Rritet interesimi i qytetarëve të Skenderajt për falje të borxheve

Në dy javët e fundit të afatit për faljen e borxheve, fluksi i qytetarëve të Skenderajt që po aplikojnë në këtë proces, është rritur ndjeshëm.

Falja e borxheve në Komunën e Skenderajt bëhet në dy kategori të taksave, në taksat në biznes dhe në tatimin në pronën e paluajtshme.

Sipas Drejtorit për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, Ismat Aliu, qytetarët e Skenderajt gjatë dy javëve të fundit të afatit të paraparë për falje të borxheve, kanë shfaqur interesim të madh për aplikim dhe kryerje të obligimeve që kanë ndaj komunës pas vitit 2008, në mënyrë që të përfitojnë nga falja e borxheve të grumbulluara deri në fund të këtij viti.

Sipas tij Komuna e Skenderajt ka aplikuar procedura të thjeshtësuara për faljen e borxheve, pasi qytetarët përmes një kontrate për programimin e pagesës së obligimeve nga viti 2009, përfitojnë faljen e borxheve për periudhën kohore të paraparë me ligj, si dhe faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligimi tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë e obligimeve.

Qytetarët që aplikojnë për faljen e borxheve përfitojnë sepse u shlyhen një pjesë e madhe e obligimeve të pa paguara në taksa në biznes dhe në tatimin në pronën e paluajtshme, si dhe nuk paguajn gjobat dhe interesin, obligime këto të krijuara deri në periudhën deri më 31 dhjetor 2008.

Komuna e Skenderajt edhe një herë fton qytetarët e Skenderajt dhe bizneset që të shfrytëzojnë afatin për faljen e borxheve në tatimin në pronë si dhe në taksa në biznes, taksa të cilat i mbledhin institucionet lokale.

Afati për shlyerjen e borxheve është vetëm deri më 2 shtator 2016 dhe qytetarët që nuk aplikojnë në këtë periudhë nuk mund të përfitojnë nga falja e borxheve, pasi nuk do të ketë afat shtesë për faljen e borxheve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …