Sadedin Hysen Shehu (16.2.1958- 19.11.1998)

Sadedin Hysen Shehu (16.2.1958- 19.11.1998)

Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkuan edhe shumë bijë e bija të Gjakovës. Ky qytet ka dhënë numër të madh të luftëtarëve, shumë prej të cilëve kanë rënë dëshmorë të kombit. Njëri ndër ta është edhe Sadedin Shehu, i ashtuquajturi Baba Sheh, i cili lindi më 16 shkurt të vitit 1958 në Gjakovë. Babai i tij, Sheh Hyseni, që në fëmijëri i rrëfente për trimat dhe qëndresën e gjakovarëve në luftë kundër armiqve serbo-malazez. Prindërit Hyeseni dhe Hatixhja lindën dhe rritën bijtë dhe bijat: Sadedinin, Shpresën, Vahdetën. Luljetën, Elhatin dhe Vehbiun.
Sadedini, shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Pas përfundimit të shkollimit u punësua në Kombinatin Ndërtimor Industrial. “Dukagjini” si vozitës ku punoi deri më 1981, ku nga ky vit fillon edhe aktiviteti i tij atdhetar. Sadedini ishte pjesëmarrës i Demonstratave për të kërkuar Kosovën Republikë. Aktiviteti i tij bie në sy të policisë për çka detyrohet të marr rrugën e mergimit.
Fillimisht vendoset në Bruksel të Belgjikës, e cila asokohe ishte qendër e veprimtarëve kombëtare. Atje ai organizon demonstrata me bashkatdhetarë ku përkrahte Kosovën Republikë. Ai punonte dhe mbante edhe familjen. Gjatë qëndrimit në Belgjikë njihet me Linën me të cilën martohet në vitin 1983, një vit më vonë u lind djali, të cilin e pagëzojnë me emrin, Qamil.
Në vitin 1987 kthehet në Gjakovë dhe vazhdon aktivitetin e tij atdhetar, ku mori pjesë në të gjitha demonstratat. Në vitin 1989 ishte në krye të demonstratave ku protestonin për heqjen e Autonomisë së Kosovës. Edhe në vitin 1990 ishte në krye të demonstratave ku u vranë demonstruesit: Fatmir Kerleshi dhe Xhevat Hoxha. Me këtë rast Sadedini organizon homazhe dhe bëhet një varrim tejet madhështor. Gjendja e krijuar pas këtyre ngjarjeve e detyroi të emigroj serish ku shkoi në Gjermani. Atje bashkatdhetarët që ishin të detyruar të largoheshin nga Kosova si shtëpi të tyre kishin banesën e Sadedinit dhe mikpritjen e tij bujare. Gjatë kësaj kohe ai e hap një restorant në Hanover, ku krahas punës kishte kontakte edhe me veprimtarët të cilët punonin për luftën. Kur erdhi nga Gjermania, Sadedin Shehu solli armatim me vete.
Sadedini aktivitetin e tij e vazhdon me grumbullimin e mjeteve për luftë si dhe vullnetarëve të cilëve u prin në vitin 1998, ku shkojnë në Shqipëri. Në Tiranë ishte së bashku me shokët: Arben Gaxha, Agron Kurhasku, Muhamet Salla, Milot Morina që të gjithë nga Gjakova. Mandej vazhdojnë rrugën për Kosovë me një numër të madh djelmoshash ku rradhitet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht u inkuadrua në qershor të vitit 1998 në Gllogjan të Deçanit si ushtar. Inkuadrohen në komandën e komandantit Ramush Haradinaj. Dëshmori dhe trimi Sadedin Shehu nga ditët e para mori pjesë në të gjitha fushëbetejat e Rrafshit të Dukagjinit si në Kralan, Prejlep, Hereç, Gllogjan, Carrabreg, Jabllanicë etj.
Në fshatin, Prejlep, lufta me forcat ushtarake serbe u zhvillua në një distancë rreth 70 metra. Ai u dallua me trimërinë dhe largpamësinë e tij, për çka edhe u thoshte shokëve: dëgjoni sonte lajmet, vet serbët do ta pranojnë humbjen e betejës. Betejat ishin shumë të ashpra dhe Sadedini ishte i pa mposhtur me mortajën e tij.
Ndërkohë niset për armatim në Shqipëri ndalet në Junik për të pushuar, dhe për një moment sulmohet Juniku ku ndër të parët niset Sadedini pastaj bashkluftëtarët Naim Maloku dhe Shkëlzen Batusha. Në vijën e frontit plagosen që të dy, por Sadedini disa orë me radhë qëndron në pikën luftarake, dhe të nesërmën e vazhdon rrugën nëpër Alpet shqiptare. Serbët fillojnë sulmin në drejtim të fshatit Gjocaj dhe Junik. Komandant Rrustem Berisha dhe Agim Ramadani, kërkojnë ndihmë prej djemve të Gjakovës, dhe kësaj thirrje i përgjigjen Sadedini me katër shokë, ku në këtë betejë serbet kishin humbur dy epror të lartë dhe dy ushtarë. Nga konsiderata shokët e quanin, Baba Sheh. Përveç që dallohej në luftime ai ishte shumë aktiv edhe në përcjellje të popullatës së zhvendosur grykave e maleve, ku kujdesej për furnizim të popullsisë. Serbët përgatisin një kurth ndaj misionarës Selli Beker, e cila kishte mision humanitar për ndihmë popullatës së zhvendosur. Në një moment kritik, arrestohet Selli Beker dhe një grua, të cilat u zunë nga armiku serb, ndërkaq Sadedini me ta parë ngjarjen shkon i tërheq fëmijët dhe i shpëton.
Për shkak të rrethanave të disfavorshme kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishte mbetur pa armatim , komandanti i ZOP të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kërkon nga disa luftëtarë që të shkojnë në Shqipëri për të marrë armë, lajmërohet Sadedini i cili u thotë shokëve: së shpejti do të shihemi.
Ai merr rrugën drejt Gajkovës sepse dëshira për ta parë nënën pas disa vitesh nuk e linte të qetë, dhe këtë dëshirë e realizon, dhe pas disa ditësh me 19 nëntor të vitit 1998 së bashku me Besim Bistrazhinin, Përparim Saraçinin dhe disa shokë niset drejt kufirit shqiptaro-shqiptar. Në rrugëtim e sipër pikërisht në vendin e quajtur, Bokë e Devës, grupit prej pesë vetash të cilit u printe Sadedini në një çast u ka thënë: Shokë ramë në mina, aty plagosën katër ushtarë të UÇK-së, Besim Bishtazhini, shkon për ta tërhequr Sadedinin, i cili ashtu i plagosur i thotë: më leni mua këtu, dhe në ato çaste ndërron jetë. Të plagosurit e tjerë e njëri nga ta Përparim Saraçini, arrijnë në qytet. Përkundër përpjekjeve të familjarëve për të gjetur trupin e pa jetë të Sadedinit, sot e asaj dite nuk është gjetur asnjë gjurmë.
Sadedini pas vete ka lënë, gruan Linën dhe tre fëmijët: Qamilin, Vlorën dhe Albanin.
Rruga e shtëpisë ku ka lindur Dëshmori Sadedin Shehu është emërtuar me emrin e Tij.
Sadedin Shehu është nderuar me mirënjohje të shumta nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe nga Komanada e Zonës Operative të Dukagjinit. (Arbër Shehu)

Kontrolloni gjithashtu

Bektesh Nuhi Haliti (25.3.1976 - 6.11.1998)

Bektesh Nuhi Haliti (25.3.1976 – 6.11.1998)

Bektesh Haliti i takon një familje tradicionale shqiptare, pjesëtar i një vëllazërie 14 anëtarëshe. Ishte …