Sërish Fishta: Heu Evropë ti Kurva e motit…

Kasta e politikanëve të sotëm shqiptarë, janë shumë të dashuruar në Evropën, e cila as pas 100 vitesh nuk e ka ndyshuar, as pritet ta ndryshojë qëndrimin e saj përbuzës dhe poshtërues ndaj nesh. Këta politikanët e sotëm të trekëndëshit: Tiranë, Shkup, Prishtinë, shumica syresh bijë gjenetikë të atyre të moçmëve janë dashuruar marrëzisht në BE-në, ashtu si dikur të dashuruarit marrëzishëm në regjimin e Sulltanit, i cili edhe kur ua hiqte kokat, ata i uronin jetë të gjatë Perandorisë.


Edhe sot nuk kanë të ndalur himnet dhe entuziazmi për  Evropën, e cila në sytë dhe botëkuptimet e tyre simbolizon drejtësinë, barazinë, paanshmërinë, respektin ndaj të gjithë popujve pa dallim, race e besimi.


Edhe tani kur Evropa e Sportit mori qëndrim të hapur pro serb, pro fashist serb, qëndrim të hapur antishqiptar, kur UEFA, u solidarizua me thrrjet e serbëve: “Vrisni të gjithë shqiptarët”, euro-ashikët tanë nuk e bëjnë qejfin qeder. Ata do të reagojnë sa për sy e faqe, por prapë se prapë nuk i shqiten “Nënës Evropë”, sepse ajo i do fortë, madje edhe kur i ndëshkon, e bën me qëllim për të mirën e tyre, me qëllim qortimi, jo sepse është njerkë, por sepse kërkon më shumë nga ne.


Çuditërisht, pikërisht  një shekull më parë, Homeri i shqiptarëve, Gjergj Fishta ia kishte çjerrë maskën Evropës plakë, duke e mallkuar për padrejtësitë që po ua bënte shqiptarëve. Janë të mirënjohura akuzat e tij të fuqishme drejtuar Evropës.


Pse të mos i përkujtojmë sot, meqë nuk kemi tjetër mundësi. Përse u dashka ta fshehim Fishtën, sikur kërkon një muç apo tuç, kur kurrë më mirë nuk kanë tingëlluar e nuk tingëllojnë vargjet e shfrimit:


 


Uh! Evropë, ti kurva e motit!


Që i re  mohit, besës së Zotit!


Po, á ky asht sheji i qytetnisë?


Me da token e Shqypnisë,


Për me mbajt klyshtë e Rusisë?


 


Ndërsa duke folur për matoshët, robelët, batonët, stefanët, sahanët, bardulët e bastardët  e kohës së vet, Fishta i madh atyre iu drejtohej me rrebeshin e tij të njohur:


 


Ju rrugaça, sallahana,


Vagabonda, shakllabana,


rricna t’ndyet, mikrobe të kqij,


qi të mjerës moj Shqipni,


thellë hi i keni në mushkri,


pa dhimbë gjakun tuj ia pi,


por der kur, bre batakçi!


Bre coftina, kalbe mbi dhè,


der kur ju, tu tallë me ne,


do t’na qelbi fis e atdhè?  


 


Një shekull më parë Fishta konstatonte me të drejtë se “Nuk din Shkjau me mbajtë miqsí!”. Sot një qind vjet më pas, për hir të Evropës, politikanët shqiptarë detyrohen të shkojnë në Beograd, për miqësi edhe pse Shkau as e ka mbajtur as e mban dot miqësinë me shqiptarët, madje as me servilët dhe çanaklëpirësit, madje as me ta që i kanë shërbyer babë-gjysh e babagjysh…


 


Euro-ashikët tanë duket se nuk e kanë kuptuar as do ta kuptojnë ndonjëherë se Evropa, BE-ja, UEFA dhe tërë mekanizmi politik, ekonomik, tregtar, kulturor, sportiv i përket një bote tjetër, një feje, apo një origjine tjetër, e cila nuk i honeps shqiptarët, që i ka injoruar dhe i injoron me të njëjtën masë sikur atëherë, kur ua ka ndarë dhe u ka bërë copë-copë Atdheun, sikur sot kur i përkrah krejt hapur turmat e neveritshme të kriminelëve serbë, që kërkojnë zhdukjen fizike të të gjithë shqiptarëve.


Tani euro-ashikët tanë kanë ulur zërin. Ata po e përtypin në heshtje qëndrimin e poshtërimin e Platinit dhe po presin të kalojë pak zemërata e Evropës, e cila konsideron se ia kemi prishur pak rehatinë dhe kredon fashiste Serbisë së Milosheviqit, Daçiçit, Vuçiqit e ujqve të tjerë të Serbisë.


Ja çka bëjnë tash shqiptarët e zhgënjyer me “drejtësinë” e Evropës:


 


Ata han fiq e kastraveca,


E pijn’mastikё e qesin petlla n’ujë;


E ngrehen rrugёs e fryhen si gjeldeca;


E rrin tue kqyrun udhёs ushtarёt e huej


Pale’a e kanё ksulen qyp apo kapelё,


A ka uficiali kalin at,  apo pelё.


 


Çka bëjnë tash matoshët, sarhoshët, robellët, lubët e xhuxhët dhe soji i sorrashkave? Ata iu kanë gëzuar “gjykimit të drejtë” të Platinit, ashtu si dikur Esad Pashë Toptani, Ahmet Zogu e Ceno beg Cernogllaviqi.


 


ju, do pyka bijë prej llomit


qi “shqiptarë” vedit i thoni,


jo pse ju Shqipninë s’e doni,


jo pse ju ndo ‘i send s’ kuptoni


shka asht Atdheu e shka asht Liria,


shka asht Vllaznija a Parsija,


Përparimi e Qytetnia,


por veç pse ende der me sot


nji tiran s’po e gjeni dot,


nën kambë t’cilit ju me u shtrue,


se un tash ma jam regjë me jue,


e jau njof shpirtin der m’palc,


pleh i ndytë me u bartun n’shalc


e me u qitë jashta Shqipnije.


 


Këto jashqitje të Shqipërisë sot ngërdheshen duke përkrahur “gjykimin e drejtë”  të Evropës, sikur Matoshi dhe toshët e tjerë sepse  sipas tyre Serbia qenka e mllefosur pasi paska humbur territoret e saj të pushtuara me dhunë gjak e shfarosje të shqiptarëve. Andaj UEFA paska ndarë drejtësi sipas mendjes së tyre të retarduar, proserbe e profashiste.


 


Ahmet Qeriqi


24. 10. 2014

Kontrolloni gjithashtu

Armë, fishekë dhe pajisje teknologjike, janë gjetur nga aksioni i policisë në ministrinë e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor të Liburn Aliut

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, është zhvilluar një aksion në Ministrinë e Mjedisit, …