Sadik Përvetica: Keqpërdorimi i lirisë dhe i gjakut të derdhur për Kosovën


Pas zgjedhjeve të 8 Qershorit të këtij viti e deri në ditët e sotme, siç po e shohim të gjithë: Shteti i Kosovës ka mbetur pa funksionimin e institucioneve vitale  dhe pa kryerjen e shumë punëve dhe obligimeve ligjore: brenda e jashtë  vendit, si pasojë etjes për pushtet të pakufishëm si dhe e kryeneçësisë së atyre që kanë mekanizmat e zgjidhjes së problemeve në duart e veta. Por  po shihet se ata  edhe sot e gjithë ditën nuk i kanë numrat në kuvend dhe tani me ndihmën edhe të Gjykatës Kushtetuese, kanë bllokuar rrugën që funksionalizon shtetin. Ata kanë mbetur në pozitën sikur  thotë populli: as nuk ngrihen, as nuk grahen!


Mu për këtë të gjithë njohësit e rrethanave politike në Kosovë, si dhe të gjithë analistët politikë seriozë dhe të vëmendshëm (të brendshëm e të jashtëm) po deklarohen botërisht se kjo situatë, krahas korrupsionit, familjarizimit e dukurive të tjera karakterizuese të qeverisjes së gjertanishme, nuk mund të quhet ndryshe, përveç: uzurpim i organeve vitale të shtetit.


 


Zaten, kjo situatë shumë e palakmueshme dhe shumë e pa dinjitetshme për një shtet serioz demokratik, çfarë pretendon të jetë shteti i ri i Kosovës, drejt të cilit sot ka drejtuar shikimin krejt bota, e cila edhe na ka ndihmuar e po përpiqet të na ndihmojë që të krijojmë institucione funksionale dhe demokratike. Kjo është jo vetëm një pasqyrë shumë e keqe për shtetin e Kosovës, por, për më tepër, është edhe keqpërdorim i lirisë dhe i gjakut të derdhur të dëshmorëve tanë, qëllimi dhe idealet e të cilëve kanë qenë larg kësaj gjendjeje çfarë po mbretëron sot në shtetin tonë, tani e disa muaj: pa kuvend, pa qeveri funksionale dhe pa mundësinë minimale që qytetarët e Kosovës të mund t’i realizojnë detyrimet, të drejtat dhe nevojat e veta përballë domosdoshmërisë për t’u pajisur me dokumente të nevojshme, për të udhëtuar lirshëm nëpër botë si të gjithë qytetarët e botës së civilizuar etj.


 


 Kjo gjendje, si për ironi, na e përkujton atë anekdotën e Nastradin Hoxhës, i cili, si mashtrues i madh dhe si mjeshtër i çdo situate që ishte, kur i vjen koha e vdekjes, i thotë engjëllit shpirtmarrës: Të lutem, më jep kohë për të jetuar vetëm edhe sa t’i fal dy reqate namaz, sepse gjatë gjithë jetës sime, siç dihet, kam bërë shumë gabime, ndaj dua të kërkoj falje për to”.  Xhebrilit  thuhet se i vjen mirë për pendimin e tij, ndaj i jep edhe aq kohë sa për t’i falur ato dy reqate. Mirëpo Nastradini, si mjeshtër i mashtrimeve të vazhdueshme, fal njërën reqatë dhe ulet e po pushon. Shpirtmarrësi i tha: “Nastradin! Çohu e fale edhe reqatin tjetër, sepse të kanë mbetur vetëm edhe disa minuta jetë”, kurse Nastradini ia kthen: “ O Xhebrail, Ti vetë më dhe kohë për t’i falur dy reqate, ndaj unë, tani, me lejen tënde, njërën e fala, kurse tjetrën e fali kur të dua e kur të më teket mua”!


 


Dhe tani që t’u kthehemi problemeve serioze shtetërore, besojmë dhe shpresojmë që koha e hokave dhe e hokatarëve të Nastradinhoxhave, pas gjithë këtyre vonesave qëllimkëqija dhe lakmitare të ndokujt prej nesh: për ta mbajtur peng shtetin dhe pushtetin për nevojat e veta, duhet të marrë fund. Populli ynë po pret me durim dhe me ndërgjegje të lartë veprime të ndershme dhe të arsyeshme në Kuvendin e Kosovës. Po pret, pra, që të zhbllokohet shteti dhe të lëshohet udhë nga ata që nuk i kanë numrat për ta qeverisur vendin edhe për një mandat, në mënyrë që të krijohen institucionet, që të mos humbet kohë dhe që të mos shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe një herë, e të krijohen shpenzime krejtësisht të panevojshme të taksapaguesve, të humbet edhe shumë kohë, të ketë mes politikanëve tanë edhe shumë shtyrje, nëpër fushata zgjedhore, që nuk po na ndahen dhe, në fund të vihet përsëri te pika fillestare, e cila, besojmë: tashmë po dihet dhe po shihet qartë se me  koalicionet momentale: kush do ta ketë besimin e popullit për të bërë ndryshime dhe për të ecur përpara.  


Jo zgjedhje të reja me paratë e tatimpaguesve të Kosovës, sepse populli është lodhur me varfri të skajshme,e nga ana tjetër: me shpenzime të kota; me sharje, fyerje, shtyrje e pështyrje si dhe me premtime boshe. Andaj ne mendojmë se penjtë e këtij korrupsioni të futur thellë nëpër mekanizma  shtetërorë duhet të këputen sot e këtu, në mënyrë që të krijohet, qoftë edhe për një periudhë afatshkurtër, një qeveri e re – gjithsesi më pak e korruptuar, e cila, po qe se nuk do japë rezultate të mira, me siguri do qortohet prej nesh po në këtë mënyrë siç po bëjmë tani për qeverinë e tanishme.


 

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …