Rrëzohen shtyllat elektrike, KEDS dhe Komuna e Fushë Kosovës injorojnë peticionet

Rrëzohen shtyllat elektrike, KEDS dhe Komuna e Fushë Kosovës injorojnë peticionet

Shiu i mbrëmshëm dhe erërat e fuqishme të ditës së mërkure kanë dëmtuar dhe rrënuar një pjesë të infrastrukturës së vjetruar të rrjetit elektrikë në zona të ndryshme gjithandej Kosovës. Një dëmtim i tillë është ri-shfaqur edhe në fshatin Miradi e Epërme të Komunës së FushëKosovës, me ç’rast një nga shtyllat transite (nga njëri kah i rrugës tek tjetri) është shembur në rrugën kryesore “Dëshmori”, duke hedhur përtokë kabllot me rrymë, të cilat paraqesin rrezik për kalimtarët dhe banorët e zonës.

Pas bllokimit të rrugës, dikush prej udhëtarëve ka lajmëruar Policinë e Kosovës (PK) dhe Kompaninw Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS), dhe pas mesditës një ekip e kësaj kompanie ka dalë në terren, me ç’rast e kanë tejkaluar kabllon e rrymës formalisht mbi rrugë, duke ia vendosur një qese plastike si shenje paralajmëruese, por e kanë lënë të shtrirë, së bashku me shtyllën, pranë rrugës kryesore.

Kjo avari (rrëzim i shtyllave), siç njoftojnë banorët, ndodh për shumë vite rresht, thuajse çdo herë kur ka erë të fortë, duke e bllokuar hyrjen kryesore të fshatit Miradi. Prandaj, sipas tyre, kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore pse ata iu janë drejtuar KEDS-it, Kuvendit Komunal dhe Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Mjedis, të Komunës së FushëKosovës, me disa kërkesa dhe peticione të cilat nuk janë marrë fare parasysh.

Peticionin e fundit (4 korrik 2019), me 108 nënshkrime, banorët e këtij fshati e kanë dorëzuar në tri kopje tek të tria institucionet e lartcekura, të cilat janë përgjegjëse për shërbimet publike ndaj qytetarëve, por që as në këtë rast nuk kanë marrë përgjigje konkrete.

Sipas këtij peticioni, banorët e këtij vendbanimi kanë paralajmëruar edhe bllokim të rrugës si dhe protesta para Komunës nëse nuk rregullohen shtyllat dhe trafoja e (tensioni i rrymës), e cila akumulon energji të pamjaftueshme (105-170 W) për fshatin në zgjerim e sipër.

Ajo që është më ironike, pak javë më parë, pikërisht në periudhën e fushatës paraelektorale të zgjedhjeve të fundit, në këtë fshat janë bërë investime milionëshe në shtyllat e ndriçimit publik si dhe në shtrimin e rrugicave private me asfalt, ndërkaq nuk është investuar fare në evitimin e problemeve esenciale siç është tensioni i ulët i rrymës dhe shtyllat e vjetruara të përçimit të energjisë.

/a.breznica/

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, për ndërhyrje direkte në procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin Albin …