Sami Lushtaku përkujton dëshmorët e familjes Salihaj dhe Nazmi Gashin në 28-vjetorin e rënies

Në 28-vjetorin e rënies së dëshmorëve të familjes Salihaj nga Shushica dhe dëshmorit të kombit Nazmi Gashi nga Vojniku, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë homazhe në Shushicë të Istogut, duke nderuar veprën dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës. Lushtaku ka bërë homazhe së bashku me nënkryetarin e Skenderajt, Fadil Nura, kryetarin e PDK-së në Istog, Ali Nimanaj, familjarë të dëshmorëve, asambleistë, drejtorë komunalë dhe bashkëpunëtorë. Në reagimin e tij, Lushtaku ka kujtuar betejën e 29 gushtit 1998, në të cilën, sipas tij, në përballje me forcat serbe ranë Isë Salihaj, Shaban Salihaj, Milaim Salihaj, Abedin Salihaj, Hysen Salihaj, Arben Salihaj, Hysni Salihaj dhe Nazmi Gashi. “28 vjet më pas, përkulemi me respekt para veprës së tyre dhe ndajmë dhimbjen e krenarinë me familjet e dëshmorëve”, ka shkruar Lushtaku. Ai ka vlerësuar sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se kujtimi për ta mbetet i lidhur me rrugën e lirisë së Kosovës. “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar Lushtaku.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: VLEN mban përgjegjësi për partnerët qeverisës që glorifikojnë Mlladiqin

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kritikuar ashpër partnerin shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, …