Sadik Halitjaha: HARRESA – TRAGJEDI E SHQIPTARËVE

Kjo veti na ka përcjellë ndër shekuj!
Nga mungesa e shkrim-leximit në gjuhën tonë, u përdor mba mendja; kjo u ruajt në folklor duke kënduar me lahutë këngë, duke biseduar në kulla e në odat tona, sepse shkolla nuk kishte.

Si pasojë e harresës dhe pajtimit të lehtë, ne hoqëm dorë nga shumë pjesë të atdheut. Të qenit me territor të bollshëm dhe autokton në tokën tonë, kurrë nuk kemi luftuar t’i zgjerojmë tokat; përherë të tjerët kanë marrë pjesë të shumta të atdheut tonë.

Sidomos humbje të mëdha u bënë gjatë viteve 1875–1878, kur dhuna serbe e zbraz krahinën e Toplicës nga shqiptarët, duke i dëbuar drejt Turqisë. Populli që u dëbua me dhunë e zjarr, kurrë më nuk u kthye në trojet e veta autoktone.

Sa herë u fol për këtë pastrim etnik, e vetmja gjë që u mbajt mend ishte se u dogjën shtëpitë shqiptare, u vranë ata që kundërshtuan shpërnguljen dhe u vunë në hi. Asnjëherë nuk u shkrua numri i saktë sa janë shpërngulur e sa janë vrarë.
E vetmja gjë që u mbajt mend është se shqiptarët shtriheshin në vendbanime në Toplicë deri te “Molla e Kuqe”.

Kurrë nuk u përcaktua kufiri, edhe pse thuhet se 2/3 e Nishit e popullonin shqiptarët.

Pse u dashka ta zhvendosim kufirin te një mollë, qoftë e kuqe apo e bardhë?

Kurse sllavët, duke qenë pa atdhe dhe të ardhur nga lugina e Danubit, grabitën me luftë tokat tona dhe kurrë s’u zmbrapsen. Shqiptarët i mbajti vetëm shpresa se, kur të duam, i rimarrim tokat tona. Kështu mbeti shprehja “si në gardh të shkjaut”.

Ata, sa përparonin në tokat tona, vendosnin kufij, ndërsa tanët i quanin “gardh” (i përkohshëm).

Edhe sot, në këtë kohë kur flasim, na zbrazet Medvegja, Bujanoci e Presheva. Serbia këtë e quan “pasivizim i adresave”, një shprehje e përkthyer nga serbishtja. Nëse e kuptojmë drejt, kjo është dëbim nga vendi dhe nga shtëpitë e tyre.

Kushdo që del jashtë vendit për disa muaj, kur kthehet duhet të rinovojë dokumentet; i thonë se nuk gjendet në librin e amzës, pasi ato janë shqyer, ndryshuar, si dhe tokat dhe librat kadastralë janë tjetërsuar. Si përfundim, u thonë: “nuk jeni të këtushmit, nuk keni adresë” – kësaj i thonë “pasivizim i adresave”.

Si ka mundësi që Qeveria e Serbisë, për një plakë në Gjakovë që banon në banesë komunale, e ngriti çështjen në Këshillin e Sigurimit, ndërsa sot ajo ruhet nga Policia e Kosovës me ndërrime, sipas kërkesës së saj për siguri?

Ndërsa shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës nuk kanë aspak siguri; përkundrazi, shteti serb ua rrezikon jetën çdo ditë.

Qeveritë shqiptare nuk bëjnë zë! As të drejtat elementare nuk u sigurohen shqiptarëve në Serbi: burgosen për përdorimin e flamurit, nuk u lejohen librat shqip, nuk u pranohen diplomat, u hiqet lapidari nga oborri i komunës në Preshevë.

Qeveritë tona i ngushëllojnë duke e zbutur situatën: “hajt se s’kanë ku e çojnë lapidarin”. Ndërkohë, në të njëjtën kohë, u ngrihet një lapidar në Shkodër serbëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore, në përpjekje për pushtimin e qytetit.

Në Kosovë u jepen territore ekstra kishave ortodokse, që dikur ishin shqiptare të kohës bizantine, ndërsa sot pa të drejtë quhen kisha serbe.

Qeveria e Kosovës ndihet nën presion nga BE-ja për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në veri, me të drejta të veçanta për serbët, edhe pse nuk janë autoktonë këtu. Evropa kërkon që ata të “rehatohen” e “sigurohen”, si gjithmonë në kurriz të shqiptarëve.

Pas një marrëveshjeje ndërkombëtare me Serbinë, kufijtë aktualë do të konfirmohen dhe tokat tona do të mbeten përgjithmonë nën Serbi, ndërsa shqiptarët atje do të zhduken. Kjo është tradhtia e radhës që pritet!

Asnjëherë nuk u bie ndërmend pushtetarëve tanë të kushtëzojnë dhe barazojnë të drejtat e shqiptarëve autoktonë në Serbi. Kjo është turp dhe tradhti kombëtare!

Sa për sy e faqe, provuan t’u dërgojnë libra, por u ndalën në kufi. Asnjë reagim!

Në shekullin XXI ndodhin gjëra mesjetare për shqiptarët, dhe nuk ka asnjë reagim nga Shqipëria. Pse nuk reagon në instanca ndërkombëtare? Pse nuk e ngre zërin qoftë edhe për një shqiptar të vetëm?

Pse nuk i vizitojnë pushtetarët e Kosovës dhe Shqipërisë shqiptarët e atjeshëm? Pse nuk i adresojnë kërkesat në Këshillin e Sigurimit dhe në Strasburg?

Serbia nuk ka zbatuar asnjë marrëveshje – as me Kosovën. Ajo njeh vetëm forcën!

Kush po i viziton shqiptarët e robëruar? Kush po e ngre zërin për ta?

Ky komunitet bëri referendum për bashkim me Kosovën, luftoi për liri, por u shty drejt Marrëveshjes së Konçulit më 20 maj 2001, duke u demobilizuar UÇPMB-ja. Kjo marrëveshje parashihte disa të drejta, të cilat sot janë shkelur plotësisht.

Po ashtu, çfarë të drejtash u garantuan shqiptarëve në Maqedoni pas Marrëveshjes së Ohrit? Edhe sot ata nuk janë të barabartë.

3% e serbëve në Kosovë kanë më shumë të drejta se 40% e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!

Populli duhet të organizohet dhe të kërkojë barazi reale, ose vetëvendosje.

Çfarë pret Qeveria e Kosovës?
Çfarë bën Qeveria e Shqipërisë?

Në këtë kohë të trazuar, kur ligji është zëvendësuar nga forca, ne si popull duhet të bashkohemi më shumë se kurrë.

Rroftë bashkimi kombëtar në një Shqipëri të vetme!

02 prill 2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Imer Xhemail Lladrovci: Kudusi Lame „Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia“

Ëndrra jonë e lirisë kurrë nuk tretet 1. Kudusi Lama është një gjeneral shqiptar me …