Selim Imer Shehu (18.10.1965 – 14.5.1999)

Selim Imer Shehu (18.10.1965 – 14.5.1999)

Selim Imer Shehu u lind në Kaçanik, më 18 tetor 1965. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në Kaçanik. Selimi trimërinë e kishte trashëguar nga të parët e tij, që ishin bujarë dhe të dalluar për qëndrime patriotike gjatë periudhave kohore ndër shekuj. Qysh si i ri ndjen barrën e rëndë të robërisë së armikut, që kishte shkelur trojet e Kosovës. Gjithnjë angazhohej për organizimin e njerëzve për ta mposhtur armikun serbo-çetnik. Në demonstratat e vitit 1990 Selimi ishte në radhët e para duke kërkuar të drejtat kombëtare. Po ashtu edhe në Kaçanik ishte ndër të parët në organizimin e demonstratave 1989 – 1990. Për veprimtarinë e tij të dalluar patriotike u ra në sy pushtuesve serbo-sllavë. Për këtë edhe burgoset, ku edhe dënohet më 60 ditë burg, të cilin e vuan në Prishtinë dhe Dubravë. Pas daljes nga burgu, Selimi veprimtarinë e vet politike nuk e ndërpret por e ngreh në nivel më të lartë. Ishte i flaktë të angazhohej për lirinë e Kosovës. Kontaktet e para me UÇK-në i vendos më 20 tetor 1998, ku edhe inkuadrohet në radhët e UÇK-së konkretisht në Batalionin e Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Aty e shohim si njeri të luftës, i cili me një punë të palodhshme e trimëri të rrallë i shërben atdheut. Kjo veprimtari e tij ishte e bujshme edhe në aspektin ushtarak. Armikut i fuste tmerr e frikë gjer në palcë. Bashkëluftëtarët e ngushtë të Selim Shehut ishin: Fehmi Hoxha, Hajrullah Shehu, Shaban Topojani dhe komplet togu i Hajrullah Shehut. Ishte pjesëmarrës i Betejës së Gajres, betejës së Ivajës, Kotlinës, Luftës në hyrje të Kaçanikut, luftës në Rakoc.
Më 14 maj 1999 në mbrojtje të komandant Bardhit ra heroikisht në krye të detyrës bashkë me komandantin, Bardhin ku me këtë rast plagoset edhe përcjellësi i komandantit, ushtari Shefket Kuka. Përgjatë Karadakut, Komandanti i Brigadës, Qamil Ilazi, duke bërë inspektimin e njësiteve të Batalionit të Dytë dhe të Tretë, më 14 maj 1999 has në një pritë serbe dhe bie në krye të detyrës, në fshatin Nikoc – mëhalla e Veselëve, bashkë me bashkëluftëtarin e tij Selim Shehun si dhe plagoset përcjellësi i komandantit Shefket Kuka. Më 15 maj 1999 nën organizimin e Batalionit të Dytë bëhet varrimi i Komandantit të Brigadës Qamil Ilazi dhe bashkëluftëtarit Selim Shehu me nderime ushtarake. Në këtë varrim përveç bashkëluftëtarëve kanë marrë pjesë edhe familjet e komandantit dhe Selim Shehut. Varrimi është bërë në vendin Stanet e Brutëve. Rrethanat, ku është bërë varrimi i komandant Bardhit dhe ushtarit Selim Shehu, ishin mjaft të ndërlikuara dhe me rreziqe të papritura. Fjalën e rastit e mbajti Komandanti i Batalionit të Dytë, Azem Guri. Nga Komanda e Brigadës në këtë varrim morën pjesë Izet Krivanjeva dhe Misim Sopa. Selim Shehu ra heroikisht në mbrojtje të atdheut. Siç ishte radhitur në radhët e ushtrisë çlirimtare tani radhitet në radhët e Dëshmorëve të kombit që ranë për Kosovën e lirë dhe sovrane. Vepra e tij do të mbetet e pashlyeshme në kujtesë për brezat e ardhshëm. Amanetin e tij dhe të Dëshmorëve të tjerë brezat e ardhshëm duhet ta çojnë në vend. Bashkëluftëtarët e Selim Shehut dhe komandant Bardhit në vendin e rënies i kanë ngritur pllakën përkujtimore me rastin e njëvjetorit të rënies heroike të tyre.
Selim Shehu pas vetes la babë Imerin, nënë Hazizen, motrën Hasijen vëllezërit: Kemalin, Fatmirin, Islamin, Agimin dhe Lutfiun, si dhe bashkëshorten Nexhmijen me fëmijët; Egzonin, Xhenetën, Ylberin dhe Selimen. Pas luftës me vendim të Komandës së Brigadës 162 “Agim Bajrami” me nderime ushtarake varroset në Varrezat e Dëshmorëve. Dëshmori i kombit Selim Shehu ishte shembull i luftëtarët të devotshëm, që nuk dorëzohet para asnjë vështirësie. Ai ishte shembull i njeriut të sakrificës i gatshëm për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Komanda e ZON-së, Komanda e Brigadës dhe Komanda e Zonës së 6-të e TMK-së. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Mursel Rrustem Boletini (19.11.1977 - 4.5.1999)

Mursel Rrustem Boletini (19.11.1977 – 4.5.1999)

Dëshmori i kombit Mursel Boletini rrjedh nga familja e njohur Boletini, e cila dha shumë …