leoni

Shpallja e pavarësisë çështje orësh, ditësh, muajsh e vitesh…..(RKL)

 


Është për keqardhje kur për çdo ditë dëgjojmë avazin improvizues të kreut tonë politik lidhur me afatin kur do të “ndodh” pavarësia. Po të kthehemi për pak kohë në vitet e shkuara dhe po të hapim arkivat e lajmeve, do të zbulojmë sesa naive kanë qenë premtimet e tilla, qysh prej mbas luftës së vitit 1999, premtime këto, të cilat përgjithësisht janë shfrytëzuar për fushatat zgjedhore, ndërkohë që në vitin e fundit, nuk ka ditë që të mos jetë abuzuar datat, madje edhe javët e muajt e “bërjes” së pavarësisë. Këto fraza tashmë kanë mbetur fjalë e premtime boshe, të cilat po e humbin edhe kuptimin dinjitoz të kësaj fjale, meqë ripërsëritja e vazhdueshme ka krijuar një kiç të veçantë dhe monoton.
Një segment tjetër, vendimtar, që ndërlidhet me faktorët realë të shtyrjes së deritanishme të afatit për shpalljen dhe njohjen selektive ndërkombëtare të pavarësisë, vazhdimisht është mohuar dhe vazhdon të mohohet nga kreu ynë politik.
Shtyrja deri në këto ditë e afatit të shpalljes së pavarësisë, natyrisht se nuk ka ndodhur vetëm nga mungesa e angazhimit të kreut tonë politik, por në radhë të parë ka ndodhur për shkak të vonesave, paqartësisë dhe mungesës së gatishmërisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ta trajtojnë seriozisht këtë çështje.
Dihet botërisht edhe qëndrimi kundër pavarësisë së Kosovës i shumë shteteve anëtare të BE-së.
Çështja e definimit të statusit të Kosovës tani ndodhet në pikën më të fuqishme të ndërkombëtarizimit, por edhe të polarizimit në segmentet, për dhe kundër pavarësisë.
Dhe, pikërisht për këtë, nuk duhet krijuar huti në opinion duke fshehur realitetet faktike.

Dihet se kreu politik i Beogradit, i përkrahur fuqishëm nga Rusia dhe nga disa shtete evropiane ka ushtruar ndikimin vendimtar në shtyrjen e statusit, për shkak se pala negociatore shqiptare u fut në kurthin e Serbisë kur pranoi të zhvillojë negociata për pavarësisë e Kosovës, edhe pse dihej mirëfilli qëndrimin i bunkerizuar i Beogradit, kundër çdo lloj pavarësie. Ky ishte gabimi fatal që u bë para dy e më shumë vitesh. Dhe, ata që gabuan aq rëndë dhe nuk e korrigjuan, as e pranuan ndonjëherë këtë gabim, dihen me emër e mbiemër. Këta janë politikanët tanë që pranuan të ulën në bisedime me Serbinë, pranuan që bisedimet të zhvillohen në kuadër të kornizës 1244 të OKB-së, pranuan që bisedimet të zhvillohen në nivel Prishtinë – Beograd dhe jo në nivelin kombëtar si bisedime mes palës fitimtare shqiptare, dhe palës humbëse serbe. Dhe, tani kur gabimi i pafalshëm ka ndodhur, këtë gabim nuk mund ta përmirësojnë të njëjtit politikanë. Ata kanë vazhduar avazin e tyre, kanë pranuar “pakon” e Ahtisarit, me të gjitha ato lëshime që i bëhen Serbisë dhe do të pranojnë gjithçka që do t’ iu ofrohet vetëm për ta mbajtur në dorë pushtetin dhe “sundimin” në Kosovë.

Kreu i sotëm politik i Kosovës ndodhet në pritje të rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të Serbisë, edhe pse e mohon këtë fakt. Kështu ka ndodhur në vitet e fundit, jo vetëm njëherë dhe vazhdimisht është thënë me fodullëk e papërgjegjësi se zhvillimet në Serbi janë çështje e brendshme e një shteti fqinj.
A nuk duken të mjera dhe krejtësisht naive këto deklarata?
Përse hezitojnë këta politikanë ta pranojnë shtruar dhe pa mistifikime realitetin?
E kanë nga frika, apo nga kryeneçësia dhe krekosja po ashtu naive, apo e mbajnë një qëndrim të tillë, meqë me të vërtetë mendojnë se janë përfaqësues institucionesh, të cilat edhe ashtu i dirigjon dhe i korrigjon UNMIK-u? Fakti i qeverisjes ndërkombëtare në Kosovë nuk e ka stagnuar procesin e pavarësisë, meqë UNMIK-u nuk ka mandat për përcaktimin e statusit të Kosovës.

Opinioni ynë, mesatarisht i njoftuar nga mediet e huaja dhe ato vendore lidhur me zhvillimet rreth procesit politik në përcaktimin e statusit, e di mirëfilli seçështja e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe e njohjes selektive të saj, mbase edhe nga shumica e vendeve botërore, nuk varet nga kreu politik i Prishtinës, as nga Tirana zyrtare, sepse as Prishtina, as Tirana nuk janë faktorë që mund ta imponojnë për zgjidhje këtë çështje. Këtë fakt e dinë të gjithë shqiptarët që mendojnë esëll, e dinë mjaft mirë edhe shumica e politikanëve, por e injorojnë, meqë vetë fakti si i tillë e vë në dyshim angazhimin e tyre të mirëfilltë dhe të vërtetë kombëtar.
Dhe, pikërisht sepse nuk kemi faktor të konsoliduar kombëtar në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, ne nuk arrijmë të vendosim vetë për fatin tonë.
Pikërisht për këtë duhet pritur me ditë e me natë, me muaj e me vite, derisa dikush do ta japë shenjin për shpalljen e pavarësisë, e cila, si e tillë, gjysmake dhe e padefinuar si duhet, pa vonuar do të na ngel në fyt, sepse pakoja e Ahtisarit do të jetë kafshatë që nuk do të kapërdihet lehtë.
Pavarësia e kushtëzuar do të shpallet, jo sot e nesër, jo kur do të vendos Sejdiu e Thaçi, por kur të akordohen planet e BE-së dhe të Uashingtonit.
Deri atëherë kemi një mes-kohë, të cilën nuk duhet devalvuar me fjalë pompoze, me premtime dhe krekosje naive, sepse tekefundit janë ditët ato që rreshtohen në javë, muaj e vite, por është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme për një politikan, cili do qoftë ai, i cili për dy muaj rresht premton se kemi hyrë në ditët e shpalljes së pavarësisë dhe ditët po lëvizin radhë-radhë, njëra pas tjetrës, ndërsa shpallja e pavarësisë vazhdon të shtyhet nga dita në ditë..

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në takim me kryeministrin Kurti pajtohet për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar  takimin e tij me kryeministrin Albin Kurti, duke …