Shqipe Bakolli- Millaku: Gjuha shqipe në diasporë përgjegjësi dhe sfide

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,   

qi këtë gjuhë të Perëndis’,

trashigim, që na la i Pari,

trashigim s’ia len ai fmis;

edhe atij iu thaftë, po, goja,

që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;

qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,

flet e t’veten e lèn mbas dore.

  ( Gjergj Fishta )

 

Gjuha, është njeri prej faktorëve me te rëndësishëm të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor. Shkrimtari ynë i madh Gjergj Fishta, përmes vjershës “Gjuha shqipe” porosit gjithë brezat shqiptare për lashtësinë pellazge të gjuhës sonë dhe kultivimin e saj brez pas brezi si trashëgimi dhe vlerë për të cilën duhet të kemi kujdes të veçantë.

Në rrethana të emigrimit jashtë vendlindjes  gjuha është faktorë  kyç në mbijetesën e  komunitit shqiptar, në ekzistencën e tije dhe mos asimilimin. Diaspora shqiptare, e në veçanti arsimi shqip jashtë vendit përballet me shumë sfida dhe  vështirësi. Pa dyshim se ekzistojnë shume faktorë që janë të ndërlidhur me këtë gjendje, por problemet më të mëdha janë të lidhura me faktorin -NJERI. Por, çfarë po ndodhë me të vërtetë dhe cilat janë këto probleme që pengojnë  mësimin e gjuhës shqipe në diasporë?

Problemi i parë – Njëri ndër problemet që ka peshën më të madhe është mungesa e edukimit, arsimimit dhe  vetëdijesimit të prindërve shqiptar për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si formë e vetme e ruajtjes së identitetit kombëtare jashtë shtetit. Shumë familje shqiptare emigrante të gjeneratës së parë dhe të dytë janë në dilemë se: a duhet të dërgohen fëmijët e tyre në mësimin plotësues apo jo? Njëra prej arsyeve të shpeshta është se fëmijët duhet të mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë dhe se dygjuhësia është pengesë dhe ngarkesë për ata. Shume prindër flasin me fëmijët e tyre në gjuhen e huaj, dhe ndihen krenar për këtë, por jo edhe krenar për gjuhën ame. Por çfarë thonë hulumtimet të bëra në këtë fushë? Natyrisht të kundërtën. Fëmijët me dygjuhësi janë më të zgjuar karshi atyre që njohin vetëm një gjuhë.  Kur është fjala për fëmijët e gjeneratës së tretë duhet pranuar se ata kanë harruar të flasin gjuhen e nënës. Ka edhe nga ata qe nuk dëshirojnë që fëmija i tyre të ketë emër shqiptar por të huaj, sepse do t’a ketë më të lehtë integrimin në shoqëri, duke ia humbur identitetin e fëmijës që nga lindja. Prindër të tjerë parapëlqejnë që fëmija i tij të shkoj në ndonjë aktivitet sportiv se sa në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Ka edhe të tillë që nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që do ti kenë në të ardhmen fëmija i tyre, duke u vënë në pikëpyetje identiteti i tyre.

 Në shtetin Slloven, mësimi i gjuhës amtare parashihet me ligjin për shkollën fillore ( UR. 12/1996) . Por, për fat të keq shume shkolla ankohen se fëmijët shqiptare dhe prindërit e tyre nuk janë të interesuar ta shfrytëzojnë këtë të drejte që ju ofrohet e ju takon me ligj. Nga regjistrimi i fundit i vitit 2002, në R. e Sllovenisë ishin regjistruar 1434, fëmije shqiptare të moshës 0-14 vjeç, por ky numër duhet të jetë edhe më i madh duke patur parasysh migrimet e shumë familjeve shqiptare viteve të fundit. Edhe pse në disa qytete të R. Sllovenisë mbahet mësimi plotësues, numri i nxënëseve që vijojnë karshi numrit të nxënësve që gjinden në shkollat fillore është tejet simbolik. Kjo situatë nuk nderohet pa angazhim të faktorit shqiptarë i cili fatkeqësisht nuk e ka idenë se si.

Problemi i dytë – Të vendosura në disa vende të BE-së , njërën prej detyrave dhe obligimeve që kanë ambasadat dhe konsullatat, është edhe të kujdesen për afirmimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Por, a janë të interesuara ato më të vërtetë për këtë? Mungesa e profesionalizmit, burokracia, mosnjohja e problemeve të arsimit, janë njeri nga faktorët që i bënë këto institucione të blera nga individë partiak të jenë plotësisht   te pa afta dhe të pa dobishme për arsimin shqip ne diasporë.  Mjerimi edhe më i madhi tyre është  kur zyrtarët nga këto ambasada në vend që të bashkëpunojnë me profesionalist dhe intelektual shqiptarë  në këto shtete, siç e parasheh edhe ligji për diasporën (neni 12  ), në vend të kësaj ata preferojnë të shëtisin poshtë e lartë pas darkave me  grupe dhe klane që nuk i sjellin shtetit as një dobi, pos një imazhi të keq.  Rasti konkret : Ambasada e Kosovës në R. Sllovenisë nuk e shef të arsyeshme të vizitoj asnjëherë mësimin plotësues në Lubjane i cili fale vullnetit dhe humanizmit të mësueses dhe shoqatës Dardania po zhvillohet normalisht, edhe pse nuk paguhet nga askush. Brengosëse është fakti kur në përvjetorin e shtetësisë së Kosovës, me 17 shkurt, ambasada nuk i fton as nxënësit e as mësuesen e  gjuhës shqipe dhe as intelektualët e mirëfillte, duke futur përçarje dhe duke keqpërdorur dhe abuzuar me të drejtat e shtetasve të vet, sepse këta individ që kanë blerë këto pozita i konsiderojnë ambasadën pronë të tyre. Sa i përket problemit të mësimit plotësues në R. e Sllovenisë, sfidat janë te mëdha ndërsa përgjegjësi nuk merr askush.  Ambasada e Kosovës arsyetohet se nuk ka “kohë” për këto gjëra,  ambasada e Shqipërisë arsyetohet me mungese të shtetasve të saj, ndërsa ajo e Maqedonisë është indiferente, edhe pse mësimi plotësues i maqedonishtes për nxënësit maqedon paguhet nga shteti Maqedon por, jo edhe për shqiptarët. Kjo nuk shihet si diskriminim për ata! Kjo është  vetëm njëra anë e sjelljeve joprofesionale dhe qyqare e institucioneve shqiptare karshi problemit të arsimit shqip në diasporë. Shtetet shqiptare duhet ti përfaqësojnë njerëz dinjitoz dhe intelektual në ambasadat e tyre, ndërsa arsimit në diasporë  i  duhen mësues të licencuar dhe profesional që ne disa vende edhe i mungojnë.

Problemi i tretë – MASHT-i dhe ministria e Diasporës. Deri më tani është bërë  një  punë e mirë në hartimin e plan-programeve dhe botimin e teksteve për mësimin plotësues në diasporë. Gjithashtu shpërndarja e tyre falas ka ndikuar pozitivisht për shkak se fëmijët po e ndjejnë që dikush po mendon për ta por, edhe në ngritjen e kualitetit të mësimit. Por, këtu ka vend edhe për përmirësime. Edhe pse ekziston ligji për diasporën, ky ligj nuk aplikohet për asnjërin shtet ku zhvillohet procesi mësimor në gjuhen shqipe. Ligji ka mangësi, nuk parafesh se si do të paguhen mësuesit në diasporë, a do tju njihet provoja e punës, si do të jetë raportimi, si do të bëhet lëshimi i dokumentacionit pas mbarimit të vitit shkollor etj. Nëse ka pasur debate për ketë projektligj në diasporë pse nuk janë thirrur njerëzit që janë direkt të kyçur në mësimin plotësues, pse mungon informimi dhe bashkëpunimi, këto dhe shumë pyetje të tjera që shtrohen, duhet të kenë përgjigje nga këto dy ministri. 

Problemi i katërt – Jo shumë shtete janë bujare me diasporën shqiptare dhe gjuhen shqipe . Ne disa vende të BE-se për mësimin plotësues në gjuhen amtare, mësuesit paguhen e në disa vende ata nuk marrin asgjë, duke u injoruar nga vendi nikoqir. Problemi qëndron tek legjislacioni i vendit përkatës dhe diskriminimi që ju bëhet të huajve. Por, jo rrallë haset edhe në probleme të tilla ku imazhi i keq i krijuar nga shqiptaret ndikon në sjelljen e stafit pedagogjik  karshi nxënëseve shqiptar. Sipas një hulumtimi te fundit në shkollat sllovene ka pasur diskriminim dhe injorim të nxënësve shqiptare nga disa mësues në baza etnike. Arsyeja e mossuksesit të fëmijëve shqiptare nuk është e lidhur vetëm  me problemet gjuhësore por edhe ato kulturore dhe emocionale. Përballë gjithë këtyre problemeve, diaspora shqiptare është e lënë anash nga institucionet e shteteve amë, të cilat në marketingun e tyre zgjedhor e kanë gojën plot patriotizëm ndërsa në realitet diaspora për ta nuk paraqet asgjë më shumë se një  strajcë nga e cila merren vetëm para dhe hidhet kur s’ka nevojë.    

 

Autorja është studente e doktoraturës ne Universitetin e Lubjanës dhe mësuese e licencuar ne Republikën e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …