Agim Bardh Zeneli (16.11.1962 - 29.1.1999)

Agim Bardh Zeneli (16.11.1962 – 29.1.1999)

“Më mirë të na rrojnë fëmijët, qoftë

 edhe pa prindër, por në liri, se sa

 me prindër e në robëri”. (Agim Zeneli, Ditari dhe kujtimet…)

Shqiponja e sotme, e njohur dikur në hartat serboçetnike si Jabllanicë, shtrihet dhe mbulon pjesën veriore të Dushkajës, është  kryesisht e rrethuar me male kah Llugaxhia,  Zhabeli, Gërgoci e Kralani, të njohura për të gjithë luftëtarët e lirisë që kalonin qoftë nga Lugu i Baranit, apo nga Lugu  i Leshanit, Lugu i Kërninës e  nga Anadrini, kurse sot për lexuesin Shqiponja është e njohur për luftën e dushkajasve të Rrafshit të Dukagjinit, sipas monografisë së profesor Skënder Hoxhës e të shkrimeve të krijuesit Hasan Hasani. Pothuajse nuk ka breshëri, stuhi e as rrebesh e që nuk u shkarkua mbi Shqiponjën dhe fshatrat e Dushkajës, “n’luftë me turk e n’luftë me shka, gjith’ tuj u pre e gjith’ tuj u vra”.

Shqiponjën  e  patën  lakmuar  edhe Kosta Peçanci me Miliq Kërstën e me Arsenije Qirkun – Acën, e veçanërisht Spirodin Dobrosavleviqin i Dellovcit, i njohur si Spirë Kapetani, mirëpo Shqiponja rezistoi dhe nuk u zhduk nga faqja e dheut, as më 9 korrik të vitit 1921, kur në “Kodër të Madhe” u pushkatuan 64 burra pleq e madje edhe   fëmijët nën e mbi moshën trembëdhjetë vjeçare. Me këto masakra komandonin, Miliq Kërsta të cilit i doli hakash Selman Kadrija, Spirë Kapetani të cilin e rahatoi Salih Shabani e kapetanët e Kërninës që i ranë në shënjestër Sadri Shalës e Nak Berishës.

Por kështu u kishte ngjarë dushkajasve se u kishin besuar të pabesëve, të cilët u erdhën sërish me dekretet jugosllave për ta kolonizuar Shqiponjën.  Sërish  qëndroi  Shqiponja,  edhe kur digjej flakë Lugu i Baranit, edhe kur dushkajasit u dërguan kah Tivari. Mbijetoi Shqiponja dhe shkëlqen sot me krenarinë madhështore të cilën e ushqen gjaku i Myrtë Zenelit që mbajti Brigadën 132 të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, gjaku i Idriz Guncatit që në Shqiponjë erdhi nga Tërsteniku i Drenasit, gjaku i nënëmadhes Azë Brahimaj, që lindi e rriti gjeneralë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjaku i Driton Mujë Zenelit që braktisi Gjakovën për ta mbrojtur vendlindjen e të et, gjaku i Xhevdet Hotit, i Luan Smajlit, i Naser Brahimajt, i Sadriut  dhe i  Myrtë Zenelit, i Arben e Bajrush Mehmetajt, i Fitim Rexhës, i Islam Ademajt e i shumë luftëtarëve trima që menjëherë, më 24 mars të vitit 1998, nën komandën e Lahi Brahimajt e të Agim Zenelit vrapuan kah Gllogjani, andej nga dëgjohej kushtrimi “Priti Djemtë e Dukagjinit” dhe sot njëri, Naseri,  është në parajsën e të madhërishmëve, e Lahiu  prapa grilave të Shveringenit.

Dëshmori i kombit Agim Zeneli, lindur në Shqiponjën krenare, e i përjetësuar më 29 janar të vitit 1999 në Rogovë të Hasit, kur “krisën pushkët në Breg të Drinit”, është i lindur më 16 nëntor të vitit 1962. Ishte djalë i madh i Bardh Zenelit e i nënës Gjykë, bijë e Gashëve të Buçanit, të Lugut të Baranit e cila në vatrën burrërore të  Zenelajve  të  Shqiponjës lindi e rriti Agimin, Beqirin, Florimin, Naimin dhe Violetën. Agim Zeneli shkollën fillore e mbaroi në Kralan, kurse  të  mesmen  profesionale në Gjakovë. Kishte dëshirë që të studiojë në ndonjërin prej fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, por ndjekjet që i bëheshin shtëpisë së Bardh Zenelit, në njërën anë, dhe skamja që e plandosi ekonominë familjare në anën tjetër, edhe të riun Agim Zeneli e detyruan që ta marrë rrugën e kurbetit e me trastë në krah të ëndërrojë për ditët më të mira, për lirinë e Kosovës e për bashkimin e trojeve nga flitet shqipja. Për të kërkuar punë vendoset në Luzern të Zvicrës duke mos harruar se duhet të përgatitet mirë që një ditë të kthehet në Shqiponjën e djegur, të shkatërruar sa e  sa herë. Nuk harronte tërë atë që kishte dëgjuar për vrasjen e 64 burrave kur Shqiponja kishte vetëm 13 shtëpi, nuk harronte atë që i kishte rrëfyer  xha Bardhi, i lindur pas vdekjes së të et, se në atë luftë i ishte  vrarë edhe babëgjyshi Avdyl Zeneli,  i sajoheshin imazhet për maltretimin e të et në lumin e Shqiponjës me pretekst se  kishte armë për çka pushtetarët serboçetnikë e kishin detyruar fshatin që ta bojkotojë Bardhin dhe tërë gjirin e tij familjar të vëllazërisë Zeneli nga Shqiponja.

Gjatë qëndrimit në kurbet Agimi vepronte në grumbullimin e mjeteve materiale për organizimin e rezistencës së armatosur në Shqiponjë, në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Kosovë. Prej vitit 1990 Agim Zeneli nuk pushon aktivitetin për organizimin e të gjitha formave të rezistencës kombëtare dhe me autoritetin e influencën që kishte në fshatrat e Dushkajës së bashku me  Lahi Brahimajn dhe Fadil Nimanin – Tigrin, arrinte që t’i organizojë banorët e Dushkajës si në manifestimet kundër dhunës serbe ashtu edhe në rezistencën aktive të vitit 1993 kur më 9 shkurt u zbrapsën forcat policore serbe që kishin ardhur për ta rrethuar dhe bastisur Shqiponjën, që hasën në rezistencën e trimit të pathyeshëm të Sadri Azem Zeneli, ndërmarrje të cilën aso kohe e pati përshëndetur dhe përkrahur vetëm profesor Ukshin Hoti i cili edhe e vizitoi fshatin në të cilin u organizua rezistenca e paparë deri atëherë. Po me një organizim të këtillë, forcat policore serbe zbrapsen nga Shqiponja dhe  prej kësaj dite e deri në shtator të vitit 1998, nuk arritën për ta thyer dhe shkelur Shqiponjën dhe ajo mbeti territor i lirë e vend nga kalonin të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rënia e Luan Haradinajt, më 6 maj të vitit 1997, i detyroi organizatorët e rezistencës së Shqiponjës që t’i shpejtojnë hapat drejt furnizimit  dhe mobilizimit, jo vetëm në Dushkajë por edhe më gjërë, prandaj edhe Agim Zeneli, krahas Lahi Brahimajt ndërmerr  hapa  edhe  më  të  shpejtë,  edhe  pse  kishte  njohuri  se

aktiviteti i tij përcillej dhe se ishte i dënuar në mungesë, sepse grupi i Tij veç kishte të shënuara aksionet e suksesshme guerile me të cilët qenë shkatërruar patrullat dhe postbloqet policore mobile e statike; me Adrian Krasniqin, Mujë Krasniqin e Qerim Kelmendin, Fadil Nimanin, Lahi Brahimajn e shumë bashkëluftëtarë. Grupi për organizimin e rezistencës mbeti i pathyeshëm në shumë skuta të Kosovës ku me kohë ishte shtrirë ilegalja dhe ishte përshpejtuar dinamika e  aktiviteteve opertive për ta lëkundur situatën në terren dhe për t’ua humbur sigurinë forcave policore serbe të mbështetura edhe nga paramilitarët e armatosur, serbë lokalë  dhe shqipfolësit e njohur e të panjohur për bashkëkombësit.

