Shkatërrimi sistematik i cilësisë së arsimit në Kosovë ka një adresë dhe ajo është Qeveria e Kosovës, Ministra e Arsimit...

Shkatërrimi sistematik i cilësisë së arsimit në Kosovë ka një adresë dhe ajo është Qeveria e Kosovës, Ministra e Arsimit…

Shkatërrimi sistematik i cilësisë së arsimit në Kosovë ka një adresë dhe ajo është Qeveria e Kosovës, Ministra e Arsimit, e Kulturës dhe të gjithë faktorët relevantë që kanë të bëjmë me arsimimin e gjeneratave, që nuk arriti t i shkatërrojë regjimi i Milosheviqit, i cili kishte përzënë nga objektet shkollore nxënësit dhe studentët në vitet 90-të të shekullit të kaluar. Rezultatet e nxënësve tanë në 10 vitet e fundit tregojnë më së miri se kush po e degradon dhe po e shkatërron arsimin kombëtar.

Të jesh në vendin e tretë para fundit në mesin e 78 shteteve pjesëmarrëse në testim, nuk është vetëm turp e papërgjegjësi por edhe akt antikombëtar, që kërkon përgjegjësi në mos penale, atëherë morale. Kosova ka një ministër të Arsimit, i cili ka shtatë a tetë zëvendës, disa dhjetëra këshilltarë, për të marrë rroga nga Qeveria dhe për të votuar partinë që i ka emëruar në post. Kosova ka një Qeveri me 22 ministra e  80 e sa zëvendës, të cilët po të hospitohen në rezultatet e dijes  së tyre, zënë po këtë vend në mesin e shteteve të botës.

Kush mund të thotë se nxënësit tanë e kanë fajin, sepse qenkan  të dobët gjenetikisht, se nuk qenkan  inteligjentë se qenkan të retarduar dhe nuk arrijnë dot rezultat më të mirë. Këtë mund ta thotë një ministër, nëse nuk jep përgjegjësi, apo nëse përgjegjësinë e adreson te arsimtarët, te drejtorët e shkollave,  të cilat i zgjedh jo dija e profesionalizmi, por partia në pushtet, ashtu sikur zgjedh edhe ministrat në pazarin e tyre politik.

Dhe përderisa pushtetet ndërrohen  në gati çdo dy vjet, kuptohet mirë se korret ky rezultat.

Po ashtu Kosova nuk ka Qeveri të dinjitetshme, as të përgjegjshme e cila mund të kërkojë llogari e përgjegjësi, sepse për të kërkuar llogari e përgjegjësi, në radhë të parë duhet të jesh i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për funksionin që ta ka besuar vota e popullit.

Rezultati i publikuar  në testin ndërkombëtar PISA 2018 tregon më së miri ku jemi dhe ku po na katandisin zyrtarët që kanë synim diplomat, tituj shkencorë, që nuk e manifestojnë diturinë,  por që u hapin dyert drejt institucioneve, jo për ta ngritur e përparuar arsimin, por për të fituar poste e favore, për t’u pasuruar vetë e me të vetë, pa çarë fare kokën pse nuk ka rezultat, sepse nuk pritet rezultat në arsim e kulturë nga zyrtari që ka blerë diplomën, që ka blerë magjistraturën e doktoratin, por kur shkruan e flet,  zbulon vetë nivelin e diturive dhe të arsimit.

Njëzet vjet pas luftës, Kosova sot ka ndërtesa moderne të shkollave të nivelit evropian, shkollat janë të pajisura me kabinete me mjete pune e tekste, madje  janë të superngarkuara. Ka tekste të panevojshme që i prodhon Ministria me tenderë, që lënë shumë përfitime. Ministria lejon tekste shkollore në përdorim me plot gabime lëndore e gjuhësore, sepse nuk përfillet dija e konkurruesve, por në radhë të parë përfillet lidhja, shoku, miku, bashkëpartiaku, pavarësisht se cili është niveli i dijes së prezantuar në një lëndë të caktuar. Nuk ka më ente shtetërore të botimit të teksteve shkollore, që kalojnë në më shumë se dhjetë filtra, por ka autorë të pavarur të librave shkollorë, që i delegon partia, akraballëku, shoqëria, klani… andaj e kemi këtë gjendje, andaj jemi të fundit në botë, jo më me fajin e Serbisë, e cila ka më shumë se 20 vjet që është dëbuar nga Kosova, por me fajin e njerëzve që nga paditura dhe papërgjegjësia e tyre po e shkatërrojnë të ardhmen e brezave, të qindra mijëra nxënësve e studentëve të vendit.

Rezultati i dalë nga PISA, (një koincidencë me kuptimin pezhorativ të  fjalës shqipe), është turpi, të cilin po e gëlltit Qeveria e Ministria, sepse nuk ka askush guxim të kërkojë llogari nga tjetri, pa dhënë edhe vetë llogari. Kjo na përkujton shembullin e gruas adulte, që hebrenjtë ia kishin hedhur para Jezusit dhe  donin ta mbysnin me gurët,  të cilët i mbanin në dorë. Po ku ai i tha që të gjuajë i pari gurin, ai që nuk ka mëkatuar, të gjithë filluan ta shikojnë njëri tjetrin në sy,  i hodhën gurët në tokë,  një nga një dhe u larguan…

Cilët janë përgjegjësit kryesorë të shkatërrimit nga brenda të cilësisë së arsimit shqip në Kosovë?

Kush duhet të japë përgjegjësi?

Kush duhet t’ i ndjekë, të paktën moralisht, meqë ata nuk kanë moral për të dhënë apo për të adresuar përgjegjësinë?

Kush duhet të përgjigjet për çantat me peshë deri në 15 kilogramë për filloristë dhe nxënësit në përgjithësi, sidomos në fshatra?

A ka zyrtar në këtë Shtet që mendon se ngarkesa e tyre fizike mbi kurriz ua deformon kurrizin?

Fajtorë po mbesin nxënësit tanë të dobët dhe jo arsimtarët, drejtorët, zyrtarët, ministrat, zëvendësit, këshilltarët tyre, jo kryeqeveritari as kryetari i Shtetit.

Thonë se faji gjithmonë është jetim.

Por jetimët e pashpresë janë fëmijët tanë në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës, i cili doli si rezultat  i gjakut të derdhur për liri, në mesin e tyre mijëra nxënës studentë e mësues, martirë e dëshmorë të kombit…

Dhe për fund

Ja cila është fjala e ministri të Arsimit për rezultatin e PISA-s

“Ajo çka ne kemi prit të kemi një rezultat më të mirë, nuk kemi rezultat më të mirë. Nuk janë ato rezultatet të cilat ne do të dëshironim ti kemi sot. Në pjesën e matematikës kemi rritje dhe në pjesën e leximit, në krahasim me vitin 2015. Ajo që është vërejtur është se kemi rënie në shkencë. Ndoshta në rezultat në shkencë ka ndikuar mbajtja e testit në mënyrë digjitale”, tha ai.

Për këtë ministër, arsimi është  vetëm dëshirë,  revy dëshirash, sepse ai ka dëshiruar një rezultat më të mirë, por ja nuk e kemi. Për këtë ministër arsimi nuk  është përgjegjësi, nuk është obligim, nuk është detyrë.

Çka të thuhet tjetër, kur ai e thotë me gojën e vet

 

(Ahmet Qeriqi)

  1. 12. 2019

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …