tani kur ka filluar inkuizicioni i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së. Realisht, pika e vetme që kanë pasur të përbashkët LDK-ja dhe Vetëvendosja është armiku i përbashkët, PDK-ja e cila sipas tyre është fajtore numër një për të gjitha ato të liga që i kanë ndodhur Kosovës. Dhe tani qenka koha për ta goditur jo kundërshtarin politik, por armikun numër një, PDK-në.(!)

Lideri i Vetëvendosjes, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, në dukje ka bërë një kthesë në këtë drejtim, duke kërkuar nga PDK-ja që të “diferencohet” nga dy liderët e deritanishëm ish kryetari i partisë, tani kryetar i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari aktual i PDK-së, i etiketuar si kreu numër një i SHIK-ut të paqenë, Kadri Veseli. Është ky një cinizëm i pavend dhe nxitës, që thellon me qëllim përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të dobishme për të gjithë.  Ndërkohë që deputetja, Albulenë Haxhiu ka deklaruar se “LDK-ja duhet të japë kontributin e vet për ta çuar PDK-në në opozitë dhe pret konstruktivitetin e saj në përputhje me rrethanat e krijuara”.

Ata që e njohin si duhet realitetin shoqëror, politik, ekonomik të vendit, në kushtet dhe rrethanat kur presioni i Serbisë vazhdon të rritet me mbështetje pa rezervë të Rusisë, madje me kërcënime të hapura për luftë, me demonstrim të përditshëm të forcës ushtarake, ata që në radhë të parë mendojnë për të ardhmen e Kosovës dhe bashkimin tok para një rreziku të përbashkët, me veprime të tilla nuk mund ta arsyetojnë një luftë të tillë, krejtësisht armiqësore brenda spektrit politik në vend.

Do të ishte e rrugës që Albin Kurti të merrte shembullin e Edi Ramës, i cili me largpamësinë e tij dhe mbështetjen në radhë të parë në interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, bëri hapa seriozë në shtendosjen e situatës në vend, me shpresë se së shpejti do të vendoset në binarë realë dhe të sigurt e ardhmja e vendit.

Kosova ka nevojë për një bashkëqeverisje nga të gjitha partitë politike, për hir të rrethanave, për hir të krijimit të unitetit institucional, në kushtet kur vendi është i rrezikuar skajshëm në radhë të parë nga Serbia por edhe nga shumë mbetje të saj në Kosovë, mbetje këto që shumë lehtë pranojnë bashkëqeverisje edhe me Beogradin, me  cilin edhe kanë bashkë-qeverisur, sidomos prej vitit 1945 e deri në qershor të vitit 1999.

Prirja për hakmarrje, që është pjesë e ADN-së sonë të palavdishme, (sepse hakmarrjen e kemi kryesisht brenda bashkëkombësve) është ogur i keq, sidomos për situatën shoqërore e politike  aspak të volitshme, në të cilën ndodhemi.

Dy partitë politike, Vetëvendosja dhe LDK-ja tashmë edhe zyrtarisht kanë konfirmuar se nuk do të bashkëqeverisin në asnjë mënyrë me PDK-në, por nuk kanë përjashtuar bashkëqeverisjen me Listën Serbe, të cilën e konsiderojnë më pak të rrezikshme sesa PDK-në.

E ndodhur në këtë formacion forcash, PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA, për hir të ruajtjes së rendit dhe sigurisë, në kohën kur veprimet e Gjykatës speciale kundër UÇK-se me siguri se do të prodhojnë rezistencë, kaos dhe anarki  në forma të mundshme të mos dëgjesës qytetare, do të duhej ta pranonin me gjakftohtësi mbetjen në opozitë, për qëllime më të larta sesa qeverisjen e vendit, në kushte kur disa nga krerët e këtij koalicioni supozohet se do të jenë pre e Gjykatës së Inkuizicionit.

 Nuk është koha për hakmarrje dhe përjashtim të njëri tjetrit, për inate partiake, përderisa kërcënimet me luftë nga Serbia nuk janë vetëm retorikë e thatë e luftënxitësve, por është  plan që është hartuar, në Kremlin. Fillimi i demonizmit të UÇK-së nga Gjykata Speciale raciste e fashiste do t’ i trimërojë forcat antishqiptare në rajon, meqë ato e kanë edhe mbështetjen te jugo shqiptarët e bashkim vëllazërimit, “Kali i Beogradit” në Kosovë, të cilët në përpjekjet e tyre për ta demonizuar UÇK-në  ia kalojnë edhe kriminelëve në Serbi.

Lexoni si pritet me entuziazëm paralajmërimi për fillimin e ngritjes së aktakuzave në disa medie në Kosovë, ja disa nga titujt ironizues e përbuzës për UÇK-në në disa jugo-medie të Kosovës më 29 qershor 2017:

Verë më e ‘nxehtë’ me Specialen,  titulli i gazetës   “Zëri” .

Verë më e ‘nxehtë’ me Specialen, i njëjti titull në  portalin  Ekspress dhe në shumë monstra të tilla.

Gjykata Speciale përgatitet të padisë ish-luftëtarët e UÇK-së, konstaton  portali Telegraf duke e zgjeruar akuzën në 20.000 mijë luftëtarët e lirisë, të cilët nuk i ka në listë as Beogradi zyrtar.

Në kushte dhe rrethana të tilla kur pritet të gufojë urrejtje e LDK-së kundër UÇK-së, bazuar në dosjet e mbledhura nga një grup i specializuar i kreut të LDK-së në vjeshtë të vitit 1999, dhe qe ia kishte dorezuar UNMIK-ut,  kur Isa Mustafa sërish do t’ia  përmend Radoniqin,  Ramush Haradinajt, kur dëshmitarët e mbrojtur kryesisht të LDK-së e të tjerë  do të dëshmojnë para Gjykatës  fabrikimet e tyre, të hartuara nga ekipi i hetuesve të Gjykatës, kur Vetëvendosja do të kërkojë të hetohet SHIK-u i Kadri Veselit, dhe ato që quhen krime të pasluftës, është krejtësisht  naivitet të pretendohet se situata nuk do të dalë jashtë kontrollit.

Koalicioni i luftës duhet të mbledhë mendjen dhe të vihet në detyrë të mbrojtjes së vlerave të luftës sonë çlirimtare, pavarësisht gabimeve që ka bërë gjatë koniukturave politike në të kaluarën. Kurrë nuk bëhet vonë për të marrë qëndrime të arsyeshme dhe në akord me situatën. Andaj nuk duhet të humbin kohë. Përderisa qytetarët e Kosovës  nuk votuan me shumicë krahun e luftës, por shumica e tyre ua kanë dhënë besimin Vetëvendosjes dhe LDK-së, atëherë “krahu i luftës” duhet të përgatitet për opozitë si ndaj Qeverisë: LDK-Vetëvendosje ashtu edhe ndaj Brukselit dhe Gjykatës Speciale. Kjo do ishte rruga e vetme, në kushte kur nuk duket se do të ketë rrugëdalje tjetër.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …