Brickos

Arbanë Qeriqi: Intervistë me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni

RKL: Në historinë e Lëvizjes Kombëtare jeni identifikuar si lider i protestave të marsit dhe të prillit  vitit 1981. Dihet se aso kohe keni qenë  i organizuar në GMLK, keni vepruar një kohë ilegalisht, por edhe keni mbajtur fjalimin, ta quajmë historik, në qendër të Prishtinës, më 2 prill të vitit 1981 para mijërave demonstruesve që kërkonin: “ Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë? Si ndiheni sot, 29 vjet pas atyre zhvillimeve revolucionare të cilat bënë kthesë vendimtare në drejtim të artikulimit të kërkesave për krijimin e Republikës së Kosovës?

 

Hydajet Hyseni: Para se gjithash  do të dëshiroja këtu një saktësim, unë nuk kam qenë lider i atyre protestave, ato kanë qenë protesta popullore masive, në të cilën ka pasur shumë prurje shumë ndikime, unë kam qenë njëri nga ata. Dhe e dyta është e vërtetë unë atëherë kam qenë i organizuar në GLMK, siç u tha. që atëherë ka qenë shndërruar në organizatë, por një gjë që nuk është sqaruar sa duhet në të vërtetë edhe si GMLK edhe si OMLK, ne kemi qenë pjesë e një organizimi më të gjerë që quhej Lëvizja për Çlirimin e Kosovës, ndonjëherë me emra të ndryshëm. Ne një nga traktet e para që kemi shpërndarë ka qenë pikërisht me këtë titull: Lëvizja çlirimtare e Kosovës dhe në fund  Rroftë Lëvizja Çlirimtare e Kosovës. Është e vërtetë pavarësisht nga emërtimet karakteri i Lëvizjes sonë atëherë ka qenë çlirimtare, Kombëtare, edhe me një primesë të një drejtësie  sociale një drejtimi shoqëror por që në të ardhmen, por gjithmonë në rrafsh të parë ka qenë çlirimi Kombëtar. Madje edhe kërkesa “Kosova Republikë”, ka qenë një nga kërkesat e shumta të asaj lëvizje, dhe e shikuar objektivisht ajo kërkesë ishte kërkesë për barazi, atëherë barazia shikohej në formën që kishin të tjerët për rreth, të tjerët ishin republikë dhe kërkohej si minimum i zgjidhjes së çështjes së Kosovës edhe Kosova të bëhej Republikë. Kjo gjithmonë si një fazë për zgjidhje të drejtë të plotë e të qëndrueshme të çështjes shqiptare, ne atëherë nuk e fshihnim në formën e bashkimit të tokave të ndara padrejtësisht e që objektivisht janë të pandashme, madje edhe ajo pjesa “Republikë Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”, mendoj se është domethënëse sepse ajo doli spontanisht nga protestuesit si shprehje e një dëshire që çështja të zgjidhej me hatër si të thuash me të mirë, në mënyrë paqësore. Demonstratat e 81-ishit, ishin par exelencë paqësore siç kanë qenë edhe në 68-tën. Nuk fillon lëvizja paqësore në vitet 90-të, siç thuhet gabimisht, por ishte edhe dëshira për ta zgjidhur me mjete paqësore por edhe vendosmëria për ta zgjidhur me çdo mjet e me çdo çmim, nëse këto të parat do të dëshmoheshin të pamjaftueshme, gjë që edhe u dëshmua shumë vite më vonë. Tash për t’u kthyer te pyetja juaj si ndjehem sot. Unë ndjehem mirë, ndjehem si një pjesëtar i një Lëvizje që ka realizuar një pjesë të madhe të programit të saj, por që është  edhe në përpjekje për të realizuar edhe pjesën e mbetur. Atëherë aspirata çlirimtare e popullit tonë shtrohej si problem për zgjidhje, tani jemi në fazën e realizimit të saj, dhe e shohim sa e drejtë është ajo thënja e popullit: “Nga e thëna në të bërë është një det  i tërë me rërë” , dhe kjo jo vetëm në pikëpamje sasiore, jo vetëm në raport me pushtuesit, por edhe në raport më vetveten, atë që e thonë edhe në popull shpesh, ai që i sillte grusht vetës thoshte, ç’t’i bëj këtu të keqën e kam brenda.

Lëvizja jonë çlirimtare në vazhdimësi prej filleve të saj, prej lindjes edhe në periudhat për të cilën po flasim, ka qenë e përshkuar edhe nga një frymë idealiste, morale e shëndoshë, për një të ardhme të shëndoshë të moralshme për një të ardhme të lirë të njerëzve tanë. por edhe për drejtësi sociale në atë liri të do të ndërtonim. Për fat të keq në këtë rrafshin e dytë mbetet shumë për të bërë. Liria humb kuptimin nëse humb këtë dimension shumë të rëndësishëm, nëse nuk është liri për të gjithë, nëse nuk është lumturi për të gjithë, edhe për ata që janë të pafuqishëm, që janë të varfër, që janë pa pushtet, pa mbrojtje. Për fat të keq jo gjithmonë mbahet parasysh ky dimension.

RKL: Keni jetuar një kohë të gjatë në burgjet famëkëqija të Jugosllavisë. Gjatë kohës sa keni qenë në burg keni shkruar edhe poezi, keni sajuar skica e tablo me motive të ndryshme. Në një poezi të shkruar gjatë asaj kohe keni thënë:  Duart që lidhën në të njëjtat pranga, s’mund t’i ndajë asgjë në botë. A do të na komentoni këto vargje në kontestin idealist dhe realist të fjalës?

Hydajet Hyseni: Po është një miniaturë që e kujtoj shpesh, madje kohëve të fundit shumë shpesh, është përafërsisht kështu:

Ata mbase nuk do të njiheshin kurrë

Po të mos ishin njerëzit me çomanga    

Që kur i qonin në torturë

Ia lidhnin duart në të njëjtat pranga

Pastaj bënë çmos për t’i ndarë

Por atëherë ishte punë e kotë

Duart që lidhën në të njëjtat pranga

 S’mund t;i ndajë asgjë në botë.

Kështu thoshim se është e vërtetë, se prangat që na lidhnin na bashkonin atëherë. Vuajtja, rreziku i ka bashkuar gjithmonë shqiptarët. Dhe unë kam qenë i bindur që duart që janë lidhur në të njëjtat pranga, nuk mund t’i ndajë asgjë në botë. Druaj që koha më ka demantuar. Për fat të keq më  ka ndodhur diçka, që e kam pas thënë edhe në një miniaturë të shkruar shumë kohë më vonë. Afërsisht është kështu : Kodër e kuqe nuk të zbehu as shpata e as pushka,

vallë a mund të të zverdhë një grusht me verdhushka.

Fatkeqësisht atë që se bënë as shpata e as pushka e bën interesi e bën verdhushka, dhe druaj se pikërisht interesi kjo verdhushka aty këtu fotelja, karriga, postet, bajraktarllëku, ndoshta prirja për të qenë i parë, ka bërë që të ndahen ndonjëherë dhe keq, edhe ata që më janë dukur se janë të pandashëm. Ende i shoh të pandashëm njerëzit, që kanë pasur një ideal, njerëzit që kanë pasur të njëjtat pranga, njerëzit që kanë veshur një uniformë, njerëzit që ndoshta kanë derdhë gjak të përbashkët. Është e tmerrshme kur i sheh ata të ndarë të drejtuar kundër njëri tjetrit.

RKL: Qysh prej daljes nga burgu në fillim të viteve ’90 e deri tani keni qenë zë me ndikim në Lëvizjen tonë Kombëtare. Sot jeni deputet i Kuvendit të Kosovës dhe një zë me ndikim në rrjedhat e përgjithshme politike e kombëtare në Kosovës. Ku jemi tanimë krahasim më vitin 1981?

Hydajet Hyseni: Dakord jam deputet, po zë me ndikim nuk do të thosha. Dhe ndjehem keq sidomos kur kam parasysh, që një ndjesi të tillë e gjej edhe te shumë shokë të mi. Nuk e them këtë për t’u shfajësuar por them se në Kuvendin e Kosovës, në Institucionet e Kosovës, ka potencialisht më shumë energji edhe paravajtëse edhe korrektuese të proceseve tona edhe ka më shumë përkushtim, më shumë moral, më shumë idealizëm sesa që manifestohet. Janë disi sikur pjesët e shkapërderdhura të një agregati, të cilat janë aty janë funksionare, por s’janë të lidhura  njëra me tjetrën siç duhet, prandaj edhe nuk funksionojnë, dukën edhe si hekur i hedhur. Ndoshta e ka imponuar këtë edhe momenti që po kalojmë, prioritet që po na imponohen ndonjëherë, gjendja të jesh apo të mos jesh, të jem shtet apo të mos jem, të kem paqe apo të mos kem, po edhe për fat të keq edhe prirjet për t’iu përshtatur ndonjëherë rrjedhave kërkesave kohës,  ose atyre që shiten  si  kërkesa të kohës, bëjnë edhe çrregullime të mëdha shoqërore, edhe me proceset tona politike edhe institucionet tona, konsideroj se kjo gjendje duhet sanuar. Do të duhej që qytetari i Kosovës të flas me zërin e tij, po do të duhej të flas edhe me zërin e përfaqësuesve të tij, dhe duhej krijuar hapësira  që çështjet të thuhen ashtu siç janë, dhe jo vetëm të thuhen por edhe të bëhen ashtu si duhet.

RKL: Ka zëra në Kosovë që dokumentojnë dhe propagandojnë se Plani i Ahtisarit, i pranuar unanimisht nga institucionet dhe partitë politike, ia vret ardhmërinë Kosovës dhe perspektivës së bashkimit kombëtar. Sa janë të vërteta këto konstatime?

Hydajet Hyseni: Ka një të vërtetë në këtë, por thonë mënyra më e mirë për të diskredituar për të kontestuar diçka të vërtetë, është ta qosh deri në absurd. Druaj se edhe një primesë e tillë negative e Planit të Ahtisarit zor se  i shkon për shtati, dhe për tu lidhur edhe me pyetjen e mëparshme, unë personalisht kam qenë në një situatë të tillë shumë të veçantë gjatë shqyrtimit në Kuvend të këtij dokumenti. Nuk u lejua që ky dokument në faza paraprake, ose edhe gjatë fazës së shqyrtimit të debatohej, të shqyrtohej dhe të ndahej, ç’është ajo që është e drejtë dhe duhet të përkrahet, ç’është ajo që duhej korrigjuar, ç’është ajo që duhej kundërshtuar. Nuk u lejua ajo që kanë thënë të parët: O Zot më jep forcë për të pranuar diçka që duhet pranuar, më jep guxim për të kundërshtuar diçka që duhet kundërshtuar dhe më jep mend që t’i dalloj këto të dyja. Nuk mund të kundërshtohej një dokument që thoshte se Kosova duhej të jetë shtet i pavarur, sovran, se territori i Kosovës duhet të jetë i pandashëm se edhe hapësira ajrore e Kosovës duhet të jetë në kontrollin e Kosovës, se pasuritë e Kosovës i takojnë Kosovës, e të tjera të kësaj natyre. Po edhe nuk mund të pajtoheshe lehtë me formula që ndonjëherë bien ndesh me këto formula, që sapo i thash. Mendoj që gabimisht është interpretuar ky dokument, njëherë si një dokument i pandryshueshëm, së dyti si një zgjidhje maksimaliste e kënaqshme për shqiptarët e të tjera. Vetë zoti Ahtisari ka pas deklaruar se ky dokument është një kompromis, dhe atë një kompromis  i dhembshëm për shumicën shqiptare. Ka pas kërkuar në bazë të asaj që di unë, edhe në bazë formale prej drejtuesve të Kosovës që të mos i jepni shumë zjarr, “të mos festoni dhe lavdëroni shumë sepse edhe nuk meriton edhe prish punë një qasje e tillë”. Megjithatë te politikanët ka pas ardhur  në shprehje njëfarë ekzagjerimi i rëndësisë së tij, njëfarë glorifikimi, që edhe i është kthyer si bumerang Kosovës. Ç’është e vërteta ai dokument duhet parë si një dokument i kohës, i cili do ndryshuar.

Mua më ka ndodhur në Parlamentin Evropian kur po kërkohej prej nesh se a duhet të zbatonim Planin  e Ahtisarit e ligjet e tjera në përgjigjen se ne i  zbatojmë ato që janë të zbatueshme, natyrisht, atë që është e drejtë, por ka aty edhe gjëra që janë absurde, gjëra që janë të pazbatueshme dhe po të zbatohen janë kundër produktive. Kërkesa e tyre ishte, pa na thuaj cilat janë si është  e mundur kjo?

Kur dëgjuan pastaj disa anomali, e dokumenti i Ahtisarit është plot anomali të tilla, ata filluan të qeshin. Doris Pak dhe deputet të tjerë parlamentarë thanë këto janë me të vërtetë absurde, por ju duhet të zbatoni, atë që është në parim e drejtë, që ka të bëjë me paqen, stabilitetin, me respektin e të drejtave të njeriut më respektin e komuniteteve minoritare, gjëra të cilat te ne nuk janë vënë kurrë në pyetje. Por sa i përket disa  zgjidhjeve, që janë vërtetë absurde duhet të filloni procesin e korrigjimit të tyre.

Prandaj unë edhe e kam ngritur në Kuvend nevojën që t’i hyjmë procesit shqyrtimit  përgjegjshëm,  objektiv në përputhje me standardet evropiane bashkë me ekspertë evropianë, edhe për tëi parë ato zgjidhje që janë dëshmuar si të gabuara. Ka qenë e qartë se  kanë qenë të gabuara qe në nismë p.sh  nëse do  të lejohej që emërtimet e vendbanimeve të bëhen për një komunitet pakicë, ashtu siç dëshirojnë vetë banorët e atij lokaliteti, qoftë edhe me emërtime që janë fyese për shumicën e popullatës, kurse për komunitetin shumicë, shqiptarë, duhet përdoreshin emërtime të cilat objektivisht nuk kanë qenë asnjëherë të përdorura zyrtarisht as në kohën e Rankoviqit as të Millosheviqit, siç është p,sh fshatrat: Vllashticë e Vlladovë siç është kërkuar të përdoren, e që nuk përdoren prej banorëve, sepse nuk janë përdorur si të tilla në as një kohë, po janë përdorë Llashticë, Lladovë etj.

Sigurisht, absurde të tilla nuk mund të kenë shpjegim, nuk mund të kenë justifikim, por është e vetmja përgjigje, e kështu është vendosur e nuk ndryshohen  dot. Po nuk është ajo Bibël, që mos të ndryshohet duhet të ndryshohet dhe është koha që t’ i hyhet  procesit te zgjidhjeve, që  është normale, të bëhen zgjidhje të qëndrueshme për mendimin tim, duke respektuar gjithmonë ato që janë të drejta të njeriut, të gjithë qytetarëve  edhe  të drejtat e  komuniteteve minoritare. Ne kemi vuajtur nga shovinizmi nuk lejojmë shovinizëm, ne kemi vuajtur nga diskriminimi s’lejojmë që të tjerë të diskriminohen, por jo duke i çuar në absurd, ato që quhen të drejta të tyre, por që nuk  janë lëshime në favor të banorëve të Kosovës, apo të ndonjë shteti jashtë Kosovës, jo në favor të serbëve të Kosovës, po të Serbisë dhe lojërave të saj, që janë jo vetëm antishqiptare por edhe antiserbe. Është dëshmuar se ata dëmtojmë edhe serbet e Kosovës, dëmtojmë procesin e normalizimit të gjendjes në Kosovë, dhe mendoj se kjo farë politikë servile dhe hipokrite, kurrë s’ka funksionuar, kurrë si ka ndihmuar as Kosovës, as një komuniteti.

Pikërisht një politikë e tillë e çoroditur edhe i ka marrë në qafë si të them serbët e Kosovës, e ka dëmtuar të ardhmen e tyre është koha që t’i themi jo një politike tillë.

RKL: Nëse konstatojmë me të drejtë, se keni bërë një jetë të tërë, aktive, në shërbim të çështjes së lirisë dhe bashkimit kombëtar, ashtu sikur kanë bërë edhe shumë bashkëmendimtar dhe bashkëveprimtarë Tuaj, ashtu sikur vazhdoni të bëni edhe tani në rrethana të tjera, cila ka qenë jeta e Juaj personale, në familje me prindër, me bashkëshorten, me bijtë, motrat? A mendoni se keni sakrifikuar në këtë drejtim?

Hydajet Hyseni: Nuk e prisja një pyetje të tillë, nuk më është bërë pyetje e tillë. Do të thosha, jeta ime private në përgjithësi, ka qenë e mirë edhe pse ka qenë e mundimshme, shpesh herë e dhembshme. Kam qenë vetmi djalë  në një familje të vuajtur, me gjendje relativisht të varfër, jo për fajin e tyre. Babai im ka qenë pesë gjashtë vjet robër lufte, nëna ime e ka pritur pesë gjashtë vjet burrin e saj vetëm të fejuar. Megjithatë,  jam pjesë e një familje veçanërisht të ngrohtë, veçanërisht të dashur. Prindërit e mi më kanë ofruar një dashuri të jashtëzakonshme, kam fëmijë me të cilët jam shumë i kënaqur, janë rritur  pa prind, po janë të mirë, janë të ndershëm, janë suksesshëm dhe kjo më bën të ndjehem mirë, tani jam edhe gjysh, tani që po rriten nipër e mbesa. Mund të them që nuk kam arsye për  të qenë i  pakënaqur me jetën time. Nuk më dhimbset as një herë koha, që ia kam kushtuar lirisë. Madje do të shtoja, me një rast kur po bisedonim me Zija Shemsiun, pikërisht për këto dhe unë po i shprehja keqardhjen time, që ai ishte i burgosur po s’ishte burgosur vetëm ai,  po edhe dy vëllezërit e tij, babai i tij dhe gjithë familja, të gjithë meshkujt dhe pjesa  tjetër ishte nën presion intensiv. Përgjigja e tij ishte: Epo edhe ata ja kanë borxh lirisë së Kosovës, ia kanë borxh Atdheut. Ne ia kishim borxh Kosovës shërbimin edhe sakrificën. Më vjen keq, vetëm nëse nuk kemi bërë sa duhet, më vjen keq nëse nuk e kemi ruajtur sa duhet fitoret e Kosovës  dhe ndodh pastaj ato edhe të përdorën e keqpërdorën edhe ashtu siç nuk duhet.

Po mendoj se jemi në rrjedhë,  është proces që rrjedh dhe  ka  ende kohë për të vazhduar përpjekjet edhe për t’u sakrifikuar. Unë bëj edhe një punë të vazhdueshme, që e konsideroj vullnetare edhe e bëj me përkushtim dhe dashuri të veçantë në “Shoqatën e të Burgosurve Politikë” ose edhe në angazhimet e ngjashme që te unë është edhe një statisfaksion shpirtëror, si nevojë për të thënë, që bëj punën time, për të cilën paguhem. Vazhdoj edhe të ndjehem borxhli ndaj popullit tim, ndaj njerëzve ndaj shokëve të mi të prangave që vuajnë, janë në gjendje shumë të rëndë, ndaj kauzës së tyre, ndaj kauzës sonë të përgjithshme, që ende nuk e ka gjetur zgjidhjen e duhur e të kënaqshme, ndaj brezave që vijnë dhe që kanë të drejtë të kërkojnë më shumë prej nesh. Mendoj se kemi borxh të përhershëm. Ka një miniaturë të cilën dua ta përdor, të një poeti të njohur ku thuhet:

Atdheut edhe të gjitha po t’ia fal 

Edhe të digjem edhe të shuhem edhe të tretem

Nga borxhi dot s’ i dal

Prapë borxhli do të mbetem.

RKL: Ju falënderojmë për intervistën dhe ju dëshirojmë shëndet, fat dhe suksese në punën dhe angazhimet Tuaja

 

Hydajet Hyseni: Unë dua të ju falënderoj dhe mbase do ta përfundoj me një urim që përvjetorët e tjerë të Pranverës së madhe të vitit 1981 ta gjejnë Kosovën tonë dhe gjithë kombin, ashtu siç e kanë dëshiruar dëshmorët e lirisë, të të gjitha periudhave

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …