Saga e Malmirit

Fragment nga romani me të njëjtin titull. Botohet me rastin e 60-vjetorit të Aksionit famëkeq të Grumbullimit të armëve, kur në dimrin e acartë të viteve, 1955-1956, në temperatura deri në 20 gradë nën zero, UDB-ja serbe kishte rrahur dhe kishte lënë zbathur mbi dëborë dhjetëra mijëra shqiptarë, nga të cilët kërkonte armët, pavarësisht se i kishin apo jo… 

 Mbytja e Ujkut

         Dimri i ashpër i viteve 1955-1956, malmirasit i kishte gjetur  buzë oxhaqeve duke ngrohur gjymtyrët dhe duke prognozuar se, sa ditë shkuan nga Shënmitri, sa ditë kishin mbetur  deri në Shëngjergj, kur del Arbaini, kur hyn Hamsini? Njehsimi, një nga një i ditëve, bëhej në çdo shtëpi, sepse dimri i ashpër kishte bllokuar jetën në pjesën jugore të Drenicës. Dëbora, vende-vende kishte arritur prej një, deri një metër e gjysmë e më shumë.  Nën presionin e frymës nga veriu, ajo kishte mbuluar edhe rrugët që sapo ishin hapur. Fërfëlliza  mbulonte lugjet me borën e   brigjeve.

Asgjë në pipëtinte në fshat.

Tek tuk ndonjë e pallur lope, apo viçi në ahur, ndonjë blegërimë deleje, ndonjë lehje apo cijatje qeni, ndonjë krrokamë korbi në majat e lisave, ndonjë fluturim i ndonjë sorre drejt lugjeve, ku uji kishte shkrirë borën…

Nga oxhaqet e shtëpive tymi nuk ndalonte ditë as natë.

Dimri i acartë ishte shtrirë pamëshirshëm në kasollet dhe shtëpitë e fshatit. Jeta ishte paralizuar dhe lëvizjet nga fshati në fshat. Nëpër lagjet e fshatit hapeshin  vetëm rrugët këmbësore, të cilat për pak kohë mbylleshin nga fërfëlliza dhe era  e fortë, që kur ndeshej në plepat buzë lumit krijonte efekte të përziera tingujsh fërshfëllues. Era e shkundërmuar   dukej sikur paralajmërues i një kobi, i një dimri që do të linte pasoja, te njerëzit e te të gjitha gjallesat.

        Bariu i fshatit, Lan Bungu, pa aguar dita kishte mbytur një ujk me sëpatë, në kohën kur llava e ujqve i kishte sulmuar vathën e deleve në tëbanin mbi shtëpi. Dy orë më vonë, ujkun e mbytur e kishte ekspozuar te “Mullini i Katunit”. Kishte rregulluar një ngrehinë me degë druri dhe e kishte vendosur në pozitë sulmi. Pastaj kishte ftuar barinjtë e fshatit t’i provonin qentë, se cili prej tyre do të guxonte ta sulmonte ujkun e mbytur, të cilin e kishte vendosur në këmbë, ndërsa kokën ia kishte lidhur me një litar të hollë për ta lëvizur nga dega e lartë e shelgut, në kohën kur do të sulmonte ndonjë qen.

– E ke mbytë apo e gjete të coftë, i thotë Fat Kadiri duke e qesëndisur fqinjin, i cili në atë ditë me acar kishte vendosur t’ i argëtonte bashkëfshatarët. Lajmi i mbytjes së ujkut ishte përhapur shpejt, sidomos te fëmijët, të cilët tërë ditën rrëshqisnin me saje në rrahet  që i hapnin për çdo mëngjes.

– Bjere  qenin e provoje, ia kthen Lani i sigurt se asnjë prej qenve nuk do ta sulmonte ujkun edhe  pse të ngordhur.

– Ke gjetur kohë për karaxhozllëk në këtë dimër, që na ka depërtuar  në palcë!-kishte dëgjuar një zë nga ana e epërme e Mullirit

– Çka të bëj tjetër, o Fat. Bora na i ka zënë shtigjet. Në mal nuk po mund të shkojmë. Nuk rrihet tërë ditën te oxhaku. Ulem aty dhe gruaja më thotë shtyju andej, se po e qes bukën në çerep. Kur isha më i ri kurrë nuk më thoshte, shtyhu.  Dal në anën tjetër, nëna plakë  ankohet se po ia zë vendin. Fëmijët ulërasin, luajnë çaka-rrokas, ndiqen, përplasen….

– Hej a përnjëmend ujk është, kishte thirrur një zë nga larg.

– Ujk, ujk, madje i madh sa një thi i egër, eja më afër, nëse dëshiron  ta shohësh!

– Vallaha po shkoj ta marr “rrcokun” . Ki me pa shka ke me t’ i ba!

– I bën, i bën, nëse  ia mbanë.

          Ndërkohë Fat Kadiri, sapo kishte nxjerrë qenin nga stela,  ku e mbante lidhur me zinxhirë. Ia kishte ndërsyer që nga larg  ujkut të mbytur. Qeni në fillim kishte lehur dhe ishte nisur me turr drejt vendit,  afër Mullirit, ku qëndronte ujku i mbytur. Sapo ishte afruar në dy tre metra, Lani ia kishte ngritur kokën ujkut përmes spangos së lidhur në degën e shelgut. Qeni në çast kishte ndalur në vend duke u tërhequr dhe duke mos e ndalur cijatjen dhe duke e futur bishtin nën këmbët e sprasme.

– Kape thi,  i kishte bërtitur i zoti duke e goditur me një shtagë në shpinë.

Turma e tubuar që po bënte sehir shkulej së qeshuri. Asnjë nga qentë nuk po i binte ujkut. Ndonjëri edhe afrohej krejt pranë, por sapo ujkut ia lëviznin kokën, qeni zmbrapsej.

Deri në mesditë ishin provuar shumica e qenve të fshatit në kohën kur Rrah Prronikishte sjellë qenin, për të cilin thoshte se është qen i Sharrit. Murku, sikur e quante ai  nuk lehte, as i sulmonte njerëzit. I zoti i qenit, nuk linte vend pa e lavdëruar, duke e shpallur si qenin më të fortë, për duel edhe për ndjekje të ujqve. Madje ai tregonte se sa e sa herë kishte mbytur edhe ujq.

Paraqitja nga larg e “murkut” përcillej me kureshtje nga të pranishmit, meqë të gjithë mendonin se nëse kishte qen që i binte ujkut, doemos se duhej të ishte qeni i Rrahut.

Sapo e kishte parë, ujkun, “murku” i majmë dhe trashaluq kishte cijatur dhe iu kishte drejtuar jo me vrap, por me drojë, duke marrë erë në shtegun nga kishin kaluar qentë e tjerë. I zoti i qenit,  e kishte goditur prapa në befasi duke e ndërsyer me zë të lartë. Në momentin kur ishte afruar në pozitë sulmi, Lan Bungu e kishte tërhequr me shpejtësi spangon e lidhur në degë dhe kishte ngritur pezull ujkun e ngordhur.  Nga ngritja e papritur e trupit të ujkut edhe pse të mbytur, ishin frikësuar edhe fëmijët, që po përcillnin spektaklin më interesant  të asaj dite  dimri. Murku kishte mbledhur bishtin dhe ishte kthyer te këmbët e të zotit, i cili i zemëruar pa masë kishte filluar ta godiste me sa fuqi kishte. Qeni vetëm cijaste dhe nuk i shqitej nga këmbët, edhe sikur ta vriste. Të gjithë të pranishmit kishin filluar ta qesëndisnin, Rrah Prronin, i cili ishte zënë ngushtë. Nga zemërimi i egër kishte goditur qenin me shqelma e me një lloz druri, po ai nuk kishte lëvizur nga vendi.

-Mos e rrah qenin o Rrah Ziu, po e sheh se  as qentë e tjerë nuk po i bien, i kishte thënë, Jak Beha, i cili kishte dalë për të parë spektaklin, ku po provoheshin qentë se cili ishte më trim, cila nga ta po i binte ujkut.

        Ende pa mbaruar spektakli i sprovimit të qenve, në rrugën që vinte nga Sadrani, ishin dukur katër vetë hipur  mbi një qerre me rrota hekuri, të cilin e tërhiqnin dy kuaj të fortë. Fshatarët ishin habitur sesi kishte arritur ajo qerre ta hapte rranë, që e kishte pezulluar bora nga çdo anë.

Lan Bungu, Rrah Kadiri, Jak Beha dhe shumë fshatarë të tjerë, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë nga të gjitha lagjet e fshatit, kishin drejtuar sytë te të sapoardhurit. Tre nga burrat, ishin veshur trashë me rroba dimri dhe  mbanin shapka të leshta mbi kokë. Të tre ishin të armatosur. I Zoti i qerres, që i ngiste kuajt mbante  në kokë një qeleshe të bardhë dhe përreth e kishte lidhur edhe shallin e trashë, meqë fërfëlliza e borës nuk ishte ndalur gjatë tërë ditës.

Qerrja ishte ndalur buzë lumit, në vendin ku ishin tubuar fshatarët. Tre të sapoardhurit kishin zbritur dhe me dorë kishin përshëndetur të pranishmit.

Zdravo narode,1) kishte thënë  burri i gjatë me mustaqe të zinj dhe fytyrë të gjerë, por gati të mërdhirë nga të ftohtit. Ishte mbështjell me një pallto të leshtë dimri, ndërsa  në krah mbante automatikun. Përshëndetjen  e tij në gjuhën serbe  e kishte marrë me vete oshtima e ujit të lumit, meqë askush nuk ia kishte kthyer përgjigjen.

Shoqëruesi i tij, një burrë i shkurtë me vështrim zhbirues, po ashtu me armë në krah iu kishte drejtuar turmës në një shqipe të çalë. Ai u kishte thënë që në mbrëmje, të lajmëronin bashkëfshatarët dhe çdo shtëpi ta dërgonte nga një anëtar te familjes te shkolla e fshatit, meqë do të mbahej një mbledhje me rëndësi. Shoqëruesi tjetër ishte, jugo-komunari,  Himë Ziu nga fshati, Sadran, të cilin e njihnin të gjithë. Ai ishte zemëruar me të pranishmit, që nuk ia kishin kthyer përshëndetjen shefit nga Komiteti dhe iu kishte drejtuar atyre:

– Shka jeni tubu’ kështu, mos asht ndoj demostraci, ktu?

– Po i sprovojmë qentë, komisar, ia kishte kthyer përgjigjen, Shet Rama, i cili po ashtu kishte dalë për ta parë spektaklin.

– Po i provoni apo po i tridhni?

– Jo mor ti, qentë këtu nuk i tredhim, por e kemi mbytur një ujk dhe po i provojmë, a po i bien.  Tre zyrtarët e Komitetit të Ulpianit ishin bërë kureshtarë të mësonin se ç’ po ndodhte, ndërkohë që Lan Bungu u kishte shpjeguar rastin e tubimit të disa fashtaraëve e fëmijëve për ta parë “spektaklin” e asaj dite dimri, të acartë.

Mustaqeziu  kishte nënqeshur derisa kishte shikuar ujkun, për të parë dhe për të vërtetuar se  me çka ishte goditur.

– E kam mbytur me sëpatë, për pak sa nuk m’i mbyti dhentë, të tjerët ikën, kishte shpjeguar Lani.

– Veç ti qenke qen që po i bijka ujkut i kishte thënë me  cinizëm dhe krekosje serbi i Komitetit, ndërkohë që Lan Bungu në dukje nuk i kishte dhënë rëndësi krahasimit të egër të kryemilicit serb.

Imaçe dana za mejdana, 2) kishte thënë ai dhe të tre burrat e “komitetit” kishin hipur në qerren e kalit dhe ishin drejtuar te shkolla e fshatit.

***

        Atë natë me acar, ishin përhapur dy lajmet kryesore të ditës, qentë që nuk kishin guxuar t’ i binin ujkut të mbytur dhe ardhja e tre njerëzve të UDB-së nga Ulpiani për t’ ua marrë armët fshatarëve.

Në odën e mulla Jemen Malmirit ishin tubuar burrat e Lagjes  dhe po prisnin dy nga ata që i kishin dërguar në shkollë për të marrë vesh konkretisht se për çka kishin ardhur njerëzit e Komitetit, në atë dimër me acar ku bora i kishte zënë të gjitha shtigjet.

Hoxha ishte burrë rreth të shtatëdhjetave. Një natë më parë kishte parë një ëndërr të keqe, e cila iu kishte sjellë në mend gjatë tërë ditës. Duke qenë hoxhë,( por i ndaluar ta ushtronte profesionin, për shkak të qëndrimet të tij kundërshtues ndaj pushtetit komunist të kohës), ai nuk i komentonte ëndrrat, por kishte një parandjenjë të keqe edhe për faktin se kishte një muaj, që ishte përhapur fjala se pushteti kishte organizuar një Aksion për të grumbulluar armët pa leje, që pretendohej se i posedonin shqiptarët.

Ishte pritur dimri, pasi më parë  ishte prognozuar me saktësi se do të ishte një dimër tejet i rëndë dhe, atë ditë, aksioni kishte filluar edhe në pjesën më jugore të Drenicës.

– Nuk po na kursejnë të ligat, baba Hoxhë, iu kishte drejtuar kushëriri, Metë Imeri i cili rrinte këmbëkryq në orën e ngrohur mirë me stufën, të cilën nuk e kishin lënë shuhet  gjatë tërë ditës.

– Si e ka shkruar Zoti do të bëhet, jemi bërë pikë e pesë, jemi përçarë e na ka marrë pusi. Nuk thonë kot “se qeni i keq e bjen ujkun të torishtë”.

– Sot në Katund i kanë provue qentë, asnjë për be nuk i kishte ra ujkut të mbytur, kishte thënë Mus Lila, djali i vëllait të Hoxhë Jemenit.

– E po punë të madhe na tregove, ia kthen Metë Imeri me qesëndi. Ne kemi hallin si do t’ ia bëjmë “erfijes” e ti na tregon dokrra.

– Nuk janë dokrra jo. Unë them që nëse as një qen nuk i ka ra ujkut të coftë, kjo do me thanë që edhe ne të zotë e qenve, nuk kemi me i ra ujkut të gjallë jo se jo, por as ujkut të ngordhur. Kanë me na rrahë si lopët e kafshët, që i rrahim ne dhe nuk kemi me ba as gëk-as mëk, kishte thënë Mit Braha, duke lëshuar pas një të kollitur të rëndë, sa për pak nuk iu kishte ndalur fryma.

-Leje atë duhan të dreqit, se edhe neve na zune frymën me at “furtuz”, ku dreqi e gjen atë duhan ti. Madje mor burrë, ti, lërë kollin, por na tërbove edhe me gazra. Të gjithë kishin qeshur përveç Hoxhë Jemenit. Mit Braha ishte i sëmurë nga mushkëritë dhe nuk e linte duhanin. Kur kollitej fortë nuk i  arrinte t’ i përmbante as gazrat nga prapanica.

– Baba hoxhë, nuk po e kuptoj ku e ke fjalën kur po thua “Qeni i keq e bjen ujkun në torishtë”. Nuk po ja di “mananë”.

– Të kallxoj unë, o Muso, mos e mundo babën hoxhë. Qeni i keq e leh ujkun dhe kur ujku sulmon ai tërhiqet në shtëpi. Ujku e mëson rrugën,  i lëshohet pas e hyn në torishtë.

– Këtë po e kuptoj, por ku e ka “mananë”?

– Mananë tjetër ta kallëzoj unë. Një muaj më parë, në dasmë të Lah Gurishtes keni shkrepë me pushkë e me allti pesë a gjashtë veta, edhe ti në mesin e tyre. Dikush me siguri se  u ka spiunuar dhe nuk keni qare pa i dorëzuar ato armë, ose keni me u rrahë sikur rrihet kau, sikur  e kishin mbytë disa ditë më parë një ka,  duke e rrahur në zgjedhë,  bijtë e Dan Banit.

– As kjo nuk është manaja, them unë. Si thua  ti baba Hoxhë, e  kanë zbuluar mananë këta që po dalin si magari para deves, kishte pyetur, fqinji,  Lah Lahu, një burrë zijosh me mustaqe, i cili rruhej dhe pastrohej shumë rrallë. Ishte i vetmi në fshat që kishte një farkë me një rrëshiq të madh dhe punonte pa u ndalur, në tym, zjarr e temperatura tejet të larta.

– Mirë e ke, Laho, nuk e kanë marrë vesh jo. Janë këta komunistët, kjo fara e keqe e sllavit që na solli Serbinë në Kosovë. Këta, 10 vjet më parë  votuan në Prizren mbetjen e Kosovës nën Serbi, e tash “luaje macë kryet e buallit”. Tash, këta tanët,  janë bërë më të këqij se shkiet.

– Po qe besa, topi nuk e luan.

Burrat në odë kishin çarë dertet e hallet, meqë ishin sprovuar me dhunën sistematike të regjimeve serbe. Edhe në kohën e Kralit, serbët  ua kishin marrë armët shqiptarëve, i kishin rrahur mizorisht, i kishin shpërngulur dhunshëm për në Turqi, i kishin burgosur e katandisur, i kishin masakruar dhe ua kishin humbur gjurmët…

Dhuna mbi kokat dhe supet e shqiptarëve po riciklohej, edhe pse po ndërronin regjimet…

       Hoxhë Jemeni ishte në mesin e atyre shqiptarëve  që mbi supet e  të cilit pushtetet e huaja kishin ushtruar  dhunë sistematike.. Në vjeshtë të vitit 1912, kur divizionet serbe, me ndihmën e forcave ruse, por edhe të ushtarëve francezë dhe armatave të shumë shteteve të Evropës kishin filluar luftën për ta zhbërë Perandorinë Osmane, me qindra e mijëra ushtarë  kishin mësyrë të gjitha trojet në katër vilajetet shqiptare. Ai, asokohe ishte duke studiuar në Medresenë e Prizrenit. Në kohën kur divizionet serbe kishin hyrë në Prizren dhe ishin përgatitur për të depërtuar në Shqipëri, shumë të rinj shqiptarë iu kishin bashkuar radhëve vullnetare. Së bashku me mulla Rexhepin e Brodosanit, me Dan Drenin e Llapushës, Jak Zemanin e Negranit dhe një vushtrrias, tregtar në Prizren, iu kishin bashkuar radhëve të vullnetarëve të Islam Spahisë dhe ishin nisur për në Lumë, ku thuhej se serbët nuk linin asnjë shqiptarë të gjallë, asnjë burrë,  grua apo fëmijë. Popullata ishte katandisur nëpër male dhe jetonte nëpër shpellat, ku nuk depërtonte dot këmbë ushtari serb. Dimri i vitit 1912-1913 kishte qenë fatal për popullatën e Lumës, Dibrës, Shqipërisë e Kosovës. Lubia shumëkrerëshe sllave iu kishte qepur trojeve shqiptare me qëllim për të mos lënë gjallë as edhe një shqiptar. Të yshtur dhe të përkrahur nga Evropa e Rusia, serbët, bullgarët, grekët, ishin radhitur në të ashtuquajturën “Aleancë e vëllazërisë së krishterë”, e cila ishte bekuar nga Kisha ortodokse ruse, serbe, bullgare e greke me qëllim që të shfarosej çdo shqiptar, turk, hebre, cincar, vllah e të tjerë, kudo në tokat shqiptare,  të cilët konsideroheshin si mbeturinë turke, aziatike.

Gjatë kalimit nëpër malet e grykat e Lumës kishin pësuar shumë shqiptarë, sidomos gra e fëmijë.

Hoxhë Jemen Malmiri, dy vjet kishte qëndruar në viset e pushtuara nga forcat e Aleancës së Krishterë. Kishte njohur nga afër Islam Spahinë, Elez Isufin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktarin, Hasan Prishtinën, Hoxhë Kadri Prishtinëndhe shumë autoritete të kohës. Nga Hasan Prishtina kishte marrë urdhër të kthehej në Kosovë dhe t’i bënte ftesë popullit që të mos lëshonte trojet, meqë rezistenca e organizuar popullore kishte kreun e saj dhe pritej të shtrihej në tërë vendin. Duke qenë se ishte hoxhë dhe rridhte nga një familje me tradita atdhetarie, Hasan Prishtina, me rastin e kthimit ia kishte dhënë një letër sekrete, me amanet  që ta dërgonte në Vushtrri, në një adresë të caktuar. I kishte thënë se në rast rreziku letrën ta asgjësonte. Të nesërmen e natës që kishte arritur në shtëpi, në Malmir, pas afër tri vjet qëndrimi në Shqipëri ishte  nisur këmbë për në Vushtrri dhe kishte kryer amanetin e Hasan Prishtinës.  Tre muaj më vonë e kishin arrestuar forcat bullgare dhe së bashku me qindra shqiptarë nga Drenica dhe Kosova i kishin depërtuar në Qystendil të Bullgarisë, ku së bashku me të tjerët,  si rob lufte, kishte qëndruar edhe dy vjet. Në Pranverë  të vitit 1918 së bashku me Mehë Henesin, Riza Zogun, Brahë Allurin, Man Blinishtin e të tjerë, dezerton nga ushtria bullgare dhe gjatë tri  javësh, duke ecur këmbë nëpër malet e Bullgarisë e të Maqedonisë, së bashku me shokët,  kishte arritur të kthehej në Malmir…

          Pak para mesnatës, në odën e Hoxhë Jemenit ishte kthyer nga tubimi në shkollë, Himë  Hamiti. Ai u kishte bërë me dije të pranishmëve, që kishin pritur në odë se, UDB-ja kishte hartuar regjistrin  me emrat e mbiemrat e të gjithë fshatarëve, të cilëve u kërkonte pushkë, automatikë, bomba dore, municion, madje nga fshatarët kërkoheshin edhe tre mitralozë italianë  të tipit, “breda”.

Kryepolici i UBD-së Sava Shurrbatoviq, ka kërcënuar se do të ndëshkohen fizikisht të gjithë meshkujt prej 16 deri në 70 vjet të cilët nuk i dorëzojnë armët që iu kërkohen.

– A thanë edhe diçka tjetër? – kishte pyetur, Metë Imeri.

– Po, thanë. Ata që nuk i kanë armët në shtëpi, ose i kanë te miqtë të kërkojnë afat tri ditë, apo edhe një javë e më shumë, nëse zotohen se do t’ i dorëzojnë ato.

Afër mesnatës, derisa burrat në odë po bisedonin si t’ ia bënin, në shtëpi kishte arritur, këmbë nëpër acar e dëborë, Zani, djali i madh i Hoxhë Jemenit. Ai kishte dëgjuar gjatë ditës, në Ulpian se UDB-ja kishte shkuar në Malmir dhe përnjëherë ishte nisur këmbë, i vetëdijshëm se babai i tij do të pësonte i pari në Aksionin e UDB-së. Pas gjashtë orë rrugëtimi në dëborën e rrastë dhe acarin e padurueshëm, nëpër rrugët plot dëborë të Blinajës, kishte arritur në Shtëpi. Duart dhe këmbët iu kishin mërdhirë. Nënë Semaja i kishte ofruar ujë të ftohë derisa gjymtyrët e mërdhita t’ i lëshonte ngrica, pastaj këmbët e duart i kishte futur në ujë të ngrohtë. Pasi kishte ngrënë bukë kishte ngjitur shkallët dhe kishte hapur derën e odës. Të pranishmit ia kishin parë për të madhe që kishte rrezikuar gjashtë orë rrugë, nëpër botë e acar. Edhe babai i tij Hoxhë Jemeni e kishte qortuar.

– Mora vesh në Ulpian. Në katundet e Rrafshit po iu japin afat për armë dhe unë mendoj ta kërkoj një javë afat për babën dhe ta dërgoj në Prishtinë, te Hafuz Aliu. Atje do ta dërgoj te mjeku dhe të presin derisa të kalojë “erfia”.

-Jo mor bir. Nuk iku unë nga katundi,  as nga shtëpia. Ka qe 45 vjet që po ballafaqohem me shkaun e zi dhe sa ka thanë Zoti do të qëndroj, se nuk bahet ndryshe. Çka do të thonë këta dhe krejt katundi?. Iku hoxha dhe e shpëtoi veten. Jo, jo, kjo punë nuk bahet, për sa të jem gjallë.

– Edhe ne themi ashtu si Zani, o axhë, ne jemi më të rinj, e durojmë edhe dajakun. Mendoj se ka të drejtë djali. Të gjithë ishin të mendimit që Hoxhë Jemeni të largohej por ai kishte marrë një qëndrim të prerë, ashtu sikur gjithnjë gjatë jetës së tij.

***

           Mësuesi i shkollës fillore që ishte edhe përgjegjës i paraleles, Sak Zabeli iu kishte lajmëruar nxënësve që për dy muaj nuk do të kishin mësim, meqë shkolla ishte vënë në shërbim të UDB-së dhe Aksionit për grumbullimin e armëve.

Korrieri i shkollës, Tal Buda dhe disa fshatarë ishin urdhëruar të njoftonin bashkëfshatarët se kush, në cilën ditë, të paraqitej në shkollë për ta dorëzuar armën, që e kërkonte pushteti. Listën, me emra e mbiemrat e kishin hartuar në UDB-në e Ulpianit, ndërsa ajo ishte zgjeruar por edhe selektuar nga “poverenikët”3) e pushtetit, në Malmir  si Velë Kaçami, Mel Xhuma, Sel Bani, Mil Hami, Rush Prroni.

Për fillim, oficeri shqiptarë-vrasës, Sava Shurbatoviq kishte ftuar disa nga burrat më në zë të fshatit:  Mulla Jemenin, Fir Ramën, Rafë Manën, Xhemë Dragën, Haxhë Lilën, Xhelë Rizën  e të tjerë.

Ata i kishte detyruar, që për një orë të qëndronin këmbë në oborr të shkollës, në frymë e fërfëllizë.

Pas një orë pritje, fillimisht kishin ftuar Hoxhë Jemenin dhe Fir Ramën.

Sava Shurbatoviqi ishte paraqitur para viktimave me prepotencën tipike të racës së cilës i takonte dhe me  një disponim të veçantë, meqë sapo kishte pirë një gotë raki. Në vitet e para pas luftës kishte operuar po në ato fshatra të Drenicës. Madje pikërisht në Malmir kishte vrarë, Ali Kajtazin nga fshati Dogan, luftëtar i NDSH-së, i cili ishte strehuar për një kohë në fshatin, Petrash.  Kishte organizuar edhe vrasjen në pritë tëRrahim Rexhës po nga Malmiri dhe kishte zbuluar me sukses shumë nga familjet që i mbanin me bukë e strehim luftëtarët shqiptarë, që nuk e pranonin regjimin komunist titist dhe rimbetjen  Kosovës nën Jugosllavi.

Ishte ndër inspektorët me zë edhe për faktin se kishte arritur të rekrutonte edhe disa shqiptarë mercenarë, të cilët e kishin shoqëruar e kishin mbrojtur dhe ishin të gatshëm të jepnin edhe kokën për të.  Ai ishte ndër të parët që kishte propozuar një Aksion të përqendruar të grumbullimit të armatimit ilegal, në trevat ku mendohej, apo ku thjesht paragjykohej   se kishte armë ilegale dhe në ato vende ku supozohej se popullata ishte kundërshtare e regjimit. Aksioni i përqendruar ishte orientuar në Kosovë, ku mendohej se ishin dhjetëra mijëra armë në duar të popullatës të disponuar armiqësisht kundër Jugosllavisë. Aksionin, në nivelin krahinor, që e kishte ndërmarrë Ministria e Brendshme e Serbisë  e kishin lejuar dhe e kishin përkrahur: Ali Shukria, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Mehmet Cikulli-Maliqi, Spasoje Gjakoviqi, Dushan Mugosha, Sava Shurbatoviq, Zhivko Mitroviq, Shaban Kajtazi e të tjerë. Shurbatoviq  kishte marrë përsipër edhe detyrën e operativistit të udhëheqjes së aksionit në Ulpian dhe rrethinë.

Pasi Hoxhë Jemenin e disa të tjerë i kishin ftuar në sallën e Shkollës, Shurbatoviq, i cili dinte shqip por nuk fliste, përmes përkthyesit, Himë Ziu  fillimisht iu kishte drejtuar mulla Jemenit:

– Regjimi ka shënime dhe e di se kush ka armë. Ne kemi ardhur këtu dhe kërkojmë nga ju që t’ i dorëzoni ato. Ata, që i dorëzojnë, marrin nga një vërtetim në letër dhe nuk i përket kush. Kundër atyre  që nuk i dorëzojnë, ndërsa  ne përmes njerëzve tanë jemi të sigurt se i kanë, do të detyrohemi të përdorim forcë, në mënyrë që ata të binden dhe t’ i dorëzojnë ato.

Kemi disa raste kur nuk jemi të sigurt dhe kërkojmë nga ti, që ata të bëjnë be në Kur-an para teje, në mënyrë që të lahen. Hoxhë Jemeni ishte nga ata burra, që nuk kishte vonuar asnjë çast në përgjigje.

– Nuk e marr përsipër barrën për t’ iu bërë shërbime, që nuk më përkasin mua, ishte përgjigjur shkurt,  ju komunistët nuk i besoni Kur’anit, çfarë dobie ka të betohen para jush?

– Ky shërbim ka të bëjë me ta, por edhe me ty si i par i fesë.

– Pushteti juaj më ka larguar nga Shërbimi me pëlqim të Bashkësinë Islame në Prishtinë, andaj nuk keni çka kërkoni nga unë.

– Ja pra pse e kemi larguar nga detyra e imamit, iu kishte drejtuar të pranishmëve, Shurbatoviqi dhe kishte shtuar. Ky po tregon vetë. Ky është armik i hapur dhe vetëm sepse është armik i hapur, unë kam pak respekt për të. Këtu ka shumë armiq të tjerë, por ka shumë nga ata  që na shtiren  edhe si miq dhe na kryejnë shërbime, e në kokë  mendojnë kështu si ky.

– Atëherë ti Hoxhë Jemeni, duke u bazuar në shënimet tona të sigurta, ke fshehur në shtëpi një mitraloz “Breda”të kohës së Italisë Fashiste, të cilën e ke pritur me lule dhe ke një pushkë të Junanit, me të cilën në vitin 1912 ke luftuar në Lumë kundër ushtrisë sonë, dua të them, kundër ushtrisë së Kralit.

– Nuk kam armë, në shtëpi, unë as bijtë e mi. Arma e vetme e imja, është fjala e Zotit dhe feja ime, bindja ime.

– Bindja jote antikomuniste?

– Po, është plotësisht e vërtetë, që kam bindje antikomuniste si ndaj jush si ndaj bashkëkombësve të mi?

– Armik i shtetit, apo?

– Armik i komunizmit….

Dëgjoni ju popull. Ja si shprehet armiku krejt haptas. Cili në mesin Tuaj mendon sikur ky?- iu kishte drejtuar të pranishmëve.

– Edhe unë mendoj ashtu, kishte thënë Fir Rama.

– Edhe ti, bravo, kalo këtej!.

– Ju të tjerët?

Në klasën e shkollës fillore të fshatit, që ishte kthyer në sektor të Punëve të brendshme të Milicisë kishte rënë qetësi dhe të gjithë i kishin ulur kokat. Askush nuk bënte zë, meqë e dinin se çka do t’ i priste.

– Ke tri ditë afat, për t’ i sjellë armët, iu kishte drejtuar hoxhë Jemenit,  inspektori i UDB-së.

– As tre dekika afat nuk i dua. Çka e ke vendosur ta bësh, bëje. Pa thënë Allahu, ti shpirtin tim nuk e merr, ashtu sikur nuk ma kanë marrë, as shumë të tjerë para teje, ia kishte kthyer hoxha pa i bërë vër, syri .

Qëndrimi i sertë  dhe kryeneç i Hoxhë Jemenit kishte zemëruar tej mase inspektorët.

– Nxirreni një orë zbathur nëpër dëborë dhe mos e lini të pushojë- kishte urdhëruar Sava Shurbat.

Disa minuta më vonë kishin nxjerrë jashtë edhe Fir Ramën, Rafë Manën e të tjerët. Të gjithë i kishin radhitur në kolonë, për  një dhe i kishin shëtitur këmbëzbathur rreth objektit të shkollës. Inspektorët, Nikolla Pantiq, dhe Ranko Odalloviq kishin marrë një litar  dhe ia kishin  lidhur duart, hoxhë Jemenit. E kishin afruar te bunari i shkollës e kishin hedhur në pus, ku e kishin mbajtur  në ujë dhe ndërkohë e kishin nxjerrë mbi nivelin e ujit për të mos u mbytur. Tri herë e kishin zhytur në ujë dhe pastaj e kishin nxjerrë nga pusi, pa ndjenja. Pasi e kishin nxjerrë nga bunari, disa nga bashkëfshatarët e kishin tërhequr dhe e kishin futur në korridorin e shkollës. Trupi i dridhej nga të ftohtit, ndërsa në fytyrë dukej sikur nuk i kishte mbetur asnjë pikë gjaku. Fakti se dridhej, tregonte se ishte gjallë. Kishte mbyllur gojën dhe nuk nxirrte asnjë zë. Herë-herë e kaplonin ethe të forta dhe tërë trupi i shkundullohej.

Pas një orë qëndrimi në korridorin e shkollës kishin urdhëruar djalin e tij, Zanin, të cilin e shëtisnin nëpër oborr këmbëzbathur, që ta merrte babanë dhe të mos vononte, por të dorëzonte armët, që i kërkoheshin. Në të kundërtën, në orën 8 të mëngjesit i kishin thënë  të paraqitej sërish në shkollë. Zani me kushëririn Mus Lilin e kishin marrë përkrahsh  hoxhë Jemenin dhe pezull e kishin dërguar në shtëpi…

***

Bashkëshortja e hoxhës, Semaja, reja e tij e vetme, Rija, bijat: Kija dhe Beda, si dhe nipat e vegjël  ishin tmerruar kur kishin parë burrat, që po e çonin në odë kryefamiljarin. Milicët e kishin rrahur edhe Zanin, djalin e madh të hoxhës, ndërkohë që djali tjetër Meha, gjatë asaj kohe kishte ndodhur në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.  Sakaq kishin arritur edhe burrat e tjerë të familjes së gjerë, meqë kishin dëgjuar se milicët e Savës së UDB-së e kishin rrahur dhe e kishin futur në pus, hoxhë Jemenin.

Metë Imeri ishte propozuar që sa më parë ta therin dashin e madh të vathes dhe trupin e hoxhës ta mbështillnin me lëkurën e tij. Ishte një praktikë e sprovuar nga brezi në brez dhe duhej se shërimit të tillë i besonin të gjithë, meqë asnjëri nuk kishte kundërshtuar.

Edhe fëmijët e lagjes ishin tubuar te dyert e oborrit të Hoxhë Jemenit, si zakonisht për të rrëshqitur, mirëpo atë ditë askush nuk kishte marrë sajat. Ata e kishin pyeturUrtanin, se a ishte ende gjallë gjyshi i tij , të cilin e kishin rrahur shkiet.

– Babagjyshin e kanë mbështjellë me lëkurë të Arapit, u kishte thënë moshatarëve, nipi i Hoxhë Jemenit. E kanë pre dashin e madh dhe ia kanë marrë lëkurën dhe e kanë mbështjellë gjyshin….

– Mirë ja kanë bërë arapit, ai vazhdimisht sulmonte.

– Mirë t’ i bëhet, ja kanë pre gushën  thotë një nga të pranishmit, i cili po ashtu kishte pasur “armiqësi” me dashin që e quanin “arap”.

– A ka me vdekun baba hoxhë? – kishte pyetur një bashkëmoshatar.

– Jo, ai është hoxhë, veç kur të thotë Zoti, vdes, përgjigjet Urtani, me fjalët që kishte dëgjuar sa e sa herë nga gjyshi. Fjalët i kishte thënë, për të mos u treguar i dobët para moshatarëve, por në qenien e tij të njomë i reflektonin dromca trishtimi e pikëllimi. Frikësohej se gjyshin nuk do ta shihte më për së gjalli, meqë nuk e linin të shkonte në odë. Nëna e vet i kishte thënë se gjyshi ka urdhëruar, që asnjë nga nipat e fëmijët e tjerë të mos shkonte  për ta parë derisa ta merrte veten.

– Të gjithë burrat, që nuk kanë pushkë kanë me i rrahë.

– Po gratë, a i rrahin gratë” – pyet Mel Tafa.

– Gratë nuk kanë pushkë.

– Edhe  baba im nuk ka pushkë, por sot e kanë rrahë, thotë një tjetër.

Biseda e fëmijëve të Lagjes kishte vazhduar derisa dikush te shkolla kishte shkrepur një rafal të automatikut. Pastaj të gjithë ishin shpërndarë. Më vonë ishte bërë e ditur se një milic serb kishte provuar disa nga plumbat,  për të cilët kishte dyshuar se dorëzuesit e armëve u kishin hequr barotin dhe i kishin mbushur me argjil, por ata kishin shkrepur.

Eknat Malmiri

23 janar 2016

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …