Shaban Isë Salihaj (6.5.1950 - 28.8.1998)

Shaban Isë Salihaj (6.5.1950 – 28.8.1998)

Në kohën kur në Drenicë, por tashmë edhe në dIsë pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po e luftonte pushtuesin serb në front të hapur, në trevën lindore të komunës së Burimit, një trim ishte bërë tmerr për militarët serbë. Ky trim ishte Shaban Salihaj, nga fshati Shushicë. Në këtë kohë ai vret policin e quajtur Rajko, nga fshati Veriq, i cili disa vite më parë kishte vrarë një shqiptar në fshatin Kerninë dhe kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme kundër popullatës shqiptare. Për këtë vrasje, gjykata e Qarkut në Pejë e dënon në mungesë me 15 vjet burg. Dënimi u ishte prerë edhe të birit, Hysenit, dhe nipit, Nazmiut. Më pas Shabani vret edhe dy policë të tjerë të stacionit policor të Rakoshit, të dalluar për dhunën e ushtruar mbi popullsinë e kësaj treve. Pas këtyre dhe aksioneve të tjera, emri i Shabanit ua fut dridhmën policëve gjakpirës serb të stacionit të Rakoshit e të stacioneve të tjera përreth. Mu pse ia kishin frikën, që prej disa vitesh, ata edhe po e mbanin nën përcjellje të vazhdueshme. Për këtë polici nuk ekzistonte dilema se Shabani përherë ishte i armatosur, prandaj shpeshherë kontrollohet shtëpia e tij dhe shpeshherë arrestohet ai, vëllezërit e tij dhe babai, Isa. Për këtë polici nuk ekzistonte as dilema se Shabani kishte përkrah edhe të atin, edhe vëllezërit, edhe djemtë, edhe gjithë familjen, prandaj në shënjestër të saj vëhet tërë familja. Një bastisje e tillë dhe e fundit, shtëpisë së Shabanit i bëhet në verën e vitit 1997, me ç’rast arrestohet bashkë me vëllezërit: Milaimin, Abedinin e Sefedinin, si dhe i ati, Isa. Kësaj radhe policia arrin të gjejë edhe armët, mauzerin, revolen dhe pushkën e gjuetisë. Tjetër herë, ajo nuk do të ketë rast të hyjë në shtëpinë e Shaban Salihajt, pa shkrepur pushka, sepse ai do të jetë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmori Shaban Salihaj ka lindur më 6 maj të vitit 1950. Pasi kryen shkollën fillore në Rakosh, një kohë merret me punë bujqësie. Disa vite punon edhe në Perëndim. Kudo që shkon, si shoqëruese e merr sharkinë e tij të preferuar. Me tingujt e saj i këndon këngët folklorike, kryesisht me përmbajtje atdhetare. Posaçërisht i pëlqenin këngët e Dërvish Shaqës kushtuar Kamer Loshit dhe Isë Buletinit. Prirjen për këngë dhe veshin për muzikë e trashëgon nga i ati, Isa.
Shabanin sikur e kishte paracaktuar natyra luftëtar. Arma dhe gjuetia ishin mjeti dhe arti që i adhuronte ai. Duke u shkrirë me armën e me gjuetinë, nuk mund të mos ishte edhe shenjtar i mirë. Më vonë, këto prirje i hyjnë në punë, në aksionet e shumta kundër pushtuesit.
Dëshmori Shaban Salihaj ishte fëmija më i madh i prindërve, Isës e Kadës. Pas tij ishin Uka, Ganiu, Hava, Sefedini, Milaimi (dëshmor), Milazimi, Fatmushi dhe Abedini (dëshmor). I martuar me Fatimen, kishte tre djem dhe vajzën, Xhevahiren. Me rastin e sulmit serb mbi familjen e tij, më 28 gusht të vitit 1998, përveç Shabanit, babait të tij Isës, vëllezërve, Milaimit e Abedinit dhe djalit të motrës, Nazmi Gashi nga Vojniku i Skënderajt, bien edhe bashkëshortja, Fatimja dhe tre djemtë, Hyseni, Arbeni e Hysniu.
Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te Shabani gjen luftëtarin e gatshëm e të përgatitur mirë. Meqenëse në Vojnikë e kishte të martuar motrën, Havën, djali i së cilës, Nazmiu, ishte i kyçur në radhët e UÇK-së, krijoi menjëherë lidhjet me eprorë të kësaj ushtrie, nga të cilët edhe mori detyra të caktuara ushtarake. Njëri prej këtyre eprorëve ishte komandanti Abedin Rexha-”Sandokani”. Ishte domethënës fakti se vetëm disa ditë para këtij sulmi, shefi i policisë serbe, Pantiq, i kishte tubuar në Burim disa të ashtuquajtur krerë fshatrash, me të cilët arrin “paktin e mossulmimit” dhe të angazhimit të përbashkët për ta parandaluar çdo formë të organizimit të UÇK-së.
Shabani merr përsipër kryerjen e shumë aksioneve kundër policisë serbe në trevën e Burimit, si dhe përgatitjen e terrenit për organizimin e njësiteve të UÇK-së në fshatrat ndërmjet Rakoshit e Burimit. Aktiviteti i dendur bën që pushtuesi dhe shërbëtorët e tij, ta hetojnë qëllimin e Shabanit për ta organizuar shtrirjen e UÇK-së në këtë trevë, prandaj, bëjnë çmos që ta kapin. Disa muaj para se të binte, ai e rrethon në Shushicë të Epërme një kolaboracionist të pushtuesit, nga i cili më parë ishte denoncuar. Në këtë rast plagoset aksidentalisht një fëmijë i fshatit dhe ngjarja arrin t’i alarmojë forcat e pushtuesit. Tashmë ai me dy djemtë, Hysenin e Hysniun, ishte i kyçur në radhët e UÇK-së. Ashtu siç ia kishte ënda të quhej, emrin e luftës e mori Shaban Polluzha. I pandashëm me ta, siç do të jetë edhe në momentin e rënies, ishte edhe nipi Nazmi Gashi. Hyseni angazhohet në kuadrin e policisë ushtarake në fshatin Ozdrim të Drenicës. Këtë njësit të policisë ushtarake e komandonte eprori Fadil Imeri, komandant toge. Në këtë kohë Shabani ndodhej në lëvizje të vazhdueshme dhe në veprim të përhershëm. Një angazhim të veçantë merr për të ndihmuar ushtarët e plagosur dhe për të siguruar ushqim për ushtarët e zonës së Shalës, ku sapo ishin shtrirë luftimet.
Në muajin korrik të vitit 1998, Shabani, së bashku me Hysenin e me Nazmiun, shkon dy herë në Shqipëri për të marrë armatim. Në bartjen e armatimit, ai angazhon edhe vëllezërit dhe djalin tjetër, Arbenin. Shtëpia e tij bëhet pikë pushimi për luftëtarët, ku zbarkohen dhe ngarkohen armët e sjella nga Shqipëria. Deri aty armatimi sillej me kamion, ndërsa prej aty bartej me traktorë deri në Vojnikë, Likoc e në pikat e zonës së Shalës, pasi më parë përcilleshin ushtarët e ardhur nga rruga, deri në vendin e sigurt. Për bartjen e armatimit e të municionit, Shabani disa herë i angazhon edhe Shaban Ferizin e Daut Hysenajn nga Zhakova.
Si t’i mbetej peng po të mos qëllonte në familje me rastin e sulmit nga militarët serbë, më 28 gusht të vitit 1998, dëshmori Shaban Salihaj, nga Drenica në Shushicë kthehet vetëm një ditë më parë, më 27 gusht. Sërish në shoqërim të tij ishin djali Hyseni dhe nipi Nazmiu.
Natën ndërmjet 27 e 28 gushtit të vitit 1998, qindra policë, militarë e paramilitarë serbë bëjnë rrethimin e shtëpisë së dëshmorit Shaban Salihaj dhe të krejt lagjes Salihaj në Shushicë. Rrethimi bëhet në formë harku dhe pozicionet në të fortifikohen me gurë e me thasë rëre. Mëngjesi me shi i 28 gushtit, Shabanin dhe familjen e tij e gjen krejtësisht të rrethuar e të bllokuar. Sulmi fillon rreth orës 5. Së pari i futet zjarri ushqimit të kafshëve në lëmën afër shtëpisë, me qëllim të krijimit të situatës së shpërqendrimit në radhët e meshkujve të rrethuar. Me të parë zjarrin, nëna e Shabanit, Kada, i njofton burrat e gratë dhe menjëherë mësyn drejt lëmës për ta shuar zjarrin. Me shpejtësi dhe pothuajse njëkohësisht, nga dhomat ku ndodheshin, dalin të gjithë burrat. Ata dalin me armë në dorë, pasi gjithçka ishte e qartë. Pra, ishte e qartë se mbi ta ishte ndërmarrë sulm dhe sulmi mund të bëhej vetëm nga forcat serbe.
Me të dalur nga dhoma e pritjes me kallash në dorë, i zoti i shtëpisë, babai i Shabanit, Isa, plagoset në krah. Disa hapa më tej ai pozicionohet dhe fillon të shtënat kundër militarëve serbë, të cilët tashmë dihej ku ndodheshin të pozicionuar. Të shtënat e tij nuk pushojnë deri në rënie. Ndërkohë, edhe bijtë dhe nipat e tij hapin zjarr kundër sulmuesve serbë. Zjarri i dyanshëm vazhdon disa orë rresht. Shabani me vëllezërit, me bijtë e me nipin, armikut ia bën të pamundshme depërtimin në afërsi të shtëpisë. Vendosmëria e tij për të qëndruar deri në frymëmarrjen e fundit dhe për të mos rënë i gjallë në duart e militarëve serbë, pasqyrohet në sulmet e tij kundër tyre. Ai vazhdimisht sulmon dhe njëkohësisht bën hapat për çarjen e rrethimit. Pa pushuar zjarrin arrin t’i kalojë dy rrathët e parë, por nuk arrin ta kalojë edhe rrethin e tretë. Disa qindra metra larg shtëpisë, bie heroikisht. Më parë, gjatë betejës kishin rënë edhe vëllezërit, Milaimi e Abedini, gruaja Fatimja, djemtë Arbeni e Hysniu, kurse të fundit biejnë edhe djali i madh, Hyseni dhe nipi, Nazmiu.
Derisa burrat e shtëpisë po luftonin, nëna e Shabanit, Kada, me rejat, nipat e mbesat e saj arrin të largohet nga shtëpia dhe shkon te familja e kunatit në fqinjësi. Të shtënat e serbëve përfundojnë rreth orës 10, por aksioni antishqiptar zgjat deri në orën 16. Policia ndërkohë përpiqet të bëjë identifikimin e anëtarëve të rënë e të gjallë të familjes së Shaban Salihajt. Në orët e pasditës, ajo urdhëron që të rënët të varrosen po atë ditë dhe pa ceremoni mortore. Mirëpo, të afërmit nuk pranojnë të veprojnë sipas urdhrit. Varrimi i këtyre dëshmorëve u bë të nesërmen, më 29 gusht të vitit 1998, në krye të livadhit afër shtëpisë së tyre. Në ceremoninë e varrimit merr pjesë një masë e madhe e banorëve të fshatrave përreth. Ata që e kishin njohur Shabanin, atë ditë rikujtuan madhështinë e tij, ndërsa, pushtuesi serb dhe bashkëpunëtorët e tij, rikujtuan tmerrin që ua kishte kallur dëshmori Shaban Salihaj. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …