Sabit Gashi

Sabit Gashi: Aventurat e kryeministrit Kurti të rrezikshme për të ardhmen e kombit

Pas një intervenimi disa ditorë të policisë speciale të Kosovës, në Bruksel u arrit një marrëveshje e përkohshme në mes të Kosovës dhe Serbisë për targat.

Por cila ishte e vërteta e kësaj marrëveshje dhe çka ndodhi në të vërtetë?

   Kishte kohë që Qeveria Kurti me veprime të gabuara vazhdimisht, siç ishte ajo e kundërshtimit  të marrëveshjes së Uashingtonit, ku i bëri thirrje presidentit Biden që të anulonte këtë marrëveshje, sepse sipas mendimit të Kurtit ajo ishte e dëmshme për Kosovën, por përgjigjen e mori nga DASH dhe presidenti Biden, se kjo marrëveshje është e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dhe duhet që të zbatohet pikë për pikë, pasi ajo brenda e ka Minishengenin Ballkanik, i cili u ofron zgjidhjen më të mirë për shtetet e Ballkanit Perëndimorë. Pastaj duke e hedhur blanco nismën rajonale për Open Balkan, me arsyetimin se ajo është me orientim nga lindja “ nga Moska e Kina”, të cilën më vonë në pyetjen e gazetarëve për “teori konspirative”, të cilën e kishte akuzuar kryeministri Rama, Kurti u përgjigj me demagogji , duke u thënë atyre pyeteni kryeministrin Rama për çfarë teorie bëhet fjalë? Pra donte të paraqitej hipokrit para gazetarëve, sikur ky nuk e dinte se çfarë kishte thënë më herët që Open Balkan është me orientim nga lindja, Kina e Moska.

   Dështimi për të vaksinuar popullin me kohë kundër virusit, i cili solli një përhapje të shpejtë të pandemisë dhe për një muaj e gjysmë vdiqën rreth 800 njerëz, ishte një tregues se kjo qeveri nuk ishte e aftë për të menaxhuar me pandeminë, për shkak të mos furnizimit me kohë me vaksina për shkak se Kurti doli prapë me një teori konspirative me rastin e ofrimit të ndihmës me vaksina nga Shqipëria, se: ato janë kineze, duke dalë kështu përmbi standardet e OBSH, e cila i kishte licencuar këto vaksina, të cilat i shpëtuan jetën dhjetëra mijëra qytetarëve të Shqipërisë, si dhe miliarda njerëzve nëpër Botë.  Po ashtu e dështuan me qëllim marrëveshjen për të blerë vaksina, me të cilat do të shpëtonin jetët e njerëzve. Acarimi i  marrëdhënieve me Shqipërinë, për shkak të gabimit fatal të tij, duke lidhur koalicion me Berishën e Metën që të shkojë të bëjë fushatë kundër kryeministrit Rama, si dhe duke votuar si kryeministër i Kosovës në Shqipëri, ku shkaktoi skandal të madh, duke e nxitur një përçarje të madhe në mes të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Rritja e çmimeve dhe mos ngritja e rrogave, si dhe dallimi i madh i rrogave të pushtetarëve në krahasim me rrogat e klasës së ulët, të cilat janë në raport 1:500, apo më mirë të thuhet se pagat maximale të pushtetarëve janë 500 herë më të mëdha se sa pagat minimale, e sollën popullin para një varfërie të skajshme.

Mosdija që të udhëheqin me shtetin, duke mos arritur që të nisin asnjë projekt serioz kombëtar, duke e bërë stagnimin e vendit në vend numëro. Largimi i të gjithë atyre që nuk janë pjesë e partisë së tij, për t’i ndërruar ata me familjarë e të afërt të vet, apo me të afërt të pushtetarëve. Refuzimi i projektit TAP të gaz sjellësit, i cili është projekt amerikan, në të cilin vet presidenti Biden i ndau Kosovës 200 milionë dollarë  ndihma për të vënë në funksion këtë gazsjellës, për të cilin u bë punë e madhe për ta devijuar që të kalojë edhe nëpër Kosovë, me të cilin do të përfitonte Kosova dhe të hiqet përdorimi i qymyrit në termo elektranat e Kosovës, për shkak të kostos së lartë të përdorimit, si dhe ndotja e lartë e ambientit, e që sipas disa analistëve Kosova duhet që të paguajë në vitin e ardhshëm rreth 40 milionë euro taksa, për shkak të ndotjes së ambientit, pasi Kosova hyn ndër ndotësit më të mëdhenj në rajon me përdorimin e qymyrit.

Paaftësia e qeverisë për të mos arritur që të procedojë ligje në kuvend (për tetë muaj janë ratifikuar vetëm katër ligje). Dështimi i diplomacisë së jashtme, duke i shkarkuar në paketë rreth 27 ambasadorë, vetëm pse nuk  i takojnë partisë së Kurtit, si dhe mos arritja për t’i zëvendësuar ata me ambasadorë të rinj, (për shkak të mungesës intelektuale që i ka kjo parti). Marrëveshja në mes të zv. kryeministrit Bislimi dhe Serbisë  për hapjen e arkivave për UÇK në, me të cilën është interesi shumë i madh i Serbisë për të barazuar ushtrinë serbe, e cila ka bërë gjenocid dhe masakra të tmerrshme mbi popullatën e Kosovës, me UÇK në, e cila kishte bërë Luftë Çlirimtare, si dhe shumë dështime të tjera, të cilat janë të prekshme për këtë qeveri, e cila po tregohet shumë e paaftë për të qeverisur me vendin dhe  e bënë që kjo qeveri ta sjellë vendin para kollapsit dhe të zhgënjehet pjesa më e madhe e popullatës në Kosovë. Kështu që para zgjedhjeve lokale të tetorit, sondazhet tregonin për një rënie të madhe të kësaj partie, e cila po e tregon performancën më të keqe deri tani, nga të gjitha qeveritë e kaluara, nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke shkaktuar një regres të madh në vend.

   Por ndër dështimet kryesore të Kurtit është pa dyshim dialogu dhe qasja ndaj tij, i cili po e mban vendin në status quo dhe nuk po mund të lëvizet asnjë hap përpara, për faktin se me marrjen e pushtetit, Kurti deklaroi se nuk e ka në prioritet dialogun me Serbinë. Kjo bëri që vendi të stagnojë, duke e mbajtur atë në gheto dhe të paraqiten një sërë problemesh, të cilat i takojnë pikërisht dialogut, i cili është  i pashmangshëm në kushtet në të cilat ndodhet rajoni. Deklarata e Kurtit se do të dialogojë me serbët lokal, e jo në nivel qendror, si dhe largimi i tij me Shqipërinë për shkak të gabimeve të veta që i kishte bërë atje, solli një varg problemesh, si dhe dështimet e tjera që u përmendën më lartë, bënë që kjo qeveri të ngelet në vend numëro dhe të bjerë shumë në sondazhe.

    Prandaj për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e vazhdueshme të kësaj qeverie, Kurti i hyri një aventure të re në veriun e Mitrovicës, duke i dërguar atje njësitë speciale  për të bërë një spektakël me qëllim elektoral, me pretekstin se do ta realizojë një marrëveshje të nënshkruar nga qeveritë e kaluara, e cila skadonte këtë muaj. Mirëpo Kurti u mundua që të shfrytëzojë këtë rast për të bërë një spektakël me policinë speciale, për të zhvendosur vëmendjen nga problemet që i ka vendi, pa pasur ndonjë kundërshtim të popullatës atje. Këtë veprim të pa matur të Kurtit e shfrytëzoi në mënyrë perfide Serbia, duke organizuar kriminelë të njohur të  Serbisë, si dhe komplet Lista Serbe, për të cilën Kurti po pretendonte se do të bisedonte me ta, duke u thurur lavde atyre, mirëpo pikërisht Lista Serbe e komanduar nga Beogradi, ishte ajo që e organizuan popullatën lokale  dhe e bënë bllokimin e rrugës, duke i futur në sendwich Policinë Speciale të Kosovës për trembëdhjetë ditë me radhë, derisa u arrit marrëveshja në Bruksel në mes të Serbisë dhe Kosovës. Këto veprime të pamatura të Kurtit, e bënë që të dalin në pah disa tendenca e gabime të shumta që i bëri Kurti nga marrja e detyrës, e deri në ndërmarrjen e këtyre veprimeve të pamatura, me të cilat e provokoi luftën me Serbinë, pasi nuk ishte bërë një plan i detajuar mirë dhe dështoi që në hapat e parë të tij.

      .

Ky aksion i policisë speciale, para bashkësisë ndërkombëtare e paraqiti popullatën serbe atje në veri si viktimë, e cila u sulmua nga njësitet speciale të Kosovës pa asnjë shkak, gjë që Serbia e shfrytëzoi me një dhelpëri të veçantë, për të bllokuar policinë speciale të Kosovës.

Nuk ishte koordinuar me SHBA të dhe NATO n, të cilët janë përgjegjës për ruajtjen dhe sigurinë territoriale të Kosovës, pasi ata u deklaruan se u zunë në befasi, e që në rast të ndonjë ndërhyrje, ata të dilnin  në mbrojtje të Kosovës.

E vuri në sprovë shtetin e Kosovës, pasi Serbia jo vetëm që e bllokoi policinë speciale të Kosovës, e poshtëroi atë, por edhe filloi që të shfrytëzoi këto gabime të Kurtit, për të treguar forcën dhe për të treguar se ende është gjallë dhe se nuk mund të luhet me të.

  Shtrohet pyetja se a ka mundur që të veprohet ndryshe pa pasur nevojë për një sprovë të tillë të shtetit të Kosovës? Përgjigjja është po, ka mundur që të bëhet ndryshe. Pra qeveria e Kosovës do të duhej që pa e bërë të madhe të fillonte me zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për tabelat, duke e shpallur një dekret për reciprocitetin për tabela me Serbinë, pastaj nëse do të haste në kundërshtim të tyre, të bënte ankesë në organizmat ndërkombëtarë për pengesat, që do t’i kishte bërë Serbia, apo popullata serbe në veri të Kosovës. Sepse kjo është e vërtetuar me çështjen e reciprocitetit kur ishte vënë në kohën sa ishte kryeministër Ramush Haradinaj. Aty ishte vënë reciprociteti njëqind për qind për mallrat serbe, i cili u zbatua për një kohë të gjatë dhe nuk pati asnjë problem për veç ankesave të Serbisë te bashkësia ndërkombëtare, e cila më vonë kërkoi heqjen e taksës.

  Këto gabime të Kurtit, i shfrytëzoi Serbia në mënyrë perfide dhe e shfrytëzoi rastin, përveç që të poshtërojë Policinë Speciale të Kosovës dhe shtetin e saj, ajo u ngut për të vënë kushte të tjera, të cilat në dialogun në Bruksel i shfaqi para bashkësisë ndërkombëtare, të cilat duhej që të plotësoheshin.

1) E para kërkoi që në këmbim të stikersave, për të mos pasur nevojë që të hiqeshin tabelat nga të dyja vendet, të hiqen tabelat KS nga përdorimi , të cilat i lëshonte Kosova me marrëveshjen e vitit 2016, kurse në vend të tyre, të kthehen në veri tabelat KM, UR, GL, PR, etj. të cilat janë lëshuar nga koha e Milosheviçit.

2) Në të ardhmen Kosova nuk guxon që të dërgojë njësinë speciale në veri, sepse do të ketë prapë bllokime të tilla nga Serbia, por për të realizuar një aksion të tillë duhet që së pari të pyetet Serbia dhe popullata lokale atje.

3) Kjo do të jetë shumë e mirëseardhur për kriminalitetin atje dhe fshehjen e kriminelëve, të cilët tashmë do ti kenë duart e lira, sepse janë ta pavarur për veprime të tyre nga qeveria qendrore.

4) U bë kthim mbrapa në dialogun me Serbinë, pasi u rrënuan të gjitha të arriturat e mëparshme dhe u kthye në pikën zero, që nga koha kur u vendos sovraniteti i qeverisë së Kosovës në vitin 2011. Pra nga një dialog ku duhej që të vendosej për pranimin e Kosovës nga Serbia, u kthye në një dialog të nivelit të ultë për tabelat.

5)Tash e tutje Serbia do të bëj ndërhyrje edhe në sistemin gjyqësor të Kosovës, sidomos kur janë në pyetje serbët, nëse bën të dënohen, ose jo.

     Këto dhe gabime të tjera të Kurtit janë aventura të rrezikshme të tij, pasi po mundohet që të shkatërrojë gjithçka që është krijuar më herët dhe të fillojë nga e para me ide të tija të quajtura si “Albinizëm”,  sipas të cilave ide asgjë e mirë nuk është bërë në Kosovë para ardhjes së tij në pushtet dhe se ato duhet që të revidohen, apo të hiqen si të tilla. Pra të prishet gjithçka që është bërë më herët, aty ku nuk ka marrë pjesë Kurti.

     Këto veprime të tij, vazhdimisht po tregohen të gabuara, të pa dobishme dhe të rrezikshme për vendin. Veprimet e fundit tregojnë se për të pasur sukses, dialogu nuk mund të kufizohet me serbët lokal si ka qenë deri tani angazhimi i Kurtit, por duhet që të shkohet në dialog gjithëpërfshirës, duke bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë dhe të kyçet në nisma rajonale siç është Open Ballkan, e cila i heq tensionet e luftës me Serbinë dhe e relakson rajonin nga tensionet, me qëllim që të ketë zhvillime ekonomike, kulturore, etj. Sepse me nismën Open Balkan, të cilën e ka pranuar edhe Serbia, më së shumti fiton Kosova dhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi, sepse në këtë nismë Kosova do të futet me të drejta të barabarta dhe të gjitha marrëveshjet që lidhen me Kosovën, do të pranohen nga Serbia dhe kjo e bën që de facto të pranohet Kosova. Do të ketë investime të huaja dhe do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe të kapitaleve, etj. Në të kundërtën nëse Kurti vazhdon me krijimin e tensioneve të tilla, do të kemi trembjen e investitorëve të vendit, si dhe do ta humbim përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, vendi nuk do të lëvizë nga kjo status quo ku gjendet për momentin dhe nuk do të ketë asnjë zhvillim pozitiv.

Urojmë që të mos shohim më aventura të tilla, të cilat po i kushtojnë vendit shumë shtrenjtë.

(Sabit Gashi i lindur me datë 30 12 1967 në fshatin Studençan komuna e Suharekës. Rrjedh nga një familje e madhe atdhetare, të persekutuar nga ish pushteti jugosllav, duke filluar nga gjyshi i tij Ymeri, i cili ishte i mbijetuar i masakrës së Tivarit, pastaj babai dhe djemtë e xhaxhait, të cilët u dënuan me vite burg për aktivitete patriotike nga viti 1981 e më pas. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse të mesmet në Therandë. Qysh nga mosha 13 vjeçare u angazhua në lëvizje ilegale LPRK dhe u mor me shkrime të parullave dhe shpërndarje të materialeve propagandistike kundër okupatorit jugosllav. Pas shkollës së mesme e kreu shërbimin ushtarak në Split të Kroacisë dhe pas kthimit nga ushtria e vazhdoi aktivitetin ilegal me shokë të tij. Më vonë u angazhua në aktrim përmes grupeve dramatike dhe arriti që të luajë disa role, prej të cilave edhe role kryesore, e që patën jehonë të madhe, sidomos filmi TOKA E PËRGJAKUR, i ili u shfaq në vitin 1998. Me fillimin e luftës çlirimtare u radhit në mesin e atyre që i vunë gjokset e tyre kundër pushtuesit jugosllav dhe tregoi rezultate shumë të mira në luftë, prandaj për këtë nga SH. P i UÇK. u ngrit në detyrën e Kom. Togu i PU ZOP, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të luftës. Me përfundimin e luftës, u emërua komandant i stacionit policor në Therandë, detyrë të cilën e mbajti deri në demilitarizimin e UÇK së. E ka të kryer fakultetin juridik dhe provimet master në drejtimin Kushtetueso-Administrativë. Merret me shkrime dhe është shkrimtar romansier, e ka botuar romanin historik VITET E LAVDISË-ZHGËNJIMET,  romanin JAPONEZI dhe romanin JETA ME FANTAZMA. Aktualisht po punon me projekte të reja në shkrime dhe kohë pas kohe merret me analiza politike.).

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ka disa vite që veprimtari i orëve të para për Pavarësinë e Kosovës, ish i …