Avdullah Hoti thotë se Qeveria aktuale e Kosovës njihet për dështimin në liberalizimin e vizave, dhe në INTERPOL

Shefi i Grupit arlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti kërkon mbështetjen qytetareve për rrëzimin e Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka vazhduar kritikat ndaj koalicionit qeverisës në vend. Sipas tij, koalicioni qeverisës i, siç e quan ai, “vendimeve të mëdha”, është jo funksional, por mbahet në këmbë sepse interesat e partnerëve janë të mëdha “Këto interesa po realizohen përmes buxhetit të shtetit, i cili është kthyer në plaçkë përmes vendimeve jo ligjore të Qeverisë. Mbledhjet e Qeverisë mbahen për të marrë vendime për realizimin e interesave specifike të partnerëve të koalicionit. Nëse nuk harmonizohen interesat para mbledhjes së Qeverisë, atëherë ministrat e asaj partie nuk marrin pjesë në mbledhje”,  është shprehur Hoti.

Tutje, ai theksoi se partneri i koalicionit nga komuniteti serb nuk e përfill kryeministrin Ramush Haradinaj dhe se Ministrat e këtij partneri nuk marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë dhe në Kuvend, por në zyrë shkojnë çdo ditë. “Interesat e tyre po i realizojnë me taksat e qytetarëve të Kosovës”, shtoi Hoti. Më tej shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se Kuvendi i Kosovës është bërë arenë përplasjesh të kota. “Menaxhimi katastrofal i seancave dhe trupave të Kuvendit e ka paralizuar këtë institucion. Kuvendi sot nuk e kryen detyrën e vet kushtetuese si mbikëqyrës i punës së Qeverisë. Kryeministri dhe ministrat nuk paraqiten në raportim”, ka deklaruar Hoti.

Madje, Hoti pati kritika edhe për presidentin e vendit, Hashim Thaçi. Ai tha se kreu i shtetit e ka bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga data 27 mars 2018, duke mos emëruar anëtarët e rinj siç e parasheh Kushtetuta dhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Zyrtari i LDK-së ka kërkuar sërish mbështetjen qytetare për të, siç tha ai, “hequr qafe përgjithmonë këtë klasë politike që po vjedh të ardhmen e gjeneratës së ardhshme”. “Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë kastë qeverisëse. Na duhet mbështetje e madhe qytetare për të hequr qafe përgjithmonë këtë klasë politike që po vjedh të ardhmen e gjeneratës së ardhshme”,ka  thekuar në fund Hoti.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria projekton buxhetin 10.15 miliardë euro për vitin 2027

Shqipëria parashikon një buxhet prej rreth 10.15 miliardë eurosh për vitin 2027, ndërsa Qeveria e …