Më 5 tetor të vitit 1997 Agim Bardh Zeneli është komandant i një formacioni prej të cilit evuloi Brigada 132 e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në të cilën Agim Zeneli është së bashku me Xhelal Hajdën – Tonin, Maliq Ndrecën, Idriz Balajn, Lahi Brahimajn, Alush Agushin, Nazmi e Naser Brahimajn, Komandantin Legjendar Adem Jashari, Mujë e Ali Krasniqin, Rexhep Selimin, Beqir Gashin, Luan, Shkelzen e Ramush Haradinajn, Abedin Rexhën, Arbnor, Shaban, Gani, Florim, Beqir, Avdyl, Naim, Myrtë e Sadri Zenelin dhe shumë luftëtarë, sepse Shqiponja e Agim Zenelit sajonte nyjen kyçe për ndërlindhjen e zonave operative të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj i takonte rëndësisë primare strategjike; Drenicë-Llap-Gollak-Nerodime e Pashtrik prandaj edhe Komandanti Legjendar Adem Jashari ia pati dhuruar një snajper.

Në luftimet e 24 marsit në Gllogjan, Agim Zeneli Xhelal Hajda-Toni e  Lahi Brahimaj së bashku me grupin e luftëtarëve të Shqiponjës drejtohen kah Gllogjani dhe mbajnë krahun e vijës së Shaptejt, kurse më 20 prill Agimi  gjendet në vijat e para të luftimeve te “Diga e Radoniqit”, ku shquhet krahas Fadil Nimanit – Tigrit e Xhelal Hajdës – Tonit, të cilët i patën shpallur luftë armatës serboçetnike të pozicionuar te “Diga e Radoniqit”.

Pas kësaj, Agimi gjendet në Cermjan, në Gërgoc, në Zhdrellë, e në Maznik kurse më 13 maj hap luftime kundër forcave serbe në fshatin Këpuzë dhe më 21 maj kah ora 9,00 fillon sulmin mbi postbllokun policor të Dollovës, e sulmi zgjati deri në orën 21,00, kur shkatërrohet një  helikopterë i tipit “Kobra”,  ndërsa komandant “Çergashi” mbetet pa bashkëluftëtarët Faruk Elezin, Xhezair Sylën dhe Myrtën e Tij, por nuk u thye as fshati  Çeskaj, as Këpuzi e as Shqiponja, sepse në vijën e parë të zjarrit qëndronte e pathyeshme kompania e Shqiponjës. Më 10 korrik, Agimi sërish e sulmon postbllokun  e  Dollovës,  së  bashku me komandantët “Dimri” e “Roki”, shkëlqen me minahedhësin e tij shkatërrimtar, për forcat serbe, veçanërisht për ato forca serbe që vinin kah Qypeva. Këtyre ditëve entuziasmohej me sukseset e luftëtarëve të Rekës së Keqe kurse më 12 korrik hapen edhe luftimet kah Dollova, me ç’rast formacioni i Shqiponjës krenare sulmon Dollovën, veçanërisht shquhen sulmet e  kompanive të  fshatrave Qeskaj dhe Qypevë.

Forcat serbe të thërrmuara   granatojnë   Shqiponjën   dhe   Qeskajn  kurse  Agim Zeneli së bashku me dhjetëra shokë e me Agush Gjocajn merr pjesë në luftimet e Rahavecit por me të marrë lajmin se në Lug të Baranit e në Shqiponjë shkijet kishin marrë një  pozicion më të mirë, grupi i Agimit kthehet në Këpuzë. Forcat serbe granatojnë Gremnikun, Këpuzin, Qeskajn, Sferkën, Valljakun dhe Qypevën. Në krye të ushtarëve Agim Zeneli  vendoset në pozicione të pritës te “Guri i Zi”të segmentit të magjistrales Prishtinë-Klinë-Rakavinë-Gjakovë.

Luftimet në Shqiponjë, Këpuz, Qeskaj, Kralan, Gllarevë, Qypevë, Valljakë, Sferkë, Fushëlum, Çifllak, Zhabel, Bardhanik, Buçan, Kryq të Rakocit, Boksh, Baran, Dashinoc, Gërgoc, Cermjan, Junik, Kallavajë, Rakovinë, Ratish, Rahavec e Malishevë, sajojnë faqet më të arta të ditarit të një luftëtari deri në ditën kur plagoset rëndë në kokë, në trup e në këmbë nga një xhyle topi që erdhi prej pozicioneve serbe në fshatin  Qeskaj, aksi rrugor Pejë-Gjakovë kah Rakovina, sipas urdhrit të Sheshelit për datën 29 korrik 1998, por  nuk ra aksi te Rakovina. Agimi  dërgohet për t’u kuruar në spitalin e improvizuar ushtarak të Kryshecit, mirëpo pas një evitimi dhe shërimi të shkurtër sërish kthehet në pozicione. Në një gjendje të këtillë shëndetësore por me moral të lartë e karakter të fortë  edhe pse me një logjistikë të zbehur e të lodhur vazhdon rezistencën deri më 21 janar të vitit 1999 kur vendosi që të vihet në krye të grupit dhe të udhëtojnë për t’u shëruar dhe riarmatosur në Shqipëri. Kështu, Agim Zeneli, Agron Rama i Smolicës, Agush Gjocaj i Rashiqit, Bahtjar Morina i Lumnishtës së Llapushës,  Daut Kelmendi i Bajës së Pejës, Emrush Çeta i Trubuhovcit, Kasim Shala e Hamdi Berisha, të dytë nga Ruhoti, Gëzim Ademaj i Ratishës, Haxhi Lypjani i Kleçkës, Gaspër Karaçi i Ujzit, Ilir Merturi i Gjurgjevikut të Madh, Luan Smajli   i   Shqiponjës,   Naim   Gashi  i  Sferkës,  Naim  Dreshaj  i Përgodës, Mema e Pren Lleshi të Vraniqit, Sahit Krasniqi i Drinasit, Sejdi Rama i Smolicës, Valon Gashi i Buçanit dhe Vesel Abdyli i Drenocit, gjatë shtegtimit prej Shqiponje në drejtim të “Urës së Terzisë”, në pritë pas prite, duke mbetur rrugës pa Kasim Shalën,  Hamdi  Berishën, pa Vëllezërit  Lleshi, pa Gaspër Karaçin e me Sahit Krasniqin e plagosur ballafaqohen me forcat paramilitare, policore  e  ushtarake  serbe në  Rogovë  të  Hasit,  ku edhe marrin përjetësinë së bashku me katërmbëdhjetë hasjanë të Rogovës vetëm 14 ditë pas luftimeve në Reçak.

Trupi i komandantit të njohur si “Çergash” e “Verë”, përcillet në përjetësi me nderime të larta ushtarake më 5 shkurt të vitit 1999 dhe sot prehet në Shqiponjën krenare. Në kopshtin e dëshmorëve të Shqiponjës, dheun mbi shtëpinë e amshueshme ia vok me lot nëna Gjykë së bashku me të renë Mihanen e me motrën e vetme Violetë e cila me nipa e mbesa tashmë të rritur shfleton ditarin e Agim Bardh Zenelit dhe shkrimet e profesorëve Hasan Hasani, Skënder Hoxha, Nysret Pllana e vjershat e vocërrakëve të fshatit Shqiponjë për të cilët Agim Zeneli mbeti legjendë e rezistencës, nder i kombit dhe babë i madhërishëm i Mujës, i Kreshnikut dhe i Liridonës, mbeti emër të cilin me krenari e mbajti Brigada 135 e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, e nëna Gjykë, me rastin e rënies heroike të Agim Zenelit, pati deklaruar: “Do të isha e mjerë sikur të ma kishin zënë gjallë pa qitë asnjë fyshek, kurse kështu jam shumë krenare për djalin tim, i kam nipat, mbesën dhe pushkën e Komandantit Legjendar Adem Jashari”. ( F.R)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …