KEK
Fillimi / Botimet / SHEFQET DIBRANI: Motive lirike të mbytura në pellgje gjaku
SHEFQET DIBRANI: Motive lirike të mbytura në pellgje gjaku

SHEFQET DIBRANI: Motive lirike të mbytura në pellgje gjaku

(Lulëzim Etemaj & Isuf Sherifi, “Dritë mbi plagë”, (sprovë për antologji), poezi, botoi Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”, Prishtinë, 2020)

Dritë mbi plagë, ose Sprovë për  antologji është një projekt i veçantë i realizuar nga Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur me seli në Gjenevë të Zvicrës. Kjo sprovë antologjike ka dalë në qarkullim me rastin e Ditës së gjenocidit, 15 janar, edhe pse i mungon viti, dihet se është botim i sivjetmë (2020).

Antologjia është përgatitur nga Lulëzim Etemaj dhe Isuf Sherifi, poetë dhe të burgosur politikë. Janë përfshirë 51 autore dhe autorë me poezitë e tyre kushtuar luftës, dhunës dhe gjenocidit serb në Kosovë. Gjithsesi një “libër që tematizon gjenocidin serb mbi shqiptarët. Libri, po ashtu, është një homazh artistik ndaj të gjitha viktimave” prandaj, sipas gazetarit për kulturë, Isa Vatovci, ky libër “bartë poro­sinë për zgjimin e vëmendjes dhe ndëshkimin nga ana e drej­të­­sisë”. Poezitë janë përjetime artistike, të shkruara në kohë të ndryshme dhe nga autorë të ndryshëm, të cilët, po ashtu, janë të moshave dhe vendeve të ndryshme.

Përmes këtyre poezive janë shprehur emocione letrare, përjetime dhe përkushtime që manifestohen si ndjenja krijuese e artistike. Së këndejmi, poezitë janë edhe revoltë krijuese “në shenjë homazhi poetik për gjithë të vrarët në Kosovë nga Serbia”, ka thënë redaktori i librit, Muhamet Mavraj, në një emision tele­viziv, madje ai shpresonte se Qendra do të vazhdojë “me botimin e librave edhe të zhanreve të tjera dhe me përkthime të tyre, sidomos për ata libra që flasin për gjenocidin serb në Kosovë”.

Kjo sprovë për antologji është një mënyrë letrare e artistike për t’u shprehur kundër “Gjenocidit serb në Kosovë”, që sot e kësaj dite mbetet “plagë e hapur” për shqiptarët në Kosovë dhe për popujt e Ballkanit në përgjithësi. Prandaj, “ndriçimi i krimeve serbe njëshekullore, veçanërisht atyre të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë (1997-1999), është detyrë e përhershme jo vetëm e Kosovës, por e gjithë kombit tonë dhe e botës demokratike”. Krimi duhet të ndriçohet dhe kryesit duhen dënuar, pasi ato “janë shtetërore, të strukturuara, të para­menduara dhe të kryera nga institucionet shtetërore të Serbisë”, ka potencuar një nga hartuesit e saj, poeti Lulëzim Etemaj.

Sigurisht janë këto arsye pse poetesha Shefqete Gosalci këtë “Sprovë për antologji” e klasifikon si “Klithmë kundër harresës, për të vërtetën” e, siç shprehet ajo, “Librat jetojnë gjatë, bashkë me ata që i shkruajnë dhe i lexojnë! Edhe kur vjetrohen diçka në to mbetet gjithmonë e re – kujtesa për temat që trajtojnë”, madje e ka kate­gorizuar këtë “sprovë për antologji” si një “Libër me eshtra?”, ndërsa “Gjenocidi është një temë universale që, fatkeqësisht, ka rënduar dhe vazhdon të rëndoj popuj të robëruar. Megjithatë, krimi dhe gjenocidi mbeten një mistere për njerëzimin”, është shprehur ajo.

Të gjithë e dimë se Serbia vazhdimisht ka bërë spastrimin etnik të trojeve shqiptare, ka bërë shkatërrimin e vendba­nimeve, objekteve kulturore, me pretendime për ta shfarosur edhe substancën njerëzore. Këto forma të krimit dhe gjeno­cidit serb në Kosovë nuk kanë mundur të shpëtojnë pa u regjistruar nga autore dhe autorë, qoftë përmes poezive, prozës, teatrit, fotografive, filmave artistikë e dokumentarë dhe formave të tjera. E kësaj natyre është edhe kjo “sprovë për antologji”, e cila ka dalë mjaft mirë e përgatitur qoftë në aspektin teknik, po më shumë në atë tematik e përmbajtjesor, ku përgjatë të cilit përshkruhen format e ndryshme të dhunës, gjenocidit dhe masakrave serbe në Kosovë. “Spastrimi etnik, nuk duhet të heshtet, ai duhet të kanalizohet në pikëpamje juridike dhe politike” dhe natyrisht duhet të gjykohet, nëse dëshirojmë “paqen afatgjatë në Evropë”, është shprehur në parathënie poeti Lulëzim Etemaj, prandaj “në funksion të këtij qëllimi, por me karakterin e një homazhi artistik ndaj të gjitha viktimave të gjenocidit në Kosovë, është botuar ky libër me poezi që lidhet vetëm me tematikën e gjenocidit”.

51 autore dhe autorë me lutje të përshpirtshme

Krimi serb në këtë libër duket si një mozaik. E këtë gjë, nëpërmes shkrimeve letrare, e kanë dëshmuar 51 autorët e prezantuar, disa emra eminentë siç janë Ali Podrimja e Teki Dervishi, tashmë të ndjerë, si dhe profesorët universitarë: Agim Vinca, Dije Demiri – Frangu, Xhevdet Bajraj, Salih Bashota, Shaip Emërllahu, Milazim Krasniqi, Muhamet Mavraj, Salajdin Salihu, Lulzim Tafa, Miradije Maliqi, Ag Apolloni dhe ndonjë tjetër. Vend meritorë kanë zënë edhe poetët dhe poeteshat tashmë të profilizuara në mesin e të cilëve janë: Adem Gashi, Xhevahir Spahiu, Nexhat Halimi, Arif Molliqi, Teuta Çerkini – Haxhimusa, Berat Armagedoni, Shaip Beqiri, Shaip Emërllahu, Lulëzim Etemaj, Isuf Sherfi, Dije Lohaj, Mirela Papuçiu, Namik Selmani, Faruk Tasholli, Eduard Frrokaj e të tjerë, të cilët së bashku kanë bërë këtë libër me lutje të përshpirtshme.

Autorët janë prezantuar me një deri në katër poezi, por për shkak të gjatësisë së poezive disa kanë zënë vend më shumë: Në shtatë faqe, Milazim Krasniqi, kurse në gjashtë faqe janë botuar poezitë e Xhevdet Bajrajt dhe të Shefqet Dibranit, të tjerët, nga një deri në pesë faqe të këtij libri. Radhitja e autorëve është bërë sipas alfabetit duke marrë për bazë mbiemrin, gjë që kanë krijuar mozaikun e temave dhe moti­veve me një laramani të pranueshme. Me këtë projekt, hartuesit Lulëzim Etemaj dhe Isuf Sherifi e kanë arsyetuar angazhimin e tyre profesional për t’u dukur kjo “Dritë mbi plagë”, si një qiri i ndezur për viktimat, një lutje e përshpirt­tshme për heronjtë e lirisë, ndërsa për gratë e dhunuara, të cilat duhet të jenë gjallë, poezitë janë përkushtime për heroizëm, pasi edhe ato janë pjesë e kësaj lirie kaq të përvaj­shme, sakrifica e tyre duhet të shndrisë sikur lulëkuqet e Kosovës, mbase edhe Qendra ka përzgjedhur lulëkuqen si logo të vetën, një harmoni artistike e estetike e krijuar nga të gjitha pamjet.

Më shumë se poezi, janë lutje të përshpirtshme që do të përjetohen thellë, ta lëkundin dhembjen, të bëjnë me nxjerr lotin. Lexuesi, në ndonjë varg a poezi, do ta gjejë veten dhe do ta përjetojë më thellë tragjedinë dhe dramën e lirisë së Kosovës. Aty ku dhembja ka kaluar mbi shpatullat e poeteshave ose poetëve, vargu është i zymtë, mbase si rezultat i përjetimit real të tmerrit nëpër të cilin kanë kaluar. E nëpër këtë shteg erdhi edhe liria që po e gëzojmë, e nëse liria ka dhembje, faje kanë plagët e luftës!… Nëse nëpër vargje përjetohen drithërima, do të thotë se hartuesit kanë realizuar “sprovën për antologji”. S’ka dyshim aty-këtu poezitë t’i lëkundin halucinacionet, madje ta rikthejnë frymën e asaj frikës e cila pashman­gshëm ka qenë pjesë e luftës, dmth. paraqesin një mesazh real, në anën tjetër ndoshta do të ndikojnë në ndërgje­gjësim të atyre që janë dalldisur e, ndoshta, do ta zgjojnë nga letargjia shoqërinë tonë të fjetur.

Pellgje gjaku, ofshama të dhembjes dhe motive lirike

Poezitë e autorëve kanë vlerë se vetëm kështu qëndrojnë gjatë. Këtë kriter më së miri e plotëson poeti Xhevdet Bajraj. Ofshama e tij është sintagmë që lëkund të vdekurit në varre. “E imja është veç dhimbja”, pikërisht me këtë varg të trishtuar nis poezinë. Vargu i Xhevdet Bajrajt është ndër më kara­kteristikët brenda këtij libri, bile edhe më tej… “Kjo poezi s’është e imja/ këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut/ e imja është veç dhimbja dhe ky vaj që… me ty e ndaj”, f. 21.

Natyrisht, ishte tragjikja e Fatos Zhuniqit që u gjet i ngrirë në përqafim të të birit, tamam ashtu siç thotë poeti kur: “dy orë iu deshën njerëzve/ për t’i ndarë babë e bir nga përqafimi i ngrirë”. Kjo metamorfozë e dhembjes e cila shfaqet në këto vargje, përjetohet deri në ekstazë dhe padyshim libri “Dritë mbi plagë”, me vetëm poezitë e Xhevdet Bajrajt do të mjaf­tonte pasi është thënë e tëra. Poezia e këtij autori është e veçantë, është e papërsëritshme, me pak vargje shpreh mesa­zhe të mëdha. Vetëm dy vargjet e shkëputura nga poezia “Gjellë shqiptare” duhet ta tronditnin planetin! Ky autor më mirë se të tjerët e ka plotësuar qëllimin e hartuesve dhe Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” për të krijuar një mesazh artistik, por kur të mësohet se “Ushtarët e armikut në Kosovë/ kishin meny të pasur shqiptare”, qoftë si nuancë e rrëfimit poetik, duhet të shtangemi përpara krimit serb që është bërë në Kosovë. Mjafton të lexohet kjo poezi, mbase antologjike, veçmas refreni: “Dikush kënaqej edhe veç me një kokë të pjekur”, në të cilën thuhet se serbët: “Piqnin e zienin në zjarre shtëpish/ hanin e pinin nga kafka shqiptarësh/ sikur të mos ishin njerëz/ sikur të mos ishim njerëz/ apo jo Zot/ derisa vera i ktheu në dhéun e tyre/ kur u majmën nga vdekja”, f. 24. Kjo poezi si tërësi, e bën Xhevdet Bajrajn njërin nga përfaqësuesit më tipik të poezisë së sotme shqipe. Ai ka futur aq thellë ndjenjën në poezi sa nuk ka më fuqi ta heqë dikush nga zemra, nga mendja, qoftë për lirikën e mirë e qoftë për dhembjen e vështirë. Xhevdet Bajraj është bërë poeti më i miri që ka regjistruar e kultivuar ndjeshmërinë në poezi.

Shqetësimin deri në një makth e ndeshim edhe në poezinë e Sali Bashotës, “A jeni gjallë miqtë e mi, po vjen treni i vdekjes”, refren i nxjerr nga poezia “Prishtina natën e 31 marsit”, f. 27, ndërsa pasthirrma tjetër është klithje: “Populli im midis dy grumbuj gjarpërinjsh këlthet/ Po vdes në shkretëtirën e atdheut të vet”. Poeti, edhe në poezinë “Loja e tmerrit”, f. 28ka shprehur trishtimin e tij qysh më 2 prill 1999, rrëfim ky origjinal i atij çasti dhe i atij rasti, të asaj lufte përplot krime, dhunime terror dhe gjenocid.

Sali Beqiraj, në poezinë “Rrëfimet e nënës për vrasjen e babait”, f. 29, ka lënë në nëntitull një shënim: “Baba dha shpirt më 13 maj 1999”, ka hapur dramën reale të asaj kohe, të atyre rrethanave me të cilat ka prekur edhe ndjenjat e atyre bijve që kishin përjetuar fatin e ngjashëm, (natyrisht duke përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi), në mënyrë specifike me vargjet: “Baba kish dhjetë fëmijë/ Një më pak se kopshtin që e pati mbjellë// Në Rozhajë/ Dikush në Shkodër/ Tjetri në Tiranë/ Unë në Ulqin/ Vëllai i vdekur në litar/ Tre në mërgim/ Dhe asnjëri nuk kemi qenë skaj tij/ Kur ka dhënë shpirt”. Pa dyshim një përjetim i rrallë, i dhembshëm dhe tejet emocional, sidomos kur të kuptojmë se shumë prindër u gjetën “të kthyer përmbys/ mbi barin e kositur”, andaj Zot na mëshiro, po më shumë mëshiroji ata “pleq të strehuar lufte”, nëpër male, të cilët kishin qëndruar, (“sigurisht për t’ua varrosur prindërit bijve”), se të gjallët duhej ditur varrin ku e kanë, për t’iu sjellë lule e, pse jo, dikush për t’u krekosur me fjalime të zjarrta?!

Poeti Shaip Beqiri vetëm me shënimin sqarues se “Foshnja njëmuajshe Dituri Deliaj mbeti gjallë në gjirin e gjakosur të nënës së vet të mbytur në trumbën e njërës prej familjeve të masakruara nga bandat serbe më 26 shtator 1998 në Abri të Epërme ndërkaq vdiq pa u bërë as dy muaj të tragjedisë së madhe”, f. 32, e ka vënë pikën mbi “i”. Vargjet e tjera të kësaj poezie janë shprehje estetike dhe artistike, kuptohet për dramën jetësore të vogëlushes Dituri Deliajt, dymuajshe, të cilën vetëm një poet i kamur me shprehje letrare mund ta përjetësoj kaq bukur e kaq artistikisht.

Përjetimi i poetit Gazmend Bërlajolli shkon përtej nuancave artistike të çdo vargëzimi mbi krimin serb. Ai në poezinë “Nji tamël ma prunë do gra”, f. 33, sjell detajin e vuajtjes në mënyrë origjinale, sidomos pasthirrma në vargun: “… oj nanë, veç po dridhna/ çikën a ma mban?”, vargje nga të cilat kuptojmë jo vetëm detajin e përjetimit, por shpërfaq fuqinë e gruas në kohë lufte, sakrificën e saj dhe gjëmën e një prindi para foshnjës që i jepte shpirt. Kjo sakrificë përplot vuajtje që përballohej nga stoicizmi i grave, shpaloset humanizmi i tyre me tërë madhështinë hyjnore, pa të cilën nuk do të kishte kuptim jeta, madje as liria e Kosovës. “Rrugës dikur vjehrra/ Zoti shnosh ty se/ çika, më thotë/ vdiq”. Natyrisht, prindit i ka djegur shpirti për vogëlushen e vet, e për të mos e lënë, e për të mos e hedhur kudo, ai e bartte fëmijën e vdekur në krahë. Sa dhembshëm, sa trishtueshëm. Jo kot thuhet se shpresa vdes e fundit! Në anën tjetër, instinkti i grave shëruese dhe tambli i tyre mëkues kanë bërë mrekullinë në kohë lufte, kur: “Çikës ia laga/ buzën me nji tamël/ që ma prunë do gra/ Çika sytë i çeli/ ish hala e gjallë”, f. 35. Këtu bie, jo perdja por loti i secilit!…

Poeti më aristokrat, Teki Dervishi, është po aq madhështor në vargje sa ishte në jetë: “Pse s’kanë lozur fëmijët – barin e njomë ta shkelin oborrit?/ Ata s’duan më të jenë lojtarë, por ushtarë të UÇK-së”, f. 40. Teki Dervishi e kthen metaforën në urti, sidomos kur konstaton se: “Nëse arrijnë të plaken, vdesin të njomë!”. E në këta 20 vjet, jetojmë të plakur nga bëmat e tyre të njoma, pa të cilat nuk erdhi liria, kurse ne po “aktrojmë dhembjen”, sidomos çjerrjet me fjalë fyese kundër luftëtarëve, po më tepër me lëvdatat e pakripa të atyre që sabotuan luftën, të cilët nuk prajnë për dashurinë që paskan për atdheun?! E sot pak, “kush beson se ka trima të gjallë?”, në kohën kur disa mbllaçitin pa pra duke thurur ditirambe për “Heronjtë e gjallë?!” e, në anën tjetër, “ngushëllohemi me fjalë të rrezikshme”, përkatësisht të marrëzishme, pikërisht ashtu siç e thotë vetë poeti në poezinë “Dita e parë e verës ’98”, e cila ka një metaforë të rrallë, kumbuese, drithëruese dhe mjaft qortuese.

DITA E PARË E VERËS ’98

Po vijnë sharlatanët, politikanët, vëzhguesit,

monitorët, humanitarë, mjekët pa kufij, zyrtarët e

Bashkësisë Evropiane, rusët dhe kriminelët e tjerë.

Nuk i la policia piktorët, kompozitorët, poetët,

profetët – që të hyjnë në Banesën e Hanës

shtatëvjeçare, ta pikturojnë duke qëndruar në këmbë

pranë kufomave të prindërve të saj të masakruar.

Teki Dervishi, f. 43

Për poezitë e Sh. Dibranit nuk është mirë të flasë vetë autori i tyre, përveçse mund të saktësohet se ato janë kronika, përka­tësisht regjistrime të asaj kohe, të atyre dhembjeve personale, përkushtime familjare me metaforën që kanë fatalitetin e ngjashëm te motivi në poezinë e Sali Beqirajt. Ndërsa sipas poetit, Bislim Elshani, “Monstra te kufiri/ Na i merr targat e traktorëve/ letërnjoftimet, pasaportat, vizat/ për të na lënë pa identitet/ që të endemi si fantazma nëpër botë”, f. 51. Motiv i trishtueshëm që mban vulën e asaj kohe, (prill 1999), dhe një parandjenjë që i paska prirë kobit fatkeq “të endjeve si fantazma nëpër botë”.

Në anën tjetër poeti Lulëzim Etemaj, me poezinë “Gjumi në kosovë”, ka ngritur paradigmën e një urtie kundrejt harresës, për krushqi, kurvëllak e çaraveshje në emër të karrierës: “Për sa kohë ke fqinj dreqin/ Kurrë mos ia fal të dy sytë gjumit/ Nëse s’do që koka jote/ të përfundojë si stoli në ndonjë vitrinë/ të Kralevës apo të Beogradit!”, f. 53. Por, poezi edhe më e trishtueshme është ajo që ua kushton bashkë­vendësve në të cilët gërshetohet vendosmëria për të vdekur me dy gishta fytyrë, e në anën tjetër vizatohet fytyra reale e gjenocidi klasik serb përballë fshatarëve duarthatë, siç thuhet në përshkrimin artistik.

BASHKËVENDËSVE TË EKZEKUTUAR

Dorë për dore, siç ishin rritur e burrëruar bashkë

Si të shkonin për ta hedhur farën e grurit nëpër ara

A të prashitnin në kopshte

Din Grabovci dhe Xhaferi e Miradija

djemtë e të njëjtës nënë Hasani, Nimani e Muharrem Elshani

Dhe sërish djem të një nëne tjetër

Shemsedini, Muhajdini e Nexhmedin Elshani

Shtatin dy metra, krah axha i tyre, Abdyli

Derdallajt, romë që s’e deshën jetën në këmbim të dy

gisht fytyre, Keqa e Hasani

Ahmetajt nga Zabllaqi, Ismeti e Jetoni

Mustafë e Berat Dreshaj, Gani Isufi e Remzi Shala

dhe tjerë në lagjen Mavraj

Babë e bir, Seferi e Bekimi, edhe Ibishi në një sy gjumë

dhe të tjerë që erdhën për strehë aty

Lulëzim Etemaj, f. 54-55

 

Lulëzim Etemaj ka arritur me sukses t’i paraqesë ato tablo të krimit, dëshmi qysh është bërë gjenocidi serb mbi shqiptarët në Kosovë. Po me të njëjtën mjeshtri shprehet edhe në vargjet: “Kah Reçaku/ atë ditë rrugën e shmangu/ edhe vetë Zoti/ E nëse në Reçak të ka zbardhur drita/ Tregoji botës/ Sa i kushton shqiptarit liria”, f. 57. Ngjashëm ka shkruar edhe poeti Naim Fetaj, në poezinë “Dosja pa numër”, me vargje të trishtuara: “Prej fshati në fshat/ Me zorrë nëpër këmbë/ Dhe t’vdekurit vinin pas/ Me shpirt ndër dhëmbë/ Mallkonin plakat/ Breg rruge sy si gaca/ Do të çelet qiella thoshin/ Po larg ishte Bllaca”, f. 58. Për ta materia­lizuar metaforën e kësaj gjëme e të këtij gjenocidi po përmen­dim vargjet e poezisë, “Portreti i një nëne”, (që kërkon të birin e saj), ku do të prekë një plagë të hapur tash e njëzet vjet: “Ah ky vaj i saj/ Të therë… të pret… të vret/ Dushk e bar në mal… edhe kjo i thau/ E fushës dënesja i bie si një det/ Tash e njëzet vjet”, f. 60, si dhe në poezinë “Tablo e vrarë”, (në Strellc, 1999), poezi që ka një thirrje tjetër alegorike: “Pleqtë e mirë ku i ke… pa ta si e bëre natën/ Pa një këngë të re për Haki Pavatën/ E kur të t’i laj sytë e ta lidhi ballin/ Do ta bëjmë një këngë… do ta kallim defin/ Fol tash pak, o plak, me Adem Istrefin”, f. 61.

Poetesha Dije Demiri-Frangu merret me një plagë të rëndë, një plagë të pahapur sa duhet e si duhet, një plagë që rëndon sa vet jeta, sa vetë dhembja e një të dhunuare e cila rrëfen se “në trupin tim kam plot gropa të thella të zeza”, ajo edhe pse vazhdimisht luftonte injorancën, mentalitetin patriarkal, duhej të ruhej: “Duke provuar t’mos i zgjoj kujtimet/ Se ende jam grua unë”, poezia “E ende jam grua” ose “monologu i një të dhunuare”, f. 62. Në poezinë “Sytë e vrarë të Dubravës në Majdanek”, që mban datën, 23 maj 1999, ajo sjell dramën emocionale të refugjates duke shpërfaqur kataklizmin e asaj dhembjeje, atij gjenocidi shfarosës që kishte rënë si murtaja e zezë mbi Kosovën. Kampi Majdanek – Lublin në Poloni, është një frymëmarrje tjetër në këto poezi, një sfond përje­timesh plot gjenocid, përmes së cilës Dija bën një krahasim të qëlluar në mes holokaustit hebraik në Luftën e Dytë Botërore dhe refugjatëve shqiptarë në Luftën e Kosovës ’98/’99.

KËPUCËT E MARIA BIELIEKËS

(Kampi Mjadanek-Lublin, 31. 05. 1999)

 

Në duar shtrëngoja këpucët e Zonjës Maria Bieliekës,

pluhurin nacist duke ua fshirë

Mendoja, diku maleve të Kosovës

Jonës tamam do i binin,

Ecja ajrit si somnabul

Me këpucët e Maria Bieliekës mbathur

Për t’u kthyer në Kosovë

Dije Demiri – Frangu, f. 64

Dorën në zemër, nuk e kam paramenduar kaq të çmendur poezinë e Dije Frangut, sepse atë e njihja lirike, por s’ka faj poetesha kur me sytë e saj ka parë “Mendtë si i dilnin”, një nëne në Bllacë, në të cilën ajo shprehet: “Unë ia pashë mendtë si i dilnin/ Unë e pashë si për çast i humbën sytë/ Iu zbrazen nga bukuria/ Sa të lumtur jeni ju që nuk e keni parë/ Mendtë si fluturojnë si humbin/ Zoti e bekoftë atë NËNË!”, poezia “Unë ia pashë mendtë si i dilnin”, me përkushtimin “Një nëne në Bllacë, prill 1999”, f. 65. Veçmas këto vargjet e fundit që i cituam, shprehin një tragjizëm unik, i papërsër­itshëm, një poezi shumë e arrirë në planin estetik dhe tematik, por edhe kështu si është, edhe kështu si është kompozuar, ka rrezik që edhe lexuesi i vëmendshëm, të pësojë si ajo Nëna në Bllacë… Zot ruana!

Poezia e Eduard Frrokajt për motiv ka “Rrëfimin për një nanë”, (ah këto Nënat tona?!), po me tragjiken e poezisë së Dije Frangut, vetëm në një pamje tjetër, pasi nëna në poezinë e Eduard Frrokajt, do ta djegë veten me benzinë: “Baladë për nanën Pashke Marku e cila tri ditë pasi ia sollën djemtë e vrarë në Meje nga Batajnica u dogj me benzinë në kujtim të tyre”, f. 66. Poezia si tërësi e bënë Eduard Frrokajn një poet, të veçantë po se po, por edhe për ta mbajtur mend gjithsesi, edhe nëse ai më nuk shkruan poezi të tjera. Poezia mund të kategorizohet e detajit të thellë, që prek zemrën e dhembjes: “Kur i ndaluan Gjovalin dhe Milan Markun në fushë të Mejes/ nana iu lut dy herë zotit dhe kombit/ Çka i kanë ba kujt në këtë natë barbare djemtë e mi”. Jo vetëm Pashke Markut, por në Meje të Gjakovës vrasësit edhe “Nanës Zoje Prendi ia vranë të pesë djemtë e ia lanë vetëm një kujtim”. Ndërsa në “një ditë të bukur maji i kthyen ata me eshtra të bëra copë e grimë/ me e ruajt kufirin në Dukagjin/ Mbase një zanë ka thanë atë ditë/ a e dini o Gjovalin e Milan Marku/ sa herë asht lutë nana për me u kthye/ Nana tri ditë pas/ si në kryqëzim Krishti/ iku e u bë Rozafë/ me i muros kujtimet e atdheut/ Tha t’i bëjmë roje fisit/ Atdheut”, f. 67. Tragjikja e kësaj poezie mbulohet vetëm me metafora poetike të kësaj natyre, në të cilat është përshkruar në mënyrë të saktë gjeno­cidi serb që ka ndodhur në fshatin Meje. Padyshim, nga një prizëm tjetër kjo poezi mbetet një kryqëzim i dalluar brenda kësaj “sprove për ta përshkruar tragjedinë”.

Poeti Adem Gashi me mënyrën lirike prek plagën e luftës. Ai është poet i lirikave artistike mirë të realizuara, autor që ka regjistruar poetikën e vargut me të gjitha mënyrat e dhembjes, bashkë me pasthirrmat e gjëmave, ndodhi nëpër të cilat ka kaluar vetë poeti dhe shoqëria jonë. Së këndejmi, Adem Gashi, edhe temën (ndër më tragjiket, atë të dhunimit), e kthen në poezi duke lënë plagën të dhembë, plagë e cila deri vonë as që është mëkuar, as që është treguar, e le më të jetë shkruar për “Dhimbjen që nuk ka emër”, e cila është “Baladë për të Dhunuarat”, kundrejt të të cilave, siç thotë poeti, “jemi kaq të verbër”?! Ndërsa klithma e tij, dhembshëm dhe trishtueshëm ndihet më mirë në poezinë “Arkivi i familjes sime”, në të cilën i ka përshkruar shtatë klithmat, shtatë pasthirrmat, që me shkronjën “h”, mund t’i ndërtojë vetëm poeti Adem Gashi! Një ekuilibër i veçantë lirik e poetik i ngjizur në tragjizëm. Duke shprehur metaforën e dhembjes poeti ka qitur në pah fytyrën ndryshe të barbarisë dhe gjeno­cidit serb në Kosovë. Ndërsa “Arkivi i familjes” është doku­menti më autentik që shpërfaq brohoritjet e dalldisura për lulëzimin e socializmit, periudhë për të cilën poeti poetikisht poetizon: “…kapitulli i socializmit/ s’kishte veçse gjoba mali fushe/ dëftesa të fryra tatimi/ dhe ftesa me tri vija të kuqe/ me vulë prej UDB-e”, f. 69. Këtyre vargjeve ua shtojmë edhe diçka nga ato shtatë pasthirrmat e tjera poetike me të cilat ka regjistruar fundin e fatit fatkeq të fatziut njeri, shprehur po në atë poezi: “Lufta e fundit/ e zhbëri edhe kutinë e vogël prej druri/ tashti arkivi i familjes sime/ s’është veçse një kujtim i portretit të babait/ me shikim zhbirues ngjyrë tunxhi”, f. 70.

Për Nexhat Halimin, “Dumnica fle përpëlitet udhës së kuçedrës” kurse “hëna mbi kullën e Gjergj Elez Alisë”, është lajtmotiv i poezisë “Shënime të ushtarit të UÇK-së”, e shkruar “tek ura e Cenë Korjelit, në muajin maj ’99”, f. 72, mjaft mirë ka prezantuar një formë të dramës e të tragjikes së atyre viteve. Në anën tjetër, për poeteshën Teuta Haxhimusa-Çerkini, tragjedia në Burgun e Dubravës mbetet temë obsesive e këtij shtjellimi, madje në disa nuanca duket sikur vetë poe­tesha të ketë qenë pjesë e asaj tragjedie: “Ti ike, e unë mbeta, edhe pse bashkë ndamë fatin në Dubravë/ Ne dy bashkë ishim pengje në Dubravë/ Që atëherë, në buzëqeshjen time, mbaj dhe forcën tënde, vulë!”, poezia “Në buzëqeshjen time”, në fund të së cilës lexojmë edhe këtë shënim: “(Në shenjë kujtimi dhe nderimi për të gjithë të burgosurit-pengjet shqiptare të masakruara në burgun e Dubravës në maj 1999. Në veçanti, vargjet i dedikohen Besim M. Zymberit)”, f. 73.

Ndër autorët që nuk kam lexuar kurrë më parë poezi, padyshim është Bedri Islami, për një çast, emri i tij ma ndali frymën, por frymëmarrjen ma ktheu poezia: “E shkruar më 29 mars 1999”, vargje që fascinojnë, e shkurtër, përmbajtjesore, vlerë poetike me mesazhin e qartë që mund të kategorizohet dëshmi për gjenocid: “Në Kosovë/ të mbijetuarit/ po i futin në dhe për së gjalli/ të vdekurit/ për t’i rivrarë/ po i nxjerrin nga varri…”, f. 74.

Dan Kosumi ka bërë përpjekjen e Sizifit, për jetën dhe për atdheun, i burgosur qysh në moshë të re, i përvuajtur edhe rrugëve të mërgimit, me brengën se dhe varri do t’i mbetet bosh. Vargje tragjike, shqetësuese, por si askush tjetër, poeti është krenar, ai qëndron në mënyrë stoike, ka zë kumbues, pamje burrërore dhe sy prej malësori. Padyshim është racë poeti, prandaj ëndërron një atdhe të mirë. Dan Kosumi është poeti që ndjenjën e shkrinë çdo ditë për atdhe: “Ah, Kosovë, mos ma rrëfe mëkatin tim/ S’të frymova dot të lirë, as dje, as sot…/ Eshtrat më dergjen larg teje, moj e Mirë…/ Varri im aty tek ti është bosh…/ Pa kokën time s’kam si kthehem tek ti…”, poezia “Në kërkim të kokës sime”, f. 76.

Poezitë e Milazim Krasniqit janë motive të trishtueshme, po aq të ngarkuara me figuracione e idioma të shumta. Rrëfime e përjetime dhe shprehje artistike të zbukuruara me sajesa este­tike, ku do të shprehin më qartë përjetimin real duke qartësuar edhe më mirë krimin e gjenocidin serb në Kosovë. Është vetë trishtimi tragjik dhe rrëfimi i tillë i paparë që ia shton edhe sot dhembjet Kosovës. Me një fjalë, poeti është mjeshtër i rrëfi­mit. Ai di ku do ta fokusojë esencën e ngjarjes për ta materia­lizuar qëllimin, me këtë mënyrë duket se poeti ka ndërtuar obelisk letrar për heronjtë e vargut dhe poezisë së tij. Me këto poezi tashmë edhe ata janë zëra dhe shpirtra të gjalla, janë statuja që dëshmojnë për gjenocidin serb në Kosovë, tamam siç shprehet vetë poeti në shënimet sqaruese nën poezi, që m’u dukën po aq letrare sa vetë poezitë:

  1. UDHËTIMI I VJOLLCA BERISHËS, kushtuar një “Qytetareje nga Suhareka. E mbijetuar nga masakra e Suharekës e marsit 1999, ku u vranë pesëdhjetë civilë shqiptarë, shumica gra e fëmijë. Bashkë me të birin, Gramozin, dhe kunatën, Shyhreten, kërcyen nga kamioni që po bartte drejt Serbisë pesëdhjetë kufomat e asaj masakre. Atje autoritetet serbe i patën fshehur kufomat”, 77-78.
  2. KOKA E BANUSH KAMBERIT, “Fshatar nga fshati Reçak i Shtimes. Më 15 janar 1999 forcat policore serbe e vranë dhe pastaj ia prenë kokën. Kokën e prerë e morën me vete dhe ende nuk është gjetur”, 79-80.
  3. PLISI I SADIK SHERIFIT, “Fshatar nga Broja e Drenicës. Në masakrën e Izbicës, ku forcat militare serbe torturuan dhe masakruan 147 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur, Sadiku mbeti i plagosur. Sipas dëshmitarëve, ai ka mbetur aty dyzet e tetë orë dhe ka vdekur nga hemorragjia e madhe”, 81-82.
  4. SYTË E ZOJE PRENDIT, “Nënë shqiptare nga fshati Korenicë i Gjakovës. Forcat terroriste serbe ia vranë të pesë djemtë (Sokolin, Vitorin, Markun, Robertin dhe Gjergjin)në fushatën e spastrimit etnik e gjenocidit serb në vitin 1999”, f. 83.

 

Këto poezi, bashkë me përkushtimet, përbëjnë një mozaik tragjik me shtrirje gjeografike të cilën jo secili poet kaq artistikisht mund ta përthekojë. Në anën tjetër, motivi i shprehur në poezinë “Nata e 2 prillit”, të Elirona Mahmutit, për “të vrarët e natës së 2 prillit 1999 në Gjakovë”, sjell një nuancë letrare më ndryshe, më të veçantë dhe, mbase, shumë e parandier: “At’ natë fqinja na kish tregu që paska me ra shi/ E tha n’gjuhën e saj, që as sot s’e di/ Errësira erdhi, erdhën retë, shiu rigoi// Dielli doli por dritë nuk kishte/ Ditë e re pranvere duhej t’ishte/ rrugë çarshie shtruar n’martirë lirie”, f. 86, duke shprehur tërë artin e dhembjes për tragjiken e krimit serb në Gjakovë.

Si duket, poetesha Miradije Maliqi do të rrojë përtej ikjes, për të dëshmuar në natën e gjykimit, një “Pritje e gurtë”, pasi nën “atë copë qiell ku unë i drejtoj lutjet e mia/ e vdes përditë që të mbaj gjallë vetëm një çast, ah atë/ çast do t’i rinjoh sytë e përbindëshit, kur të vijë dita e/ ndëshkimit”, f. 88.

Edhe poeti Arif Molliqi tragjiken e ka fiksuar në atë të diele pranvere kur “Askujt s’i bëhej vonë” dhe “ishte e diel pranvere// i nxorën në oborr motër e vëlla/ babai dhe nëna vdiqën/ nga zhurmë shurdhuese e armëve”, pastaj “të hënë pranverë e vonshme// vajza më e mirë e fshatit po hapte varrin/ bashkë me vëllanë e vrarë/ t’i fuste shtatë palë n’tokë plagët e veta/ vitet e moshës së dhunuar/ ekstazën e vrasësve plot marrëzi/ në atë kohë/ askujt s’i bëhej vonë për vdekjen”, kështu poeti e përmbyll tragjiken e atij gjenocidi me një dhembshuri sa tragjike po aq fisnike e cila materializohet shumë tragjikisht në rreshtat e fundit kur thotë se; “pak rëndësi ka nëse trupi i një gruaje/ ka mbetur mbi dhe/ që ta shohin së paku perënditë”, f. 96.

Hajdin Morina shpreh një epigram të lirikës tragjike në Reçak, dhe krejt çka duhet thënë për poezinë e tij janë vetë vargjet të cilat gjakojnë për një të vërtetë si në poezinë: “Të jesh prej Reçakut”, kur shkruan se: “Të jesh prej Reçakut/ ose vetë të jesh Reçak/ ndryshe të çelë heshtja/ dhimbja e liria më 15 janar/ Ndryshe të mërdhinë/ e ndryshe të ndizet në shpirt/ dita e pushkatuar e 15 janarit/ nëse je fëmijë ose nënë e Reçakut/ Nëse ia pe sytë përmbi kodër/ 15 janarit pak para se të pushkatohej nga barbarët”. Pastaj po në atë kohë, poeti bën një thirrje publike ndërgjegjes së Evropës dhe të botës si dëshmitar i asaj kohe, i atij krimi dhe i atij gjenocidi, të cilin e paska parë me sy: “Në vendin tim/ Policët serbë/ Kanë vrarë njerëz/ Fëmijë, zogj dhe pemë/ Policët serbë/ Kanë vrarë rrezet e diellit/ Në tokë kur binin”, f. 98.

Poeti Shqiptar Oseku ka ndërtuar një Obelisk me “99 Emra”, duke lënë edhe këtë shënim: “Në Ditën Ndërkombë­tare për Kujtim të Gjenocidit. Kushtuar masakrës së të internuarve shqiptarë në Burgun e Dubravës, 19-24 maj 1999, ku u vranë 99 njerëz duarthatë”. Poezia e Shqiptar Osekut manifestohet nga një përshkrim autentik, thuaja se edhe vetë ishte pjesë e asaj tragjedie, asaj masakre, kundër të burgosurve shqiptarë me pranga në duar. Poeti motivin e kundron nga brenda vetë ngjarjes, kurse rrëfimi ka dalë më prekës dhe përjetimi bëhet më i trishtuar. Padyshim, është një dhembje që ta ndalë frymën, të gozhdon, të step, sidomos për prizmin kur prek motivin e dhembjes. Nuk e di nëse nga hartuesit e antologjisë paska qenë e planifikuar, apo për koincidencë të rastit dhe fatit, këta “99 emra” edhe brenda këtij libri janë sistemuar në faqen 99. Ndoshta për të bërë më mirë “Dritë mbi plagë”, metaforë kjo që i shkon secilës poezi për ta pasur në rreshtat e saj, por Shqiptar Oseku ka shkruar: “Së pari rrethuan ndërtesat me tanke e ushtri/ Ishim si ishull i frikësuar/ Pastaj braktisën korridoret brenda godinave/ për herë të parë qëkur qenë ndërtuar/ Por, ikja e tyre e beftë s’u duk kumt i mirë/ Zunë pikat e larta: hipën mbi pullaze e në pika mbi/ mure. Ishin armatosur rëndë”, f. 99. Gjatë poezisë ka ndaljeje të frymëmarrjes, sigurisht për ta përmbyllur këtë motiv kaq tragjik, ai ka rrëfyer për veten dhe njerëzit e gjallë: “Nuk di të të them pse shpëtova?! Fshati im nuk është më/ Por, dua të të rrëfej si mbaruan shokët e mi/ Të lutem më dëgjo: së pari na rrethuan/ Ishim një ishull/ i frikësuar”, f. 101, është shprehur tejet i trishtuar poeti Shqiptar Oseku. Ndërsa lirika e Mirela Papuçiut, me titull “Lulëkuqe në arat e Kosovës”, përveçse bart metaforën e tragjikes, “Lulëkuqet në ara përndizen mbi kërcej”, përkatësisht “si kujtesa në gjakun e Kosovës”, f. 106, është edhe një copëz tjetër e atij mozaikut letrar në këtë libër antologjik

Poezitë e Ali Podrimjes shprehin shqetësim, andaj janë strukturuar si metamorfozë e dhembjes, dhembje kjo e cila e shoqëroi tërë jetën Ali Podrimjen. Poeti si askush tjetër dhem­bjen personale e transformoi në dhembje të përgjithshme, në shqetësim të përjetshëm, për vendin e tij që sa ishte i ri patë deklaruar se “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Kjo sinkroni e përcolli poetin deri në varrë. Edhe në poezinë “Rënkimi”, Ali Podrimja, mjaft i shqetësuar, shprehet: “Në flakën e oxhakut, t’oxhaqeve tona therë e pjekur/ kanë deshtë me këmborë, pragje thyer e konaqe mbyllur”, f. 106. Por, siç e theksuam edhe më lart, gjithçka nga personalja, poeti Podrimja e ka shprehur edhe në poezinë “Përtej dhimbjes”, në të cilën shihet se “Ka rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd/ të shituar, Kosovë// Cila do të jetë kënga ime e mbramë/ dhe fjala e fisit tim/ Plepi i shtëpisë sime u dogj, ku t’i preh sytë/ ku ta shuaj flakën e ujës për ty, Kosovë”, f. 107, prandaj Ali Podrimja kishte ankth, tamam siç e shpreh edhe në poezinë “Ankthi”, ku toka e poetit digjet, madje në çdo pëllëmbë të trupit të tij. “Toka ime e dashur/ balli im i ngrysur/ pishë…// Toka ime digjet/ në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar…”, f. 106 dhe vërtet Ali Podrimja shkoi atje ku nuk flitet më, me ankth në zemër me shqetësim në shpirt!

Se tema e të zhdukurve është bërë obsesion për shumë poetë s’ka dyshim e, në anën tjetër, duket si temë e papërfunduar, përkatësisht plagë e hapur, këtë na e dëshmon edhe poezia: “Në të njëjtën ditë”, e poetit Salajdin Salihu, ku shprehet: “Kishin moshë të ndryshme/ fëmijë/ të rritur/ pleq/ Të gjithë i vranë për një ditë/ të gjithë i gjetën për një ditë/ në një frigorifer diku në Danub”, f. 115. Me këtë motiv përshkruhet edhe poezia e Halil Selimit, që ka një varg të shkurtër dhe mjaft konciz. Edhe ky poet për temë ka masakrën në Burgun e Dubravës, e cila ka ndodhur më 22-23 maj 1999, por në poezinë “Ferri i gjallë”, e cila përbëhet vetëm me dy vargje, janë thënë të gjitha, prandaj nuk duhet të zgjatet, pasi aty e thotë aq qartë atë që të tjerë nuk mund ta shprehin as me libra: “Zoti nuk ishte aty ato ditë/ Vdekja shëtiste e lirë”, f. 118.

Drama e Kosovës, tragjedia e saj e ka shqetësuar edhe poe­tin Namik Selmani. Ai në poezinë “Pulëbardha e Kosovës”, me përkushtimin: “Monologu i një vëllai kushtuar Fatmira Hasanit që në moshën 16 vjeçare u vra nga pushtuesit serbë në vitin 1998 në Likoshan të Drenicës (Kosovë)”, e motërzën motivin e dhembjes dhe tragjikes në fisnikërimin e të vëllait i cili “Me krenarinë dhe dhimbjen që më jep kahmot motra ime Fatmira” f. 123, i jeton edhe rrugët e botës me mallin e Kosovës, dhe sigurisht edhe me mallin për varrin e motrës.

Po ashtu, edhe poeti Xhevahir Spahiu, i shkurtër në varg e i madh në mendime, më duket i paarritshëm nga të tjerët në formimin e simbolikës eliptike, siç thamë, me pak fjalë artistike të realizuara mirë që shihet te poezia “Hyrje në tragjedi”, në të cilën poeti shprehet se “Një kosë vringëllon mbi Kosovë/ Tehu i kosës sajon nëpër ajër/ fjalën paqësore masakër/ Pas gostisë së përgjakshme vjen paqja?/ Në tragjedi le të hyhet pa maska”, f. 124.

Ngjashëm me poetin Xhevahir Spahiu ka vepruar edhe poeti Ismail Syla, i cili e kultivon me pasion poezinë me simbolikë të qartë dhe mesazh përmbajtjesor. Te poezia “Rënkimi dhe dënesja e gjallë”, ka prekur plagët: “Sot preka e më preku dënesja shqiptare/ Si të ishte një qenie krejtësisht e gjallë/ Si para njëzet vjetëve dhe një më shumë/ Në Abri, Reçak, Krushë, Izbicë, Rezallë”, Krushë e Vogël, 26 mars 2019, f. 127.

Poeti Isuf Sherifi, tërë dramën e Kosovës, tragjedinë e saj, tërë krimin dhe barbarinë serbe, gjer në shkallë gjenocidi ka arritur ta përmbledhë në dy-tre poezitë e prezantuara në këtë “sprovë për antologji”, qoftë poezia “Djegia e gjelbërimit”, një lirikë e realizuar me tërë tragjiken përbrenda saj ose poezia, “Maçkatica”, që është një gjetje e faktit psikologjik për të regjistruar një formë ndryshe të asaj që kategorizohet si gjenocid, mbi një popullsi të pafajshme dhe kryesisht të pa­mbrojtur, andaj: “Së pari ua prenë gjuhën/ Që të mos mund t’i pështynin në surrate/ Pastaj ua shkulën sytë/ që të mos mund t’i shihnin/ duke ua nxjerrë zemrat/ Në fund/ fëmijë, gra dhe burra/ i hodhën në furra” e për ta konkretizuar, për­ka­tësisht për ta qar­tësuar efektin poetik, Isuf Sherifi, ka futur edhe një tekst shpjegues ku thuhet: “Djegia e trupave në fabrikën “Maçkatica” është bërë në dy etapa, më 16 dhe 24 maj të vitit 1999, pas mesnatës, nën mbikëqyrjen e “Beretave të kuqe”, të cilat atëbotë e kishin bazën e tyre në “Bella Vodë” – afër Vranjës në Serbi. Komandanti i atëhershëm i “Beretave të kuqe”, Millorad Legija, sipas burimeve në fjalë, kishte marrë pjesë personalisht në përcjelljen e një transporti deri në vendin e ngjarjes dhe kishte qenë i pranishëm gjatë djegies së tyre. Trupat qenë djegur në “shkritoret e hapura” nr. 4 dhe 5”, (Kandiq: Mackatica, i forni crematori), f. 133. Ndërsa në poezinë “Shënim i Ana Frankut postmortem”, përmes metaforës së Ditarit të famshëm të Ana Frank, Isuf Sherifi e kthen atë libër të famshëm në funksion të ditarit poetik, në vitin 1999 ku, mes të tjerash, paska shënuar: “1999. Panterat e kuqe/ pjekin pëllumba të bardhë/ Ana mblodhi përsëri eshtrat në varr/ Në ditar shtoi edhe një varg:/ Maçkatica, 16 dhe 24 maj”, f. 134.

Ngjashëm me Isuf Sherifin ka vepruar edhe poeti Lulzim Tafa, i cili qysh në titull shpjegon se është “Atmosferë lufte”, kurse “Në Kosovë atë ditë/ U shtrenjtua buka/ Vaji/ Mielli/ Sall jetës i ra/ Çmimi/ Vdekje/ Kishte me bollëk”, 1998, f. 136. Tamam artistikisht e përcakton se, mbase, çdo gjë në kohë lufte shtrenjtohej, përveç “çmimit të vdekjes”, i cili, siç shprehet ai, ishte me bollëk. Po ashtu, Lulzim Tafa, me një poezi tjetër mjaft mirë të realizuar paska bërë “Raport nga Kosova 1999”, ndërsa në atë raport paska konstatuar se: “Këtu nuk shkelen të drejtat/ Dhe liritë e njeriut/ Këtu shkelen vetëm kokat”, f. 138. Edhe pse poezi është me vetëm tri vargje, Lulzim Tafa, ka arritur të nxjerrë një tragjikë të madhe.

Agim Vinca është një poet lirik i realizuar, në sfondin e poezisë shqipe. Ai është mjeshtër i vargut, i mendimit dhe metaforës. Pra, mjeshtër i vargut estetik, i metaforës eliptike dhe i rimës së përsosur mbresëlënëse që së bashku përcjellin mesazhin më të artikuluar të kësaj drite eliptike, përkatësisht të kësaj metafore si dhembje, si plagë e hapur në Kosovë. Tamam siç shprehet vetë poeti në poezinë: “Monolog i të rënëve në Reçak”, një dramë më vete, nga e cila mësoi bota se në Kosovë pushtuesi serb po ushtron gjenocid dhe pastrim etnik. Po më mirë t’iu referohemi vargjeve të poetit, pasi ai e thotë më së miri: “Atë që pamë në cikmën e janarit/ Do t’ia rrëfejmë natës së varrit”, ndërsa heronjtë tragjik flasin se: “Ne ramë si gruri nga dorë e xhelatit/ Në këto gërxhe e skërka të Ballkanit// Përse na ratë, përse na vratë/ Kokën nga trupi përse na e ndatë?// Pasi na korrët si deshët vetë/ Përse na endni poshtë e përpjetë// Na lini të qetë, të grirë, të flakur/ Dhe – mos e harroni përrallën e përgjakur!”, (Prishtinë, janar-shkurt 1999), f. 142. Po këtë tragjikë, po të njëjtat krime i gjejmë edhe në poezitë e Mustafë Xhemajlit. Sidomos “Në brigjet e Drinit të Bardhë”, përmes së cilës pasqyron formën e gjenocidit serb që kanë bërë mbi popullatën e pafajshme, duke nxjerr vargje veç gjak, veç dënesje kur, “e tërhoqën zvarrë nëpër pragun e shtëpisë/ Deri te mesi i oborrit e dërguan plakun Nikë/ Ia dhanë një shpullë e ai u skuq u skuq u skuq”, f. 143, ose në strofën tjetër të kësaj poezie në të cilën: “Foshnjën Lehonën Bardhin dhe plakun Nikë/ Gjelin pa kokë e futën në trastë ushtarake/ Aty ku e kishin shlivovicën. Kapiteni klithi: Napred!/ Deri te brigjet e Drinit të Bardhë deri te mali me lisa/ I vranë oh në mëngjes i vranë pa krisma pa krisma!”, f. 144.

Poetët Uran Krasniqi dhe Muhamet Mavraj për temë kanë fituesin e Çmimit Nobel në Letërsi, austriakun Peter Handke, një filoserb dhe një shkrimtar i cili haptas ka dalë në mbrojtje të xhelatit duke shkelur mbi viktimat. Ky qëndrim i tij ndaj luftërave në ish-Jugosllavi, ndikoi në pezmin publik i cili u shfaq edhe përtej Kosovës, kudo te shkrimtarët humanë dhe progresistë. Brenda librit janë përfshirë tri poezi, njëra e Uran Krasniqit dhe dy të Muhamet Mavrajt, duke krijuar edhe një temë tjetër brenda kësaj sprove, që i përket gjenocidit serb në Kosovë. Pra, Uran Krasniqi, “Kartolinë urimi Peter Handkes” ose Muhamet Mavraj, me poezitë “Panairi i pafuqisë”, me shënimin: “Prekazi, Srebrenica, Reçaku, Alepo…: një kopje për Akademinë Suedeze. Nga Prishtina, më 10 dhjetor 2019”, si dhe poezia tjetër “Drejtësia s’ka fotografi”, e shkruar më 15. 12. 2019, kanë bërë mozaikun më të saktë të këtij veprimi kulturor. Në nuanca të këtij zhargoni mund të kategorizohet edhe poezia e Dije Lohajt me titull “Një ditë”, që i drejtohet një vizitori në Kosovë, (qoftë Handke apo emisarëve serbë), që para se të vijnë në këtë vend të mbuluar me plagë e varre, fillimisht t’i vizitojnë vendet, fshatrat, lokalitetet, ku është ushtruar gjenocid serb në Kosovë.

Ag Apolloni, Berat Dakaj, Muhamet Mavraj i kanë harruar lirikat, pasi poezitë e tyre janë të zhytura nga mendime të rënduara me figuracione të shumta, të zymta, përplot dhembje e halucinacione nga krimi dhe barbaria që ka ndodhur mbi subjektin që ata trajtojnë. Aq të zymta janë poezitë e tyre sa para syve të lexuesit rikthehen duke u shfaqur skema të luftës, tymnajë lufte, rrëke gjaku dhe fishkëllima të predhave artilerie, të cilat së bashku kompletojnë mozaikun e motiveve letrare në këtë sprovë për antologji!

 Motive të mbytura në pellgje gjaku

Nuk patëm mundësi t’i shihnim poezitë nga një kënd­vështrim tjetër për t’i klasifikuar sipas kontekstit kohor, për t’i vërejtur motivet dhe emocionet të cilat janë të rastit e të çastit të skemës së luftës, e të cilat janë sajesa estetike dhe letrare të mëpastajshme sa për ta plotësuar autorët mozaikun e poezive me këtë tematikë. Nëse moti­veve iu bëjmë qasje kritike nga ky prizëm, do të vërejmë se këto dy tipa poezish do të ngjasojnë me një copëz mag­netik ku njëra refuzon ndjenjën për ta përqafuar artisti­ken, poli tjetër synon me tërë ndjenjën ta përshkruajë dhembjen e përjetuar në mënyrë autentike. Padyshim, poezitë për gjenocidin, të shkruara nga distanca, kanë për­qafuar më shumë mënyrën lirike të rrëfimit artistik, duke iu shmangur dukshëm momentit emocional të të rrëfyerit. Me një fjalë, këto poezi kanë përshkruar më mirë dhembjen artistike, të parat qëndrojnë më mirë në aspektin heroik.

Poezitë janë krijime letrare sa të zymta po aq shprehin revoltën e autorëve për dramën e tyre të përjetuar, qoftë në aspektin emocional e qoftë si përjetime në rrafshin real, sidomos për ato a ata të cilët luftën e kanë përjetuar në beteja, duke e sfiduar jetën e tyre dhe të bashkëluf­tëtarëve. Poezitë e tilla janë më të zymta, më tragjike dhe më të përjetuara. Natyrisht në këtë rrafsh futen edhe përkushtimet e tjera të kësaj natyre që kanë të bëjnë me të afërmit dhe bashkëluftëtarët ku do të shprehin një afri njerëzore për dramën e përjetuar të luftës dhe për ta kuptuar ma mirë edhe çmimin e lirisë mbi të cilën është ndërtuar e tashmja e dhembshme e Kosovës, bile bashkë me vrasjet dhe grirjet, si dhe ekzekutimet, dhunimet dhe poshtërimet e shumta. Kurse në anën tjetër me dëmet e shumta materiale, me djegien e shtëpive dhe të pasurisë, dëbimet masive e deri te zhdukja e kufomave dhe të dokumenteve për identitet, përmes poezive janë përshkru­ar saktë tragjeditë dhe gjenocidi, e nëse antologjinë e paraqesim në versionin “3D”, do të shohim se poeteshat dhe poetët shprehin edhe revoltë të vrazhdët nga e cila nxirren në pah format e dhunës serbe mbi shqiptarët dhe Kosovën në përgjithësi.

Kjo sprovë për antologji u quajt edhe “homazh për të rënët dhe lirinë e Kosovës”, libër ky që i ka munguar skenës letrare shqiptare pasi, siç theksojnë edhe njohësit e kësaj fushe, poezi dhe libra me përmbajtje të tillë janë shkruar dhe botuar edhe më parë, por të përmbledhura brenda një libri të kësaj natyre dhe me tematikë për gjenocidin serb, deri më tash nuk e kemi pasur, prandaj “sprova për antologji”, merr vlerë edhe më të veçantë.

Në këtë prizëm poezitë paraqesin përjetimet e autoreve dhe të autorëve për vuajtjet e tyre shpirtërore, ndonjëri edhe fizike, dhembjet për të afërmit dhe të dashurit, në vargjet e të cilëve lexuesi përjeton tmerre dhe njëkohë­sisht sheh pellgje gjaku, sheh lot rrëke, mbi shpirtin poetik, mbi përjetimet e tyre emocionale dhe artistike, pa të cilën në mënyrë artistike nuk ishte përshkruar gjeno­cidi serb në Kosovë. Dhembja artistike artikulohet më mirë, kurse dhembja faktike jeton më gjatë. Pra, edhe poezitë në këtë antologji janë krijime që shprehin çaste delikate, andaj në shumicën prej tyre nuk ka mundur të ketë shprehje më të mira dhe lirika më të realizuara, por si dhembje dhe si libër do të jetojë gjatë.

 Arti dhe poezia

Arti dhe poezia janë një shteg i mirë për në përjetësi. Librat janë një pushimore në arkiva dhe biblioteka, qofshin shtëpiake e qofshin ato ku ruhet dhe sistemohet libri, i cili kurdoherë mbështjell plagët dhe dhembjet e vik­ti­mave nëpër gjenocide. Me një fjalë, janë klithma të heshtura në pikë të territ, janë memece në pikë të ditës, poezitë janë një fashë mbi plagë, si loti mbi dhembjen.

Me një fjalë, “Dritë mbi plagë” është thirrje universale për të mos harruar, për ta shprehur humanizmin dhe për­kra­hjen e mijëra grave të përdhunuara, e mijëra vikti­mave që i kanë humbur të dashurit. “Dritë mbi plagë”, është thirrje për t’u solidarizuar me invalidët e luftës, është apel për t’i socializuar në zemrat dhe në mesin tonë të gjitha viktimat e luftës që kanë humbur gjymtyrët ose që kanë pësuar trauma psikike e përdhunime të shumta. Me një fjalë, kjo “Dritë mbi plagë”, është loti me kripë mbi plagën e hapur që të detyron të reagosh, prandaj sho­qëria jonë nuk guxon të harrojë as këtë plagë dhe as të tjerat, por duhet të reagojë e zemëruar.

Shoqëria jonë kurrsesi nuk duhet ta harrojë këtë tmerr dhe këtë gjenocid me përmasa etnocidi që na obligon secilin dhe secilën, që në formë të dokumentuar, në rrugë juridike, ose me angazhime artistike, muzikore dhe letra­re, ta prezantojmë artistikisht gjenocidin serb në Kosovë, në mënyrë kulturore këtë veprim ta shpalosim si de­non­cim para botës, përpara qytetërimeve. Vetëm kështu dhe me këto forma, si popull dhe shoqëri bëhemi më njerë­zorë, më të ndërgjegjshëm dhe shumë më të përgjegjshëm për atë që ka ndodhur, për të tashmen që po ndodh, dhe për të ardhmen që sigurisht do të ndodhë.

 Mesazhi lirik si “dritë mbi plagë”

Padyshim, “Dritë mbi plagë” ka përshkruar vuajtje e dhembje, plagë e varre, uri të shumta, dënesje deri në zenit, kurse vargjet janë përplot lot e gjak. “Dritë mbi plagë” është një libër i cili e sprovon me sukses “sprovën”, por nuk preten­don se e ka shterur mundësinë për të përzgjedhur dhe për të botuar edhe libra të tjerë të kësaj natyre.

“Dritë mbi plagë”, ose “sprovë për antologji”, hap debat kulturor, akademik edhe të nivelit universitar. Jo garë për të bërë libër të kësaj natyre edhe më të realizuar, sepse kjo është e mundshme, bile pa i përdorur këta autorë dhe poezitë e tyre, me një fjalë është hapur ideja për qasje akademike dhe studi­more, që bie në kompetencë të institucioneve shkollore dhe universitare, për të studiuar ose mbrojtur tema akademike pikërisht nga kjo fushë, për ta qartësuar edhe më mirë dhe më profesionalisht dhunën dhe gjenocidin serb. Nga kjo sprovë shihet se temat janë të shumta, mënyrat e qasjes edhe më tej, prandaj seleksionimi dhe tematizimi është proces i cili duhet të hulumtohet, studiohet dhe të zhvillohet.

Siç e kemi theksuar edhe më parë, tema e dhunës serbe, tema e krimit serb, gjenocidi i paparë, pastaj për gratë e dhu­nuara, masakra mbi të burgosurit në burgun e Dubravës, refu­gjatët, si dhe mënyrat e shkrimit letrar, përkatësisht poezitë e shkruara në kontestin kohor të ngjarjeve dhe poezitë artistike që ngjarjes i qasen nga perspektiva aktive, si dhe motivet e tjera të shumta e të ndryshme të cilat nuk i përmendëm ose na janë përvjedhur pa i hetuar fare, duhet të studiohen dhe si mendim të ngrehen në nivelin akademik. Me një fjalë, është detyrë e profesorëve universitarë për të hartuar programe dhe për të hulumtuar tema me motive të tilla, sepse poezitë brenda këtij libri janë përplot ide dhe me motive të shumta të cilat mund të zbërthehen e trajtohen vetëm nga studiuesit e kësaj fushe, qoftë vetëm sa për të fituar grada universitare dhe tituj akademikë. Gjithsesi, gjenocidi duhet të pasqyrohet edhe përmes studimeve në fusha të tjera, pasi dhuna dhe gjenocidi serb në Kosovë ishte me përmasa shkatërruese, andaj nuk duhet të harrohen.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Pajtimtari i gjaqeve, Behram Hoti për lexuesit shqiptarë nxori nga shtypi librin “Pajtimi i Gjaqeve 1990-1995”

Zymer Mehani: Pajtimtari i gjaqeve, Behram Hoti për lexuesit shqiptarë nxori nga shtypi librin “Pajtimi i Gjaqeve 1990-1995”

Libri i prof. Behram Hotit “Pajtimi i Gjaqeve 1990-1995” na sjell fakte, të dhëna dhe ...