Ahmet Qeriqi: Tragjedi e kobshme në Kabash të Prizrenit. Serbët kanë vepruar me djallëzi (E premte 14 maj 1999)

Ahmet Qeriqi: Tragjedi e kobshme në Kabash të Prizrenit. Serbët kanë vepruar me djallëzi (E premte 14 maj 1999)

Dje dhe sot janë vërejtur lëvizje intensive taktike të forcave serbe. Ata të ndodhur përballë rrezikut nga ajri prore lëvizin nga një vend në tjetrin. Jam thellësisht i bindur se zbulimi i tyre sekret mbanë lidhje sidomos me pilotët dhe eprorët francezë apo italianë. Pikërisht në saje të këtij bashkëpunimi serbët deri tani nuk kanë pësuar ndonjë humbje të rëndë.

Përderisa serbët lëvizin nga një vend në tjetrin, ushtarët tanë janë të shtrënguar të ruajnë në pozicionet e tyre dhe të durojnë tërë breshërinë e armikut, duke pritur të duket këmbësoria, sikur ndodhi një muaj më parë në Gradinë. Ata janë të lodhur e ndoshta edhe të uritur meqë gjatë ditës kanë vetëm një racion bukë. Nuk kanë armatim as municion të mjaftueshëm. Megjithatë ata nuk kanë lëshuar asnjë pozicion asnjë pikë dhe për asnjë milimetër pozicionet tona në këto anë nuk kanë lëvizur. Ky është heroizmi për të cilin askush në botë nuk di dhe nuk beson. Këto fortifikata të lirisë po mbrohen me gjakun e bijave dhe bijve më të dinjitetshëm të kombit.

Derisa së bashku me Nezirin po i përgatisnin lajmet në tendë ka ardhur mjeku Fatmir Xhelili. Ai tregon se gjendja në Shtime është e rëndë. Popullata është larguar dhe në shumicë ndodhet në fshatrat Rashincë, Vojnovc. Disa familje kanë ikur në drejtim të ish RJ të Maqedonisë.

Sot kemi marrë edhe një lajm të hidhur. Burimet serbe kanë bërë të ditur se në fshatin Kabash të Prizrenit, aeroplanët bombardues të NATO-s kanë goditur mbi popullatën e zhvendosur. Nga predhat kanë gjetur vdekjen dhjetëra veta dhe shumë të tjerë janë plagosur. Të gjithë të pësuarit janë shqiptarë. Si duket ka qenë një kurdisje e forcave serbe të cilat e kanë detyruar popullatën në futet në një depo ushtarake, me qëllim që të ndodh ashtu sikurse ka ndodhur edhe herëve të tjera dhe sikurse ishte përgatit të ndodhte po dje te Ura e Komaranit. Mësojmë se në mesin e viktimave ka fëmijë, gra, pleq, nga Kabashi, Gjinovci dhe fshatra të tjera.

Edhe një tragjedi tjetër e kurdisur nga monstrumët serbë me qëllim të dyfishtë, me qëllimin më djallëzor, edhe të vriten qindra shqiptarë të pafajshëm edhe të akuzohet NATO-ja se po vret popullatë shqiptare dhe jo ushtarë apo policë serbë.

Është kjo një kurdisje tjetër kriminale që po ndërmarrin okupatorët për ta hutuar opinionin. Kurdisje të tilla djallëzore dhe të neveritshme dinë të bëjnë vetëm kriminelët serbë. Tani popullata e zhvendosur nuk ndihet e sigurt askund, madje as në rrugën e mundimshme për ta lëshuar vendin.

Emisionin e kemi përgatitur me kohë. Nga Radio Tirana, në radion e cila është e montuar në xhip kemi incizuar disa raporte tonike të ditës së djeshme në zonat e luftimeve dhe i kemi transmetuar si raporte tonike të huajtura, meqë nuk kemi telefon satelitor dhe nuk mund të marrim lajme nga terreni drejtpërdrejt.

Gjatë tërë natës aeroplanët e NATO-s kanë goditur caqet serbe. Nuk kemi të dhëna për humbjet eventuale të forcave armike, apo edhe të ndonjë shëmtie tjerë që mund të kenë kurdisur serbët në ndonjë vend në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e …