Shkrimtari e veprimtari i mirënjohur, Isak Guta, nxori në dritë edhe dy vepra: “Vrasja e veprave” dhe “Rrëfim i vonuar”

Shkrimtari e veprimtari i mirënjohur, Isak Guta, nxori në dritë edhe dy vepra: “Vrasja e veprave” dhe “Rrëfim i vonuar”

Krijimtarisë  së tij,  të begatshme letrare, 48-vjeçare, studiuesi meritor i Aleksandër Moisiut,  veprimtari dhe shkrimtari i mirënjohur, Isak Guta ia ka bashkuar edhe dy vepra letrare: “Vrasja e veprave” dhe  “Rrëfim i vonuar”, të cilat përurohen sot,   në  orën 16 e 30 në Galerinë e Arteve,   në Ferizaj.

Shkrimtari, Isak Guta sot me dy vepra letrare të sapo botuara përmbush 48 vjet qysh kur ka filluar të merret me krijimtari publicistike, letrare e arsimore.  Gjatë kësaj periudhe letrare, ai ka botuar vepra të shumta  dhe të llojllojshme publicistike, ndërsa vendin kryesor e zënë veprat studimore për aktorin e madh të skenës së dramës e të filmit botëror, Aleksander Moisu.

 

 

Ahmet Qeriqi: Isak Guta, është krijues i papërmbajtur në të drejtën e tij, si revolucionarët e përjetshëm, idealistët “e pandreqshëm”, vdekatarët e “pavdekshëm”

                                                                     “Jeta vdes, atëherë kur mbaron lufta” – Dostojevski

 

Proza dokumentare, letrare, “Vrasja e veprave” e autorit të mirënjohur, Isak Guta, është një vepër më shumë në opusin e tij krijues, me disa veçanti, ashtu sikur edhe veprat e tjera qofshin dokumentare, publicistike, hulumtuese e studimore, artistike e dramatike. Kjo vepër, në dukje është protestë kundër rendit ekzistues, që shpërfill krijimtarinë e mirëfilltë, kundër institucioneve arsimore e kulturore të vendit, mungesës së përkrahjes, jo vetëm institucionale…

Isak Guta është krijues që nuk e përmban veten në të drejtën e tij, njëjtë sikur kanë qenë dhe janë revolucionarët e përjetshëm, idealistët “e pandreqshëm”, vdekatarët e “pavdekshëm”.

Në këtë rrugëtim dhe angazhim jetësor, ai i përmbahet thënies realiste e filozofike të Dostojevskit të madh, i cili ka thënë se: “Jeta vdes, atëherë kur mbaron lufta” e Isaku ynë nuk e ka ndërmend ta ndalë luftën, sepse po e ndali e di çka e pret.

Të shkruash për veprat dhe krijimtarinë e Isak Gutës, është e lehtë sepse kurdoherë që shkuan ke të bësh me një risi, me një temë ndryshe, me një qasje ndryshe, me një realitet që zgjon interesim, që ka vlerë në pasqyrimin subjektiv të realitetit objektiv.

Vepra  më e re e Isakut,  “Vrasja e Veprave”, është prodhim i rrethanave realiste të kohës sonë në raport: Krijues-shoqëri, krijues-lexues, krijues mjedis kulturor, – heterogjen në shumë pikëpamje.

I vetëdijshëm për realitetin ekzistues  ndër shqiptarë, njohës i thellë i këtij realiteti në kohë e hapësirë, njohës edhe i  rrethanave etnopsikologjike, me një përvojë shumë të pasur dhe të gjatë krijuese, jetësore, Isaku doemos se do të protestojë, doemos  se të sjellë në kujtesë vështirësitë jetësore, luftën me censurën partiake e ideologjike të së kaluarës, përpjekjet  konstante për ta neglizhuar dhe anashkaluar krijimtarinë e tij të mirëfilltë,  nga qarqe të caktuara, të sotme.

Në këtë luftë të pabarabartë, Isak Guta është fitues moral, ndërsa institucionet dalin të jenë përfitues material, sepse në rastin e tij kursejnë paratë e buxhetit, edhe pse ato i derdhin sipas preferencave të tyre. Disa vjet më parë, Ministria e Kulturës kishte financuar  me 20 mijë euro shfaqjen   e një pjese teatrale, të një regjisori të parapëlqyer. Por për shfaqjen e premierës ishin shitur vetëm tri bileta dhe shfaqja ishte anuluar. Askush nuk kishte dhënë përgjegjësi për atë dështim.

Nuk është ky shembulli i vetëm.

Njoh sa e sa të tillë, ashtu sikur njoh edhe shumë krijues të nivelit të Isak Gutës, veprat e të cilëve  nuk kanë mbështetje institucionale,  ose kanë fare pak.

Por veprat nuk vdesin, pavarësisht përpjekjeve të disave, për ti i vrarë ato.

Përkundrazi ato jetojnë, jetojnë shumë gjatë, ashtu sikur ka jetuar dhe do të jetojë përgjithmonë Aleksander Moisiu ynë  Madh, bashkë me njohësin e tij më të përkushtuar, Isak Guta.

Jam më se i bindur se po të m0s  ishte marrë në mënyrë intensive ky biograf i Moisiut për jetën e veprat e tij, askush nga ne nuk do ta kishte njohur, në nivelin që e njohim tani, aktorin me famë botërore, në radhë të parë duke iu falënderuar, angazhimit jetësor të Isa Gutës. Andaj veprat e Isakut nuk mund të vriten, edhe nëse momenti kohor, në një rrethanë të caktuar i anashkalon, apo edhe i injoron.

Autori me gjuhën e fakteve flet për përpjekjet që janë bërë, nga qarqe të ndryshme politike e kulturore, për t ia vrarë e injoruar veprat e tij.

Duke qenë paqësor në shpirt, me mirëkuptim, dashuri e sidomos me një sinqeritet të lindur, shkrimtari e veprimtari, studiuesi e gjurmuesi, Isak Guta, në të njëjtën kohë është edhe luftëtar i pakursyer për të mos u pajtuar me realitetin mujshar, klanor, grupor që mbizotëron në jetën tonë kulturore, më shumë në Kosovë e më pak në Shqipëri.

Në veprën dokumentare-rrëfimtare, “Vrasja e veprave”, Isak Guta rrëfen në vetën e parë për veprat e tij, për mosmarrëveshjet e vazhdueshme me bashkëkohësit, për kapitalizmin e xhunglës që ka përfshirë si oktapod jetën tonë të përditshme, për ndeshtrashat dhe mosmarrëveshjet, për shpërfilljen e vlerave dhe mbështetjen e antivlerave.

Duke qenë se e konsideroj vetën njohës së veprave të Isakut, i jap të drejtë vetes edhe ta mbështes si gjithnjë shokun e mikun tim të idealeve, mbase edhe ta qortoj pak, pasi më duket se po e humb durimin, njeriu i cili tërë jetën ka duruar, por kurrë nuk është dorëzuar, kurrë nuk është mposhtur, kurrë nuk e ka humbur luftën, sepse lufta është ajo që e mbanë në jetë.

Dikush do të thoshte e ka nga lodhja e pleqëria, por Isaku i thotë plaç  – lodhjes e pleqërisë. Dikush me të drejtë do të konstatojë se tani duket më i zhgënjyer sesa më parë, por zhgënjimi i Isakut dhe i pjesës më të madhe të krijuesve është  normal për kohën dhe shoqëritë në të cilat po jetojmë.

Një këngëtare gjysmë lakuriqe që në rast të festave shtetërore e kombëtare këndon në qendër të Prishtinës, por asnjë këngë apo varg kënge në gjuhën shqipe, për një koncert dy orë, merr qindra mijëra euro të buxhetit të Kosovës. Një jugo aktor merr çmimin jetësor nga Ministria  Kulturës,  vetëm sepse në një intervistë për mediet në Serbi thotë se më mirë është jetuar në Kosovë në kohën e Millosheviqit sesa që jetohet tani  në kohën e Hashim Thaçit. Pastaj krenohet se mbi krevatin ku flinte, në Beograd, mbante portretin e Millosheviqit, ndërsa ankohet se nganjëherë ia hiqte nga ai vend, bashkëshortja e tij.

Eppur si muove ,  thoshte Galileu i Madh.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …