Mustafë Krasniqi

Mustafë Krasniqi: Një tufë poezish

… MOS IKNI NGA VLERAT

E çuditshme

ikja pas shëmtimit

lakuriqësia

perçja e zezë

ndjell vetëm zi…

Ata…

me megafon

të harbuarit

mendje shkurtër

me lesh dreqi

duan të na e vrasin

ndërgjegjen.

Vëlla thonë kemi dreqin

me mjekër deri në kërthizë

Modë thonë kemi zhveshjen

të tjerat betohen në vdekje

me çarçafët e zi.

Ju… mos merrni malin

n’kultura e huaja

vlerë e jona është

Teuta si Princeshë.

Ajo s’deshi zhveshjen

gjinjtë në lëndinë

po as çarçafët e zi

t’ia mbulojnë bukurinë.

Për ne…., etninë

porosi nga princesha

të mos ikim nga vlerat.

JU VRAFSHIN ZANAT!…

Shkuat dasmorë

Në ëndrrën e lirisë

Në një dasmë të madhe të bëheni valltar,

Diku, në lagjen e trimave,

E në atë valle shqiponjash

Dikush korbin papritmas e ndjellte,

Të qeshur ishit, por tradhtia u priste.

Zanat e malit mbi ju u lutën

Me fustanella të bardhë

E plagët ua lidhnin vetëm me lot.

Nga djepi i Pirros-Burrë i Shqipes

erdhët si engjëj të buzëqeshur,

të pushoni pak u ulët në Iliridë

e Dardanisë së vjetër ia hodhët krahun!

Nuk e di pse u thanë

Mirëserdhët ju o shqipe,

Kot u presin të gjallë loket në vatra

Me duar të hapura e të thata.

Ju vrafshin ju zanat e maleve

Që pas shpine engjëjt na i vratë!

 JU…

(Jusufi, Kadriu e Bardhi)

Ju…

Jeni mes nesh,

Bataretë e rrëmujshme

Nuk ju tremben

E gjithmonë

U kthyet në shtatore,

Në mijëra faqe

Po u gjejmë,

Më të ndritur

Se drita!…

Flatruat

si shqiponja

Koha

Nuk ua thau gjakun

Jeni fillesa e dritës

Ringjallje e Etnisë

Përherë të njomë

E vet ndërgjegjja

E kësaj Toke!…

KRISI PUSHKA

Në fshat kumboi zëri

Thanë u lind djalë

Klithmat pushtuan kullën

E ushtima mori dhenë.

U lind djalë për tokë

Ushtoi mali me këngë

Dhe Zanat ia krisën në valle

-I ngjaftë djali të atit!…

Ata u rriten me besë

Dhe ishin nishanxhinj të mirë

Por babë bir u grindën

Dhe u prangosën me fjalë.

Për të sotmen, për dritë

Kurrë nuk u ndalën!

 E UNË JAM TOKA…

E unë jam toka…

Deri n’ palcë e djegur

Kryeneç në këmbë

Më rri plisi i Arbrit

Kanjusha solli

Tuje plisbardhëve

po ngordhin hienat

Thanë në mardhë

Nga fusha e art

Ku pushon Teuta

Po kthehen shkronjat

me shandan në dorë

Të çlirimtarëve

Oso Kuka që moti

Lahutës i bjer

Në bjeshkë e fusha

Si legjendë

Ligësisht ata…

Ma qëlluan Avniun

Në pritë

Me të njëjtë krismë

Ma vranë

Hasan Prishtinën.

E ende po më  shigjeton

Reja e zezë kobzezë

mbytur thellë

Me sy shterur

Në krahinat e mia…

E ata…

Kapërdihen

Kafshojnë vetën.

Plagët më janë hapur

Kullojnë gjak

Ende për etninë

Mbretëresha ime.

O kohë, o tmerr …

Pse vetëm mbi mua bien!?

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …