Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe deputeti Rrahman Rama ka bërë të ditur se, bashkë me 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale për inicimin dhe miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Sipas Ramës, projektligji tashmë është përgatitur dhe kompletuar me gjithë dokumentacionin përkatës, duke qenë gati për procedim sapo të krijohen kushtet institucionale. Ai sqaroi se dorëzimi zyrtar është shtyrë përkohësisht për shkak të paqartësive rreth mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit, por theksoi se nëse kjo nuk ndodh, iniciativa do të procedohet menjëherë. Rama u shpreh i bindur se lufta për liri dhe vlerat që ajo përfaqëson meritojnë të mbrohen dhe të institucionalizohen përmes ligjit, duke e cilësuar këtë nismë si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e historisë dhe sakrificës kombëtare. Në fund, ai falënderoi deputetët që kanë mbështetur këtë iniciativë, duke theksuar se uniteti rreth vlerave të luftës është mesazh i fuqishëm për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
