Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Gjithmonë

gjithmonë kam pas dëshirë
me i prekë me dorë
retë e bardha
të kaltërtin qiell
me i taku burrat e dheut
ditën me diell
me e prekë me dorë
tokën e madhe
me ndi si rrah
fort
një zemër nëne plagosur
e mbetur peng
në gjirin e atdheut
amaneti i birit të saj
sosur

gjithmonë kam pas dëshirë
me i prekë me dorë njerëzit e mëdhenj
që heshtën ngërthyer nga modestia
veçuar tutje gjithandej
si të shituar nga lia
për të mos i vra legjendat
se na vret zoti i dashurisë
për burrat e dheut
për tokën tonë të shenjtë
ku betoheshim
për mos me tradhtua
për mos me rrejt
kur atdheu të jetë në rrezik
duarkryq mos me ndej
atdheun mos me e vjedhë
të liga punë mos me pjellë
shpresat për të ardhmen
mos me i stërkeq e tredhë
dheun tonë të djegur mos me e mohua
ujin e burimit mos me e shterë
se ky vend ka etje

për shtet
për ligj
për moral e drejtësi
për punë e nder
për liri

eh
sa shumë etja më ka marrë
për burrat e mëdhenj
që kokën dhënë
e fjalët e veta nuk i hanë
as para litarit
as para altarit
të atdheut

jo
kurrë nuk kam besua e pritë
që vjen kjo ditë
kaq e ligë
plagët e atdheut me i prekë me dorë
sa rëndë po më vjen
plagë të shkaktuara edhe nga buka ime
që të pabesëve ua dhashë
he buka jonë ju vraftë …

Janar, 2016

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …